Shkruan: Edison YPI
Nën Urën e Dajlanit “Car Wash 100 % anglez”. Lavazhierët, dy diva tropojanë, të thonë me vendosmëri se me përjashtim të ujit dhe korentit shqiptar, pompat, stekat, sfungjerët, solucionet, janë të gjitha perandorake.
Ku plazhi i makinave është 100 % anglez, plazhi i njerëzve nuk mund të mos jetë 100 % shqiptar.
Në Shkozet bëjnë plazh kryesisht shqiptarë Kosove dhe Maqedonie.
Duke folur me ata që quhen Berat, Elbasan, Saranda, Labinot, Kujtesa, Buna, Vjosa, Vlora, Festim, Flamur, Patriot, Vigjilent, Agon, Visar, Etnik, Lasgush, Hitler, provon ndjesinë se po flet me Kombin dhe të vjen keq që nuk ka shqiptar Shqipërie që quhet Istog, Gjilan, Prizren, apo vlonjate a korçare që të quhen Prishtina apo Podujeva.
Emrat e lokaleve të tyre janë “Besa e Gostivarit”, “Vushtrria“, “Lidhja e Prizrenit”, “Tetova”, “Ferizaj” “Prishtina” etj. Pra emrat e vendeve të Shqipërisë ua vënë kalamajve, ndërsa emrat e vendeve të Kosovës dhe Maqedonisë ua venë bizneseve.
Sipas këmbyesit të valutave në rrugë që mban në duar tufa me Euro dhe dollarë, me këta nuk ja vlen të merresh. Janë të ngathët, të pakulturuar, të pagdhendur. Të mira, sipas derrit të Durrsit, këta kanë vetëm valutat.
Erdhi vjet nipi im nga Italia, thotë një mesoburrë, kur një ditë, tek bënte plazh, pa një Etnik pejan nja 3 vjeç që bëri kakën në rërë. Mamaja e Etnikut e mblodhi kakën me gazetë e hodhi në det. Zonjë, mos vepro në këtë mënyrë, se nuk është higjenike, i tha pejanes një kalimtar. Përgjigja e pejanes ishte; Ani’, s’ka problem, e keni hak ju shqiptarët e Shqipnis me ua dhi detin. Sapo mori këtë përgjigje, me sy mbi kakën përmbi dallgë, nipi u betua sa kohë në plazh të ketë kosovarë e tetovarë në Shqipëri nuk do vi më kurrë.
Një tironc,
-Njihen nga gjuha e derrit që flasin, nga e qethmja që s’ngjan me asnjë modë, nga e veshmja për ibret, nga e hecmja si katunar, jan’ rob’ të trash’.
Punëtori i karburantit:
-E kanë ballin e gjerë, veshët e mëdhenj, buzët të trasha, hanë shumë bukë dhe ëmbëlsira, pinë shumë ujë, gromësijnë pa kriter, pjerdhin pa hesap.
Një snob që punon në një televizion:
-Janë bërë si mizat e dheut. Nuk i duroj dot. Do ta shes apartamentin që sapo e bleva.
Një lab:
– Para 20 vjetësh ishin 50 vjet para nesh. Tani i kemi lënë ne ata nja 200 vjet mbrapa, dhe të paktën 80 vjet anash. Janë të prapambetur, të trashë, të pistë, të pabesë.
Një durrsak:
-Na kan zili. Kanë ardhur, ta zëmë, vjet dhe kanë parë një kioskë, pastaj kanë ardhur prap’ sivjet, dhe në vend të kioskës kanë gjetur një grataçiel. Me zhvillimin tonë galopant mbeten me gojë hapur amerikanët dhe anglezët, e jo më këta.
Një elbasanlli:
-Njeriu nuk njihet në det dhe i lagur. Njeriu njihet në tokë dhe i thatë. Këta dallohen kur ecin duke u lëkundur sikur janë mbi anije. Tani që u bë rruga në Shkozet më përpara mbërrin në Shkozet një prizrenali i trashë, se një leskoviqar i sofistikuar.
Një polic:
-Janë të çuditshëm. Edhe të trashë, edhe të hollë. Edhe të mirë edhe të këqinj. Edhe të ndershëm edhe të pamoralshëm.
Nën një çadër tre ë të rritur dhe një Festim nja 15 vjeç. Festimi pi kafe si burrat, tre burrat pinë kakao si gratë.
-Pse nuk keni vajtur në Greqi ose në Spanjë por keni ardhur në Shqipëri ?
-Kemi prona, shtëpi të mëdha, kerra të shtrenjtë, kemi pasurina, kemi pare, udhëtojm, bëjm biznese. A e di pse vijmë këtu ?
-Jo, nuk e di.
-Sepse këtu flitet Shqip.
