Kryesia e Komitetit të Ballit Kombëtar Demokrat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkon deputetëve të Kuvendit, që ata të mos e ratifikojnë marrëveshjen aktuale për demarkacionin e Republikës së Kosovës me Malin e Zi.
Zonja dhe Zotërinjë deputet,
Në mungesë të demokracisë gjithpërfshirëse dhe në një situatë ku pjesmarrja e qytetarit shqiptar në vendimmarrjet për Kosovën është pezulluar tërësisht, e ndjejmë të arsyeshme që publikisht t’ju rikujtojmë Juve përgjegjësinë e secilit deputet të Kuvendit për lirinë, sovranitetin, integritetin dhe demokracinë funkcionale në Republikën e Kosovës.
Balli Kombëtar Demokrat në SHBA, e konsideron si akt të papranueshëm ratifikimin e ngutshëm të Marrëveshjes së Demarkacionit me Republikën e Malit të Zi dhe, njëkohësisht, ne i japim përkrahje të plotë opcionit të zgjidhjes së problemit me maturi, urtësi dhe gjithpërfshirje.
Rinegociimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Republikës së Kosovës me Malin e Zi është detyrim. Kosova është cunguar mjaft. Mendojmë se nuk duhet lejuar, që komunistët t’i këpusin Kosovës edhe enët e gjakut!
Kosovës i janë shkëputur përmes pushtimit, dhunës dhe gjenocidit: Shkupi, kryeqyteti i ish-Vilajetit të Kosovës, Kumanova, qyteti ndaj të cilit terrori shtetëror nuk njeh ndërprerje dhe shumë vise tjera në të cilat, ose është kryer tërësisht, ose është në përfundim e sipër procesi i pastrimit të heshtur etnik.
Zonja dhe Zotërinjë deputet,
Shqiptarët shpresojnë te vota Juaj kundërshtuese. Në të kundërtën, sikurse edhe në të kaluarën, jemi të detyruar që si shqiptarë, çështjen e integrimeve kombëtare t’a qojmë para, e deshën apo jo strukturat drejtuese të pushteteve.