BALI BAJRAM NOKSHIQI NË DËRGATËN E PAVARËSISË KOMBËTARE SHQIPTARE

Shkruar nga Ramiz LUSHAJ
 
Luftëtar në Luftën e Nokshiqit (1879-1880), luftë që i paraprini Pavarësisë së Shqipërisë.

Pjesmarrës në “Dërgatën e Pavarësisë” nga Kosova për në Vlorë më 1912.

Veprimtar i çetave për lirinë e pavarësinë e Plavë-Gucisë (1912-1941).

Komandant kufini i nënprefekturës së Plavës (1941-1944).

Vritet në luftë me malazezët në Shekullar në mbrojtje të kufinit shqiptar më 6 gusht 1944 duke prirë ballas me Flamur Kombtar Shqiptar në dorë.

Bali Bajram Nokshiqi u lind në vitin 1860 në kullën e martirit të kombit, Bajram Hysi (Hyseni) – një nga katër djemtë e tij (Muja, Balia, Brahimi, Halili) në vllazninë zamadhe Mekuli në Nokshiqin legjendar në kazanë luftarake të Gucisë, që asokohe së bashku me kazanë e Gjakovës (ku përfshihej edhe Malësia e Gjakovës) bënin pjesë në sanxhakun e Pejës të vilajetit të Kosovës.

I ati i tij, Bajram Hysi (Hysen) Nokshiqi është një nga luftëtarët prijëtar, nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit etj.  në betejat e 4 dhjetorit 1879 dhe 6-11 janarit 1880 kundër forcave pushtuese malazeze të udhëhequna nga antishqiptari Mark Milani. “Lufta e Nokshiqit” në historinë moderne shqiptare vlerësohet si “pararendëse” (“parathënia”, “prologu” etj.) i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare të 28 nëntorit 1912 në Vlorë. Në këtë luftë Bajram Hysi kreu një akt të lartë luftarak: e prishi urën e Nokshiqit mbi lumin Lim duke iu shkaktuar malazezëve qindra të vdekur e të humbur nga kalimi i lumit, çorientimi i ushtrisë në të dy anët e lumit etj.

Ndaj luftëtarit nokshiqas Bajram Hysi 65 vjeçar u hakmorën malazezët te xhamia e Nokshiqit. Para gjithë popullit e kishin lidhë kambë e duar duke i kërkue të ndrronte fenë: të kthehej në ortodoks malazez. Ai iu kundërthoshte burrnisht: “Jam Shqiptar”! “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria” etj.  Kjo i tmerroi malazezët, ndaj skuqin një kryq në zjarr dhe ia vendosin në ballë. Prapë nuk u mposht. E xhveshin sy popullit dhe kryqin e skuqur ia vendosin në anën e djathtë dhe pas qëndresës së pandalun ia vendosin një kryq të tretë në anën e majtë. Nga torturat i pushoi zemra. Aktet e tij heroike hynë në këngët epike të publikuara në botime shqiptare të kahershme:

“Çka Nokshiqi që po dridhet
Bajram Hyseni gjallë nuk lidhet
Çka Nokshiqi që gjëmon
Bajram Hyseni po lufton

Bajram Hyseni burrë shqiptar
Ju del shkijeve ballë për ballë
Për me mbrojt’ kufijtë shqiptar.”

Motra e Bali Bajram Nokshiqit do të ishte një nga heroinat e “Luftës së Nokshiqit”, e cila iu shpëtoj jetën 100 burrave të pafajshëm, të cilët malazezët i kishin ngujue në kullën e babës së saj dhe i kishin fut zjarrin nga sipër mbulojës duke ua hapë derën. Haxhi Zeka e përgëzoi publikisht duke e shpallë “Heroinë shqiptare të Nokshiqit” dhe komandanti Jakup Ferri si shenjë nderimi për këtë akt heroik në emër të 500 luftëtarëve plavjanë ia dhuroi një nga pushkët e tij me 100 fishekë. Një nga mixhët e Bali Bajram Nokshiqit, i quejtun “Hoxha i Nokshiqit”, Smajl Adem Mekuli (Nokshiqi), me titujt fetar Efëndi e Haxhi, baba i të madhit Esat Mekuli, kishte një bibliotekë nga më të mëdhajat e kohës në trojet etnike shqiptare, librat e të cilëve i kaluan në duar brezat nokshiqas.

