Amaneti i Mit’hat Frashërit për kthimin e eshtrave në Shqipëri

Më 14 nëntor eshtrat e Mit’hat Frashërit, një prej politikanëve dhe njerëzve më të shquar të letrave shqipe, do të prehen pranë familjarëve të tij.

Pas një pritjeje të gjatë, amaneti i tij do të shkojë në vend. Mit’hat Frashëri do të varroset në Shqipëri. Shteti shqiptar vendosi sjelljen e eshtrave të tij në atdhe, me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit ku ai u zgjodh kryetar i tij dhe së fundmi do të varroset pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës, në kodrat e Liqenit.

Përfaqësuesja e diplomacisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadorja Floreta Faber, në një intervistë të dhënë pas vendimit të qeverisë, rrëfeu mbi procedurat e ndjekura për të përmbushur këtë nismë të ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe për të çuar në vend amanetin e Mit’hat Frashërit.

– Qeveria shqiptare vendosi në 31 korrik të këtij viti kthimin e eshtrave të Mit’hat Frashërit në atdhe. Sa e vështirë ishte për ju, si përfaqësuese e shtetit shqiptar në Uashington për të përmbyllur të gjitha procedurat?

Ishte natyrisht një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe tepër e veçantë për faktin se jo gjithmonë të krijohet mundësia të kontribuosh në raste të tilla. Secili prej nesh ka punuar me shumë përkushtim për të përmbushur një amanet të vetë Mit’hat Frashërit, për të plotësuar një kërkesë të shumë viteve të diasporës shqiptare dhe bashkëpunëtorëve të tij këtu në Shtetet e Bashkuara, si dhe për të plotësuar një dëshirë të familjarëve, sepse ai ishte i të gjithëve.

Prej 3 muajsh kemi punuar intensivisht dhe me orë tepër të gjata për t’iu përgjigjur në kohë vendimit të qeverisë shqiptare, që eshtrat e Mit’hat Frashërit të prehen në tokën shqiptare gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Përkrah plotfuqishmërisë që të jep posti dhe vendimi i qeverisë shqiptare, ndieva se plotfuqishmërinë për të përfaqësuar shtetin shqiptar, në radhë të parë, ma transmetoi jeta dhe vepra e Mit’hat Frashërit.

Nuk më ishte dhënë rasti më parë të hulumtoja aq shumë për jetën dhe veprën e tij dhe shumë detaje janë sa të reja, aq dhe befasuese. Vendimi për kthimin e eshtrave të Mit’hat Frashërit është në një mënyrë shprehje e unitetit kombëtar. Roli i tij në Kongresin e Manastirit do jetë vendimtar në hartimin e historisë së rishikuar të Shqipërisë që do t’i japë atij vendin e merituar. Gjatë këtij procesi jam hasur me shumë vështirësi, të cilat kishin të bënin me natyrën administrative dhe ligjore të procedurës, por mbështetja ka qenë e madhe.

U deshën disa muaj që të mblidhnim të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e duhur se ku preheshin eshtrat dhe cila ishte procedura ligjore që lejonte tërheqjen e tyre dhe dërgimin në Shqipëri. Kjo do të thotë që ishte e domosdoshme mbyllja e procedurave ligjore dhe administrative që më tej të kalonim në fazën e njoftimeve publike për ceremonitë që do të zhvillohen në Nju Jork dhe në Tiranë.

Procesi filloi dhe është ndjekur nga afër e është mbështetur me shumë prioritet, drejtpërdrejt nga zyra e Kryeministrit. Më tej kam bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, pikërisht me arkivat e vyera të kësaj Ministrie, nga ku nxorëm të gjithë informacionin e nevojshëm dhe eksperiencat e mëparshme të këtij institucioni në riatdhesimin e personaliteteve të larta, sidomos nga Shtetet e Bashkuara.

– Sa ndihmuese ka qenë diaspora shqiptare në SHBA në realizimin e kësaj nisme?

