BARBARITË E ANDARTËVE GREK NË SHQIPËRINË E JUGUT

Shkruar nga Manxhar TAKAJ

Më 2 mars të vitit 1914, grekët shpallën autonominë e Shqiprisë së jugut duke e quajtur atë, shteti autonom i Vorio Epirit. Ende pa lindur shteti Shqiptar dhe pa u ngritur flamuri ne Vlorë, fuqi të armatosura të vëndeve fqinjë e mësynë Shqiprinë nga të gjitha drejtimet. Nga veriu serbët arritën deri në Durrës e Elbasan, malazestë po i afroheshin Shkodrës, grekët në jugë po i afroheshin Korçës dhe Gjirokastrës, ndërsa Himara ishte pushtuar nga forcat greke të Spiromilos që më 12 nentor dhe kishin arritur deri në Qafën e Llogorasë.

Grekët, që e kishin mbajtur të pushtuar jugun e Shqiprisë për gjatë vitit 1913, kishin marrë ultimatumin prej fuqive të mëdha të kohës, që deri në tetor të atij viti të dilnin jashtë kufive, tashmë të caktuara të shtetit Shqiptar, por ata akoma pa i lënë të lira të gjitha tokat Shqiptare, nxorrën nga mënga kartën e autonomisë së Vorio Epirit,që në fakt ishte një Kal Troje nga ato që grekët dinin të bënin më së miri. Preteksti ishte, se gjoja popullata ortodokse e Shqiprisë së Jugut, që ata e quanin popullatë greke, kërkonte të shkëputej nga shteti Shqiptar dhe të krijonte një shtet autonom, gjoja i pamvarur edhe nga Greqia. Më 13 shkurt 1914, në Gjirokaster, filloi punimet Kongresi Panepirot, ku merrnin pjesë përfaqësues nga Korça,Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Tepelena, Gjirokastra, Delvina, Saranda, Himara dhe disa përfaqësues nga rajone jashtë kufirit të Shqiprisë. Më 2 mars të vitit 1914, u shpall shteti i pamvarur i Vorio Epirit me kryeqytet Gjirokastrën dhe gjthashtu u caktua qeveria provizore me Kryeministër Jorgo Zografo, një shqiptar nga Qestorati i Lunxhërisë, i cili kishte arritur të bëhej Ministër i Jashtëm i Greqisë dhe së fundmi Guvernator i Janinës. Antarët e tjerë të Qeverisë Dh. Dhulis, A. Karapano,Papa Vasilis, S.Spiromilo, gjithashtu ishin shqiptarë me gjak dhe me gjuhë, por që shprtin ja kishin shitur Greqisë. Pretendimet e këtij shteti fantazmë , ishte që kufiri minimal verior të fillonte në Qafë të Llogorasë dhe duke ndjekur përgjithësisht një vijë te drejtë, të përfundonte në veri të qytetit të Korçës. Për realizimin e këtij plani djallëzor të krijimit të këtij shteti dhe sigurisht më pas bashkimi me Greqinë, u organizuan strukturat e armatosura ose e quajtura ushtri e shtetit të Vorio Epirit. Kontigjenti drejtues dhe organizator i këtyre forcave, ishin oficerë dhe ushtarë grekë, evzonë dhe korofillakë, të cilët hoqën uniformat e ushtrisë greke, për të krijuar idenë se ishin banorë vëndas. Kësaj force ju shtuan mijëra vrasës, kriminelë dhe hajdutë, që u liruan nga burgjet e Athinës dhe të Kretës, të cilët të organizuar në të ashtuquajturat “Batalione të shënjta”ose Hierollohite, u lëshuan drejt jugut të Shqiprisë për të vrarë, djegur dhe shkatërruar gjithçka. Banorët ortodoksë të Shqiprisë së Jugut, e kundërshtuan krijimin e këtij shteti fantazmë dhe në përgjithësi edhe pushtimin Grek, por fatkeqsisht disa prej tyre, të gënjyer dhe të blerë, u bënë pjesë e ushtrisë së andartëve grekë. Synimi i parë i qarqeve greke Vorioepirote ishte zhdukia me rrënjë e fshatrave myslimane duke i djegur ato dhe duke vrarë e përzënë banorët e tyre.

