SHKRUAN: GANI MEHMETAJ – Nga ekspedita arkeologjike në Plavë, Guci e Vuthaj (1)
Plava e Gucia me kanë provokuar nga fëmijëria. Në imagjinatë më dilnin burrat e kreshpëruar të Kelmendit se si luftonin e binin, se si suleshin e tërhiqeshin si në filmat e luftës, të cilët kurrë nuk i xhiruam për këtë periudhë tragjike të historisë sonë. Por asnjëherë nuk me ra rruga të vizitoja këto toka të kënduara në Lahutën e Malcisë. Dhjetëra herë kam kaluar përskaj Plavës e Gucisë, kur shkoja në det nga Çakorri a nga Kulla.
Kësaj here u nisa me një ekspeditë arkeologjike një pasdite të ngrohtë shtatori. Mbërritëm vonë në Plavë, atë natë nuk pamë asgjë, në terrin e natës kaluam nëpër Guci. Miku im nga Rozhaja, Ali Daci, kur i tregova për ekspeditën, na këshilloi që të fiksonin çdo visore të kësaj krahine që të mahnitë.
Vetëm të nesërmen na mrekulloi peizazhi i dy qytezave provinciale, ku koha pothuajse ishte ndaluar, njerëzit dukeshin si të përgjumur, por të përzemërt, mikëpritës e të përmalluar për shqiptarë Kosove. Ata të jepnin shumë informacione, por të bënin edhe pyetje, që s’dije si t’u përgjigjeshe, sepse shihje që i ndiqnin me interesim ngjarjet në Dardani. Ne dimë e interesohemi fare pak për ta, që është e pafalshme, përderisa ata sytë i kanë nga ne. Jemi mbyllure në gëzhojën tonë dhe na mjafton vetja.
“Ç’u bë puna e Çakorit? Po rruga Deçan- Vuthaj, kur do të ndërtohet?” Me pyeten, duke treguar se janë paralizuar e varfëruara disa katunde shqiptare të Malësisë në mungesë qarkullimi nga Dardania. E mbyllen rrugën e vjetër e nuk e hapin rrugën nga Deçani nëpër të cilën për 40 kilometra rrugëtim do të ishim në Plavë e Guci pa pasur nevojë t’i binim qark gjysmës së Malit të Zi.
Këto ishin hallet e përditshme të banorëve të Gucisë, Plavës e Vuthajve. Asnjë gjurmë nga luftërat tragjike, asnjë kujtim i përjetësuar për heronjtë e dikurshëm. Nuk pashë shtatore, as buste. Njerëzit punojnë të qetë, në rastet më të shpeshta e gëzojnë pensionin amerikan, duke ndenjur me një gotë raki a kafe para pijetoreve të provincës. Shumica e banorëve të Plavës, Gucisë e Vuthajve janë kurbetçarë. Gjatë verës kthehen në vendlindje, takojnë e pinë me miqtë e vjetër, flasin për Shkup e për Shkodër dhe kujtojnë kohën e shkuar. Disa duhet të kthehen sërish, sepse i pret puna, i pret familja.
Të rinjtë e papunë në Plavë, Guci e Vuthaj ëndërrojnë Amerikën. Vendlindja nuk u ofron asnjë mundësi punësimi, nuk shohin asnjë të ardhme në këtë krahinë epike, që e ka braktisur Zoti e robi. E ka braktisur edhe Kosova, kurse Shqipëria që nga koha e Prekë Calit, Mustafa Krujës e Ernest Koliqit, kurrë më s’ka treguar interesim për bashkëkombësit e vet. Kufiri nuk është larg. Kufiri nuk hanë më koka, por hëngri shumë koka, ndërsa prapë kufiri i ndanë njerëzit e një gjaku, e përgjysmon territorin.
Ato ditë të qëndrimit tonë në Guci e Vuthaj, në rrjetin social që e ndiqja nga maja e bjeshkës, shpërtheu polemikë e ashpër në mes të intelektualëve shqiptarëve dhe islamo-komunistëve të Tiranës për Prekë Calin, të cilin këtu e mbanin në mend për bëmat e tij. Ishte heroi i tyre.
