ATENTATI NDAJ AVNI RRUSTEMIT, KUSH E VRAU DHE KUJT I INTERESONTE EKZEKUTIMI I VRASËSIT TË ESAT PASHË TOPTANIT

SHKRUAR NGA ROLAND QAFOKU

A mund ta kishte jetën e sigurt njeriu që vrau Esat Pashë Toptanin? Ky ankth për Avni Rustemin zgjati 3 vjet, 9 muaj e 7 ditë, kur Isuf Reçi bëri ndaj tij atë që ai vetë kishte bërë ndaj Esad Pashë Toptanit. 5 minuta përpara se të shkonte ora 16.00 të dielën e 20 prillit të vitit 1924 në Tiranë, dy plumba të dalë nga e shtëna e pistoletës e lanë të plagosur për të ndërruar jetë dy ditë më vonë. Ishte vrarë vrasësi i Esat Pashë Toptanit.

SKENA E KRIMIT

Me hap të shpejtë, i shkujdesur dhe pa asnjë interes për këdo që kalonte në rrugën e varrezave, Avni Rrustemi dukej i sigurt teksa pranë ishin dy miqtë e tij, një prej të cilëve deputeti Hoxhë Kadriu.

Atë pasdite të së dielës, nuk duhet t’i ketë bërë përshtypje në mes të turmës një njeri i zakonshëm por i panjohur për të. Quhej Isuf Reçi dhe kur akrepat shënonin 15:55. pa i thënë asnjë fjalë, nxori pistoletën nga brezi, ia drejtoi dhe dy krisma të thata e lëkundën Avni Rrustemin.

Duke u mbajtur në objekte aty pranë, Avniu arriti të nxirrte nga brezi pistoletën e vet dhe të qëllojë katër herë drejt tij, por asnjë plumb nuk e preku atentatorin.

Rrëmuja, klithmat dhe urdhri pa objekt i dëshmitarëve “kapeni vrasësin” ishte skena e dytë e ngjarjes. Një pellg gjaku përreth trupit të plagosur dhe zhdukja e atentatorit përbënin skenën e tretë, e cila pati si epilog vdekjen pas dy ditësh të të plagosurit.

VDEKJA PAS DY DITËSH

Ndonëse atentati ndodhi afër 1 shekull përpara shpikjes së internetit, lajmi u perhap pothuajse me shpejtësinë e tij në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Politikanët ishin ata që morën në kohë rekord të parët informacionin e saktë se çfarë kishte ndodhur.

Sejfi Vllamasi kujton:

“Avni Rrustemi plagoset rëndë nga një kriminel profesionist, Jusuf Reçi, në vorrezat e asaj kohe, në rrugën e sotme “Hoxha Tahsin”. Vrasësi alkoolik e qëlloi Avninë pas shpine e nën shpatull të majtë, duke ia ulur grykën e pushkës me qëllim që të shkaktonte një plagë të rëndë e të çrregullt, me një fjalë vdekjeprurëse. Avniu menjëherë i përgjigjet me pushkë kriminelit, por ai ishte larguar mjaft dhe mbeti i paprekur. Avniu shtrohet në spital të asaj kohe pranë Sahatit”.

Avni Rrustemi qëndroi në jetë 47 orë e 25 minusta pasi u plagos. Dëmtimi i disa organeve jetësore dhe hemorragjia e madhe i shkaktuan vdekjen. Në autopsinë e kryer nga mjekët shkruhet:

“Zotni Avni Rrustemi që asht plagos me revolver, plumbi i ka hyrë nga prapa me të tetëtin e brinjës, në të mëngjërët, 2 gisht afër peshkut të kurrizit, tue shpue majën e mëlçisë, diaphgramin, pankreas dhe duke shpuar stomakun, plumbi ka mbetë përpara nën lëkurë dhe rrjedhja e gjakut ka shkaktue vdekjen. Tiranë 29 qershor 1924”.

VARRIMI DHE ODISEA E ZEMRËS

Ceremonia e varrimit të Avni Rrustemit u krye 6 ditë më vonë në Tiranë. Më 28 prill trupi i tij u vendos në qendër të kryeqytetit, banorët e të cilit nuk kishte parë kurrë në kryeqytet një masë aq të madhe njerëzish që nderonin një vdekje. Në krye të procesionit qëndronin politikanët e opozitës, për të cilët, vrasja e tij kishte zemëruar të madh e të vogël. Revolucioni kishte filluar. Atmosferën e këtij procesioni na e sjell me plot detaje dhe me nota therëse Eqrem bej Vlora.

