Aktualiteti i vazhdueshëm i etnonimisë shqiptare

Shkruar nga Prof. dr. Engjëll Sedaj

Nga fakti se shumë emra të popujve (evropianë dhe më gjerë) kanë mbetur pa etimologji të sigurt, kuptohet lashtësia e tyre e kohërave parahistorike, sikurse edhe ndryshimet etnonimike që kanë ndodhur gjatë shekujve dhe këtu qëndron ndoshta interesimi më i madh i studiuesve edhe për etnoniminë shqiptare.

Çështja e emrave nacional është mjaft komplekse dhe duhet vështruar në mënyrë interdisiplinare, sidomos në lidhje me epigrafinë, gjuhësinë, hartografinë, etnografinë dhe historiografinë në përgjithësi.

Tërthorazi këtyre dy emrave, arbëresh dhe shqiptar, disi pasqyrohet jo vetëm influenca gjuhësore dhe historiografike greko- romake, por edhe një pjesë e zhvillimit historik e dialektikor e gjuhës shqipe prej kohës antike deri më sot. Edhe studiuesit e tjerë janë të prirur që pikërisht në emrin e popullit shqiptar, tek albanët e lashtë dhe te arbëneshët mesjetarë të shohin vazhdimësinë etnike të popullit tonë prej kohës antike, deri te formimi i tij në mesjetën e vonë, kur shqiptarët, si bartës të fisit ilir, shfaqen si faktor politik aktiv në ngjarjet historike të kohës.

Terminologjia etnonimike e popullit shqiptar do të ketë pasur vlera të shumta e të ndryshme, varësisht nga motivet e përdorimit, nga qasja e trajtimit në historiografi, në politikë, në gjuhësi, në letërsi, etj., kurse në formën e ngushtë të një lekseme të vetme, të emërtimit arbëresh, pra, që këtu do të jetë objekt kryesor shqyrtimi, vazhdimi i emrit nacional, prej kohës antike, deri më sot, ka rëndësi edhe në përcaktimin e vendit të formimit të gjuhës shqipe dhe të zgjidhjes së problemit të autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre të tanishme. Në këtë drejtim, çështja e etnonimit ndërlidhet me momentet fundamentale të stabilitetit etnik të shqiptarëve dhe ndoshta asnjë faktor nuk mund të jetë më i rëndësishëm në ndërlidhjen kohore të historisë së popullit shqiptar se ky etnonim, i cili paraqitet me një prestigj absolut dhe i pakrahasueshëm me të gjitha emërtimet e tjera nacionale shqiptare.

Përveç lashtësisë së saj, së paku nga koha e ilirëve të vjetër, çështja e etnonimisë shqiptare, vështruar nga aspekti shkencor, do të ketë qenë mjaft e ndërlikuar, ngase pikërisht në viset shqiptare, në një [1] pjesë të madhe të tyre, ajo iu ka nënshtruar heterokronisë, duke kaluar kohën e romanizimit, bizantizimit, sllavizimit dhe turqizimit, kurse të gjitha këto shtresime heterokronike kanë gjetur mbështetje në antikitetin klasik grek dhe iliro-ballkanik. Në lidhje me këtë heterokroni paraqitet problemi i vazhdueshëm, të cilin e kishte vërejtur qysh G. V. Hahni, duke thënë se “emri i këtij vendi (sc. Shqipërisë) del vetëm herë pas here e, si rregull, vetëm ngushtë me të fqinjve të saj”,[2] që do të thotë se duhet ndjekur paraqitjen e etnonimit arbëresh (Arbëri), para së gjithash, në burimet greko-bizantine, latino-perëndimore, sllave dhe turke, si dhe motivet kryesore të autorëve të këtyre burimeve, gjithherë për të konstatuar elementet etnike shqiptare dhe interesat e shqiptarëve.[3] Në lidhje me këtë heterokroni duhet pasur parasysh edhe faktorin e brendshëm, sidomos kur është fjala për ato periudha historike kur paraqiten emërtime sporadike epirot, makedon, ilir, ose kur zotëruesit e krahinave shqiptare paraqiten me tituj Despot i Epirit, Despot i Artës, Princ i Epirit etj.

