Analiza e fajit!

OPINIONE

SHKRUAN: KIMETE BERISHA

1. Kam punuar shumë për koalicionin LVV-LDK.
Kam shku aq larg, sa edhe babës ju kam ‘përzi’ n’votë.
Kam besu shumë në rininë (pastërtinë) e Vetëvendosjes dhe në përvojën (dijen) e LDK-së.
Por edhe unë si ata dervishët që sillen rreth zjarrit e në zjarr nuk bien.

2. Qeverisja LVV-LDK kishte aq shumë energji negative, sa që nevoja e Isa Mustafës dhe e ministrave të tij për t’u prishur me Albinin ishte më e madhe sesa nevoja për pushet.

Pse?

Sepse Kryeministri ishte i prirë të kontrollonte.
Donte që çdo lëvizje të ministrave ta kishte nën kontroll.
Nuk i lejonte ministrat të ishin të pavarur në punët e tyre.
Kërkonte raport për secilin veprim të vogël
të tyre.

E kur e kontrollon dikë, do me thënë dyshon në të.
LDK janë të tillë që krejt t’i falin, veç lirinë Jo.
Dhe këtu jam plotësisht dakord me ta.

Nëse për Isa Mustafën nuk do të ishte më e rëndësishme Liria e LDK-së sesa Pushteti, atëherë si e shpjegoni Ju faktin se Isa Mustafa hoqi dorë nga mundësia për t’u bërë President (sipas marrëveshjes së koalicionit me Albin Kurtin)?

Çfarë vurmaku pati Isa Mustafa që iku nga qeveria e cila për disa muaj do ta bënte President?
Kush e bën tash President?

Në momentin që Kryeministri e shkarkoi Agim Veliun (pra, nuk e respektoi marrëveshjen për koalicion me Isa Mustafën), a e dha (me apo pa vetëdije) Kryeministri mesazhin se me lehtësinë më të madhe e shkel marrëveshjen, sa herë që mendon se dikush dyshon në lartmadhërinë e tij!

3. Unë nuk kam idhuj, nuk kam idole, si me qenë ‘ekstremiste’ as skulpturat s’i dua, as si fëmijë nuk më kanë pëlqy’ kukullat, prandaj nuk e kuptoj kur dikush e do dikë aq shumë sa nuk e sheh, nuk e dëgjon…ia mohon vetes të vërtetën, veç mos me ia prish vetes merakun.

E vërteta e prish secilin merak.

Mjafton me shiku veten në pasqyrë dhe sa e sa gabimin ia sheh vetes, lëre më tjetrit, që ia sheh gabimet pa dhimbt.
Si bën që një mendjemadh si Albin Kurti, të bëhet aq mendjelehtë dhe ta prish qeverinë për Agim Veliun?
Është ‘për mashalla’ mendimi i atyre që thonë se demek qeveria Kurti do të prishej gjithsesi, si u shkarkua Agimi, si nuk u shkarkua.

Ne nuk e dimë, nuk kemi fakte (që thotë shpesh Kryeministri: nuk merrem me parashikime), sepse Albin Kurti nuk na dha mundësi ta kuptojmë të vërtetën.

Nuk ia mori argumentet Isa Mustafës.
Por i dha përparësi egos së tij.

Kënaqësia që ka ndjerë Kryeministri kur e ka shkarkuar Agim Veliun (shikoje me vëmendje videon e konferencës së tij), është më e fuqishme sesa pushteti.

Ai thjesht ishte i tepër i mllefosur e i zemëruar (‘Ndërsa luftëtari më i madh kurrë nuk është i zemëruar’).

I mllefosur pse ia kishte kthyer fjalën ministri, dhe kur Albin Kurti tha ‘Agim Veliu, tash që u shkarkua ka të drejtë në fjalën e ‘lirë’, m’u kujtua vetja.

Do t’më vinte rendi edhe mua që punoj në qeveri?
Ka ndodh (në qeverisjen e LDK, PDK dhe AAK) me kompjuterin e qeverisë kam shkruar kundër qeverisë dhe kurrë askush nga politika nuk ka kërkuar nga unë ta mbyll gojën.
Kurrë.