“Një komedi e ngjashme ishte edhe ceremonia e nderimit para arkivolit të hapur të Avni Rrustemit në spitalin e Tiranës. Të gjithë ata që e quanin veten “popull” dhe “demokratë” kaluan përpara arkivolit të këtij karagjozi kriminel të cilin donin, me doemos, ta ngrinin në piedestalin e heroit kombëtar dhe të martirit.

Me radhë, udhëheqësit e Partisë Demokratike ngjiteshin pranë arkivolit dhe zbraznin rrëketë e fjalëve të tyre, pa dashur t’ia dinë se për popullin këto poza janë krejt të huaja, sepse ato shkelin zakonet dhe kuptimin e tij për dinjitetin njerëzor. Kjo shfaqje u zhvillua për një javë të tërë në Tiranë dhe pastaj në Vlorë, për gazin e gjithë kalamajve.

Gjithë kjo shfaqje hipokrite ndiqte vetëm një qëllim: të ngrinte peshë zemrat e njerëzve dhe nga trazira e përgjithshme, të fitonte kapital politik. Në këtë vazhdë, befas, Partia Demokratike vendosi ta transportojë të vdekurin në Vlorë, ta varrosë në një lëndinë të vogël trekëndëshe para barakës së teatrit dhe kinemasë, në kryqëzimin e rrugës Skelë-Kaninë-Vlorë dhe përmbi të, të ngrejë një përmendore. Me qëllim gjoja, që ta përjetësojë.

Në të vërtetë, pas tre muajsh, grumbulli i dheut dukej krejt i lënë pas dore, ndërsa pas tre vjetësh, ishte zhdukur fare me vjegë se po përcjellin trupin vdekatar të atdhetarit të madh, shumë politikanë të mirëfilltë dhe asish të improvizuar u vunë në lëvizje nga Tirana dhe përmbytën Vlorën, si një luzmë karkalecash”.

Por varrimi i Avni Rrustemit nuk u bë as në Tiranë, e as në vendlindjen e tij Libohovë. Për të plotësuar amanetin që kishte lënë, trupi i tij u dërgua më 29 prill në Vlorë dhe më 1 maj u krye varrimi.

Ceremonia u bë aty, pranë varrit të Ismail Qemalit, në lulishten në qendër të qytetit. Ishte amaneti i Avni Rrustemit dhe aty u ndërtua një varr si bodrum me dy kate nën tokë. Por ky nuk do të ishte varrimi i fundit. Më 8 tetor 1982 në orën 15.00 u zhvarros për t’u ndërtuar një varr i ri. Mbi këtë varr u ndërtua edhe monumenti i Avni Rustemit, autor i të cilit ishte skulptori Kristaq Rama.

Avni Rrustemi quhej në Vlorë si shqiptar me zemër të fortë. Vrasja që i bëri Esat Pashës ia kishte ngritur në zenit famën dhe kjo lidhej me organin më jetësor të trupit të tij, zemrën.

Idhujt dhe mbështetësit e tij duket se nuk ndaheshin dot fizikisht me Avni Rrustemin. Ndonëse ai kishte vdekur, donin të kishin diçka nga trupi i tij. Në ndihmë u erdhi doktor Shezai Çomo, daja i Avni Rrustemit, që kreu balsamosjen e trupit. Ishte më se normale në atë kohë që trupi i një të vdekuri të balsamosej. Por kjo procedurë kërkonte që organet e brendshme të nxirreshin nga trupi dhe me to kryheshin procedura të tjera.

Mjekët vendosën që ta ruanin zemrën e Avni Rrustemit dhe Zyma, doktori i njohur i asaj kohe, kreu të gjithë procesin e balsamosjes së trupit, por edhe të ruajtjes së zemrës në kushte optimale. I pari që flet për këtë veprim të rrallë është Sejfi Vllamasi.

“Avniu vdiq pas dy ditësh nga hemoragjia. Zemrën ia nxorën për ta ruajtur dhe trupin ia balsamosën për ta transportuar në Vlorë për varrim”.

Si një objekt trofe, zemra e Avni Rrustemit u vendos në kushte ruajtjeje në një vazo, e zhytyr në një solucion që e ruante përjetësisht dhe iu dorëzua farmacistit të Vlorës Nasho Qirko, që shërbente në farmacinë numër 1 të qytetit. Për 39 vjet, zemra e Avni rrustemit u ekspozua në farmaci, e vetmja farmaci në Shqipëri që shërbente për dy funksione; për të blerë ilaçe, por edhe si një ekspozitë për të parë zemrën e Avni Rrustemit. Pas vitit 1963 nuk ka asnjë të dhënë se ku përfundoi zemra e tij.

