Balli Kombëtar Demokrat, alternativa e vetme e spektrit të djathtë politik në Republikën e Kosovës

Kapja dhe shkatërrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga strukturat komuniste të SHIK-ut të PDK-së dhe ish-drejtuesve të lartë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, e kanë lënë Kosovën për një kohë të gjatë pa një alternativë të djathtë politike. Për të mbushur këtë boshllëk të madh në spektrin politik të vendit, ballistët janë angazhuar me sukses dhe kanë formuar Organizatën Politike Balli Kombëtar Demokrat. Në tregun politik të Republikës së Kosovës, Organizata Balli Kombëtar Demokrat prezanton vlerën e veprimit praktik dhe marrjen e përgjegjësisë për shtruarjen e kërkesës sonë politike drejtuar opinionit vendor dhe ndërkombëtar, mbi  nevojën dhe të drejtën e ribashkimit demokratik të kombit shqiptar, duke e realizuar së bashku dhe në marrëveshje politike korrigjimin e padrejtësisë së thellë historike, e cila kombit shqiptar i ka kushtuar qindramijëra viktima të pafajshme.

agimcurriSi përfaqësuese e traditës historike të politikbërjes demokratike shqiptare dhe si pjesë e pandashme e trashëgimisë tonë nacionale e konservatore, Organizata Balli Kombëtar Demokrat i imponon në tregun politik të Republikës së Kosovës integrimet shqiptare dhe ato euroatlantike. Shqiptarët janë kombi më i vjetër në kontinetin europian dhe është plotësisht e natyrshme që aspirata kombëtare të jetë identike me amanetin e trashëguar nga të parët tanë, e ky amanet është integrimi i vendit tonë të bashkuar në strukturat euroatlantike. Shtruarjen e kërkesës së drejtë për ribashkim kombëtar, integrime euroatlantike dhe realizimin e përbashkët të këtij synimi historik e demokratik, ua kemi borxh të gjitha gjeneratave që luftuan kundër pushtuesve, sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë, ribashkimin dhe ringjalljen e kombit shqiptar.

Ribashkimi kombëtar i shqiptarëve është një proces demokratik që kërkon maturi, durim, vizion politik dhe gjithëpërfshirje shoqërore, duke mos i përjashtuar në asnjë rrethanë pakicat kombëtare që jetojnë në trojet shqiptare. Nga bashkimi kombëtar i shqiptarëve përfitojnë shqiptarët dhe afirmohen të drejtat e mirëqenjes politike e ekonomike për pakicat tjera kombëtare që jetojnë në vendin tonë. Ne nuk mund ta paramendojmë procesin politik, kontributin ekonomik dhe angazhimin praktik për ribashkimin tonë kombëtar, si një proces të përjashtimit dhe shfryerjes së epsheve nacionale, apo si adresim publik për përfitimin e poenave politik, ose larg qoftë prej nesh, si shërbim klientelist për interesa përfaqësuese. Duke besuar fuqishëm në vizionin tonë për një shtet të bashkuar e demokratik, të prosperuar në aspektin ekonomik dhe të integruar në strukturat euroatlantike, ne i ftojmë të gjithë qytetarët e vendit tonë, e veçanërisht të pakënaqurit me politikën e LDK-së, të bashkohen me Ballin Kombëtar Demokrat dhe të japin kontributin e tyre mendor, ekonomik dhe profesional në procesin e shtetndërtimit kombëtar shqiptar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top