Shkruar nga Profesor Abas Ermenji – botuar te Gazeta “Flamuri” Janar-Shkurt 1951
Ndonëse, në kohët që po jetojmë, shpirti i ynë – shpirti i kombit shqiptar – është i ngarkuar me të tjera kujdese dhe s’ia ka ngenë të merret me poezi e me poetë, me gjith këtë s’duhet të na hutojnë problemet e ditës aqë sa të mos e çojmë mëndjen në një çast tek Fishta, te këngëtari i math, që mbylli sytë në një ditë të vrenjtur Dhjetori dhjetë vjet më parë. Sidomos kur mendojmë se Fishta është ai që ia qau më mirë se kushdo tjetër hallin Shqypnis nëpër Zanën e Veleçikut, ato halle që e mbulojnë akoma edhe sot të mjerën Shqipëri dhe që ne jemi zotuar t’i përballojmë. Kujtoj se sot është nevoja, më fort se kurrë, që fryma e kreshnikëvet të Lahutës t’i ngrejë lart zemrat t’ona, kemi nevojë të na udhëheqë porosi e Marash Ucit:
vendin t’uej m’e dasht perore
e cila forcohet me shembullin e Oso Kukës, që u dogj në flakë të barutit.
Fishta, sadoqë është i kohëve të vona, me mëndësi, me shpirt e me vepra i përket brezit të Rilindjes. Eshtë nyja e fundit në vargun e poetëve të Rilindjes s’onë, por edhe nyja m’e fortë. Asnjë këngëtar i ynë gjer më sot s’iu është ngjitur majave të Parnasit më lart nga ai. Kurrë gjuha shqipe nuk shprehu më shumë forcë se sa me gojën e Fishtës.
Vargjet e tij bien të fortë si oshëtimë gurrash, si rropame shkëmbejsh që rrokullisen, dhe nëpër ta duket lakuriq shpirti shqiptar – shpirt i pa-prishur nga butësitë e qytetërimit – me një tok cilësish nga të burrërisë së lashtë, prerë mbi një fisnikëri t’ashpër, dhe që Fishta i tregon shquar si vija të gdhendura në gur.
Pothuajse e tërë vepra e Fishtës ka për objekt Shqiptarin, kur mendojmë se edhe pjesa satirike e shkrimeve të tij, në më të shumtën, rreh e thumbon anët e dobëta të shqiptarëve, të shoqërisë a të qeverisë së tyre. Por boshti rreth të cilit vepra e poetit t’onë ngihet në kulm, është antiteza shqiptaro-sllave, lufta heroike që bëjnë të parët për t’u mprojtur nga lakmitë e të dytëve. Në këtë dyluftim epik, Fishta e dallon me vija të forta shqiptarin prej shkjahut si popull, si komb, si fe.
Kjo temë, që është pjella e historisë, pat qënë zhvilluar vet-vetiu, si bimë e egër, në këngët t’ona popullore të veriut, në qerthullin e Mujes e Halilit, por mer tjetër formë e përpjestim kur e prek penda e mjeshtrit, paraqitet ndryshe me Lahutën e Malcisë. Pastaj Fishta, që jetoj peripecitë e mëvonëshme të kombit Shqiptar (cungimi i tij prej politikës së padrejtë të Europës, mrrutë e ndytë, rreziqet e coptimit, çapat e parë të lëkundshëm të shtetit shqiptar të porsa-lindur etj.), është gjetur më ç’do rast përbri popullit, si trumbetari pranë ushtrisë, herë duke hedhur kushtrimin e luftës, herë duke shfryrë n’apostofa ndezëse, herë duke therur me sarkazëm të mprehtë disa të meta e paragjykime të shoqërisë a të qeverisë. Nga këto frymëzime të rasteve, nga këto krijime të çastit përbëhen “Mrizi i Zanavet”, “Anzat e Parnasit” etj. Po edhe në këtë pjesë të veprës së Fishtës mbetet prap shqiptari si ide qëndrore, që e lidh me Lahutën si në një fill. Fishta e mer shtytjen poetike prej frymës nacionaliste të shekullit të XIX, që ish përhapur atëhere si një ethe e re enthuziazmi në kombësitë e shtypura të Europës Lindore e Jugë-Lindore, dhe mbush të tërë letërsinë t’onë të Rilindjes. Pastaj në luftën kundër shkjaut, ndjenja kombëtare tek ai shoqërohet edhe prej idesë fetare. Kuptimi “komb”, “fe” e “atdhe” sundon në tërë veprën e Fishtës dhe mbulon si nënë hije çdo vështrim tjetër të jetës. Por ndërsa vjershavet fetare të tij u mungon kryekëputë ai shpirt i nxehtë misticizmi, që i jep jetë asaj lloj poezije, delli poetik i Fishtës rrahu me tjetër forcë n’anën “komb”, n’anën “njeri” dhe mundi t’i ngrejë një monument të bukur racës shqiptare me Lahutën e Malcis.
