PËRMBLEDHUR NGA ALBERT VATAJ
Diogjeni dhe hajdutët.
Kur ndjeu se hajdutët i kishin hyrë në shtëpi për t’i vjedhur, filozofi Diogjen u fut në një qyp. Hajdutët e gjetën aty dhe e pyetën:
– Pse u fshehe këtu?
Diogjeni u shpjegoi:
– Duke ditur varfërinë time, më erdhi turp t’ju dilja përpara.
Sokrati dhe gruaja
Sokrati, filozofi i madh, e kishte gruan shuamë grindavece. Një ditë ajo u grind për një kohë të gjatë dhe, më në fund, e tërbuar se i shoqi nuk kthente përgjigje, i hodhi në kokë një kovë me ujë.
Filozofi mërmëriti:
– E dija unë, se pas tërë atyre bubullimave, patjetër do të binte shi.
Shakaja e “hidhur” e Rabëleit
Mjeku dhe shkrimtari i falshëm francez Rabële, duke u kthyer nga Roma në Lion, kishte mbetur pa të holla.
Nuk kishte para as për të paguar hotelin, as për të udhëtuar. Atëherë, për të dal nga situata bëri dy pako dhe shkroi sipër tyre “Helm për mbretin”, “Helm për mbretëreshën”.
Policia sekrete e arrestoi në vend dhe e pruri në Paris. Këtu panë shakanë: pakot nuk kishin asnjë lloj helmi.
Kjo ishte e vetmja mënyrë për të ikur nga hoteli pa paguar dhe për të udhëtuar falas.
Inteligjenca e Pushkinit
Një oborrtar i Carit për të vënë në provë dhe për ta hutuar Pushkinin e pyeti pa pritur:
-A mund të më thuash se ç’gjë të përbashkët kam unë me diellin?
Poeti u përgjegj pa u menduar aspak:
-As ty dhe as diellin njeriu nuk mund t’i shikojë pa u vrenjtur.
Njutoni dhe i dërguari i mbretit
Një nëpunës i lartë anglez i ngarkuar nga mbreti, shkoi të takonte shkencëtarin e njohur. Atë çast Njutoni ishte i zënë me një punë shkencore dhe i tha mysafirit që të ulej në karrike, dhe ta priste.
Oborrtari mendjemadh i tha me kryelartësi:
-Mos harro se unë jam i dërguari i mbretit.
Njutoni i hodhi një vështrim të shpejtë nga maja e kokës e deri në fund të këmbëve dhe, duke i zgjatur një tjetër karrige, ia priti shkurt:
-Mirë. Atëherë uluni në dy karrige…
Zgjuarsia e Dantes
Një herë kur poeti i madh italian Dante Aligeri ndodhej në oborrin e sundimtarit të Veronës, princi i tha:
Unë habitem zoti Dante si është e mundur që një njeri kaq i ngritur sa ju të urrehet nga gjithë oborri ku karagjozin e duan kaq shumë?
Dante iu përgjigj:
– Shkëlqesia e juaj do të habiteshit më pak, po të kishit parasysh se gjithmonë i duam më shumë ata që na ngjajnë më tepër.