Në fakt, këtu mund të shtrohet çështja e shqipes së shkruar në diakroni, duke ndjekur zhvillimin e etnonimit Alban-oi, në lidhje me përdorimin administrativ të greqishtes, të latinishtes (deri në shek. VII), të greqishtës së mesme (ose bizantine), që përfshin kohën e M. Ataliatit e të A. Komnena, dhe të sllavishtes, por edhe duke pasur parasysh gjithherë mundësinë e përdorimit të këtij etnonimi në prehistorinë e gjuhës shqipe. Kështu, shtrohet medoemos edhe çështja e vazhdimësisë se elementeve etnike, tërthorazi ndryshimeve të shumëllojshme të etnonimit, që në kohën e Ptolomeut është i një fisi, tanimë i shkrirë në emrin e banorëve të një territori, pastaj edhe të një shteti (Arbanon, Arbën), sepse në një pjesë të tij patën banuar dikur “albanët” e antikitetit,[4] kështu që edhe në aspketin gjuhësor paraqitet një heterokroni interesante dhe e rëndësishme.

Prandaj edhe nuk është çudi që albanologët më të dalluar janë marrë me këtë çështje, veçanërisht historianët dhe gjuhëtarët, kurse vetëm Eqrem Çabej (1908-1980), gjuhëtari i spikatur shqiptar, përveç që në forma të tërthorta, me dhjetëra herë ka shkruar për punë të etnonimit dhe emrave të popullit shqiptar u kushton gjashtë punime të veçanta.[5] [6]

Duke i vlerësuar këto punime të tij në mënyrë përmbledhëse, mund të thuhet se Eqrem Çabej në “Studime etimologjike II”[7] e ka trajtuar dhe ndriçuar emërtimin arbëresh në një mënyrë më të plotë në leksik, në toponimi, në fonetikë, në fjalëformim dhe në morfologji sesa studiuesit e tjerë, duke vënë në dukje momentet më relevante të zhvillimit të tij edhe nga pasqyrimi i trajtimit në shkencat albanologjike, që do të thotë se aty ka cituar literaturën (e plotë dhe) relevante shkencore për këtë çështje. Ç’është e vërteta, ky studim i Eqrem Çabejt është një prej të fundit të tij, në të cilin mbarështrohen, përsëriten dhe plotësohen rishtazi vlerësimet e mëparshme të tij,[8] kurse për përhapjen e këtij emri, mbase më gjerësisht dhe në një mënyrë edhe më përmbledhëse, ai shkruan në studimin L’ancien nom national des Albanais (Emri i vjetër kombëtar i shqiptarëve),[9] duke dhënë një informacion mjaft të plotë sidomos për albanologët e huaj. E. Çabej shkruan kryesisht për emërtimin (më të vjetër) arbëresh jo vetëm nga aspekti i përdorimit të jashtëm, por edhe të brendshëm, dhe aktualiteti i kësaj çështjeje na paraqitet edhe nga argumentet e tij shkencore, kështu që një trajtim të këtillë të hollësishëm mbase e ka merituar më parë kjo leksemë sesa shumë fjalë të tjera në gjuhën shqipe, kurse për rrjedhat e paraqitjes së etnonimit në kohë dhe në hapësirë, sidomos në mesjetë, mund të veçohen rezultatet e arritura të albanologut francez, A. Dyselje, pastaj të K. Bozhorit, K. Biçokut, K. Luka etj.