Në “Luftën e Nokshiqit”, ku morën pjesë nga të rinjtë deri te pleqtë nokshiqas si Puro Mekuli 95 vjeçar, ishte pjesmarrës edhe Bali Bajram Nokshiqi 20 vjeçar, që në kujtime të përcjella prej tij, në një monografi në proçes botimi, thekson: “ Pas luftës së Nokshiqit nuk kemi mundur t’i numëronim të gjithë malazezët e vrarë, sepse ishin me mijëra edhe kishin mbetur si dujqit në arë…”.

Në vitin 1912 Bali Bajram Nokshiqi me tre vllaznit e tij, të persekutuar e të përndjekun ashpërsisht prej terrorit e genocidit serb e malazez detyrohen të shpërngulën nga Nokshiqi – fis kelmendas, vendlindja e vet, e të nisen drejt Gashit e Krasniqes në Malësi të Gjakovës, ku ngritën ngulime jetese për rreth 30 vjet deri në fillimvitin 1941: fillimisht në Bradozhnicë e mbasandej në Luzhë e në Rrogam e në fund në Llugaj. Ky largim i përkohshëm ndodhi se malazezët për hakmarrje të mijëra të vrarëve e të mbytun në “Luftën e Nokshiqit” (1879-1880), u vërsulën me zjarr e hekur me në krye kriminelin malazez Vashoviq duke djegë çdo gjë mbi tokë në fshatin Nokshiq. E dogjën edhe kullën e Bali Bajram Nokshiqit , e cila nga viti 1880 deri më 1944 u dogj 6 herë nga serbo-malazezët, pasi ishte një vatër e luftërave për liri e pavarësi, për bashkim kombtar shqiptar.

Bali Bajrami Nokshiqi me të vllanë Mujën, kur u hapën fjalë se Flamuri Kombëtar Shqiptar do të ngrihej në Prizren shkuan atje, po në kontakte me atdhetar të atyshëm e të krahinave të tjera mësuan se Flamuri i Pavarësisë do të ngrihej në Vlorë. Bashkë me trima të Kosovës u nisën me “Dërgatën e Pavarësisë”. Në Skrapar dy vllaznit Nokshiqi ndahen papritun e pa e ditë nga njani-tjetri, pasi të dy ishin sëmurë nga ethet e takohen në spital pas dhjetë ditësh. Pas një qëndrimi disa muajsh në Shkodër kthehen në vitin 1913 në Malësinë e Gjakovës, në këtë trevë, pranë familjeve të veta, ku do të krijojnë në vite lidhje miqësie me 75 familje të njohura në Shipshan, Krasniqe, Gash, Bytyç etj.

Bali Bajram Nokshiqi gjatë kohës të qëndrimit në Malësinë e Gjakovës (1912-1941), së bashku me të vllanë, Brahimin, ishte një nga veprimtarët e çetave shqiptare që vepronin për lirinë e Plavë-Gucisë e bashkimin e saj me Shqipërinë e Kosovën, si ato në Ultinën e Limit të Epërm (Nokshiq, Pepaj, Zharnicë etj.) e deri në Guci e Vuthaj dhe ato në Malësi të Gjakovës, në Pejë, në Krujë, në Shkodër etj. duke kryer disa aksione, që serbo-malazezët ua referuan si shqetësim disa kancelarive të Europës.

Bali Bajram Nokshiqi, nga prilli 1941 deri më 6 gusht 1944 ishte një nga krerët ushtarak e politik më të shquar të nënprefekturës së Plavës, e cila kësokohe nga vendasit u cilësua “Koha e Shqipnisë”. Për katër vite ishte një nga komandantët më të sprovuar të mbrojtjes së kufirit me Malin e Zi aqsa një inspektim i lartë i kufinit nga Tirana, teksa e kontrolluan më 12 korrik 1941 në pikën kufitare në Murinë u shprehën: “Sikur t’i kishim të gjithë komandantët e kufinit si Bali Bajram Nokshiqi”. Në pranverën e vitit 1941 e thirri familjen e vet të madhe në Llugaj të Malësisë së Gjakovës për të shkue në Nokshiq, te kulla e toka e vet, sepse kufijtë ishin vendos si në vitin 1912, ku qëndruan për katër vite në paqe e begati, duke i kontribuar mbrojtjes së krahinës, derisa në vitin 1944 pas ripushtimit malazez të Plavë-Gucisë u rikthyen prapë në Llugaj të rrethit të Tropojës për rreth pesë dekada.

Në kuvendin e prillit 1941, në drejtimin e personaliteteve vendase mbi 80 vjeçar, Çun Mulaj (Vuthaj) dhe Shaban Begu (Plavë), me pjesmarrje edhe të Prekë Calit nga vllaznia kelmendase e Vermoshit, i ftuar edhe kapedan Nika nga Mali i Zi, u vendos në mënyrë plebishitare që Plavë-Gucia të jetë nënprefekturë, të ketë një ushtri civile vullnetare me shtab të mbrojtjes popullore në Plavë; etj. Kuvendi i dha fjalën me rend e vend edhe Bali Bajram Nokshiqit, kulla e të cilit ishte qëndrestare në shekuj aty pranë Velikës, (fshat shqiptar i kthyem ma së shumti me asimilim në malazez ortodoks antishqiptar) etj., ku u betue se do ta mbronte me jetën e vet e të vllaznisë së vet (Mekuli) vijën e kufinit përballë Nokshiqit dhe krejt tokën e Plavë-Gucisë e çdo vend të Novi Pazarit, Shqipërisë, Kosovës e Çamërisë, betim të cilin e përmbushi realisht me gjakun e vet më 6 gusht 1944 në luftë me malazezët e serbët.

Bali Bajram Nokshiqit bashkë me Imer Maliqin, Xhemë Arifin, Imer Muçën ua kishin dhanë gradën e besimit komandantë brigade vetë paria e kuvendi popullor i krahinës së Plavë-Gucisë. Këto brigada vullnetare me 500 veta efektiv (100 rrinin në gadishmëri me i ndrrue çdo javë luftëtarët e vijës frontale të kufinit) kishin komandant të përgjithshëm Shemso Ferrin i derës së legjendarit Jakup Ferri. Këto brigada i furnizonte populli me bukë e ushqime e ma së shumti Nokshiqi, Pepaj e Zhanica.

Në vitin 1941, nipi i kriminelit Vashoviq, Gjergj Llashiqi, mësynë me e djegë Nokshiqin me gjithçka, me rranjë e degë, po trimat e tij si Bali Bajram Nokshiqi, Imer Maliqi, Bajrush Haziri, Brahim Bajrami, Islam Balia, Çel Mani, Rustem Hajdari e dhjetra të tjerë i dualën zot tokës e kullave të veta duke i kthye me luftë andej nga erdhën çetnikët e Çetinës, që me sulme të tilla provokative të shpeshta dogjën edhe xhaminë e Nokshiqit etj. Mburojë e madhe iu banë trima prijës si Bali Bajram Nokshiqi (Mekuli) me vllazni të vet.

Në kullën e Bali Bajram Nokshiqit për katër vite u ngrit Flamuri Kombëtar Shqiptar disa metra i lartë me u duk prej larg, po ky komandant trim i kufinit, bashkë me tjerët, e ka ngrit Flamurin Kuqezi në Majen e Sekericës, në Majë të Visitorit, në Murinë e në Majën e Mokrave jo vetëm në ditën e Pavarësisë, çdo 28 nëntor, po edhe në raste festash të tjera lokale e kombëtare, çka i tmeronte malazezët nga njana anë e sërbët nga ana tjetër. Në prill të vitit 1941, në Zhanicë, në prani të Shemso Ferrit e të bajraktarit Xhemë Arifi, para Flamurit Kombëtar Shqiptar ku ishin rreshtue brigadat vullnetare edhe Bali Bajram Nokshiqi bani betimin, që e mbajti duke luftue në mbrojtje të kufinit derisa dha jetën më 6 gusht 1944.

