Balli n’Mërgim, letër të hapur Kryeministrit Haradinaj

Shkëlqesisë së Tij
Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj

I nderuar Kryeministër Haradinaj,

Përmes kësaj letre të hapur dëshiroj t’ju informoj publikisht për qëndrimet e Ballit, veçanërisht Organizatës n’Mërgim, në rend të parë sa i përket dialogut që po zhvillohet në Bruksel, dhe së dyti, rreth përfaqsimit joadekuat të interesave shqiptare në këtë proces. 

Për fillim, i nderuar Kryeministër, dëshiroj t’ua rikujtoj se Organizata e Ballit e ka mbështetur dhe e ka respektuar gjithmonë vullnetin politik të popullit shqiptar në Kosovë, duke filluar me proceset politike e ushtarake që janë zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, qëndrimin e mbajtur në Konferencën e Mukjes (Gusht 1943), mbështetjen e parezervë të vendimeve të Kuvendit të Lidhjes së Dytë Prizrenit për Shqipërinë etnike (16 – 20 Shtator 1943), si dhe duke vazhduar me diplomacinë aktive në shërbim të mbrojtjes së interesave kombëtare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mbështetjen e Deklaratës së Pavarësisë (2 Korrik 1990), Kushtetutës së Kaçanikut (7 Shtator 1990), si dhe Referendumit të vitit 1991, ku populli shqiptar i Kosovës shprehu vullnetin e tij politik për të ndërtuar një shtet sovran, demokratik dhe të integruar në strukturat euro-atlantike. Organizata jonë, në vitet e pushtimit të egër serb-jugosllav dhe komunist, përmes aktiviteteve të saj diplomatike në SHBA, e ka kultivuar dhe thelluar miqësinë e përhershme shqiptaro-amerikane, duke i hapur dyert e mbështetjes politike e ushtarake për pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Angazhimi ynë kundër pushtuesit, kundër komunizmit dhe mbështetja e vendosur karshi proceseve politike që nxorën në skenë institucionet legjitime të Republikës së Kosovës, ishte një politikë pragmatike kombëtare, në funkcion të lirisë, bashkimit dhe shtetndërtimit demokratik. Dua t’ua rikujtoj, i nderuar Kryeministër, se që në fillet e para, Organizata jonë ka qenë e involvuar në luftën e armatosur kundër pushtuesit, duke krijuar vet një grup të tillë ushtarak dhe duke mbështetur në çdo aspekt grupet tjera guerile të rezistencës ushtarake, me përjashtim të Shtabit puçist të Rognerit, të shpallur si Drejtori Politike e UÇK-së nga bandat sllavofile të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Dua t’ua rikujtoj, se gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, kryesia e Ballit në Kosovë ishte ajo që u burgos dhe u maltretua si mos më keq nga bandat çetnike të kriminelëve serb, Vojisllav Sheshelj e Zheljko Razhnjatoviq. Për koinçidencë, nga po këta gjakpirës të kombit shqiptar është ndërtuar edhe objekti i dhunshëm në oborrin e Universitetit të Prishtinës, të cilin institucionet e Republikës së Kosovës nuk e kanë rrënuar ende dhe që, disa vemje antishqiptare të interesuara për legalizim, po e quajnë Kisha e Shpëtimtarit. 

DIALOGUT NË BRUKSEL I MUNGON ZËRI I SHQIPTARËVE

I nderuar Kryeministër, në dialogun e monitoruar nga BE-ja që po zhvillohet në Bruksel, për shkak të natyrës së funkcioneve politike dhe obligimeve kushtetuese ndaj interesave të të gjitha etnive, delegacionit të Republikës së Kosovës i mungon zëri i shqiptarëve të lirë e të pavarur nga obligimet dhe kushtëzimet e natyrave të tilla, apo të tjera, qofshin ato të miqësive të dyshimta që rezultojnë fatale, ose të bashkpunimit të dikurshëm që protagonistët e dialogut i bënë të mbyllin gojën. Për këto dhe shumë arsye tjera, e mbi të gjitha për të mbrojtur interesin tonë kombëtar karshi pretendimeve armiqësore të Serbisë, Balli n’Mërgim shprehë hapur skepticizmin pa paragjykime, si dhe e merr në konsideratë thirrjen për bashkpunim të kryesuesit të delegacionit qeveritar, duke i ofruar Atij dhe Qeverisë që Ju drejtoni, pjesmarrjen fizike dhe angazhimin tonë të pakursyer e konstruktiv në dialogun e Brukselit.

Shpresojmë që pjesmarrja jonë fizike në dialog të mos kushtëzohet për shkak të orientimit tonë politik, apo për shkak se:

  • Balli e pranon dhe e mbështetë fuqimisht ekzistencën e shtetit unitar të Republikës së Kosovës.
  • Balli nuk heq dorë nga angazhimi politik në funkcion të promovimit të së drejtës së shqiptarëve për: 
    1a. Bashkim kombëtar,
  • 2a. Shqipëri etnike,
  • 3a. Kërkesës për dekolonizim,
  • 4a. Kërkesës për dëmshpërblim,
  • 5a. Kërkesës për dënim ndërkombëtar të akteve të shëmtuara të kulturocidit e gjenocidit, akte këto të ushtruara ndaj shqiptarëve nga pushtuesit e trojeve tona etnike.
  • 6a. Kërkesës për kërkimfalje dhe Rezolutë të veçantë nga Kuvendi i Serbisë.
  • 7a. Kërkesës për kërkimfalje dhe tërheqje të pretendimeve të padrejta e antihistorike të Kishës së Serbisë.
  • Balli, Marrëveshjen e ashtuquajtur obligative dhe përfundimtare me Republikën e Serbisë, nuk do t’a konsideroj edhe si përfundim të politikës së angazhimit tonë kombëtar për:
  • 1b. të drejtat dhe autonominë politike e territoriale të Kosovës Lindore.
  • 2b. të drejtat dhe autonominë politike e territoriale të dy Sanxhaqeve (Tregu i Ri dhe Toplica).
  • Balli, i kundërvihet çfarëdo zgjidhje që nënkupton shtrirjen e influencës ruse në Siujdhesën Ilirike.
  • Balli, nuk i rehabiliton kriminelët e luftës dhe të paqes.
  • Balli, nuk e përkrahë rrëzimin e Qeverisë Tuaj dhe të asnjë Qeverie Shqiptare me votat e Listës serbe, apo për shkak se ne e përkrahim plotësisht vendimin Tuaj mbi taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
  • Balli, do ta mbështesë çdo akcion në senzibilizimin e mërgatës shqiptare, për kyqje dhe kontribut në ribërjen e Forcave të Armatosura të Republikës.

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Haradinaj, duke vlerësuar përtej skepticizmit të shprehur më lart, se ne po i përgjigjemi pozitivisht thirrjeve Tuaja për unitet rreth dialogut të monitoruar nga BE, e mirëpres një takim sqarues me udhëheqësit e delegacionit Qeveritar. Njëkohësisht, ju lutem të pranoni shprehjet e konsideratës tonë më lartë.

Balli Kombëtar në Mërgim

Arbër Gashi, Kryetar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.