Prandaj që në fillim duhet thënë se nuk mund të flitet për izolimin e këtij emërtimi, jo vetëm si emër në vetvete, por edhe si përcaktim vendi dhe më gjerë. Në të vërtetë, studiuesit nuk mund ta kalonin çështjen e këtij emri nacional, jo vetëm pse kjo ishte e para dhe e vetmje përfillje e emrit “shqiptar” gjatë kohës antike, por edhe pse, në krye të herës, e gjatë gjithë kohës, në të shfaqeshin dukuri gjuhësore të zhvillimit të brendshëm dhe të jashtëm të gjuhës shqipe, të fushave të tjera albanologjike, si dhe origjina dhe historia e formimit të vetë popullit shqiptar dhe e burimit të gjuhës shqipe. Nuk është i tepërt konstatimi se pikërisht studimet për emrat nacionalë të popullit shqiptar paraqesin një pjesë të mirë të studimeve të gjithëmbarshme albanologjike.

Megjithatë, edhe sot e gjithë ditën, arban, arbën (arbër), arbënesh (arbëresh), arbënuer, arbnor (arbëror), arbanisht, arbënisht (arbërisht), Arbanon, Arbanum, Raban, Arbania, Arbëni (Arbëri), Arbni, apo Albanon, Albanum, Albania, janë emra me burim të diskutueshëm,[10] që në shumë pikëpamje duhet ndriçuar dhe saktësuar edhe në kuptim të rezultateve më të reja shkencore, si në aspektin gjuhësor, ashtu edhe në atë historiografik.

Vetë fakti se E. Çabej tri herë kishte ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me çështjen se cili është primari, emri i popullit apo emri i vendit,[11] tregon ndërligjshmërinë e madhe të problemit. Idriz Ajeti mendon se “këto teza dhe teza të tjera për zanafillën e emërtimit të popullit tonë, Arbën – shqiptar, me gjithë gjasat e mëdha të jenë të vërteta e të drejta, ato nuk kënaqin çdo kend dhe nuk mund të pranohen gjithherë pa rezervë,”[12] kurse K. Bozhori thotë se “problemi i shtrirjes së emrit të vendbanimit të shqiptarëve në epokën bizantine”, është një nga kryesorët në historinë mesjetare të Shqipërisë,[13] që do të thotë se për kohën e perdorimit dhe të përhapjes së këtij etnonimi, si një nga problemet më të rëndësishme të historisë mesjetare të shqiptarëve, ende nuk është thënë fjala e fundit.[14] Prandaj edhe mund të thuhet se disa çështje kanë mbetur edhe të hapura dhe problematike.

Madje, nuk kanë munguar mendimet se, po qe se nuk vihet lidhja në emërtimin e “shqiptarëve” me albanët (antikë), nuk do të ketë bazë as teza e Tunmanit mbi kontinuitetin e ilirëve dhe shqiptarëve, që është një prej momenteve më kryesore të historisë së popullit shqiptar. Këtë mendim e kishte shfaqur dijetari gjerman G. Shtatmyleri (Stadtmüiller),[15] i cili e kishte vënë në dyshim edhe autenticitetin e pasazhit të Ptolemeut, si një ndërlidhje e vonë, sepse, sipas tij, albanët – ilirë nuk mund të kishin pasur qytete, siç ishte kryeqyteti i tyre Aibanopoli.

