Bashkimi i viseve shqiptare gjatë pushtimit italo-gjerman

Nga Petrit KAZIU

Ngjarja më e shënuar, me përmasa të vërteta historike, që pati një rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e re të popullit tonë ishte bashkimi i pjesës më të madhe të viseve shqiptare brenda shtetit të njësuar kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, bashkim që u krye në vitet 1941-1944, nën pushtimin italian dhe atë gjerman.

Kosova dhe Camerija jane tonatPavarësisht se u krye nga dy shtete pushtuese, ky bashkim i shumëndërruar i pjesës më të madhe të viseve tona kombëtare në një shtet të vetëm, i hapi rrugën realizimit të ëndrrës shekullore të popullit shqiptar për krijimin e Shqipërisë Etnike, ëndërr legjitime e cila ishte ndërprerë në mënyrë të përdhunshme nga shtetet shoviniste fqinje, apo edhe nga fuqi të tjera armiqësore: Natyrisht, pushtuesit italianë dhe ata gjermanë llogarisnin në rradhë të parë interesat dhe përfitimet e tyre, duke synuar që nëpërmjet realizimit të këtij evenimenti historik për shqiptarët, t’i tërhiqnin ata pas vetes duke siguruar simpatinë e tyre, të neutralizonin dhe të paralizonin fillimin e çdo forme të rezistencës së armatosur kundër tyre, të bënin të mundur shfrytëzimin dhe transportimin pa problem të lëndëve të para materiale nga nëntoka shqiptare, aq të domosdoshme për ekonomitë e tyre dhe sidomos për industritë ushtarake respektive, pa bërë asnjë harxhim të fondeve të veta financiare.

Por, edhe për popullatën shqiptare të viseve kombëtare që gjendeshin nën sundimin e ish- Mbretërisë Jugosllave apo nën sundimin e ish – Mbretërisë Greke, dalja nga thundra e rëndë shkombëtarizuese e aparatit ushtarako – policor të këtyre vendeve të mallkuara dhe bashkimi me shtetin amë, simbolizonte me plot kuptimin e fjalës një rilindje të vërtetë dhe një çlirim që pak kush do ta kishte besuar, të cilin vetëm kjo rrethanë fatlume që u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga ndërthurja e konjukturave politike dhe ushtarake, e bëri të mundur që të sendertohej në realitet.

Protagonisti i zgjerimit të sipërfaqes tokësore të Shqipërisë së cunguar të vitit 1913, në politikën e jashtme italiane u bë sërish konti Çiano, po ai që më së shumti kishte punuar për të hartuar planin e pushtimit të kësaj pjese të njohur zyrtarisht të kombit shqiptar me 7 prill 1939, dhe që kishte këmbëngulur me forcë pranë Mussolinit për të bindur që ai të hidhte këtë hap fatal, siç ishte agresioni i pabesë i së Premtes së Zezë.

Konti Çiano besonte se italianët mund të fitonin në gjirin e popullit shqiptarë dashamirësi më të madhe në rast se do të ndiqnin vijën e irredentizmit shqiptar, diçka që përputhej fatmirësisht me planet italiane për pushtimin e Ballkanit. Kur kufijtë shtetërorë të Shqipërisë u përcaktuan prej Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, shumë shqiptarë u lanë jashtë kufijve të shtetit të ri. Grupi më i madh i popullsisë shqiptare të pakënaqur me këtë copëtim gjendej në Kosovë, e cila kishte qenë djepi i nacionalizmit shqiptarë gjatë shekullit të XIX, por që pas luftërave Ballkanike qe bërë dhunshëm pjesë e Serbisë. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh gjendej në Maqedoni, ndërsa një numër më i vogël gjendej në Mal të Zi, kurse në trevat jugore ndodhej një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të Çamërisë dhe më gjerë të Epirit, në Greqinë veriore. Në qershor të vitit 1939, Çiano, duke iu referuar çështjes së Kosovës dhe të Çamërisë, nënvizoi se Mussolini e cilësonte irredentizmin si “dritën e vogël në tunel”, si motivin ideal shpirtëror për të mbajtur lart shpirtin nacionalist shqiptar.

Njëkohësisht ai besonte se për italianët ishte më e lehtë të rrisnin popullaritetin e tyre duke u bërë kampionë të nacionalizmit shqiptarë, dhe këtu ai u nxit edhe më shumë kur mësoi nga ish përfaqësuesi i plotfuqishëm shqiptar në Beograd – se të 850.000 shqiptarët e Kosovës ishin “fizikisht të fuqishëm, moralisht të vendosur dhe entuziastë lidhur me idenë e bashkimit më shtetin e tyre amë”.

