Albania Sacra”

SHKRUAR NGA ARDIAN NDRECA

Historiani i mirënjohtun Peter Bartl me anën e këtij vëllimi (Shqipnia e Shenjtë. Relacione të vizitave baritore prej Shqipnisë. 1: Dioçeza e Lezhës – titulli origjinal: Albania Sacra. Geistliche Visitationsberichte aus Albanien. 1: Diözese Alessio, Harrassowitz Verlag, Wiesbaden 2007, 469 faqe.) që do të pasohet prej katër të tjerësh, paraqet mundin e punës së tij shumëvjeçare në hulumtimin e në përgatitjen e nji serie të gjanë dokumentesh që hedhin dritë mbi periudha dhe probleme shumë të randësishme të historisë sonë kombtare.

Siç tregon ai vetë në fjalën e hymjes së këtij vëllimi, plani i punës së tij parasheh botimin e pesë vëllimeve ku do të përfshihen dokumente që i përkasin historisë së dioçezave shqiptare të Shkodrës, Pultit, Sapës, Lezhës dhe Durrësit.

Vepra në fjalë ban pjesë në fondin e artë të burimeve historike të dorës së parë që autori i paraqet kryesisht studjuesve të historisë sonë por edhe gjithë atyne që janë të dashunuem dhe dëshirojnë me njohtë ma mirë historinë.

Përmbajtja dhe konceptimi i kësaj vepre e ven atë përkrah burimeve klasike të historisë sonë, siç janë: Illyricum Sacrum e Daniel Farlatit, Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia të botueme prej L. Thalloczy-it, C. Jireček-ut dhe M. Šufflay-it, Acta Albaniae Veneta saeculorum 14 et 15 të përgatituna dhe të botueme prej At Zef Valentinit.

Historiani gjerman Peter Bartl ka qenë për shumë vite rresht profesor i historisë së Europës juglindore pranë Universitetit të München-it si edhe ka drejtue Institutin Shqiptar pranë atij universitet.

Dokumentet origjinale të botueme në këtë vëllim përfshijnë nji hark kohor që nis me relacionin e vizitës që ipeshkvi i Lezhës Fra Benedetto Orsini i dërgonte në vitin 1629 Propagandës Fide dhe mbyllet me relacionin e mons. Luigj Bumçit drejtue Kongregacionit të Propagandës Fide ku pasqyrohet vizita e tij e vitit 1912 në dioçezën e Lezhës.

Hapsina mes këtyne dy datave cak përmban dokumente dhe relacione si për shembull ai i ipeshkvit Gjergj Vladanji drejtue Propagandës me 5 qershor 1664; relacionet e po këtij ipeshkvi drejtue eprorëve të vet në datat 10 gusht 1672, 17 mars 1677; relacionet e Pal Kamsit, ipeshkëv i Lezhës, drejtue Propagandës me 1 qershor 1749, me 15 korrik 1749, 20 shtator 1749; relacionet e ipeshkvit të Lezhës Nikollë Malçi përgjatë gjysmës së parë të ‘800; mendimet dhe relacionet e abatit Preng Doçi në vitet 1886-1896 etj.

Të gjitha dokumentet e përfshime në këtë vëllim ruhen në Arkivin historik të Kongregatës së Shenjtë të Propagandës Fide.
Ndoshta do të ishte me interes për lexuesin me dijtë arsyen se pse ruhen në këtë arkiv gjithë këto dokumente me randësi.

Me 22 qershor 1622 Papa Gregori XV i vuni themelin Kongregatës së Propagandës Fide me anë të bulës papale Inscrutabili Divinae. Detyra kryesore e kësaj kongregate ishte ungjillzimi i popujve e tue qenë se Shqipnia e atëhershme gjindej “sub tyrannide Turcarum”, Propaganda Fide mbulonte me misionarë Shqipninë e krejt Ballkanin. Kjo ishte arsyeja që misionarë të ndryshëm e sidomos ipeshkvijtë e dioçezave shqiptare dërgonin herë mbas here relacione në Romë tue ilustrue gjendjen fetare, politike, shoqnore, ekonomike, tregtare dhe tue ba përshkrime të hollsishme të gjendjes kishtare, zakoneve, festave, veseve, kushteve të jetesës, gjendjes së rrugëve, rreziqeve të ndryshme, vështirsive që lindnin prej pushtuesit osman dhe prej atyne që i shërbenin atij. Gjatë kësaj periudhe historike, tue nisë prej fillimeve të ‘600 të dërguemit e Propagandës Fide, në bashkëpunim me Republikën e Venedikut e me Habsburgët, u përpoqen me mbajtë gjallë frymën kombtare të shqiptarëve dhe kajherë edhe me organizue kryengritje kundër pushtuesve turq.

Nji tjetër veprimtari e Propagandës Fide në Shqipni asht edhe botimi i librave, gramatikave, akteve të kuvendeve kishtare si edhe fjalorëve në gjuhën shqipe, pa lanë mënjianë përgatitjen e njerzve të aftë me drejtue misionet katolike në ato vise.