Edhe një tjetër filolog gjerman, H. Hirti, mendonte se barazimi onomastik Albanoi : Arbën, nuk vërteton asgjë në të mirë të burimit ilir të shqiptarëve, sepse emrat etnikë shpesh shkojnë nga një popull në një tjetër,[16] siç do të shprehet edhe albanologu kroat, Henrik Bariq, se emërtimin Arbën stërgjyshërit e shqiptarëve e kanë pranuar nga banorët e hershëm të trojeve të tyre të reja, dhe këtë emër e kanë trashëguar “nga popullata e lashtë joindoevropiane,” që ka banuar aty para ardhjes së ilirëve,[17] kështu që W. Cimachowski, pikërisht duke cituar pasazhin e Ptolemeut për albanët dhe Albanopolin e tyre, e nxjerr në shesh çështjen “cili është raporti i këtyre fiseve dhe i gjuhës së tyre me problemin e burimit të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.”[18] Kurse historiania serbe, Fanula Papazoglu, tash vonë (1988), siç u tha edhe më sipër, ka pohuar se krahasimi i këtyre dy emrave, Albanoi dhe Albanac, “mbështetet në ngjashmërinë e rastësishme të emrave” (“počiva na slučajnoj sličnosti imena”), [19] kështu që nuk kanë munguar qëndrimet e shkencëtarëve serbë edhe kundër qëndrimeve të tyre të mëparshëm përkitazi me vazhdimësisë iliro- shqiptare,[20] duke krijuar një situatë konfuze, sidomos në historiografinë e tyre. Në këtë drejtim do të mjaftonte po të krahasoheshin vetëm qëndrimet e M. Garashaninit, të shfaqura më 1955, në punimin e botuar te “Përparimi”,[21] ku pohohet se shqiptarët ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve dhe punimet e mëvonshme të tij, që do të thotë se edhe çështja e etnonimit arbëresh është politizuar,[22] duke vështruar nga paraqitjet kundërthënëse.

Megjithatë, ne e kemi pasur parasysh seriozitetin e problemit duke plotësuar, sa ka qenë e mundur, ndërprerjen e gjatë, të njohur në historiografi, si një hiatus ose vakuum, të paraqitjes së etnonimit arbër prej kohës së Ptolemeut (shek. II), deri te kronistët bizantinë (shek. XI), kurse në vërejtjet e Hirtit përkitazi me ndërprerjen e traditës me futjen në përdorim të trajtës shkipetar, siç dihet, qysh më kohë, kishte dhënë shpjegime të drejta H. Pederseni se “shqiptarët e quajnë vetën pjesërisht me emrin shkipetar, ndërsa një pjesë tjetër quhen me emrin arbër, korespondues me Albanoi, ”[23] kështu që çështja e ndërrimit të emërtimit arbëresh me shqiptar është kuptuar si një prej problemeve më të mëdha të kësaj trajtese. Ne kemi provuar gjithashut peshën që ka lashtësia e emërtimit arbër, duke pasur parasysh se nuk kanë munguar hipotezat se ky është “nji emën parailir, me shumë gjasë emën i përbashkët i thrako-ilirëve, pra ma i vjetrit popull indoevropian qi ka shkelun në Ballkan”.[24] Me fjalë të tjera, është vëzhguar jehona e kritereve etnonimike, sidomos nga koha kur fillon albanologjia e deri më sot.

Mirëpo, sado që çështja në disa pika, vërtet, është ende diskutabile, duhet thënë se në thelb, ka qenë e liruar nga kundërthëniet dhe është vështruar drejt nga aspekti i historisë së gjuhës shqipe dhe i studimeve albanologjike në përgjithësi, sado që në këtë drejtim mund të paraqiten edhe tema të tjera përkitazi me këtë etnonim.

Këtu duhet thënë, gjithashtu, se në lidhje me etnonimin Arbënesh / Arbëresh, mund të vështrohen edhe antroponimet, që dalin nga kjo bazë (nga baza arb- /alb-), si monumente më të vjetra të gjuhës, dhe toponimet (Arbanon), që, duke qenë në gjuhësinë gjeografike përmendore të palëvizshme, paraqesin bazën onimike të folesë semantike shumë të dobishme për dialektologjinë historike. Pasqyra dokumentare, që do t’i jepte dorë problemit të shkonte më tutje, mund të jetë e dobishme, sidomos duke trajtuar çështjen nga kritere të metodologjisë shkencore dhe nga fakti se forma arbën/arbër është e gjallë edhe sot e gjithë ditën, që nga veriu deri në jug, prej malësisë së Kurbinit deri në Kosovë, prej Labërisë deri në Çamëri, si në këngët popullore, në toponimi, sidomos në antroponimi, kurse pikërisht në krahinën e Arbnit janë ruajtur toponimet: Kroi Arbanës, Prroi Arbanës, Kodrat e Albanës etj., kështu që trajta etnonimike paraqitet edhe në disa forma të tjera dhe në këtë drejtim toponimet etnonimike janë konstatuar më tepër vetëm për të ilustruar shtrirjen diakronike (dhe sinkronike) të etnonimit, por jo edhe paraqitjen e gjithmbarshme të toponomastikës etnonimike shqiptare, që mund të jetë temë me vete.