Ekziston një kërkesë që zemra të kthehej në vendlindjen e Avniut në Libohovë, por nuk është konfirmuar kurrë që zemra të ketë shkuar atje. Pas afro një shekulli nga vrasja jemi të qartë se si Avniu e vrau Esat Pashën në Paris dhe si e vranë Avni Rrustemin në Tiranë. Por nuk e kemi të qartë se cili ishte fati i zemrën së tij, ajo zemër që i dha atij famë, emër, por edhe guxim për t’u futur në histori.

SI U ORGANIZUA VRASJA?

Vetëm disa orë pas atentatit ndaj Avni Rrustemit, fjalënaja mbi autorin e krimit qe bërë ortek.

Si fillim u akuzua direkt Ahmet Zogu që kishte vënë Isuf Reçin të kryente vrasjen. Dikur Isufi kishte qenë shërbëtor te familja e Zogut dhe ky ishte një fakt për të besuar dorën e Zogut në këtë ngjarje. Por më pas akuzat ndaj Zogut nisën të zvogëlohen si intriguesi kryesor u përmend Osman Bali, njeriu i besuar i Esad Pashë Toptanit. Sipas të dhënave, një ditë më parë nga ngjarja, ai planifikoi dy atentate.

Të parin do ta bënte vetë Osmani, në Elbasan, duke vrarë Aqif Pashën, një nga njerëzit më të rëndësishëm të opozitës së asaj kohe, ndërsa të dytin ia kishte lënë detyrë Isuf Reçit të vriste në Tiranë Avni Rustemin. Isuf Reçi ishte një njeri i thjeshtë, që prej vitesh kishte marrë tek sarajet e Esadit një mulli dhe duke bluar ushqente familjen e tij.

Historia mori trajtën e një legjende teksa përmendej se Osman Bali nuk donte të ishte ai vrasësi i Avni Rrustemit.

“Nuk e ndyej koburen me të”, përflitej, se kishte thënë Osman Bali, tek i ngjeshte në dorë revolverin të punësuarit tek Pasha. Plani i Osman Balit u realizua përgjysmë. Vetë ai nuk e gjeti në Elbasan Aqif Pashën dhe kështu ai u shpëtoi. Isuf Reçi, mirënjohës, por edhe besnik i kujtimit të Esatit, mjaft i pikëlluar kur në pranverë 1920 i patën vrarë idhullin e tij, nuk e humbi orientimin dhe pasi i çuan fjalë se Avni Rrustemi sapo kishte zënë një dhomë në Hotel International, e priti të dilte.

Për orë të tëra iu vu pas Avni Rrustemit. Pastaj e ndoqi pa rënë fare në sy. Do t’i kishte shtënë më shpejt nga sa ndodhi, sepse qe fare vetëm, por që në minutat e para të lëvizjes iu shfaqën dy mbështetës dhe e vunë në mes, në një mënyrë të tillë si të ishin truproja.

Por ai megjithatë e pati gjetur çastin kur nëpër kapërcyell të kalimit të rrugës, Avni Rrustemi u shkëput prej mbrojtësve të tij. Nxori pistoletën dhe qëlloi disa herë ndaj tij, duke zbatuar planin e Osman Balit, por edhe dëshirën që e digjte prej kohësh. Isuf Reçi hyri kështu në histori si vrasësi i vrasësit të Esad Pashë Toptanit, shefit të tij.

PËRSE E VRANË AVNI RRUSTEMIN?

Foto e rrallë e Esat Pashës E shoh që Esat Toptani i trazon debatet. Nuk po shkruaj shumë, por ju kujtoj se ndër të tjerë, më 1913 aleatë të Esatit kanë qenë Dom Nikollë Kaçorri dhe Hasan Prishtina. Dhe e fundit: Avni Rustemi vrau Esatin për heroizëm apo për interesa politike të qeverisë së Tiranës. Cilat ishit “tradhtitë” e Esatit dhe pse nuk janë botuar ndonjëherë ato?
Foto e rrallë e Esat Pashës
E shoh që Esat Toptani i trazon debatet. Nuk po shkruaj shumë, por ju kujtoj se ndër të tjerë, më 1913 aleatë të Esatit kanë qenë Dom Nikollë Kaçorri dhe Hasan Prishtina. Dhe e fundit: Avni Rustemi vrau Esatin për heroizëm apo për interesa politike të qeverisë së Tiranës. Cilat ishit “tradhtitë” e Esatit dhe pse nuk janë botuar ndonjëherë ato?

