AT GJERGJ FISHTA – AKADEMIK

SHKRUAR NGA MUSTAFA KRUJA, BOTOI GAZETA “HYLLI I DRITES” 1939

Ndër popujt qi s’e kanë pasë fatin me i ndriçue me dritat e qytetnimit vlerat e nalta individuale mbesin në terr, si djamanti ndën dhé, si margaritari në fund të detit. As rrethi i vet mâ i afër nuk i çmon në shkallën qi meritojnë. Ka shumë shkaqe psikologjike për mos me i çmue. Të moçmit s’kanë thânë kot se kurrkush s’ka mujtë me qênë profet në vênd të vet. Disa sende mandej e tregojnë mâ fort në njifarë largsije, vêndi apo kohe, vlerën e vërtetë qi kanë. Hudhnju nji pikture të Rafaelit si me dashtë me lexue nji libër. Ça mun∂esh me soditë e miratue në tê? Ec e rri përbri nji orkestre profesorash qi janë tuj shkrî nji copë muzike vagnerjane apo qoftë edhe nji nga mâ t’âmblat e Puccinit. Kanë me të pasë mërzi veshët. Vlerat njerzore mâ të shumën duhet të largohen edhe në kohë për m’ u çmue. Së paku nji brezní. Duhet të plaken. Nganjiherë edhe të vdesin.

T’i falemi nderës Zotit qi për Fishtën t’onë çmimi nuk vonoi aqë tepër. Ia mbërrîni me e pasë për së gjalli.

P. Gjergj Fishta u bâ akademik i Italís. Mbreti Viktor Emanueli III-të e Duçja deshën me na dhânë edhe nji provë të gjallë se tue i zgjedhue bashkë fatet e të dy Kombevet, vlerat shqiptare e me to Shqiptarija vetë jo veç nuk do të shuhen as të terratisen, por do të ngjallen e do të shkëlqejnë mâ së miri, në dritën e qytetnimit. Atë Fishta kishte me ia zbardhë faqen Kombit t’onë në çdo kuvênd e akademí letrash e kulture të botës. Por ai gjet vêndin e merituem bash n’Akademín e Italís, e cila me Fishtën t’onë mbrenda për né shqiptarët mund të quhet Akademija e Perëndorís së Romës në të cilën na tashmâ bâjmë pjesë si Shtet e si Komb.

Popujt e vogjël, edhe në shkallën mâ të naltë të qytetnimit, s’kanë qitë gati kurrë vlera botnore. Pse? A thue edhe gjenít individualë janë të përpjestuem me madhsín e racës? Nuk po hŷj me e analizue kët’argument, qi kishte me më qitë tepër larg. Por po konstatoj vetëm faktin. E po shfaq besimin t’em se gjeníja shqiptare, në suazën e Perëndorís romake s’ka me qênë mâ e ndrydhun mbrênda kufijvet të ngushtë të nji Shqipnije ballkanike e të tre miljon Shqiptarve, por nëpër Romën e amshueme ka për të fluturue, për t’u njohun, çmue e miratue në botën mbarë. Deri sod Lahuta e Malcís ishte e njohun prej disa qinda Shqiptarësh qi entuzjazmoheshin tue këndue në tê besën e burrnín e të parvet të vet, por jo nga arti qi s’dijshin me çmue, posë ndonji mize të bardhë. Kurse kështu e mbrapa Lahuta s’ka me qênë mâ vepra e nji poeti të panjohun të nji Kombi të harruem, por poezija e nji misi t’ Akademís së nji vëndi qi âsht atdheu i arteve. Bota ka me shpejtue t’a njohë këtë vigan të poezís shqiptare e nëpër tê ka për të njohun edhe shqiptarinë. Qe shërbimi i madh qi i âsht bâ Kombit t’onë nëpër njohjen e meritave të nji shqiptari të shquem. Ky çmim nuk mund të barazohet me asnjânin nga çmimet qi u janë bâmë Shqiptarve të tjerë, po një kohë asnjâni nga këto s’e ka rândsín Kombtare t’atij. Mue m’âsht bâ zêmra mal jo si mik i P. Gjergjit qi kam nderë me qênë, por si Shqiptár.

Kemi të drejtë m’u krenue të gjithë, sod mâ fort se kurrë, me Atë Gjergj Fishtën.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top