A është “LAHUTA E MALCIS” epopeja e jonë kombëtare ?
Sadoqë s’është as rasti as vendi në këtë përkujtim të shkurtër të shtrohet një problem kaqë i madh, le të themi dy fjalë si për rrëshqit. Në rrethin e letrarëvet shqiptarë është dëgjuar shpeshherë të thuhet se Lahuta e Malcis, po të shikohet nga ana organike, nuk paraqit strukturën e një epopeje në kuptimin më të plotë të fjalës. Nuk ka njësi veprimi, nuk ka një fytyrë qëndrore rreth së cilës të thurret kallzimi epik, këngët e saj nuk zhvillohen nga brënda si degët e një trungu por lidhen nga jashtë si një varg rapsodish, pastaj nuk e përmbledh jetën e kombit shqiptar në të gjitha vështrimet etj.. Këto vrejtje forcohen edhe më shumë kur mendohet se Fishta, në Lahutën e Malcis, nuk u nis me idenë a planin organik të një epopeje, por këndoj – nga një dëshirë e çastit – luftën e Rrzhanicës me frymëzonjës Marrash Ucin ; dhe pasi u zbulua me këtë rast poet epik i dorës së parë, erdh duke e zgjeruar horizontin e poemit të tij.
Mirë po, përpara së gjithash, duhet të dimë se Fishta këndoi luftrat e popullit shqiptar të një kohe fare të afërt, dhe s’mund t’i largohej fort të vërtetës historike për të krijuar një botë legjendare të tijnë, ashtu siç mund të ngjajë me tema të kohëve të largëta që kridhen në një gjysmë-errësire. Dhe luftrat shqiptaro-malazeze historikisht paraqiten në formë epizodike. Porse ka një fill mjaft të shëndoshë që i lith ato luftra, e që pastaj lith edhe rapsoditë e Lahutës në një tërësi të pandarëshme : është i njëjti popull që lufton kundër të njëjtit armik për të njëjtin qëllim.
Sidoqoftë, që gurët e çmuar të jenë të lidhur në të njëjtin sistem të posaçëm me njëri tjetrin a të rreshtuar thjeshtësisht në një kurorë, janë gjithmonë gurë të çmuar. Këtë mund t’a themi me siguri edhe për këngët e Lahutës.
Me poemin e tij epik pra, Fishta i ngriti kombit shqiptar monumentin më të bukur. Lahuta e Malcis s’e përmbledh ndoshta jetën kombëtare t’onën në të gjitha çfaqjet e saj por vë në dukje kaq mirë tipin e shqiptarit të pa-prishur – shpirtin, mëndësinë dhe vleftat morale të tij – saqë duket sikur ia sheh të gjitha këto si të prera në gur. Fishta mer, natyrisht, jetën patriarkale të maleve, atje ku është ruajtur më mirë tipi i shqiptarit, me zakonet dhe kulturën arkaike të tij.
Dhe aty zbulon vijat e burrërisë së lashtë, bujarinë e fisnikërinë e vjetër të racës s’onë, që janë pjekur e forcuar prej shekujsh që s’mbahen mend.
Jetë-kuptimin dhe vleftat morale të shqiptarit, Fishta i gdhend si në mermer në tipin e Marash Ucit e në porositë që ky iu lë Djemve të Calit. Pastaj bukuria është se Lahuta thesarin e folklorit, besimet popullore, mënyrë-shprehjen dhe botë-kuptimin e shqiptarit përgjithësisht i ka shkrirë e përdorur aq mirë si elementa të saja, sa që ke përshtypjen se është poemi i ndonjë këngëtari që s’e njeh jetën përtej rrethit të maleve. Prandaj çdo përshkrim, çdo figurë, edhe hiperbolat më të guximshme të saj, na vinë të këndëshme e të natyrëshme dhe s’të lënë aspak përshtypje se dalin jashtë masës. Çdo gjë në të, çdo ndjenjë, mendim, koncept e mënyrë të thëni është tipike shqiptare.
Edhe gjuha e Fishtës është ajo e malevet, e pa-ngrënë prej limës s’artit, por e pasur, e fuqishme me frazologjinë e saj të natyrshme, ashtu siç del nga burimi psikologjik shqiptar. Ndër shkrimtarët shqipëtarë, Fishta është ai që ka derdhur dhesarin gjuhësor më të pasur, me një mënyrë të menduari e të thëni krejt shqip.