Fjalët e fundit i tha duke uluritur dhe duke i rënë tavolinës me grusht aq fort sa kafeja e djaloshit dhe kakao e burrave kërcyen përpjetë dhe trembën dynjanë.
Katër diva nga Drenica, nga 19 deri 25 vjeç kanë qejf të bëjnë muhabet dhe pranojnë të fotografohen. Paguajnë 20 Euro në natë për një apartament dy dhoma e kuzhinë, ujë, dush, të gjitha, çka nuk iu duket shumë. Nuk kanë asnjë ide për korrupsionin, EULEX-in, islamizmin, Albin Kurtin. Për Hashim Thaçin, thonë, e kemi pi Drenice.
– Sa vjeç je ?
– 12.
– Nga je ?
– Nga Rahoveci.
– Si e ke emrin ?
– Atdhe.
-Faleminderit Atdhe. Paske ardhur Ti këtu, prandaj bëjnë këta kështu.
Një prishtinalie shtatlartë, elegante, bajagi e bukur, thotë se shqiptarët e Shqipërisë janë të egër, të ngutur, të shqetësuar, nervozë, jetojnë si në jerm, si në delir, ndërsa shqiptarët e Kosovës nuk guten, janë të qetë, të ekilibruar.
Gjakovari thotë shkurt se ai dhe miqtë e tij vijnë në Shqipëri që përmes shpenzimeve të tyre me e pasuru Shqipërinë, sado pak.
Restorante pa numërim. Si t’i duash, në këmbë, ulur, “Extra”, “Familjar” etj., etj. ku mund të hash gjithçka, Gulash, Pasul, Musak, Burek, Çorbë.
“Kosovaexpres” nuk është kartë krediti, as tren i shpejtë. Është restorant ku hahet e pihet mirë.
Mes diellit përvëlues, muhabetit, kafeve, rakisë, pasulit, gulashit, pleskavicave, piskamave, e gjitha i ngjan gjëmimit të një koncerti madhështor me dirigjent Zotin.
Duket si Olimp i Zotave shqiptarë.
Kujtesa nga Prishtina ka rënë kok’ e këmbë në dashuri me çamin. Patrioti i mban sytë nga deti. Një lab nga Salaria me lot në sy po ia lyp një Vjose nga Suhareka. Vigjilenti nga Kumanova po pi raki me një skraparlli nga Therepeli. Etniku nga Peja po lidh krushqi me një shijaks, Labinoti nga Lipjani po pi kafe duke folur shtruar me një myzeqar. Agoni nga Shtimja po pyet një kolonjar nëse është e vërtetë se Baca kurvi ishte më vrasës se serbi. Berati i Podujevës është marrosur pas një shkodraneje me bishtaleca. Kushtrimi i Malishevës dhe Visari i Vitisë janë shtrirë përmbys në rërë. Vigjilenti i Leposaviqit është mbuluar i tëri me rërë.
Saranda nga Mitrovica e ka tret vështrimin kah deti. Flamuri i Drenicës shkon vazhdimishf në banjë se e ka zënë barku. Dardani nga Podujeva është ftohur pak dhe fshin qurrat me shami. Qurrat që dalin me furi nga hunda e Dardanit formojnë një ylber me ngjyra nën rrezet e diellit. Hitleri dhe Gëbelsi, njëri nga Samadrazha tjetri nga Dobërladani, po i thonë një përmetari se komunistat duhen djegur në krematorium. Lasgushi nga Vaksinca, duke u dridhur si fije bari, po lodhet ta bindi një derdimen nga Peqini se poezia nuk vdes kurrë. Herolindi i Kaçanikut po bën biznes me një krutan. Një belkëputur nga Shtimja me emrin Buna, pak mbi bythë, ka bërë një tatuazh me një shqiponjë në fluturim.
Mitrovicaliu Nexhmedin Spahiu thotë; Jemi e njëjta bajgë që na ka ndarë më dysh rrota e historisë. Ne anejna kemi vuajtur tmerrësisht, jemi vrar’ e prer’ me serbin, por gjithsesi mbahemi, se nuk na ka kafshuar bisha komuniste, nuk na ka helmuar nepërka proletare, si ka ndodh me ju. Isha shtrirë nën një çadër, po lexoja një libër. Pranë meje, një holandez. Më thotë holandezi; Kam një muaj që po shëtit plazhet e Shqipërisë. Je i vetmi shqiptar që po shoh me libër në dorë. A e kupton se ata që të kanë thënë ty që ne anejna jemi më të trashë se ju knejna janë ca budallenj që Zoti i rujt se s’dinë ç’thonë ?
E kuptoj Nexh atë që po më thua ti mua. Kuptoje dhe ti këtë që po të them un tya;
Sikur teksti të nuhatej, ky reportazh do mbante aromë vllaznimi.