Interesimi dhe mbështetja nga ana e diasporës ka qenë e jashtëzakonshme. Kujtoj mikpritjen që kam pasur nga znj. Barie Aliko dhe familja e saj ne Detroit kur i vizitova për të marrë informacionet e para dhe bashkëpunimin e tyre aq të vyer gjatë gjithë këtij procesi. Bashkëshorti i zonjës Aliko, bashkëpunëtor dhe mik i afërt i Mit’hat Frashërit, kishte lënë një porosi, që zonja Bahrie deri në fund të jetës së saj të punonte për të çuar në fund amanetin e Mit’hat Frashërit.

Ajo tashmë ndihej e çliruar që më në fund kjo porosi po realizohej. Një ndihmë të madhe ka dhënë avokati Edward Toptani nga Nju Jorku, i cili na ofroi gjithë bashkëpunimin e tij dhe punoi vullnetarisht deri në plotësimin e të gjitha kërkesave ligjore për dërgimin e eshtrave drejt Tiranës.

Procedurat u kryen në kohë rekord! Por, i një rëndësie thelbësore për realizimin e këtij procesi është kontributi dhe bashkëpunimi me familjarët dhe veçanërisht me stërmbesën e tij, znj. Najada Petrela, e cila ka punuar bashkë me ne në çdo hap dhe na kanë dhënë një besim të madh gjatë gjithë procesit. Megjithëse me të nuk jam takuar akoma, ajo tregoi vullnetin dhe besimin e plotë që të ndiqnim së bashku të gjithë hapat e nevojshme, që t’i afroheshim kësaj dite të kthimit në Shqipëri të eshtrave të Mit’hat Frashërit.

Në këtë fazë do doja të përmendja se, pavarësisht se autoritet amerikane ku ne u drejtuam për bashkëpunim nuk ishin në dijeni të përmasave, të vlerave të personalitetit që ne po bënim gati procedurën zyrtare, na kanë pritur me një frymë tejet bashkëpunuese. Ky bashkëpunim bëri të mundur që gjithë procedurat, përfshirë ato ligjore, të kryhen në kohë rekord dhe krejtësisht në përshtatje me afatet e vendosura nga Vendimi i Këshillit të Ministrave.

– Çfarë është parashikuar në ceremoninë zyrtare që ju do të zhvilloni në Nju Jork më 10 nëntor për kthimin në atdhe të eshtrave të Mit’hat Frashërit?

Paralel me të gjithë procesin administrativ për dërgimin në Shqipëri të eshtrave të patriotit Mit’hat Frashëri, kemi punuar për të zgjeruar lidhjet me komunitetin në mënyrë që kushdo që është i interesuar, të mund të vijë të bëjë homazhe dhe t’i japë Mit’hat Frashërit lamtumirën e fundit nga SHBAtë.

Ndërsa u përpoqëm me të gjitha burimet që kishim, të gjenim një vend të përshtatshëm, dinjitoz dhe kuptimplotë ku të zhvillohej ceremonia zyrtare dhe homazhet, pasi vizituam dhe varrezat ku prehej i qetë Mit’hati. Shumë shpejt e kuptuam që fare pranë varrezave ndodhet qendra “Nënë Tereza”, pjesë e kishës shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, një kishë ku prej 25 vitesh flitet dhe predikohet shqip, një “copë tokë”, ku shkelin pothuajse vetëm shqiptarë, ku respektohen të gjitha zakonet dhe fetë shqiptare. Mit’hat Frashëri në amanetin e tij kishte theksuar se donte të prehej pranë një institucioni, burim i dijes. Jam besimplotë që ky institucion shqiptar, ngjitur me varrezat në Ferncliflf, por ndërtuar shumë dekada pasi ndërroi jetë Mit’hati, është bërë edhe për t’i shërbyer kësaj dite.