Më shumë se një herë në jetën e tij ai kishte bërë thirrje për dy mundësi: ose arritje e qëllimit, ose vdekje. Në fakt atij iu plotësuan të dyja. Avni Rrustemi ishte rritur me pistoletë nën jastëk. Se sa gjaknxehtë, se sa i manipulueshëm dhe se sa lehtë mund të futej Avni Rrustemi në aksion për të vrarë dikë, e tregon më mirë Mehdi Frashëri:

“Kur ndodhesha në Vlorë, Avni Rrustemi më çoi haber se më kishte ftuar në një duel… kisha thënë në fjalim në parlament se Shqipëria e Jugut nga rendi popullor ka nxjerrë Avni Rrustemin, Shqipëria e Mesme nxori Xhiun e Fajes. Mustafa Kruja duke përfituar nga thjeshtësia e Avni Rrustemit, fjalimin tim atij ia kishte kallëzuar si ofendues, me qëllim të keq, ta shtynte atë kundër meje… Mbasi ia shpjegova çështjen Avniut, u pendua dhe kërkoi ndjesë”.

Por ky incident me Mehdi Frashërin ngjan si lojë luftash për fëmijët, përballë impikimeve të tij në vrasje të drejtpërdrejta. Vrasja e Esad Pashë Toptanit dhe atentati i Ahmet Zogut në Parlament në vitin 1923, kishin vetëm një emër, Avni Rrustemi. Ndërsa i pari ishte një ekzekutim direkt, i dyti ishte se Beqir Valterin e kishte shtyrë Avni Rrustemi. Këto akte e kishin bërë Avni Rrustemin pothuajse një hero të gjallë dhe kishte pothuajse 4 vjet që ai ishte kthyer në një personazh magnetik.

Nipi i Esad Pashë Toptanit dhe një nga politikanët më aktivë të asaj kohe, Eqrem bej Vlora, është më i drejtpërdrejtë në arsyet përse e vranë Avni Rrustemin.

“Avni Rrustemi ishte një kriminel dhe karagjoz. Me vrasjen e tij drejtësia u vu në vend. Ahmet Zogu e dinte cilët ishin organizatorët. Ai pajtoi një njeri në Tiranë që kishte marrë prej vitesh me qira një mulli bloje nga Esat pasha (njëherësh edhe vetë Esatist i njohur), i cili qëlloi me revolver dhe plagosi rëndë Avni Rrustemin, vrasësin e Esat Pashë Toptanit dhe nxitësin kryesor të atentatit kundër Zogut. I plagosuri vdiq dy ditë më vonë në spitalin e Tiranës. Ky kishte qenë një akt i shkëlqyer hakmarrjeje, që jo vetëm përputhej me rregullat e kodit të vendetës shqiptare, por bënte edhe një shërbim tjetër: pajtonte dy rryma politike: esatizmin dhe ahmetizmin, deri atëherë të ndara”.

Studiuesi Ylli Polovina i rendit faktet në mënyrë të tillë që shërbimi sekret jugosllav në rastin më të mirë ishte i interesuar që shqiptarët të hanin kokat e njëri-tjetrit.

PENSIONI I ÇUDITSHËM BABAIT TË RUSTEMIT

Misterit të vrasjes dhe atij të zhdukjes së zemrës së Avni Rrustemit i shtohet dhe një mister tjetër: në kulmin e pushtetit të vet, dy vjet që nga koha që ishte zgjedhur president, Ahmet Zogu i lidhi një pension të majmë për kohën familjes së Avniut, më saktë babait të tij.

Më 1 korrik 1930, prefekti i Gjirokastrës Kolë Rodhe, njofton Zyrën Sekrete:

“Bashkëngjitun, kemi nderin t’ju paraqisim dëftesën mbi marrjen në dorëzim të 400 fr. ari, nga ati i të ndjerit Avni Rrustemi, përcjellë prej kësaj prefekture me shkresën nr. 62. res., datë 23 qershor 1930 të N/prefekturës së Libohovës”…

Pra, me një llogari, çdo muaj babi i Avni Rrustemit merrte pension 100 franga ari. Kur vetë Neim Rrustemi kishte akuzuar Ahmet Zogun si vrasës përse ai pranoi pensionin? A kishte ndërruar mendim se autori nuk ishte Zogu, apo kjo ishte një blerje e formës alla shqiptarçe e gjakut të të birit? Është e vështirë që pas kaq vjetësh të hamendësosh dhe të përgjigjesh saktë për atë që ka bërë babai i Avni Rrustemit. Por fakti që vendimi ka qenë sekret dhe që Neim Rrustemi ka heshtur, tregojnë shumë.

