Bala, luftëtari legjendar i epokës Kastriotiane

SHKRUAN: LUTFI ALIA, SIENA ITALI

Në shekullin XV, Arbëria u trondit nga sulmet e vazhdueshme të hordhive barbare të Perandorisë Osmane. Janë të njohura masakrat që kryen turqit në popullatën civile, dihet se pas çdo fushate sulmesh kundër vendit tonë morën robër, që i dërguan në Anadoll; plaçkitën, dogjën dhe shkatërruan vlerat kombëtare arbërore.

Në këto rrethana, sidomos pas vdekjes të Gjergj kastriotit më 17 janar 1478, grupe të shumta familjesh arbërore, për të shpëtuar jetën dhe për të ruajtur fenë e krishterë, vendosën të braktisin atdheun. Shumica e ikanakëve zbarkuan dhe u vendosën në Itali. Historiografia italo-shqiptare referon zhvillimin e tetë eksodeve masive të arbërorëve gjatë shekujve XV – XVIII, me zbarkimin në Itali të mbi 250 000 arbërorëve.

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit u intensifikua ikja e arbërorëve dhe në një nga ikanakët e asaj kohe ishte Bala, një ndër luftëtarët e epokës Kastriotiane dhe personazhi qendror i poemës liriko-epike “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu. Bala me bashkëatdhetarët, fillimisht shkuan në komunën e Mozzojuso dhe më pas me banim në komunën e Palazzo Adriano. Bala ishte personazh historik i njohur, si e përshkruan dhe Gavril Dara i Riu në poemën liriko – epike, madje dhe në ditët e sotme, në disa komuna të Siçilisë të banuar me arbëreshë, tregohen ngjarje dhe këndohen këngët e tij. [Giuseppe Schirò Jun. 1959, f. 53]. [Nikola Keta, Tesoro di Notizie su de’Macedoni”, botuar në vitin 2002 në kujdesin e komunës Kontesha Entellina dhe Universiti i Studimeve të Palermos, faqe 242].

Me ato eksode të shekullit XV mbërrijtën në Itali dhe pararendësit e Gavril Dara i Riu, i cili tregon dhe për origjinën e familjes: “Të parët e mi të ardhur nga Arbëria në vitin 1485, ishin Mërkuri e Njanji i Darëve, të cilët stisën katundin Palazzo Adriano. Ata ruajtën ndezur në zemër kujtimin dhe dashurinë për atdheun. Gjyshi im mblodhi së pari “Këngët e pleqërisë”, që më pas u botuan pjesërisht nga peshkopi Krispi dhe nga Dhimtër Kamarda, të cilët e kuptonin sa vlen nderi i kombit. Në mes të dorëshkrimeve të gjyshit, Ati im Andrea Dara gjeti të fshehura, ato më të shtrenjtat, këngën “Rënkimet e Nik Petës dhe të Pal Golemit”, ndërsa në fund të fletës kishte shkruar: këto quhen Kënga e sprasme e Balës. Pasi u njoh me këtë dorëshkrim, Andrea zuri të endej lart e poshtë, a thua se kish dalë për gjah, duke pyetur pleqtë dhe plakat nëse i dinin këngët e Balës; ca këtu e ca atje, ai mblodhi gojë më gojë pjesën më të madhe që mungonte në shkrimet e të atit dhe i shtoi në dorëshkrimin e tij. Pasi u njoh me dorëshkrimet e Gavril Darës Plaku dhe të këngëve të reja të Balës që mblodhi, i hyri shkrimit të një vepre, i shtyrë nga fakti se këto vargje ishin fragmente pak a shumë të arrira, por duke i lexuar kuptoi se mungonin disa pjesë”. [Albansk Samling, Theca. II.17, fashikulli VIII (A-3)]. [Giuseppe Schirò Junior, Storia della litteratura alba-nese Nuova Accademia Editrice, 1959, f. 53 – 63]

Në vazhdim të kontributeve të gjysh Gavrilit (1765 – 1832), të babait Andrea (1796 – 1872), Gavril Dara i Riu (1826 – 1885) i mblodhi dhe i sistemoi këto dorëshkrime, i renditi së bashku dhe fillimisht i botoi pjesë – pjesë në periodikun “Arbëri i Ri” i Giuseppe Schirò – Plaku. Pas vdekjes të Gavrilit të Ri, duke filluar nga viti 1900, pjesë më të plota të poemës u botuan në italisht dhe në shqip në revistën “La Nazione Albanese”. Si libër më vete, poema epiko – lirike “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu, u botua në vitin 1906 dhe mbetet kryevepra e tij dhe një ndër kryeveprat e letërsisë sonë kombëtare.

Bala, personazhi qendror i poemës “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu, është person real, është personazh historik, madje i prezantuar dhe në nje pikturë murale të shekullit XV.

Gavril Dara i Riu, duke iu referuar shkrimeve të gjyshit Gavril Dara Plaku dhe të atit Andrea Dara shkruan: “Bala, ai që shkroi këto vargje, ishte një ushtar i madh, prej atyre, që bashkë me Gjergj Mirëshpinë ndërtuan këtë katund, pasi erdhën pas vdekjes të Skënderbeut dhe pasi ranë në duart e turkut Kruja dhe e gjithë Arbëria. Pleqtë e plakat arbëreshe dhe në ditët e sotme tregojnë se Bala ishte një plak i shëndetshëm, i ashpër, i vetmuar, që i kalonte ditët dhe muajt duke u ngjitur në çukat e maleve, duke vështruar nga lindja dhe duke iu falur Albanisë, ose shetiste nëpër pyjet duke folur me vehte dhe duke kujtuar shokët e rinisë së tij, që derdhën gjakun për lirinë e atdheut. Në ditët e dimrit, kur bora mbulonte malet dhe fushat, plaku Bala ulej pranë zjarrit dhe iu tregonte djemëve dhe vajzave arbëreshe historitë e atyre kohëve të shkuar, që ai i quante epoka e madhe. Im atë Andrea, për poetin Bala tregonte se ishte inspiruar edhe nga një pikturë e tij në Kishën Nënë (Chiesa Madre) në Palazzo Adriano, ku Bala prezantohet luftëtar me ngjyra të ndezura, me hundën me majë, me helmetë, me majën të artë në kreshtën e perkrenares dhe me parzmore si e luftëtarëve tonë”. [Gavril Dara Junior. Inter. 1906, p. 29 – 31]. [Giuseppe Schirò Junior, Storia della litteratura albanese Nuova Accademia Editrice, 1959, f. 53 – 63]

Kjo e dhënë e rëndësishme e Gavril Dara i Ri dhe e theksuar nga Giuseppe Schirò Junior, më nxiti interesin të njihem me këtë pikturë, pa dyshim e shekullit XV, ku prezantohet Bala luftëtari arbëror në radhët e ushtrisë të Gjergj Kastriotit, por në pamundësi të një udhëtimi të gjatë deri në Palazzo Adriano, kërkova ndihmën e mikut tim Hasan Aliaj, drejtori i gazetës “Rrënjët – Le radici”. Hasani kontaktoi arbëreshin Kalloxhero Raviota i cili u lidh me arbëreshen fisnike zonjën Ilaria Parrino, e bija Profesorit Ignazio Parrino, studiuesi i shquar i historisë të letërisë arbëreshe. Zonja Ilari e fotografoi këtë pikturë murale dhe nëpërmjet Kalloxhero na e dërgoi siç po e prezantoj në këtë shkrim.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top