Në Berat, për shembull, arbër është quajtur banori i Muzaqesë, kurse në anët e Tomorit, arbër përdoret për “kalama”, që gjithsesi janë elemente të lashtësisë së etnonimit, dhe mund të jetë temë me vete, sikundër edhe përdorimi i etnonimit në letërsinë popullore, i cili është mjaft i dendur dhe mund të jetë gjithashtu temë me vete. Në viset e Labërisë është shënuar edhe forma e thjeshtë Arbër:

Shahin-be, o koke mollë

Mos e pandehe Devollë?

Këtej i thon’, Arbëri,

që të zënë ty si mi.

ose:

Kardhiq pesëqind shtëpi Ç’ të pat Arbri zili.

Kurse në Gjirokastër është shënuar kjo këngë popullore:

Nusj a j onë arbërore Arbërore;

E bardha si qumështore Arbërore

E kuqe si kokërr molle Arbërore.[25] [26]

Këto rrethana dhe mendime të studiuesve, si dhe gjerësia e temës në fushën e onomastikës dhe të letërsisë popullore, e shtojnë interesimin tonë edhe përkitazi me një varg burimesh toponomastike nga antikiteti i vonë me forma endemike të rrënjës alb- dhe arb- në zonën perëndimore të Bregdetit Ballkanik dhe në trojet e Ilirisë së Jugut[27] për një rreth më të gjerë të studimeve albanologjike. Prandaj, këtu shtrohet edhe çështja e kontinuitetit kulturor në kushte të veçanta të shqipes dhe ndiqet zhvillimi që është kryer nëpër kohë, në trajtë dhe në kuptim, sepse, siç dihet, në mesjetë kanë qenë dy komponente kryesore të kombit: komuniteti politik dhe komuniteti fetar,[28] kurse dallimet etnografike, gjuhësore dhe antropologjike të popullsive të ndryshme, që jetonin në të njëjtin komunitet politik e fetar, nuk çonin peshë.

Vështruar nga ky aspekt, në përhapjen e etnonimit arbëresh, sidomos në mesjetë, paraqiten, pra, edhe komponentet e rëndësishme politike dhe fetare të kohës, të cilët faktorë do të jenë vendimtarë në rrethana të ndryshimeve të mëdha shoqërore të pushtetit të Perandorisë Otomane, duke ndikuar në ndërrimin e tërësishëm të etnonimit arbëresh me një etnonim tjetër shqiptar, krejt të panjohur në kohën antike dhe në mesjetë.

Kështu duhet shikuar edhe vendbanimin relativisht të madh të Albanopolit antik, sikurse edhe faktin se me gjithë ndryshimet që pësojnë fjalët në lidhje me sendet a konceptet që ato emërtojnë, njësitë idiomatike janë më konservative; ato ruajnë elemente që zhvillimi i kulturës i ka kapërcyer. Në këtë aspekt do të zgjojnë interes edhe format e tjera të emrave nacionalë, qofshin ato sporadike ose sekondare, të cilat në brendinë e tyre nuk e vëjnë në dyshim përdorimin e etnonimit primar, që do të thotë se, nuk e mohojnë përdorimin e trajtës arbëresh, por përkundrazi e përforcojnë në përdorimet paralele, si ekuivalente të eruditizmit letrar dhe të folklorit etnogjenetik nacional.