Kjo asht arsyeja pse gjitha këto dokumente ndodhen sot e kësaj dite në Arkivin e masipërm e duhet shenjue se pjesa ma e madhe e tyne nuk asht botue asnjiherë, së paku në mënyrë sistematike dhe simbas kriteresh shkencore siç ka ba historiani Peter Bartl.

Në dokumentet e masipërme të botueme në këtë vëllim dalin në pah kontradiktat e ashpra mes klerit vendas dhe atij të huej. Shpeshherë në vizitat e tyne baritore ipeshkvijtë vërejnë mungesën e devocionit dhe të kujdesit prej klerit shekullar në administrimin e sakramendeve dhe në mirëmbajtjen e kishave dhe të orendive të tyne. Jo rrallë priftnat dalin në skenë si cytës të shumë problemeve të lidhuna me kufijtë e dioçezave dhe me të ardhunat që vinin prej tyne. Ndoshta nji prej plagëve ma të randa të klerit asokohe ishte injoranca dhe mungesa e përkushtimit ndaj misionit meshtarak. Gjithsesi ka mjaft raste ku ky përkushtim del në pah dhe spikat deri në heroizëm, sidomos në qindresën ndaj trysnisë së osmanllijve, të cilët përpiqeshin me mbytë me të gjitha mjetet jo thjesht shpirtin fetar katolik por vetë ndjesitë kombtare të shqiptarëve.

Leximi i dokumenteve që i përkasin dioçezës së Lezhës në shekujt 17-18 ka edhe nji vlerë të madhe për rindërtimin e hartës arkeologjike të kësaj zone. Prej relacioneve del në pah prania dhe numri i kishave në këtë dioçezë.

Ndeshim për shembull në nji letër të 24 prillit 1638 që Kongregata i drejtonte ipeshkvijve shqiptarë, përbamjen e dioçezës së Lezhës dhe kishat që i përkisnin asaj në kufijtë e atëhershëm:

«S. Nicolaus Alexij Cathedralis. S. Georgius, et S.ta Maria de Castello. Item Santa Maria ultra flumen Drinum Monasterium. S. Joannes de Ranesi. Santa Veneranda de Balldreni. S. Nicolaus de Caccarrichi. Santa Eufemia de Calmeti. S. Salvator de Velia. S. Joannes de Merchigna. S.S. Cosma, et Damianus de Manathia. S. Blasius de Solemundi. S. Demetrius de Darda. S. Alexander de Bochiano, et Gaibi, et S. Nicolaus de Soimeni. S. Barbara de Pedana. S. Georgius de Ficu. S. Salvator de Rebico. Santus Georgius de Cuculla. S. Joannes de Bulgari. S. Maria de interfandina. Santa Veneranda, et Sanctus Marcus de Kthella. S. Alexander supra montem mirditarum Abbatia. Sancta Maria, et Sanctus Marius de Fandi voghele. S. Demetrius de Fandi Made. S. Paulus, et S. Stefanus de Bliniscti, Santa Maria de Sperdasa. S. Georgius de Giunala. S. Micael de Castegnetti. S. Crux ad flumen Glomesichium. Sanctus Nicolaus de Lume Calemi, S. Veneranda de Reia. S. Trinitas de Schiesa, et S. Maria de Barbeciori, et tandem alie quedam destructe alie vero parvi momenti intra supradictos terminos diocesis Alexien» (APF, SOCG 475, f. 393-393v.).

Oroenat dhe të dhanat që gjejmë në këto relacione na japin nji pasqyrë realiste të gjendjes së Shqipnisë veriore në atë periudhë dhe nuk ka asnji arsye me mendue se shkruesit nuk thonë të vërtetën apo e mshehin atë, tue qenë se vetë ekzistenca e tyne në ato troje mvarej shumë prej vërtetësisë së lajmeve që ata i dërgonin Romës.

Marrim për shembull abatin e Mirditës Giorgio Stampaneo (abat në vitet 1669-1697), dhe analizojmë relacionin që ai i dërgon Propagandës në vitin 1685 rreth gjendjes së Mirditës dhe dioçezave përreth tue përfshi edhe nji pjesë të Malit të Zi. Ndër tjera ai vëren sesi provinca e Shqipnisë asht e përbame prej disa republikash të vogla (it. Repubblichette), disa prej të cilave vetëqeverisen dhe paguejnë taksa tue e njohtë autoritetin e turqve e disa tjera janë të lira, vetëqeverisen dhe nuk e njohin pushtetin turk.

Tue ba këtu nji përmbledhje të përciptë të këtij relacioni shohim se për kishën e Abacisë së Shën Aleksandrit martir, abati Stampaneo thotë se ajo ka nji arkë argjendi (e njohtun si Arka e Shenjtit) të zbukurueme me gurë të çmueshëm me vlerë rreth 2000 skuda në të cilën ruhet relikja e shenjtit, e cila nderohet prej të krishtenëve dhe myslimanëve, të cilët çojnë lëmoshë pa dallim. Gjithashtu, kujton abati, për reliken në fjalë (kryet e shenjtit), kanë nderim të veçantë edhe në Mbretninë bullgare dhe në Mbretninë e Serbisë. Mirditasit, vijon relatori, kanë pak kohë që i paguejnë tribut pashës Hoxholli, paguejnë 8 paula për shtëpi gjatë vitit. Por katër vjet ma parë ata i vranë Hoxhollit qehajanë e tij së bashku me 29 turq të tjerë. Atëherë, vijon Stampaneo, Hoxholli mblodhi 8 mijë ushtarë dhe dogji tanë Mirditën tue përfshi kishën e Zojës në Ndërfandë, preu vneshtat dhe pemët frytore e mori skllevën. Mbas kësaj mirditasit i dorëzuen 70 vetë peng dhe u kthyen në tokat e tyne. Mirditasit janë të gjithë të krishtenë katolikë, dhe janë të gatshëm me nxjerrë 600 vetë të armatosun.

