At Donat Kurti përballë “albanologut” Jup Kastrati

Shkrue nga Fritz Radovani

At Donat Kurti ka lé në Shkodër më 3 shtator 1903. Në vitin 1937 nga Universiteti “San’Antonio” i Romës, i jepët titulli “Doktor i Shkencave”. Asht i njoftun ndër françeskanët ma të ditun dhe rreshtohët ndër shkenctarët që kanë dalë prej asaj vatre të pashterrëshme të kulturës sonë shqiptare. Themelet e vueme prej At Gjeçovit u ngritën nalt nga At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, At Benedikt Dema etj. me veprat e mëdha që i lanë trashigim Atdheut, tue i përjetësue ato në “Visaret e Kombit”.

Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: “Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë”.

Në vitin 1946, At Donat Kurti asht drejtor i Gjimnazit të Fretënve “Illyricum” të Shkodrës. Asht drejtor i atij Gjimnazi, që asht cilësue vatra prej ku përhapeshin shkëndijat e atij atdhetarizmi dhe të asaj kulture shqiptare, mbi të cilat u ndërtue përjetësisht binomi “Fé e Atdhé”.

Prof. Simon Pepa, shkruen: “Dhe tani, në 55 vjetorin e botimit të “Iliadës” shqiptare të gjithë ata që e mblodhën dhe e botuan nuk janë më. Edhe Kuvendi Françeskan ku punuan, është këthyer në gërmadhë.”(Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare. 1944-1990. fq. 30).

Asht pragu i ngjarjëve të zeza që dukej se po vinin. At Donati, shkon në Tiranë aty nga gjysma e tetorit të vitit 1946, për me takue Nako Spiron, dhe me bisedue në lidhje me problemet financiare të shkollës. Jo vetëm që nuk takohet me té, por edhe mërrinë me kuptue se jo vetëm shkollës por edhe mësuesve po u vinte fundi. Me të ardhun në Shkodër, At Donati kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve, kështu që, i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi.

Dhe nuk asht larg 11 nandori 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë ata. Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës”, që ka lavdëruar fashizmin etj.

Akuzat e rreshtojnë ndër ata klerikë që nuk pritej prej askujt shpëtimi i kokës së tij. Ai ishte i sëmurë me një ulçëra kronike, nga e cila ka vuejt gjithë jetën. Ndoshta, gjendja shëndetësore e randë në birucat e Sigurimit, u ka krijue përshtypjen xhelatëve se “nuk e ka të gjatë”, prandej po e lamë të vdesin ndër burgjet e mnershme që ka vuejt dënimin e përjetëshëm, mbas pretencës së prokurorit që kërkoi pushkatimin e tij.

Hetohet nga kriminelët Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj. Qëndron kokfortë, ashtu si kishte edhe natyrën e tij para anmiqve, nuk thehet as nga frika, as nga torturat, por asht ballhapët dhe trim para të gjithë presioneve. Asht i vetëdijshëm se e pret plumbi.

At Donat Kurti deklaron para Trupit Gjykues, i përbamë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: “Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë, tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane, herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merrësh vesht direkt.

Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej mbas vëndosjes së Pushtetit, unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se po bahej rrezik për Fenë. Monsinjor Gjini, me t’u emnuem Delegat vitin e kaluem i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohen të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë. Për armët në Kishë nuk dij gja.

Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist, një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot! Për né, e quej ma të rrezikshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, sesa okupacionin italian e gjerman. Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim “Forca Atomike”, e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg. Nuk e ndiej vedin fajtor.”(Dosja 1303, Arkivi M.M.Tiranë)

Kështu edhe At Donati, me këtë grup ku bante pjesë Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Viktor Kujxhija, etj. ku, spikatë qëndrimi i Anes Daja dhe Liza Palit para prokurorit katil Aranit Çela njëditë para gjyqit, e vazhdon skenarin e filmit jugosllav “Dosja 1302/2-A”, dhe kjo asht e kuptueshme edhe nga vazhdimi i numrit “Dosja 1303 At Donat Kurti…”.

Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore, nga e cila e ndau vetëm vdekja. Atje ai njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pregatiste “Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe”. Ky fjalor kishte 45000 (katërdhet e pesëmijë) fraza. Asht kenë i shkruem në dy kopje me dorë, një për Universitetin, dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej.

Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që asht lirue, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, tue i thanë: “Me që janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë. Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart.”

Këto fjalë mi ka tregue vetë At Donati, kur ishte për drekë në shtëpinë tonë më 13 qershor 1964, ditën e Shna Ndout, bashkë me Don Mark Hasin, Prof. Gaspër Ugashin, Prof. Petro Fundon etj. Atë ditë ai erdhi ma vonë se të tjerët. Kur hyni mbrend na kërkoi të falun për vonesën. Mbasi u ul në krye të vendit në sofër tregoi sesi e kishte pritë tek dera e Kuvendit Jup Kastrati, të cilin deri atë ditë nuk e njihte fare, as për fëtyrë. Ndërsa, Dh. Shuteriqi, Sh. Demiraj etj. që kanë pasë në dorë fjalorin e tij nuk dij nëse e kanë takue ndonjëherë, mbasi për vite të tana ata kanë vjelë frutin e punës së tij.

At Donati, ishte njoftue nga një fratel i kuvendit se pritej nga Jupi dhe i kishte nxjerrë fjalë se nuk mund të takohemi, se, sot jam i zanë, por Jupi kishte vazhdue me qëndrue, tue zanë rrugën e kalimit. Jupi, aty, i dinte mirë skutat, mbasi gati ka kenë ba edhe ky “fratel” dikur. At Donati, për mos me na lanë me pritë né në sofër kishte dalë dhe, ka gjetë Jupin aty. Jupi me servilizmin e tij karakteristik, me kokë të përulun dhe tue fërkue duert me zgërdhimjen e tij hipokrite, i kishte dalë pak përpara At Donatit tue i tregue emnin.

Me që, At Donati ishte tue dalë e nuk kishte mundësi me e pritë, Jupi i kishte kërkue një takim në një ditë tjetër, kur të kishte kohë të lirë ky. At Donati, me natyrën e tij autoritare si para një nxanësi rrugaç, i kishte përgjigjë: “Sot ke ardhë dhe të fola, për mue këtu mos u duk ma mbasi nuk due me të takue. E dij mirë kush jé, ke marrë çka ke marrë nga At Justin Rrota, ajo asht kenë puna e tij. Tek unë nuk merr gja, prandej mos u duk ma në këtë Kuvend, se ia ke pa hajrin boll këtij vendi!” dhe kishte kalue pa i dhanë edhe dorën. Nuk dij nëse Jupi e ka shkrue këtë takim në kujtimet e tija! Por, unë atë ditë kam pi me gëzim të madh kur ndigjova nga goja e At Donatit, përgjigjën që i kishte dhanë kusarit të Fretënve.

At Donat Kurti bani ma shumë se 17 vjet burg dhe u kthye në vendlindje tue u mbledhë në sofrën e të vobegtëve të Asizit, që kishin mbetë në Kuvendin e Arrës së Madhe. Aty nuk shkoi gjatë, mbasi 1967-ta e shkatrroi edhe “këtë qendër me themel”, por këtë herë jo nga rusët, po me porosi nga kinezët.

Populli i Shkodrës nuk e pau asnjëherë që nga viti 1946 tue thanë meshë ose me ndigjue fjalën e tij në ndonjë predikatore, mbasi ai nuk ishte dakord asnjëherë me Statutin e Kishës së vitit 1951. Këtë Statut ai e kishte kundërshtue që në Burrel, por edhe mbasi doli nga burgu ai nuk u pajtue me qëndrimin e klerit “të lirë” në atë kohë. At Donati, nuk ishte i vetëm në këtë qëndrim, me té ishte At Meshkalla, At Gjolaj, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani etj. Mos aktivizimi legal i tyne ishte fatkeqësi kryesisht për edukimin e rinisë.

Koha bani të veten.

At Donat Kurti, njëditë u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme të spitalit të Tiranës, e cila nuk e la vetëm deri atë ditë, më 10 nandor 1983, që u bashkue me shokët e vet, eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë.

At Donat Kurti O.F.M. ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij tue jetue fukara, tue vuajtë me fukara, tue punue me edukue fukaratë dhe tue vdekë si fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, të cilëve, në këtë jetë të mjerueme, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: “VISARËT E KOMBIT”.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top