Fishta është poeti i figurave të forta, poeti dinamik i lëvizjeve, i hoveve të rrepta, prandaj poezia e tij ka për objek njerinë në luftë dhe jo natyrën e pa-luajtëshme, ka për objekt shpërthimin e jashtëm të jetës dhe jo sferën e mbrëndëshme të ndjenjavet. Vargu i tij nuk është i fërkuar e muzikor, por është tërë forcë jete. Për të treguar me gjallëri lëvizjet e njeriut në luftë, Fishta, përveç që ka ditur të nxjerrë nga gjuha shqipe shprehjet më të forta, por duket sikur ka mbledhur në shpirt dhe oshëtimat, dhe bubullimat, të gjitha zërat dhe forcat e natyrës së rreptë shqiptare. Dhe me këto elemente ngreh statujën e racës, që del përmbi kohët me një madhështi iliriane.
Në Lahutën e Malcis tipat janë të paraqitur me vija të gjalla, dhe fuqia fizike e burrit në lëvizje lidhet e pajtohet bukur me cilësitë morale të tij. Te kreshnikët shqiptarë çquhet, ku më shumë e ku më pak, vula e racës, që i dallon për urti, për bujari e besë. Ndjenja e nderit tek’ta zë vëndin e parë në shkallën e vleftave të jetës. Kurse trimat e ushtrisë së armikut, jo vetëm që janë përgjithësisht si një forcë e vrazhdë, pa vija fisnikërije, por kanë herë herë edhe diçka komike në vet-vehte.
Fishta është i zoti të vërë në dukje, me katër pesë vargje, tipin e burrit të hovshëm e të fortë trup e shpirt:
Prap prej Shllakut lshon Gjetë Gega;
Faqja e tij kuq porsi shega,
Shllungë mustakun derdhë n’dy dega;
Kur nji fjalë po e folka burri,
Ma si luejtka me sa curri.
Vetëm fjala “lshon” këtu tregon burrin e papërmbajtshëm, i cili derdhet me vrull si një forcë e lidhur që këput vargonjt, si një ujë i mbyllur që thyen pengesat.
Krahëso efektin që bën këtu vargu:
Shllungë mustakun derdhë n’dy dega
me notën e vrazhdë e disi komike që shtojnë vetullat e mustaqet tek Malaziasi Vulo Radoviqi:
Vetllat trashë ngërthye kular,
Porsi lesh derrit bugar;
Vesh e m’vesh dega e mustakut,
Si dy korba lidhë pr’ i lakut.
Ka raste ku Fishta di e paraqit me ngjyra homerike jetën patriarkale të malsivet të veriut, me atë organizim shoqëror të thjeshtë që mbahet në bazë të fisit. Shoqëri e vogël në numër, e pa-llustruar prej qytetërimeve, por që ka një kuptim të pjekur të vleftave morale të jetës, dhe që rregullohet pas zakonit, a kanunit të maleve, i përcjellë gojë më gojë si fjalë e shenjtë. Një nga skenat më të bukura e më pathetike të Lahutës është mbledhja e krerëvet të Hotit te Kisha e Shnjonit, ku Marash Uci parashtron rrezikut që i kanosej Malësisë e ku merret vendimi i qëndresës. Kjo mbledhje, madhështore në thjeshtësinë e saj, nuk është më pak epike nga ato t’Iliadhës, e ku Marash Uci, ky Uliks i Malësisë që:
Anë e mbanë i kisht’ra detit,
tregon rrezikun e afërt dhe pregatit, me një oratori të rrallë, fushën shpirtërore për marrjen e vendimit heroik. Fjalët e tij rrokullisen ngadalë njera pas tjetrës, të thjeshta e të sigurta si çapat e luanit, dhe bëjnë që krerët e Hotit
Si t’u rake i rrfe prej Zotit,
………………………….
Kishin ndejë me sy për dhe.
Atëhere Marashi, pasi i ka sjellë shpirtrat në këtë gjëndje, hedh shkëndijën e fundit:
Ç’thoni burra? Fe e zakona,
Bjeshkë e vrri e kullat t’ona,
A’imend Knjazit pa luftue,
Pa ‘i pushkë t’shtime kem m’ia lshue?
Këta katër vargje bjenë si katër ura zjarri që e shkrijnë akullin e heshtjes ; vendimi që ka marrë seicili në thellësinë e zemrës, zbërthen si gurrë nëpër gojën e Gjeto Markut dhe e vendos Çun Mula me benë e tmerrëshme.