Prandaj, detyra jonë është ta ndjekim çështjen e emërtimit të arbëreshit, kurse emërtimet e tjera mund të jenë në lidhje me te vetëm në mënyrë të tërthortë, siç do të jetë edhe paraqtija e trajtës shqiptar krejt e veçantë. Kjo çështja mund të ndiqet edhe nga aspektet, që deri më tash nuk janë ndriçuar sa duhet, që do të thotë nga aspekti i përdorimit të emrit në leksikografinë dhe historiografinë (jugo)sllave dhe ballkanike[29] përgjithësisht; nga aspekti i domethënies së emrit mund të bëhet ndonjë përcaktim më i ngushtë, mund të vështrohet përdorimi i tij tek autorët e letërsisë së vjetër shqiptare, sidomos motivet e zëvendësimit “arbëresh” me “shqiptar”, pastaj përdorimi në aspektin terminologjik, pikëpamja territoriale dhe tipologjike e emrit arbër, dallimi i konceptimeve konfesionale, linguistike, letrare, etj.

Që në fillim duhet thënë gjithashtu se këtu kemi të bëjmë me dy variante të ndryshme gjuhësore, arbëresh dhe shqiptar, prej të cilëve, varianti i parë është më i përgjithshëm dhe më i vjetër, kurse i dyti më i ri, në përdorimin e tij më i kufizuar dhe, siç do të shihet më poshtë në këtë punim, mbase i imponuar nga rrethanat shoqërore. Vërtet, emri i moçëm i popullit shqiptar nuk ka mbetur i pasivizuar si një fosil, por prej kohës antike është në përdorim të vazhdueshëm në onomastikë, në burimet bizantine, te shkrimtarët e vjetër shqiptarë, tek arbëreshët e Italisë e të Greqisë e gjetiu. Prandaj edhe zgjon interesimin e shtuar në çdo pikëpamje.

Me këtë rast nuk duhet pasur parasysh vetëm anën leksikografike të emrit, por edhe shumë momente të tjera, sidomos momentin se ky emër është rrënjës në vendin e shqiptarëve që në kohën e vjetër, përfundim ky që është me rëndësi edhe për historinë shqiptare,[30] përkatësisht që konfirmon tezën për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e banuara prej tyre, që ka qenë motivi kryesor yni për t’u marrë me këtë çështje. Prandaj, çështja e etnonimit mund të jetë edhe në lidhje me tiparet që e themelojnë etninë, e që janë gjuha, raca, kultura, territori, demografia, ekonomia, institucionet politike, klasat shoqërore, rrjeti urban, metropola etj.[31] Megjithatë, nga përcaktimi ynë filologjik, etnonimi, sikur edhe kuptimi më i ngushtë i etnisë shqiptare, do të jetë baras me grupin gjuhësor të individëve, pavarësisht nga dallimet e mëdha të distancave gjeografike. Në fakt, sot mbizotëron mendimi se edhe pasqyrimi etnikisht mjaft homogjen shfaqet në përgjithësimin e emrit të lashtë arban, i cili erdhi duke u shtrirë gradualisht mbi të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.

Prandaj këtu çështja do të kundrohet në projektimin historik, pra, në diakroni, duke i vështruar ndryshimet dhe pasojat e proceseve zhvillimore historiko – gjuhësore, si dhe disa faktore historike, që kanë ndikuar në shtrirjen gjeografike të etnonimit arbër dhe të etnonimeve të tjera. Ta ndjekim lëndën, pra, në pika të shkurtëra, që nga koha antike, duke përfillur metodën krahasimtare edhe në kronologjinë e paraqitjes së emrave nacionalë të popullit shqiptar, kurse paraprakisht t’i shohim disa emërtime sekondare, të përdorur si alternative e etnonimit dhe toponimit arbëresh, Arbëri, të cilët gjithashtu janë në lidhje me kohën antike (dhe me mesjetën).

– – –

[1]Çabej, Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe, p.16.

[2] Autoktonia e shqiptarëve, p. 81.