Gravurat ilire 3200 vjeçare në shpellën e kryqeve
Gucia të shpalon një bukuri të rrallë. Natyra nuk ia kurseu hiret. Burimet e Ali Pashës janë mrekulli e natyrës që i vizitojnë të huajt. Në Shpellën e Kryqeve sipëri burimeve të Ali Pashës, që sipas banorëve i takon Vuthajve, ndërsa administrata e fut në Guci, duhej të ngjiteshe nëpër një dhiare që ta nxirrte shpirtin me pjerrësinë e vet. Shpella ishte caku ku duhej të hulumtonte ekipi i arkeologëve. Udhërrëfyese e ekipit ishte vendasja, Holë Gjonbalaj, pronare e restorantit “Krojet” më të bukurin restorant në këto anë. Pas rrugëtimit disa orësh, nen strehën e shpellës, ekipi i arkeologëve eksploroi një thesar për lakmi të vizatimeve e gravurave, që ishin skalitur me aq mjeshtri e përkushtim në shkëmb. Njeriu parahistorik shpalonte artin e tij dhe preokupimin me jetën e tokës e jetën e përtejme. Paraardhësi ynë e pati preokupimin e vet e të bashkësisë që i takonte.
Sipas arkeologut Haxhi Mehmetaj, gravurat ishin të vjetra mbi 3200 vjet, i takonin periudhës ilire të bronzit të vonë, apo hekurit të hershëm, paraqisnin artin e njeriut parahistorik dhe mënyrën e tyre të jetesës e të besimeve. Gravura të ngjashme kishte vetëm në Shqipëri e përtej detit në Itali, ku janë studiuar më shumë. Megjithatë këto vizatime, të skalitura në shkëmb ishin të papërsëritshme, ishte i mendimit arkeologu i Institut Arkeologjik të Prishtinës, Mehmetaj.
Ekipi i hulumtuesve matnin e vlerësonin, fotografonin e komentonin, bënin skica e retushime, ndërsa mua me interesonte ajo që flisnin banorët. Streha e shpellës, ku ruheshin vizatimet ishte në një bjeshkë të thepisur me vegjetacion të dendur. Ndërkaq, arkeologët ishin të mahnitur me ato që gjetën nën strehën e shpellës.
Gravurat e Vuthajve a të Gucisë i mbështillte oreoli i gojëdhënave të ndryshme, banorët u jepnin fuqi magjike, i respektonin, por rrallë i vizitonin, sepse terreni ishte tepër i papërshtatshëm, gati i pakalueshëm nga pjerrësia e vegjetacioni.
Jo pak banorë i jepnin fuqi magjike e të mistershme këtyre mbishkrimeve, ishin të sigurt se kryqet-svastika, u dilnin herë 21, herë 22, por asnjëherë në të njëjtin numër. Që ishte diçka e magjishme askush nuk dyshonte, secili ia jepte peshën e fuqinë që duhej ta kishte sipas tyre.
Por ajo që më bëri përshtypja ishte një rrëfim i veçantë. Sipas këtij rrëfimi që e dëgjuam në Guci, Pjetër Bogdani ishte strehuar tri vjet e gjysmë në këtë strehimore, aty ku ishin gravurat parahistorike. Kelmendasit e Vuthajve e të Gucisë e mbanin dhe e ruanin arbërorin e lavdishëm, sepse pjesën më të madhe të këtyre burrave deri në Rugovë e Rrafsh të Dukagjinit, Bogdani pastaj i rekrutoi në luftë kundër Turqisë, kur ia behu gjenerali austriak Pikolomini në Dardani. Janë 6000 mijë ushtarë arbëror të Pjetër Bogdanit që e çliruan Prishtinën, para se të vinin trupat austriakë. Sikur të mos e mbyste murtaja Bogdanin e të mos e përgjysmonte ushtrinë arbërore e atë austriake sëmundja, historia jonë do të ishte ndryshe.