AT GJERGJ FISHTA
N’ty menoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm k’non,
N’ty menoj kur soset dita,
Terri botën kur e m’lon.
Veç se ty të shoh un n’andërr,
Veç se ty, çuet, t’kam n’men’im;
Ndër t’vështira ti m’je qandërr,
Për ty i lehtë m’vjen çdo ndëshkim.
Tjera brigje, fusha e zalle
Un kam pa, larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle,
N’tjera lule syu m’u rrek;
Por nji fushë ma e blertë nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri,
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.
N’ty ma i bukur lulzon Prilli,
Janë ma t’kandshme stinë e mot;
N’ty bylbyli pa le dielli
K’non ma am’ël t’Madhit Zot.
Pa ty lules s’m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’bjen:
Mue pa ty nuk m’del pranvera,
Pa ty dielli nuk m’shkëlqen.
Dersa t’mun’em me ligjërue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’përmen’ kam.