Në vitin 1941 malazezët sulmuan me e marrë edhe Plavën, kryeqendrën e krahinës, po paria e vendit e shtabi i mbrotjes popullore lëshuan kushtrimin në Malësinë e Gjakovës (Gash, Shipshan, Krasniqe, Bytyç e Berishë dhe Nikaj-Mërtur), në Dukagjin, në Rugovë, të cilët u gjenden në ballë të luftës menjëherë. Në krye të luftës doli Shemsi Ferri, me luftëtarë të Plavës e të Gucisë, Nokshiqit, Pepajt dhe të Zhanicës. I përzunë malazezët deri në Qafë të Previsë dhe vendosën kufirin me malazezët në Majë të Visitorit, në Murinë, në Majën e Sekericës, në Qafën e Priedolit, dhe në Majën e Mokrave. ku kufini takohet me Rugovën. Në këtë luftë Bali Bajram Nokshiqi tregoi akte të larta trimërie, aqsa kënga historike thotë:

“Bali Bajrami i Mekulit
U trego’ ç’a forca e burrit
Bashk me burrat e Nokshiqit
I del në kryevend rrezikut…”

Më 12 Korrik 1941, në qytetin e Plavës, kryeqëndren krahinore, në një mbledhje zyrtare në kryesim të Kolë Bibë Mirakës, me prani të Shemsi Ferri me trimat e Plavës, nga Nokshiqi ishte Bali Bajrami, Imer Maliqi, nga Zhanica Xhemë Arifit nga Zhanica e të tjerë ngrihet komandanti Bali Bajram Nokshiqi duke e  kundërshtuar ardhjen e Italisë me argumenta. Iu tha troç: “Kam shkue te marshalli italian dhe i kam lyp pushkë për brigadën vullnetare e më kanë dhanë, ju kam lypë fishekë e nuk më kan dhanë dhe kur u kam lyp bukë e ushqime  nuk më kanë dhanë asnjë përgjigje. U kam thanë, hajdeni në kufi, e më thonë, nuk kena urdhër.  Nuk e di dhe as nuk e kuptoj qëndrimin e tyre mbrenda kazermave, italianët nuk dalin në qytetin e Plavës me mbajt as qetësinë e vendit”. Qeveritari Kol Bibë Miraka  i quajti të papranueshme këto deklarata po komandanti i kufinit, Bali Bajrami iu kundërpërgjigj: “Mos i besofsh fjalët e mia pa ballafaqim, në qoftë se fjalët e mia janë të vërteta, atëhere propozoj që italianët të largohen nga qyteti i Plavës mbrenda 24 orëve”. Krejt mbledhja votoi në favor të Bali Bajram Nokshiqit dhe u caktue një komision  me përbamje zyrtare: antarë Sukë Faslia, Xhemë Arifi, Shemsi Ferri, ndëgjues Kol Bib Miraka, ballafaques Bali Bajram Nokshiqi. Gjatë ballafaqimit dolën të vërteta ato çka deklaroi Bali Bajram Nokshiqi dhe mbas 10 ditëve i çuen italianët në kazerma në Guci dhe u larguan andej dhe nuk i pa kush në Plavë derisa kapitulloi Italia.Nga një makinë e autokolonës  italiane që e çuan në Murinë ia morën 3 mitraloza,45 pushkë italiane, 10 revole, 50 bomba, fishekë etj. për brigadat vullnetare të mbrojtjes të kufinit e pas kësaj Bali Bajram Nokshiqi me të vetët shpëton pa ndonjë të keqe të madhe.

Çetnikët komunistë serbo-malazezët gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë provokuar vazhdimisht brigadën vullnetare, sidomos në Murinë dhe Zhanicë. Më 25 maj 1943 në Morinë sapo nisi mbledhja e drejtuesve të brigadës vullnetare, për me marrë detyrat për mbrojtjen e kufirit, po çetnikët malazezë e sulmuan barbarisht  Murinën për me i vra të gjithë. Gjatë këtyre luftimeve një malazez qëllon me armë Bali Bajramin Mekulin që po i ndiqte ballas armiqtë, por fatmirësisht plumbi e merr në shallin e lidhur rreth kokës (kaloi në mes të shallit të kokës) por nuk e preku kryet. Malazezi e gjuajti me një “taljane të gjatë”, por kur deshti me qëllue për herë të dytë iu bllokue arma e kjo i dha mundësi e kohë Bali Bajram Nokshiqit ta vrasë kundërshtarin ballëpërballë, ia merr armën edhe rrethin me fishekë që më vonë ia dërgon djalit të tij,Selimit, tek kulla në Nokshiq, të cilën ia dhuori tevona Agës në Llugaj.