Pasi diskutuam në detaje të gjithë elementët, të gjitha palët e interesuara u dakordësuan që ceremonia përkujtimore zyrtare të zhvillohet në qendrën “Nënë Tereza”. Kjo ceremoni është kuruar në detaje dhe është ideuar në mënyrë të tillë që të lejojë pa asnjë kufizim pjesëmarrjen e të gjithë komunitetit shqiptar. Ceremonia do ketë si pjesë të saj homazhet, ndjekjen e një filmi mbi jetën e Mit’hat Frashërit, përshëndetjet e familjarëve, zyrtarëve dhe drejtuesve të komuniteteve fetare dhe një përcjellje dinjitoze drejt vendit që ai aq shumë e deshi dhe i kushtoi jetën e tij.

– Mbesa e tij, Najada Petrela, është shprehur pak ditë më parë se amaneti i tij ka qenë prehja në kopshtin e Institutit të Albanologjisë, i cili ende nuk është ngritur… Si ka qenë reagimi i familjarëve të Mit’hat Frashërit për këtë vendim të qeverisë shqiptare?

Po, është e vërtetë që në testamentin e tij shprehet fare qartë dëshira për t’u prehur në Shqipëri. Unë mendoj se pavarësisht vonesës për të vënë në vend amanetin e tij, thelbësor mbetet fakti që amaneti i tij po shkon në vend. Historia dhe legjendat shqiptare janë ndalur shpesh tek amaneti dhe fjala e dhënë dhe besoj se kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit do i shtohet kalvarit të historive ku shqiptarët janë të shquar për të mbajtur fjalën e dhënë dhe për të çuar një amanet deri në fund.

– Si dhe sa është vlerësuar ai në SHBA dhe nga diaspora shqiptare atje?

Mit’hat Frashëri i referohej bashkatdhetarëve të tij me fjalët: “djemtë e mij”. Janë ndër ata që kishin ecur këmbë për këmbë me Mit’hat Frashërin dhe të gjithë së bashku luftuan për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një Shqipëri të shqiptarëve, siç ata shpreheshin. Ata e bënë këtë, secili në mënyrën e vet, deri në fund të jetës së tyre. Pasardhësit e tyre e vazhduan më tej këtë përpjekje dhe ja ku jemi sot, të gjithë bashkë për të nderuar Mit’hat Frashërin.

Në Shtetet e Bashkuara ka një numër shumë të madh organizatash dhe individësh, të cilët gjatë viteve dhe dekadave kanë përkujtuar jetën dhe veprën e Mit’hat Frashërit. Në themel të përpjekjeve vlerësohet kontributi i tij si kryetar i Kongresit të Manastirit, ku ai theksoi se “Duhet të flasim dhe të shkruajmë shqip, se gjuha është rrojtja a vdekja e kombit”. Sot, ajo që pikërisht po vlerësohet, është riatdhesimi i eshtrave të tij pikërisht në këtë përvjetor të 110-të.

Ai vlerësohet si firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, si kryetar i Delegacionit të Shqipërisë në Konferencën e Parisit dhe të qenit nga të paktët diplomatë dhe përfaqësues të Shqipërisë së viteve ’20. Për vetë specifikën e një pjese të diasporës shqiptare, aktive në SHBA, që e kanë lënë Shqipërinë gjatë viteve të regjimit komunist dhe kanë kërkuar me dekada përmbysjen e atij regjimi, në mënyrë të veçantë vlerësohet kontributi i Mit’hat Frashërit si një nga themeluesit, por edhe kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, një organizatë politike e pas-Luftës së Dytë Botërore e Mërgatës Shqiptare në vendet perëndimore.

Në një nga fjalimet e fundit të tij, përmes “BBC”- së në Londër, ky bir i Frashërllinjve shprehet se shpreson se të gjithë shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë. “Kjo është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë ‘Shërbëtorët e Shqipërisë’”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top