Më përpara vdes sesa që pranoj m’u tutë në një sistem demokratik.
Edhe LDK më përpara rrin pa pushtet sesa që pranon m’u tutë me zor.

4. Kush ka faj pra?

Ka faj Albini.
Për mua personalisht, Albini ka faj.
Sepse me çdo kusht është dashur ta respektoj marrëveshjen e koalicionit me LDK-në.

Duke e shkelur marrëveshjen, ka treguar se kur e lëndojnë emocionalisht (që emocione s’duhet me pas hiç në këtë mesele), i shkel krejt, i harron premtimet dhe nënshkrimet.

5. Albin Kurti ia dha (që thonë në teatër) shllakvortin Isa Mustafës.
Se askush nuk e ka parashikuar që Kryeministri do ta shkarkonte Agim Veliun.

Pra askush nuk ishte i përgatitur si do të duhej të reagonte.
Papritur Kryeministri e preku në ‘tel’ Isa Mustafën, aty ku nëse Isa Mustafa nuk do të kishte reaguar, do të dukej si një ‘fans’ i çmendur i Albin Kurtit, si një palaço ose si bashkëpunëtor i Albin Kurtit me ia heq qafesh nga partia Agim Veliun.

Isa Mustafës nuk i la rrugë tjetër, përveç ta prishte koalicionin për ta shpëtuar partinë e tij.

Isa Mustafa asgjë nuk ka fituar që ka ikur nga pushteti me LVV, përveç lirinë dhe pavarësinë e tij dhe të LDK-së.

6. Kush ka fituar pra?

Dikush duhet të ketë fituar nga shkarkimi i qeverisë Kurti?
Cezari thoshte se fajtor është ai që ka përfituar nga rasti?

Kush pra ka fituar nga shkarkimi i qeverisë Kurti?

Askush, përveç Albinit.
Sepse rrëzimi e ka edhe anën e ndritshme, i ka disa dobi: kur të rrëzojnë (përtoke, pa faj, gjynah) afrohen shumë veta për të ta dhënë dorën.

Cila parti ia pa hajrin shkarkimit të qeverisë Kurti? Asnjëra, përveç LVV.
Ato partitë tjera duhet t’i kenë apo t’i krijojnë për vete dramat dhe katarsiset e tyre për të përfituar diçka në dobi të tyre, nuk huazohen dramat dhe katarsiset e askujt për t’u rritur në emër të tyre.

Askush nuk mund ta rikthej simpatinë e votuesve për PDK-në (shembull), përveç veprat e mira të PDK-së.

Që bën keq Albin Kurti, bën në dëm të tij, jo në dobi të PDK-së apo të partive tjera.

Nëse shkarkimi do të ishte i organizuar, pra nëse Isa Mustafa (bashkë me Hashim Thaçin) do t’ia kishin çel gropën pas shpine, fajtorët do të shiheshin prej aeroplani.

Por, shkarkimi ishte i papritur, siç janë ndjenjat e superioritetit e krenarisë.
Gjithkund në literaturën botërore kam lexuar se si krenaria të bën të dukesh artificial dhe është ves, veç në kronikat tona historike, krenaria përzihet me dinjitet dhe merret si virtyt.

Krenaria dhe mendjemadhësia janë vese, nuk janë virtyte.
Përulësia, thjeshtësia, sakrifica, falja etj. janë virtyte.

Kur lëndohen ndjenjat e krenarisë, njeriu merr vendime impulsive. Me qenë impulsiv, nuk ka ku shkon më keq.

Këtu unë e shoh vetëm një fajtor: Albin Kurtin. Sipas Albin Kurtit më i rëndësishëm është shkarkimi i Agim Veliut sesa shkarkimi i tij.

Me logjikën time prej ‘Lutajke’ kjo i bie se Albini më shumë ‘e do’ Agimin sesa veten. Sepse veten e shkarkon veç me pa Agimin e shkarkuar.

7. Albini dhe Vjosa nuk janë për politikë.

M’sa unë. Bile unë kam aftësi (pyetni) m’i bë njerëzit për vete, sidomos me ua heq mërzinë dhe m’i shti me qesh, por nuk mundem gjatë me bë politikë sepse nuk besoj në idenë m’i ‘rehatu’ njerëzimin dhe me qenë ‘nana e kombit’. Më shumë më pëlqen me qenë e bija, se nana.

