SHKRUAR NGA ALBERT VATAJ
“A e dini se çdo ndêrtese i vihen temelet n’dhé? Edhe pse n’vàrr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt’ e temelit t’njiasaj bînaje t’cillin sot e quejm Shqypni”. Janë këto fjalë të qëndisuna me zemër të gatueme me prushin e atdhedashunisë dhe hirin e shenjt të shërbestarit, t’devotshmit të rrugës së vërtetë, diejtuesit, mendimtarit, shkrimtarit, veprimtarit politik dhe fratit françeskan Padër Anton Harapi.
Më 5 janar 1888 u lind në Shirokë të Shkodrës, biri i Loros dhe i Çiles, Anton Harapi. I ati merrej me peshkim, të cilin e kishte traditë. Në fëmijëri bashkëmoshatarët e thërrisnin në emrin e pagëzimit, Gaspër. Që në moshë të re hyri në Kolegjin e Jezuitëve dhe më pas në Kolegjin Françeskan, që ishte dhe mbeti shtylla e traditës së mirëfilltë kombëtare shqiptare.
Rezultatet e shkëlqyera në shkollë i mundësuan të vijojë mësimet e larta në Salzburg, e pastaj në Schwaz e Villach të Austrisë, dhe më vonë vijoi studimet teologjike në Romë.
Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazese e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në lagjen Arra e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit L. von Berthold dhe Ismail Qemalit. Më 1916 në Dukagjin ra kolera, P. Antoni vajti si shërbetor pranë tyre, për t’i ngushëlluar dhe ndihmuar drejtpërdrejt nga ana profilaksike kundër kolerës. Dy vitet e fundme të Luftës së Parë Botërore e gjeti famullitar në Grudë të Malcís së Madhe. Organizon menjëherë tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh dhe ua uli parinë në Shkodër që t’i dorëzonin memorandumin e përgatitur nga ai vetë në vitin 1918, komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me L. Gurakuqin dhe P. Gjergj Fishtën, harton një peticion të nënshkruar nga 200 përfaqësues të tre bajrakëve, drejtuar përkatësisht Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër, organizuan demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur: “Hot e Grudë ishin betue, Pa gjak malet mos me i l’shue”.
Në takimin që formoi grupin “Ora e Maleve”, nga fillimi i vitit 1923, merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve. Ishte bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, sëbashku me Ernest Koliqi të shoqërisë “Rozafat” dhe Zef Harapi e shoqërisë “Bogdani”
“Kur kam nxjerrë “Orën e Maleve”, përveç kolegut tim Dom Lazër Shantojës, nuk kam pasë asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im Nush Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë”, dëshmon nxënësi i tij P. Zef Pllumi.
Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte L. Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e Qershorit, me fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për do kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”. Botime të tija i gjejmë edhe në gazetat “Posta e Shqypnisë” dhe tek “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”. Gjatë vitit 1936 dërgohet në Korçë i kërkuar nga intelektualët e atij qyteti tek P. Fishta, si i njohur që ishte në shkallë kombëtare për shprehinë e tij të zhdërvjellët për një kuvend mbi vlerat, parimet, kulturën e krishterë dhe atdhetarisë. Më 1937 kreu shërbimin e fundit si famullitar në Bajzë të Shkodrës.
Përveç artikujve dhe studimeve në fushat e kulturës, artit, filozofisë dhe sociologjisë Atë Anton Harapi ka botuar edhe librat Edukata ose Mirërritja e Fëmijëvet (Shkodër 1925), Vlera shpirtërore (Shkodër 1936) dhe romanin psikologjik Andrra e Pretashit që më parë u botua në vazhdime në revistën Hylli i Dritës (1933-1940). Si vepër e plotë posthume u ribotua në Romë më 1959. Në vitet e fundit fondacioni Hylli i Dritës ka botuar një vëllim me veprat Vlera shpirtërore, Andrra e Pretashit dhe Valë mbi valë, që mund të porositet prej Kuvendit françeskan në Tiranë.
Siç ka vënë në dukje studiuesi Shpend Shpata, Edukata ose Mirërritja e Fëmijëvet është përkthim e veprës së pedagogut A.Herget, të cilin Anton Harapi ka ditur ti përshtasë moshës së re shqiptare, duke pasuruar pedagogjikën shqiptare me elemente të pedagogjisë botërore.
Vepra e dytë e Harapit, Vlera shpirtërore, ka pasur si qellim të dëshmonte se besimi katolik nuk është kundër diturisë e përparimit, as kundër aspiratave të njeriut, as kundër ndjenjave kombëtare.
Kryevepra e Anton Harapit, Andrra e Prekashit, i kushtuar bashkëveprimtarit të tij të dashur Luigj Gurakuqi, ka vlerë të madhe dokumentare, etnografike, psikologjike dhe filozofike mbi jetën dhe idealet e shqiparëve të krahinës së Grudës, ku Harapi shërbeu si famulltar në vitet 1918-19. Në këtë vepër ai jep pamje nga jeta e tyre të përditshme por synimi i tij kryesor ka qenë thjesht kombëtar: fiset e Hotit dhe të Grudës, t¨mbetura jashtë kufirit politik të sotëm, janë thjesht shqiptare. ”Me veprën e përvuejtë të virtyteve shqiptare do ta ngrehim madhinë e kombit tonë” shkruan Harapi.
Me pushtimin e italianëve, Gjon Marka Gjoni ngarkohet nga paria e Shkodrës që të shkonte të bisedonte me kontin Çiano, më 12 prill 1939, ku si pjesëmarrës dhe përkthyes ishte Patër Antoni.
Si njëri nga krerët e dërgatës së asambleistëve të Shkodrës i kërkon Asamblesë Kushtetuese të Tiranës Pavarsinë e Shqipërisë, flamurin, gjuhën, shkollat… Në prill të vitit 1940 bëhet pjesë e Institutit Mbretëror të Shkencave dhe në vitin 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhërit Françeskan në Shqipëri.
Pas kapitullimit e Italisë, Mehdi bej Frashëri i propozon për t’u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Lartë të Regjencës. Duke qenë e papërputhshme me të qenurit e tij klerik, ngase mund ta çojë në firmosjen e dënimeve me vdekje, dhe se duhej leja e eprorëve, Harapi nuk e pranon ketë detyrë. Për këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t’i jepte leje At Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejen Padër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte antar i Këshillit të Regjencës, por me kusht që mos të nënshkruante asnjë vendim vdekjeje.
Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, shprehej kështu: “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.
I plotfuqishmi i Rajhut në Evropën Juglindore, Herman Nojbaher shkruan te Kujtimet e tij me vlerësim të madh për P. Antonit. Ishte fundi i qershorit të 1944 kur Nojbaher i hipën avionit për të fluturuar drejt Beogradit dhe At Antoni që i thotë se: “nuk mund ta duronte më politikën” dhe vajti me të.
Pas disa javësh qëndrim në Vienë e Tirol kthehet në Shqipëri.
Me arrdhjen në pushtet të komunistëve, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në Regjencë, Lef Nosi, shkojnë në Shkodër dhe strehohen për disa ditë në Kuvendin Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në Kir, më 5 dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i këshillit dhe bajraktari i fshatit e strehon tek një vejushë në Lumaj, një vend ku ishin vetëm dy shtëpi.
Më 6 apo 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës Speciale në Tiranë, Anton Harapi shpallet kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen duke mbetur pa varr.
I tillë ishte fundi i këtij kleriku, i tillë fund që do të nënshkruhej me gjak e me hekur nga komunizmi ndaj gjithë klerikëve, kësaj pasurie të gjatë dhe këtij visari vlerash dhe kontributesh. Ata ikën me Krishtin në gojë e Atdheun në zemër për të mbetur të përgjithmonshëm në kujtesën dhe detyresën për mirënjohje të gjeneratave.
Për figurën e ndritur të Anton Harapit më ka rrë fyer gjatë Prof Ernest Koliqi me të cilin kisha takim në verë të vitit 1974, disa muaj para vdekjes. Madje me arrtisjen time nga Roma në Amerikë, kisha edhe një letër porosi të shkruar nga dora vetë e Ernest Koliqit, ia dorëzova Zef Oroshit në Njujor në pranver të vitit 1975, dhe i cili më njohtoi se Ernest Koliqi kishte ndrruar jetë.
Nga shumë biseda që kisha edhe me veprimtarin Zef Oroshin, i cili më rrëfeu për shumë konflikte dhe antagonizma mes disa organizatave dhe krerëve të tyre të emigracionit shqiptar, ku lojëra agjenture dhe spiunimi zhvillonin edhe UDB-a edhe Sigurimi i Tiranës, por edhe KGB ruse njëkohësishtë. Zef Oroshi nuk e la anash pa më rrë fyer edhe për vuajtjet në burgje dhe ekzekutimin e Anton Harapit, emri i të cilit mbetet në hiostori dhe analet e klerikëve të të gjitha kohërave…