Për Selitën, tregon se i paguejnë Turkut 8 paula për shtëpi, vetëqeverisen dhe nxjerrin 700 njerëz të armatosun.
Kthella paguen gjithashtu 8 paula për shtëpi, janë të gjithë të krishtenë katolikë dhe nxjerrin 500 njerëz të armatosun shumë të zot (it. valent.mi).
Edhe Dibrri paguen tribut dhe vetëqeveriset, të gjithë janë të krishtenë katolikë dhe nxjerrin 250 luftëtarë.

Ma andej shkruen se Lura i paguen tribut Turkut, janë të krishtenë e myslimanë së bashku, 1/7 pjesë janë myslimanë, të tjerët janë katolikë. Vetëqeverisen dhe nxjerrin 600 katolikë të armatosun.

Kurse Iballa nuk asht e nënshtrueme dhe asnjiherë nuk ka qenë e tillë, s’i ka pague kurrë tribut kujt, qeveriset si nji republikë. Janë njerëz luftet dhe janë mjaft të rreptë e plaçkisin karvanet që shkojnë prej Mbretnisë së Serbisë në Shkodër. Shumë herë, vijon abati, Sulltani ka dërgue ushtri me i nënshtrue e me ba që të paguejnë tribut por nuk ka fitue kurrë, çdo herë Iballa ka dalë fituese. Janë të gjithë katolikë dhe nxjerrin 1200 luftëtarë shumë të vlefshëm.

Ma poshtë tue përshkrue Kelmendin tregon se banorët janë të gjithë të krishtenë katolikë, qeverisen si nji republikë, kanë të parët e tyne, janë shumë të lashtë e kurrë s’kanë qenë të nënshtruem e s’i kanë pague kujt asnjiherë tribut. Turku ka çue kundër tyne disa heresh ushtri prej 40 mijë e 50 mijë vetësh por s’ka mbërrijtë me i shtrue. Kelmendasit janë katolikë të mirë, të zotët për luftë e të rreptë shumë kundër turqve e me gjithë ata që i ngucin, nxjerrin rreth 1000 vetë të armatosun.

Interesante janë edhe lajmet që abati jep për Kuçin, Piperin, Bjelopavlići-in në Mal të Zi, e mandej për Grudën, Postripën, Kurbinin, Pukën, Krujën e shumë qendra të tjera.

Veçojmë disa të dhana për Nënshkodrën: e gjithë fusha i paguen tribut Turkut, jetojnë të krishtenë e myslimanë së bashku. Të krishtenë janë ¾ e myslimanë ¼ e tyne. Komunat e kësaj zone janë: Pulajt, Shën Gjergji, Belaj, Boboti (Oboti ?), Shirqi, Bumsi (Bumçi ?), Butergiarpeni (Bythëgjarpëni), Dardha (sot Treshi), Bushati, Barbullushi, Kakarriqi, Balldreni, Ciuhelli (?). Renci. Të krishtenë të aftë me luftue dalin 3000 vetë.
Përmblodhëm këtu shkurt vetëm disa prej të dhanave të këtij relacioni, sa për me i tregue lexuesit interesin që paraqet vepra Albania Sacra e botueme prej Peter Bartl-it.

Kjo vepër asht nji instrument i domosdoshëm punet për historianët që interesohen për periudhën në fjalë, aq ma tepër që botimi asht kritik dhe tregon nji metodologji punet shkencore dhe nji përkushtim të tillë, siç mund të pritej prej nji historiani me përvojë si Peter Bartl-i.

Ajo çka e ban ma të vlefshëm këtë vepër asht edhe studimi i autorit kushtue dioçezës së Lezhës në kohën e pushtimit osman. Studimi nyjëzohet në disa tema që janë: historia politike e Lezhës, historia e dioçezës së Lezhës, shtrimja dhe kufijtë e kësaj dioçeze, vendbanimet e ipeshkvijve të Lezhës, shkollat, famullitë, kishat dhe famullitë, kleri rregulltar, Abacia e Mirditës, islamizimi dhe kriptokatolicizmi (laramanët) në dioçezën e Lezhës, popullata dhe zakonet e saj në dritën e relacioneve, marrdhanjet politike. Autori ka paraqitë edhe nji tabelë ku sqaron monedhat dhe njisitë matëse të kohës, si edhe nji pasqyrë ku përpiqet me identifikue toponimet e citueme në relacionet e klerikëve të ndryshëm.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top