[3]Per analogiam me ilirët, këtu po veçojmë mendimin e R. Katiçiqit se autorët antikë “shkruanin për ilirët nëse kishin konflikte ushtarake, nëse merreshin me pirateri në def, ose nëse kishin diçka me interes rreth zakoneve të tyre të çuditshme. (Problem pruëavanja ilirskog jezika, te: Književnost, nr. 19. III (1961), Zagreb, 1961, p. 40.)

[4]Buda, Shkrime historike 1, p. 119.

[5] E. Çabej, Problemi i autoktonisë, pp. 54-67; Idem, Vendbanimi i hershëm i shqiptarëve, pp. 219-226.

[6]Shih bibliografinë në fund të librit.

[7]Çabaj, Studime etimologjike, II, pp. 61-69.

[8]Krh. Emri i Popullit, te: Për gjenezën e lit. shq.; pastaj: Emri i vjetër nacional i shqiptarëve; Emrat nacionale të shqiptarëve, te: “Studime gjuh.”, V, pp.102-107, 62-67, 68-70.

[9] Studia Albanica, IX, 1, Tiranë, 1972, pp. 33-45.

[10] Çabej , Studime etimologjike, II, 61.

[11] E. Çabej shkruan: “ Në lidhje se nga dy kuptimet e arben arber-it (emër vendi, emër populli) cili është primari, në kundërshtim me një mendim tonin të mëvonshëm, i mbahemi mendimit të mëparshëm, që ky në krye të herës ka qenë emri i vendit. (Studime etim. II, 67.)

[12]Ajet i, Kërkime gjuhësore, 311.

[13] K. Bozhori,Vëzhgime rreth shtrirjes, 135.

[14] K. Biçoku, Viset etnike, 31.

[15] G. Stadtmiiller, Forschungen zur albanischen, p. 141.

[16]Cituar sipas: Çabej, Studime gjuhësore, III, 32.

[17] H. Bariq, Hymje në historinë e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1955, p. 31; Idem, Poreklo Arbanasa u svetlu jezika, te: Lingvističke studije, Sarajevo, 1954, pp. 7-48; Idem, Mbi origjinën e gjuhës shqipe, te: Jeta e re, 3 (1952), pp. 205-211.

[18] Waclaw Cimachovvski, Për gjuhën shqipe, ASHAK, Prishtinë, 2004, 401.

[19] Papazoglu: (Ilirska i dardanska kraljevina, 169.) shkruan: “Možda su u pitanju dva različita imena, tako da poznije povezivanje Albanaca s antičkim Albanoi počiva na slučajnoj sličnosti imena.”

[20] A. Stipçeviq, Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare, dhe aktualiteti i saj politik, te: Studime historike, 1-4 (1992), pp. 14-23.

[21] Ilirët dhe prejardhja e tyre, Përparimi, 6 (1955), pp. 323-331.

[22] Krh. Iliri i Albanci, p. 362.

[23] H. Pedersen, Studime për gjuhën shqipe, ASHAK, Prishtinë, 2003, p.75.

[24] M. M. Kruja, te: Thalloczy, Vëzhgime, 257

[25]V. edhe shembuj të tjerë te: Ç abej, Studime etimologjike, II, p. 64.

[26]Cituar sipas: Çabej, Studime etim., II, 64.

[27] B u d a, Shkrime historike 1, 141.

[28]Frashëri,Trojet e shqiptarëve, 8.

[29] Krh. M . I. Zaimov, Belgareskie geografiëeskie nazvaniev v Albanii XV veka, te

“Studia Balcanica I,” 1970; H. Vogiatzidu, Symboli eis tin Historian tes Ipeiru, te: “Ipeirotika Hronika,” viti I, Athinë, 1926, pp. 79-80.

[30]Çabej, Disa probleme themelore…te: Probleme të historisë, p.55.

[31] Ismajli, Etnitë dhe bota moderne, te: “Rilindja,” më 24 mars 1990, p. 13.

 


 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top