Vënde vënde, ku fryma epike e poezisë së Fishtës hipën në kulm, vargjet e tij sjellin, si ajo valë e rrëmbyer, një derdhje figurash e përfytyrimesh aq të forta, me një lëvizje aq të fuqishme, saqë duket sikur e ke skenën përpara dhe ia dëgjon oshëtimën me veshë. Shih, për shembull, se ç’figurë ka gjetur poeti për të paraqitur ndeshjen me jatagana ndërmjet shqiptarëve e malazezëve te Ura e Rrzhanicës, dhe me sa forcë e shpejti sillen përfytyrimet, ashtu siç ka qënë e hovëshme edhe përpjekja :
Po, dy prroje prej dy kulmesh,
Ndryshej nuk përpiqen shkulmesh,
Kur t’ken hasun n’grykë t’ ndo ‘i malit,
Për me u lshue mandej gjatë zallit,
Nëpër ara e fusha t’gjana,
Si u-përpoj’n, ahi! me tagana,
Dy ushtrinat ke Rrzhanica :
Heshti huta edhe “novica”,
U përzien ksula e “kapica”,
Flakuruen kaptina e koka,
Shkumboi gjaku, bumblloi toka.
Duke kënduar këta vargje, ke përshtypjen sikur të dridhet toka nënë këmbë.
Por Fishta i figuravet të forta, është nganjëherë edhe poeti i shprehjeve t’ëmbla e delikate kur fantazia e tij përkëdhel gjëra që e ngacmojnë këndëshëm në zemër. Eshtë bukuri të shikosh shpirtin e tij kur fryma epike e çon lart si atë valën e detit që lëshon shkumbë; por është bukuri t’a shikosh edhe kur deti shtrohet e ëmbëlsohet në valvitje të bukura e përkëdhelëse. Shih, për shembull, se ç’krahësime i gjen gjuhës shqipe:
Ah! Po, e ambël a fjala e sajë,
Porsi gjumi m’ nji kërthi,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pa mashtri.
Pjesa satirike e veprës së Fishtës nuk është më pak e denjë për t’u përmendur, pse qëndron gati në një lartësi me krijimet e tij epike. Edhe aty si objekt mbetet prap shqiptari (por këtë radhë jo shqiptari i maleve), ku poeti i rreh me sarkazmë disa nga anët e dobëta. Eshtë për t’u vënë re, sidomos, që humori a mënyra tallëse e Fishtës ka diçka tipike shqiptare, dhe zbulon gjithkund natyrën sulmonjëse të poetit të Lahutës. Pa zbritur në trashamani, gjithnjë me kripë, satira e Fishtës nuk është pupël që të gudulit por është kamzhik që të djek lëkurën.
Edhe në vjershat fetare Fishta zbulon natyrën e Shqiptarit, këto vjersha kanë më fort një ton epopeje dhe s’të nxeh gjëkundi në to ajo ndjenjë e flaktë misticizmi që, pa zhurmë e pa përpjekje, i pushton e i shkrin zemrat nga brënda. Fishta ka ide fetare por jo shpirt fetari. Zhguni i Shën Françeskut e ka vështirë të mbulojë tek ai natyrën e rreptë të poetit sulmonjës.
Shih, në vjershën Të Kryqëzuemit, te Vallja e Parrizit:
… … … … … … … … …
Kqyrë i Ati nalt prej qiellet;
E, kah sheh at kob të zi,
Idhshëm mnija xen e i pshtillet,
Edhe mshirës i ven ai cak.
Rrebtë mbi shekull vra ka ftyrën,
Edhe kap rrugën njifillit,
Me turrshi gjithmbarë natyrën,
Struken Engjujt hijes qiellit, etj.
Ai e tregon Perëndinë në një anthropomorfizmë dhe në një qëndrim të tmerrshëm, porsi t’ ishte ndonjë nga zotat e mithologjisë ose ndonjë hero epopeje. Edhe “Engjujt struken hijes qiellit” si të kishin frikë prej tij. Këto vargje s’pajtohen gjëkundi me misticizmën e vërtetë që sheh te Perëndia një burim drite e dashurie të pakufi, që s’ka mëni e s’vranet kurrë as turbullohet dhe mëshirë e saj s’njeh kurrë cak.
Fort pak misticizmë pra, fort pak lirizëm dhe dashuri për natyrën, Fishta ka punë me njerinë, po edhe këtij, ose t’i mburri karakterin dhe trimëritë, ose t’a talli. Kur mendojmë pastaj se edhe mënyra e të kuptuarit të gjërave dhe mënyra e të shprehurit, tek ai, janë tipike shqiptare, munt të themi me të drejtë se Fishta është prototipi i shqiptarit poet.