Sidoqoftë, së pari Çiano e siguroi edhe njëherë Greqinë dhe Jugosllavinë rreth çinteresimit që ai kishte për shqiptarët që banonin në vendet e tyre. Në rastin e Jugosllavisë, ai përfitoi prej takimit me ministrin e Jashtëm, Jovan Markoviç me 22 prill 1939 në Venecia, për ta shpallur një gjë të tillë me gojën e vet. Një ditë më parë, në ditarin e vet Çiano shënonte se: “tani për tani nuk duhet të lejojmë madje as të përfytyrohet se kjo çështje po tërheq vëmendjen tonë, përkundrazi” – dhe më tej sipas mënyrës së tij ai vazhdon – “është e domosdoshme që Jugosllavisë t’i jepet një dozë kloroformi”. E me sa duket kjo dozë iu dha Markoviçit. Pas kësaj, Çiano filloi një fushatë intensive e cila synonte që ta mbante të ndezur flakën e irredentizmit në Shqipëri.

Me 13 prill 1939, në fjalën që i drejtoi shtabit të Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtme, fjalim i cili më vonë do të shtypej dhe do të shpërndahej, ai nënvizoi se Italia dëshironte zmadhimin e kufijve të Shqipërisë dhe se ajo do ta ndihmonte atë të të realizonte aspiratat e saj kombëtare. Për të ndihmuar atë në këtë proces, Çiano krijoi një zyrë për organizimin e irredentizmit në kuadrin e nënsekretariatit për çështjet shqiptare.

Çiano i kërkoi Ernest Koliqit që të përgatiste një program për organizim e irredentizmit bazuar mbi tre përparësi:

  1. Propagandë intensive, theksi i së cilës do të vendosej mbi kulturën dhe fenë.
  2. Propagandë e njëjtë për ngritjen e mirëqenies.
  3. Krijimi i një organizate të fshehtë ushtarake, e gatshme për çastin kur do të shpërthente kriza e pashmangshme jugosllave.

Lëvizja e dytë e Çianos synonte të angazhonte drejtpërdrejtë shqiptarët në këtë çështje. Në vizitën e tij të rradhës në Shqipëri, në mesin e gushtit 1939, Çiano premtoi se Italia do të përkujdesej që Shqipëria të realizonte aspiratat e saj më të thella dhe e përfundoi fjalën e tij të shkurtër me një “Viva la grande Albania” (Rroftë Shqipëria e Madhe).

Gjithashtu, nga fjalimet e shumta të mbajtura kohë pas kohe nga zyrtarët e lartë shqiptarë dhe italianë, të përshëndetura nga manifestime spontane dhe të organizuara të popullatës shqiptare, folësit i referoheshin gjithmonë bashkimit të pashmangshëm të shqiptarëve të përtej kufijve me vendin amë. Kështu gjatë muajit mars të vitit 1940, senatori Mustafa Kruja mbajti një numër fjalimesh që u dhanë me altoparlante dhe u shtypën e u botuan, ku ai i referohej territoreve të paçliruara shqiptare. Në to ai i konsideronte kufijtë e vërtetë të Shqipërisë si kufij krejt të qartë pa pikë mëdyshjeje, por që nuk i korrespondojnë shtrirjes efektive të të drejtave të shqiptarëve, as përparësisë së pronës, ngjashmërive etnike të popullsisë ose fisnikërisë së përbashkët të origjinës”.

Pas gjithë këtij shtjellimi teorik të problemit në fjalë, do të dëgjohej një zë nga turma që do të thërriste: “Kosova”, dhe këtu senator Kruja u përgjigj: “Tani në Europë ka një luftë. Kur lufta të marrë fund, do të shihni se gjithë shpresat tuaja do të jenë realizuar”.

Në gusht të vitit 1941, Mbreti i Italisë, Viktor Emanueli shpalli krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila përafërsisht do të përfshinte në vetvete gjithë popullsitë shqiptare të Ballkanit. Për të qenë të gatshëm për realizimin brenda një kohe të shkurtër të bashkimit të trojeve shqiptare në Ballkan në një shtet të vetëm, italianët kishin përgatitur me kohë projektet e tyre, të hartuara në bashkëpunim me palën shqiptare. Këtë e tregon fakti se deri në fund të prillit 1941, konti Çiano kishte pritur në Romë katër specialistë shqiptarë, të cilët do te formulonin pretendimet shqiptare. Me ketë rast u formua një program maksimal dhe një tjetër minimal. Programi maksimal parashikonte krijimin e Shqipërisë së Madhe me dy milionë e gjysmë deri në tre milion banorë, ku përfshihej Podgorica, Novi Pazari, Ohri, Manastiri, Follorina, Janina dhe Arta, me fjalë të tjera, përveç Kosovës, në të përfshiheshin pjesët shqiptare të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë. Edhe programi minimal e rriste popullsinë shqiptare me 500.000 deri ne 850.000 banorë (në një kohë që vetë Shqipëria zyrtare asokohe kishte pak më shumë se një milion banorë), kryesisht nga Kosova dhe zona e Dibrës në Maqedoni, si dhe me një rrip të vogël të Malit të Zi.