Në vjeshtë-dimrin e vitit 1943, Bali Bajrami me të vllanë, Brahimin, pasi i çuan familjet e veta në Çerem (Shqipëri) kanë luftuar për tre muaj si luftëtarë të lirisë në lugina e male kundër malazezëve e serbëve që bënin provokacione e vrasje në rrethina të kufinit të Plavë-Gucisë e të Malësisë së Gjakovës. Pas disa muajsh, në atë fund dimri 1943, nuk kaloi gjatë dhe forcat malazeze të komanduara nga Drazhe Mihajlloviçi sulmuan Nokshiqin dhe familja e tij detyrohet të largohet nëpër Pejë, në Gjakovë e në Malësi të Gjakovës, ndërkohë që Bali Bajram Nokshiqi qëndronte në vijën e kufinit, në mbrojtje të tij nga sulmet e shkijeve.

Në Murinë e në Majën e Mokrave, bash në kufi me Shekollar, më 6 gusht 1944 u vra komandanti i brigadës kufitare Bali Bajram Nokshiqi, bashkë me bajraktarin Xhemë Arifi i Zhanicës e dhjetra të tjerë  çka solli okupimin e  Plavës  e të Gucisë nga çetnikë edhe komunistët serbo-malazezë. Dëshmitë e kohës flasin se po i printe luftës ballas me Flamur Kombetar Shqiptar në dorë. Emri e vepra e tij u skalit në disa këngë historike:

“Bali Bajrami me degët e lisit
Emër t’madhe i lanë Nokshiqit
Nga një luftë në një tjetër
Tuj zbardhë fytyrën kullës vjetër…

Vjen një zë prej istikamit
I kanë thirrë Bali Bajramit…

Bali Bajrami nderi i fisit
Rritë ja ka lavdinë Nokshiqit…
Me Ali Hysenin djalin e motrës
Simbol mbetën në krah të shqiponjës

Bali Bajrami, ky atdhetar
Komandant i Ballit Kombëtar
Për me mbrojt kufijt shqiptarë
Ra si trimat në Shekullar

Në Shekullar atje ka mbetë
Kurrkush vorrin s’ja ka gjetë
Për Kosovë e për Shqiptari
Kurrë s’harrohet emri i tij”.

Pasardhësit ia ndoqën rrugën Bali Bajram Nokshiqit duke kontribue për kombin shqiptar. Djali i tij, Islam Bali Nokshiqi, u pushkatua te Vrella e Mulliqit në rrethin e Gjakovës, i cili u tradhëtue nga komunistët shqiptaro-malazezë dhe në pabesi e arrestuen në shtëpinë e tij në Llugaj, duke e ekzekutuar më 14 Gusht 1947 pas tentativës për t’i vrarë malazezët agresorë. Presidenti i Republikës e ka dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes”. Nga dera e Bali Bajram Nokshiqit (Mekuli) është edhe akademiku Esat Mekuli, “patriarku”, “bardi”, “Shekspiri” i letërsisë e i kulturës të Kosovës, si dhe Hasan Mekuli, Sherif Mekuli, Qerim Ujkani, Halil Mekuli. Pasardhësit e tij në Llugaj të Tropojës gjatë gjashtë dekadave të fundit kanë dhanë kontribute për demokracinë e re shqiptare e pjesa ma e madhe e tyre tashti ndodhen në Teksas të Amerikës (në vendlindjen e presidentëve të mëdhenj – Bush) dhe këta bajnë një lobing të madh për Çështjen Kombëtare Shqiptare në të gjitha drejtimet e në të gjitha vitet e shekullit të tanishëm.

https://www.ballikombetar.info/2016/04/02/nokshiqi-normandia-e-harruar-e-shqiptareve/

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top