DY SHQIPTARË ARRESTOHEN PËR TERRORIZËM

Policia gjermane në Duisburg, ka arrestuar dy persona me origjinë nga Kosova nën dyshimin se kanë përgatitur një sulm në qendrën tregtare Centro në Oberhausen. Lajmin e ka konfirmuar edhe një zëdhënës i policisë të premten në mëngjes. Dy vëllezërit me origjinë nga Kosova, të moshës 28 dhe 31 vjeçare, janë arrestuar gjatë natës nga një njësi speciale. Vëllezërit dyshohet se kanë qenë në fazën e përgatitjeve finale për kryerjen e një sulmi në Oberhausen.

“Aktualisht jemi duke punuar me urgjencë për të zbuluar se në cilën fazë kanë qenë përgatitjet dhe nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këto përgatitje”, – tha zëdhënësi i policisë. Deri tani nuk ka të dhëna të tjera për identietin e personave të arrestuar.

Ministria e Brendshme është duke pritur rezultatet e hetuesisë, por përfaqësuesi i sindikatës së policëve thotë se ky është një moment i ri, sepse personat me origjinë nga Kosova deri tani nuk kanë qenë nën dyshime si pjesë e rrjeteve terroriste në Gjermani.

Në afërsi të qendrës tregtare Centro janë vendosur forca të shtuara të policisë, të cilët po kontrollojnë rrethinën. Centro është një prej qendrave më të mëdha tregtare në Gjermani.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top