Me t’u përcaktuar synimet, fushata hyri në fazën e veprimit. Jakomoni nxiti udhëheqësit e lëvizjes irredentiste kosovare ku bënte pjesë edhe Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani- t’i dërgonin telegram Mussolinit dhe t’i kërkonin çlirimin e Kosovës. Nga ana e tij konti Ciano veproi energjikisht për t’u marrë vesh me gjermanët që sapo kishin pushtuar ish – Mbretërinë Jugosllave. Me 21 prill 1941 ai takoi ministrin e Jashtëm gjerman Joachim Von Ribbentrop dhe i paraqiti në mënyre të hollësishme arsyet ushtarake, ekonomike dhe etnike që kërkonin zhvendosjen e kufijve të Shqipërisë drejt lindjes dhe jugut. Pas takimit të tyre të tretë me 24 prill, u arrit një kompromis- i cili më vonë u konfirmua edhe nga Vendimet e Vjenës.

Shqipërisë i jepet pjesa më e madhe e territoreve që kishte kërkuar Çiano, me fare pak përjashtime. Pjesën më të madhe të tokave shqiptare të cilat Italia fashiste kërkonte që t’ia bashkangjiste shtetit të zmadhuar shqiptar ndodheshin më parë të aneksuara nga ish – Mbretëria Jugosllave. Me pushtimin e shteteve të bllokut fashist ky vend pushoi së iekzistuari si një njësi e bashkuar politike e disa shteteve dhe u nda sipas planit që përgatiti komanda gjermane me 27 mars 1941, i ashtuquajturi “ Plani Orientues”, plan i cili u konkretizua në prill të atij viti me projektin mbi “Synimet e përkohshme për ndarjen e Jugosllavisë”. Përsa i përket trojeve shqiptare, pjesa më e madhe e Kosovës, së bashku me trevat veriperëndimore të Plavës, Gucisë, Rrozhajës, Ulqinit, Tuzit, trevat lindore etnike shqiptare dhe pikërisht Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova dhe Struga u përfshinë në zonën italiane të pushtimit.

Në bazë të Dekretit nr. 264 të Mëkëmbësit të Mbretit të dt.12.08.1941 këto territore iu bashkuan Shqipërisë. Me këtë rast, me shtetin amë u bashkua një territor me një sipërfaqe prej 11.780 km,2 me një popullsi prej 820.000 banorësh. Ndërsa territore të tëra, një pjesë e rrethit të Gjilanit dhe në anën e djathtë të Moravës ( rajonit në veri të Pasjanit), Vitia, Kaçaniku i vjetër dhe Zhupa e Siriniqit, rrethet e Preshevës, Kumanovës, Bujanovcit, Shkupit, Velesit, Prilepit dhe Manastirit, në të cilat jetonin rreth 200.000 shqiptarë u vunë nën pushtimin bullgar. Këtu u përfshinë 20 fshatra të Komunës së sotme të Gjilanit, 5 të Kamenicës dhe 22 të Vitisë, me një sip prej 411 km,2 dhe 32196 banorë. Nën pushtimin bullgar ishte rrethi i Kaçanikut që kishte 42 fshatra, me një sip. prej 900 km,2 me 60840 banorë, ose 8% të sipërfaqes dhe mbi 9% të popullsisë së saj. Ndërkaq, në kuadrin e shtetit kuisling serb, të drejtuar nga Millan Nediq, d.m.th në zonën gjermane të pushimit, në të ashtuquajturin Qark të Kosovës, u përfshinë rrethet e Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës (Llapi ) dhe Pazarit të Ri.

Një caktim i tillë i kufijve nuk kënaqi asnjë pushtues, madje as edhe shqiptarët, serbët dhe bullgarët. Qeveria italiane këmbëngulte që edhe Shtërpca dhe Kaçaniku i Vjetër të përfshiheshin në zonën e saj të pushtimit, duke e argumentuar këtë me faktin se shumica absolute e popullsisë së tyre ishte shqiptare. Por këto përpjekje ndeshën në kundërshtim energjik të qeverisë bullgare, e cila pati përkrahjen e plotë të Gjermanisë, që kishte siguruar të drejtën e shfrytëzimit të pasurive minerare të Bullgarisë. Megjithatë, në verën e vitit 1943 bëhet një rektifikim i kufijve në mes të pushtuesve italianë e bullgarë në zonën e nënprefekturës së Gjilanit. Kështu Zonës italiane iu bashkuan fshatrat Jerli Sadovine, Verban, Godance, Begunce dhe një pjesë e fshatit Cerkez i Sadovinës. Në këto rrethana kontradiktat ndërmjet Bullgarisë dhe Italisë për zgjerimin e zonave të pushtimit zgjatën deri në shtator të vitit 1943, kur kjo e fundit kapitulloi. Pas kapitullimit te Bullgarisë, në shtator të vitit 1944, kufijtë e Shqipërisë u zgjeruan deri afër Shkupit dhe prej andej në vijën Kumanovë- Preshevë- Bujanovc.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.