Banorët e Shqiprisë së Jugut, megjithëse pa ndonjë drejtim nga shteti i tyre, të pa organizuar , të pa armatosur siç duhet, i pritën pushtuesit andarto grekë me armë në dorë. Çetat shqiptare në Kolonjë, Tepelenë, Kurvelesh , Delvinë e gjetkë, të drejtuara nga komandantë popullorë si Çerçis Topulli, Selam Musai, Sali Butka, Sulo Beqiri e Sali Vranishti , për dy muaj rresht u rezistuan me trimëri hordhive andarto greke , të cilat ishin të komanduara nga oficerë me akademi dhe të paisur me armët moderne të kohës, të markave Gjermane. Një kontribut të veçantë në rezistencën e popullatës shqiptare, dhanë edhe ushtarakët hollandezë , të cilët gjëndeshin në Shqipri për të organizuar xhandarmërinë e shtetit, por që në fakt Qeveria Shqiptare e asaj kohe me Princ Vidin, nuk ushtronte asnjë autoritet dhe ndihmë në Shqiprinë e Jugut , pasi ishte e zënë me dallaverat e Esat Pashë Toptanit dhe me kryengritjen e Haxhi Qamilit. Pas një rezistence të përgjakshme dy mujore, popullata Shqiptare e këtyre zonave , e mbetur pa armatim dhe pa asnjë ndihmë dhe përkrahje, u detyrua të tërhiqet drejt veriut. Gjithë banorët e besimit mysliman të jugut të Shqiprisë, lanë fshatrat e tyre, shtëpi e katandi dhe me çfarë kishin veshur, u drejtuan drejt Vlorës dhe Beratit. Krimet që andartët grekë kryen ndaj popullsisë së pa mbrojtur Shqiptare në vitin 1914, kanë qënë nga më të egrat, më mizoret ,më barbaret që kanë ndodhur në ato kohë. Pa asnjë dyshim ato mund të krahësohen me natën e Shën Bartholemeut, me krimet sërbe në Bosnjë dhe Kosovë, me shkatërrimet dhe vrasjet e Pal Emilit në vitin 167 p.k, me masakrat Turke në Armeni dhe me ato që grekët bënë kundër popullsisë Çame, etj. Bilanci i vdekjeve dhe shkatërrimeve ishte tragjik; 7000 veta të vrarë, kryesisht të therur me thika, një mënyrë vrasje e preferuar prej andartëve grekë, 192 fshatra të djegura dhe të rrafshuar krejtësisht, mbi 100.000 banorë të këtyre zonave të përzënë me dhunë nga vatrat e tyre, të cilët u kthyen në muhaxhirë dhe mbi 4000 prej tyre vdiqën nga urija dhe sëmundjet, si dhe dëme ekonomike të pa llogaritëshme. Kanë qënë jo vetëm të përbindëshme por edhe makabre, kur në fshatin Hormovë andartët grekë vranë 217 burra në kishën e fshatit, në Panarit therën me thika 340 burra ,gra e fëmijë dhe trupat e tyre i hodhën në një hmnerë, në fshatrat e Përmetit, Pacomit dhe Kuqar vranë 75 burra dhe 40 gra, ndërsa 27 fëmijëve ju prenë kokat dhe i hodhën në një pus. Popullata e përzënë me dhunë u vendos kryesisht në ullishtat e Vlorës, ku sëmundjet dhe uria bënë kërdinë. Për të vizituar të shpërngulurit, më 26 korrik , erdhi në Vlorë edhe Princ Vidi, i cili përveç se ju qau hallin muhaxhirëve , nuk mundi t’ju jepte asnjë lloj ndihme, deri sa më 3 shtator të atij viti, ai u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Rreth këtyre ngjarjeve mikja e shqiptarëve Edith Durham shkruan: “Nuk mund ti besoj ato që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe dhe grekët edhe sikur një shekull të tërë, të bëjnë pendesë, ata nuk mund ti shlyejnë krimet e urrera që kanë bërë ndaj shqiptarëve”. Këto ngjarje tragjike, vetë populli i Shqiprisë së Jugut i ka gdhëndur në këngët dhe folklorin e vet kur thotë:

Më katërmbëdhjetë viti
Venizellua nga Gjiriti
Asqer nga Preveza ngriti
Shqipërisë ja vërviti
Seç e dogji dhe zhuriti

Ose:
Në Cepo tek Manastiri
Sokëllin Sulo Beqiri
O kurveleshas ti bini
Se na zaptoi qafiri

Ishin shqiptarët e Amerikës të asaj kohe, që më shumë se kushdo, ata dënuan barbaritë greke dhe përcollën me shqetsim e dhimbje masakrat në jug të Shqipërisë. Njeri prej tyre , që i përjetoi vetë ato ngjarje, prifti Kosta Papa Tomori shkroi librin “ Barbaritë Greke”. Me vërtetësi , objektivitet dhe dhimbje ato ngjarje i ka trajtuar edhe nëpunësi i Mbretërisë Teki Selenica, por çuditërisht historiografia dhe kultura jonë, këtyre ngjarjeve u ka kaluar krejt përciptas ose nuk i ka përmëndur fare. Përgjatë këtyre 100 vjetëve, ato ngjarje nuk u bënë asnjëherë subjekt i veprave letrare,artistike ,historiografike dhe publicistike. Askund në rajonet ku janë bërë luftime, por as në vëndet ku janë kryer masakra , nuk të zë syri ndonjë memorial ose vepër monumentale,ndërkohë që grekët po ndërtojnë varreza madhështore edhe atje ku nuk është vrarë prej italianëve asnjë ushtar grek , madje në mënyrën më makabre përdhosin eshtrat e banorëve të atyre anëve, ose kanë ndërtuar kisha edhe atje ku nuk ka asnjë njeri të besimit ortodoks. Çfarë mund të jetë kjo? Është një amnezi patologjike? Është një harresë e qëllimshme,apo është një ëndërr e frikshme, që nuk kemi guxim për ta kujtuar. Kjo kujtesë, kursesi nuk duhet të jetë për hakmarrje dhe as për të ushqyer urrejtje ndaj një populli fqinjë, por vetëm për të njohur të kaluarën tonë, për të njohur sakrificat e atyre burrave dhe grave që rezistuan me armë në dorë , duke dhënë edhe jetën e tyre, por kjo edhe për dinjitet dhe për reciprocitet në marrëdhëniet me këdo shtet tjetër,sado i madh dhe i fuqishëm të jetë ai. Këto ditë qarqet greke të teorisë së vorio Epirit dhe Megalidesë, po përkujtojnë me pompozitet 100 vjetorin e krijimit të shtetit autonom të Vorio Epirit, por indirekt edhe duke u krenuar për masakrat që kanë bërë ndaj shqiptarëve. Një tubim i madh u bë këto ditë në Athinë dhe një shtetas Grek në Himarë shpërndau fletushka që bënin thirrje për tu ngritur ashtu si parardhësit e tyre 100 vjet më parë dhe për të marrë Vorio Epirin. Po ne çfarë duhet të bëjmë? Na takon neve më shumë se kujtdo tjetër për të bërë tubime përkujtimore, për të kujtuar dhe nderuar luftëtarët e asaj kohe, për të përkujtuar e nderuar ata mijra burra, gra e fëmijë, viktima të pafajshme, që u thern nga andarto grekët në mënyrat më të përbindëshme që njeh njerëzimi.

Është gjëja më minimale dhe njëkohësisht detyrim që ato ngjarje të trajtohen nga historiografia jone, të përfshihen në tekstet shkollore dhe të ngrihen memoriale e monumente përkujtimore. Nuk do të ishte e tepërt që ngjarjet e vitit të mbrapsht 1914, masakrat, djegiet e fshatrave dhe shkatërrimet e gjithçkaje, t’jua kujtojmë grekve herë pas here dhe t’ju kërkojmë atyre që të lypin ndjesë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top