10 fakte

  1. Avni Rrustemi është i pari deputet i Parlamentit shqiptar që u vra ndërsa ushtronte mandatin
  2. Të dhënat janë se autori i vrasjes, Isuf Reçi, ishte shtyrë nga Osman Bali për të kryer vrasjen e Avni Rrustemit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Esat Pashë Toptanit
  3. Isuf Reçi kishte qenë dikur një nga shërbëtorët e Esat Pashë Toptanit dhe më pas kishte marrë një mulli në të cilin punonte për të mbajtur familjen
  4. Vdekja, Avni Rrustemit i është shkaktuar nga një plumb i vetëm i cili i shkaktoi gjakderdhje, ndërsa plumbi i dytë nuk i shkaktoi ndonjë pasojë
  5. Zemra i’u nxor nga trupi dhe u ruajt për shumë vite e balsamosur në një farmaci të Vlorës
  6. Për gjashtë ditë në Tiranë u kryen homazhe në nder të Avni Rrustemit dhe u mbajtën fjalime nga deputetë të opozitës, të cilët akuzonin Ahmet Zogun si ideator të kësaj vrasjeje.
  7. Pasi trupi u dërgua në Vlorë, atje u kryen edhe tri ditë të tjera homazhe për ta varrosur më pas pranë varrit të Ismail Qemalit
  8. Sipas kujtimeve të Mustafa Krujës, autori i vrasjes, Isuf Reçi, kishte dashur të vriste më parë Ahmet Zogun, por kishte ndërruar mendim
  9. Vrasja e Avni Rrustemit ishte shkëndija që ndezi Lëvizjen e Qershorit, ose atë që historiografia komuniste e quajti revolucioni demokratiko-borgjez, por që në fakt ishte kryengritje me armë për marrjen e pushtetit
  10. Pas më shumë se 45 vjetësh, më 22 nëntor 1969, me dekret të Presidumit të Kuvendit Popullor Numër 4600 dt.22 nëntor 1969, Avni Rrustemi u dekorua me titulliun e lartë “Hero i Popullit”

10 mistere

  1.  Nga cilët ruhej Avni Rrustemi meqenëse dy persona e ruanin në çdo lëvizje të tij?
  2. Përse Myfit Libohova u largua jashtë Shqipërisë pas vrasjes së Avni Rrustemit?
  3. Si ka mundësi që ditën e vrasjes dy truprojat e Avni Rrustemit ishin në Durrës dhe ai lëvizte i vetëm në Tiranë?
  4. Përse Avni Rrustemi u qëllua për vdekje pikërisht ditën që do të paraqitej në ambasadën amerikane për të marrë vizë, sepse do të takonte diasporën?
  5. A ka gisht vetë opozita e asaj kohe në këtë vrasje që i shërbeu politikisht për të shpërthyer revolucionin?
  6. Sa kanë pasur gisht shërbimet sekrete të huaja në vrasjen e Avni Rrustemit?
  7. A ka lidhje vrasja e Avni Rrustemit me atentatin që Beqir Valteri i bëri Ahmet Zogut në Parlament, për të cilin tregoi se e kishte shtyrë Avni Rrustemi?
  8. Përse varrimi i Avni Rrustemit u bë në Vlorë dhe jo në vendlindjen e tij Libohovë e as në Tiranë ku ai ushtronte aktivitetin si politikan?
  9. Çfarë kuptimi ka që 3 vjet pas vrasjes, Ahmet Zogu i lidhi pension nga fondi sekret i Ministrisë së Brendshme Neim Rrustemit, babait të Avni Rrustemit, dhe përse pensioni ndaj të atit të Avni Rrustemit ishte i fshehtë dhe jo publik?
  10. Përse Neim Rrustemi që kishte akuzuar publikisht direkt ministrin Mufit Libohova e pranoi këtë pension?

*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”

 

1 thought on “ATENTATI NDAJ AVNI RRUSTEMIT, KUSH E VRAU DHE KUJT I INTERESONTE EKZEKUTIMI I VRASËSIT TË ESAT PASHË TOPTANIT”

  1. Musledin Glina

    Pse Shqiptaret kane patur vetem nje Avni Rustemi??? Mire ne ate kohe, po pse ne 70 vitete e fundit, me mire ne fillim te ketyre 70 vjtjeve, nje Avni , te pakten nje Avni Rustemi???Nuk do e kishte te zorshme si Avniu, nuk ishte i detyruar te bente nje udhetim aqe lark deri ne Paris, “ESADE” kishte, dhe ka,sa te duash ne Shqipri. Pse ???!!!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top