8. S’janë politikanë, sepse Albini dhe Vjosa janë veç të mirë dhe të ndershëm, të afërt me popullin, janë të dashur dhe të dijshëm.

Por për të qenë politikanë, duhet të jenë të aftë ta bëjnë ‘ujkun-dajë’, e jo si këta ia kanë dhënë vetes luksin të prishen me krejt dynjanë.

Nëse krejt janë të kqij e veç ti i mirë, diçka nuk është në rregull me ty.
Sepse, në secilën parti ka njerëz shumë të mirë. Pra, mund të afrohesh me ta. E jo të kënaqesh veç kur ‘dallohesh’, ti, açik krejtve.

Në politikë kjo nuk shkon.
Me çdo gjest superioriteti t’ua kujtosh të tjerëve, se si ata nuk e meritojnë me pi një kafe me ty, se si ti je ndryshe, i jashtëzakonshëm, je me nishan.
Bash që ‘je me nishan’, duhet m’i fsheh nishanin.

9. Albini dhe Vjosa janë për të udhehequr naj organizatë humanitare të tipit ‘Firdeuz’, të mbajnë vajs, të merren me fe apo t’i edukojnë masat, t’u prijnë protestave, ama vetëm deri në çlirim, sepse nuk dinë të bëjnë sikur nuk ua ndin kur ua ndin dhe anasjelltas. Nuk kanë sherr, në profesionin që më së paku lyp njerëzi e më së shumti sherr.

10. Askund nuk mbërrin me ndjenja, bile me ndjenja ndaj dikujt tjetër, ndoshta arrin diçka, ama me ndjenja dhe mendime superlative për vetveten, nuk mbërrin askund.

11. Politikan për shembull është Hashim Thaçi, që me vota të vetë rivalëve të tij i udhëheq rivalët e tij dhe i sjell në gisht prej se Rugova s’është më.
E pse jo?

P.S. Tash votuesit dhe aktivistët e LVV po i sulmojnë edhe ata (si unë) që i kam përkrahur hakikat.
E unë vetes ia marrë inat kur dështoj, jo Albinit.
Por kam mirëkuptim. Asnjë shamje nuk ua kam censuruar.
Të gjithë duhet me pas mirëkuptim për nervozën e votuesve të LVV-së, mos me ua matë fjalët në kanar, ata janë shumë të mërzitur pse u shkarkua kaq shpejt lideri i tyre i adhuruar.
Dhe assesi mos prisni nga ata që do ta kërkojnë te Albini, armikun e Albinit.
Ata nuk e pranojnë se si lideri i tyre i prekur në sedër e provokoi shkarkimin e tij.
Ata janë të rinj, kanë energji, prandaj duket se bëjnë shumë zhurmë.
‘Fati është gjithmonë në anën e të rinjve’, prandaj ata nuk duhet të urrejnë në emër të dashurisë. Sepse do të kenë kohë të bëhen të lumtur.
– Duhet ta mirëkuptojmë edhe LDK-në.
Ata nuk kanë kohë të eksperimentojnë dhe të nënshtrohen, janë në fund të karrierës së tyre politike…e as nuk kanë zë të mjaftueshëm për t’u dëgjuar, sepse kanë folur kaq gjatë kohë.
Nuk kanë rini, prandaj duken të urtë, por urtia e tyre është lodhje.
– Veç Vjosa ka kohë, ka vota, ka rini pas vetes, por s’ka parti.
– Edhe në PDK, në AAK, në NISMA, ka shumë njerëz të mirë, që duhet t’i respektojmë.
Jo t’i përjashtojmë.
Nuk e kemi luksin me zgjedh, Albin.
Prandaj, nuk është fundi i botës.
Herë bie njëri, herë ngritet tjetri.
Kryesore, ne me qenë njerëz të qytetëruar, me dallu të mirët te i keqi, të keqen te i miri, me kuptu se ai që nuk është me ty, nuk do të thotë që është kundër teje.

Për mendjemadhësinë dhe për impulsivitetin nuk ka analizë politike. Këtu kish qenë mirë me marrë rastin n’dorë psikologët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *