Akademik Gazmend Zajmi, intelektual dhe atdhetar i spikatur

Shkruar nga Prof. Emin Riza  

Dimensioni kohë, kur është në bashkëpërqasje me jetën njerëzore, fiton një kuptim më të prekshëm, si tërësi e veprës së realizuar dhe jo si vetrrjedhë e pandalshme, në të cilën zhvillohen pakthyeshmërisht dukuritë.  

Prof.Gazmend Zajmi e sfidoi kohën me jetën e dendur si veprimtar poliedrik. Vepra e tij shumëplanëshe në atë sferë, të cilën do ta cilësonim pamëdyshje humanizëm, në kuptimin primar të saj si binjake e kulturës, nuk mund të përqaset as për së largu me jetëgjatësine e tij, tragjikisht të shkurtër. Prof.Gazmend Zajmi u përfshi plotësisht në jetën e bashkëkombasve të tij, i barabartë me ta në të ndjerit e gjendjes dhe pasojave që vinin prej saj, ndërsa gjithmonë i radhës së parë në përpjekjet për përballimin e realitetit. Më tej në gjetjen e mjeteve adekuate demokratike për zgjidhje në përputhje me të drejtat e shenjta njerëzore, pjesërisht të sanksionuara edhe në akte ndërkombëtare.

Prof.Gazmend Zajmi, u burrërua dhe u lartësua shpejt si intelektual, sepse ai jetoi intensivisht dhe njëherazi thellësisht shekullore të popullit të tij. Kosova ishte për Gazmendin sinonimi i jetës së tij. Si njeri lartësisht i kulturuar, pra kundërshtar i natyrshëm i dhunës dhe padrejtësisë së çdo formë e përmase, ai u lidh me tokën e të parëve shpirtërisht e racionalisht, duke e shprehur këtë me përballjen dinjitoze të së tashmes dhe përpjekjeve të prekshme për të projektuar të ardhmen Kosova, vendi i jetës së rrezikuar me dhunim, terror e përgjakim për të arritur braktisjen e saj, bëri të vetën pikërisht të kundërtën e vargut tragjik të Dantes, duke e ndryshuar atë në:”Ju që largoheni leni çdo shpresë”.

Përpekjet sa sistematike, aq edhe kohëgjata të njërit prej shovinizmave më të paskrupullt të shekujve, atij serb, kanë pasur dallgëzimet e tyre. Prof.Gazmend Zajmi, tashmë i pjekur, përballi me forcën e intelektualit atdhetar, shpërthimin arrogant të shovinizmit të kuq, i cili që prej 1989, asgjë mangut synoi çbërjen e Kosovës, sepse pa shqiptarët Kosova nuk është Kosovë. Vjen kështu në konsideratë vizioni i qartë e thellësisht qytetar i Gazmendit tonë, i cili kurrë nuk ndau njeriun e dijes, nga njeriu i detyrës ndaj atdheut. Potencialisht përpara mundesish të gjëra për karrierë në disa fusha, ai zgjodhi se bashkë me bijtë e tjerë të Kosovës, rrugën e nderit, mes vështirësish e mundimesh të shumëllojta, duke u kompensuar pasurisht me mirënjohjen e atij populli që për brezni të shumta i qëndroi besnik tokës mëmë.

Dijet e gjera të Gazmendit jurist e më ngushtë politolog, tashmë ishin armë e sigurt për mbështetjen e qëndresës së pashembullt të një populli që vlerëson si më të çmuarën lirinë. Ai, është bashkautor i apelit të mirënjohur të 215 intelektualëve të Kosovës të vitit 1989, në mbrojtje të mëvetësisë së Kosovës. Gjendja e rëndë kërkonte përgjigje adekuate në përputhje me vokacionin e spikatur europeist, pra demokratik të popullit të Kosovës. Si një nga udhëheqësit e bartësve të këtyre aspiratave fisnike, sepse tejet njerëzore, Prof.Gazmend Zajmi, harton Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës. Ky dokument historik, thelbin e tij racional, në përputhje të plotë me gjendjen e krijuar në ish Jugosllavi dhe të drejtën ndërkombëtare nëpërmjet mendjes lartësisht kompetente të Gazmendit, mori vlerën e plotë të aktit juridik. Me miratimin e tij nga Kuvendi i Kosovës në rrethana demokratike, i shtoi një dimension të ri kësaj ngjarje madhore, atë të përkushtimit deri në vetmohim, nga ana e përfaqësuesve të popullit të Kosovës. Banorët e stërlashtë të trojeve të veta kompaktësuan, “rreth idesë bosht për një Kosovë shtet”, siç shprehej Gazmendi, me frazën e tij barazisht lakonike e të saktë. Rruga vazhdoi më tej me pjesëmarrjen aktive në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpallur me 7 shtator 1990. Pranë dhe pse jo në ballet e problemeve të Kosovës, ai dha ndihmesë të dukshme në referendumin për pavarësinë e Kosovës, mbajtur në shtator të vitit 1991.

Prof.Gazmend Zajmi nuk qe vetëm erudit kabineti, por edhe veprimtar përherë i pranishëm në ngjarjet e rëndësishme, aq të dendura e plot tensione të Kosovës hallemadhe. Ai deri në frymën e fundit qe pranë çështjes vitale të kombit me tërë potencialin e tij, duke i vënë përpara dhunës së koracuar me çnjerëzinë e skajme, forcën e pathyeshme të idesë fisnike, e cila kur përthithet kapilarisht është gjithmonë ngadhnjyese.

Prof.Gazmend Zajmi, dijet e thella profesionale dhe kulturën e gjerë, pati rastin dhe meritën t’i përhapë mjeshtërisht dhe bujarisht te studentët e etur për dije të Universitetit të Prishtinës, që prej themelimit të tij në të cilën ai qe vijueshëm profesor në Fakultetin Juridik. Veprimtaria e dendur pedagogjike i krijoi mundësinë e lakmuar për t’u gjetur pranë rinisë kosovare me misionin për t’i mësuar asaj nëpërmjet kodeve disi të ftohta e të mjegullta të jurisprudencës, thelbin e tyre si mjete për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor e më gjerë lirisë, dashuruar me vibracione pasionante nga auditoret e mbushur plot. Fara e mbjellë nga pedagogu Zajmi për një kohë rektor, ka dhënë dhe më tej do të japë frutet e saja, sepse ajo qe një fare e shëndoshë e hedhur në një tokë të shëndoshë. Ja i dyti kontribut rilevant i Gazmend Zajmit në të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Vimë kështu natyrshëm te Akademiku Gazmend Zajmi, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që prej themelimit dhe Kryetar i saj, që prej vitit 1993, e deri në vdekje. Fusha e shkencës, vijueshëm e ndërthurur me veprimtarinë atdhetare e pedagogjike, është po aq pjellore dhe gjurmëlënëse sa dhe dy të parat. Studiuesi Gazmend Zajmi, hyri shpejt e bujshëm në jetën shkencore e më tej, me kulturën e gjerë, rreptësinë e studiuesit profesionist, frazën lakonike e plot ide, si dhe qartësinë shembullore si pasqyruese e objektivitetit të analistit të thellë. Lehtësia për të depërtuar në tema të vështira, forca e analizës dhe deduksionet racionale, e bëjnë prozën shkencore të akademik Gazmend Zajmit lehtësisht të dallueshme. Ai arriti shumë shpejt të formojë personalitetin e tij shkencor, tipar i mendjeve të mprehta inovative, të cilat dinë të orientohen siç duhet e të përgjithësojnë të qënësishmen, në përputhje me synimin e arritjes te e vërteta shkencore.

Anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve të Salcburgut në Austri, ai me veprën e tij dha një ndihmesë parësore në fushën e shkencave juridike, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta në Kosovë. Edhe vepra e fundit e tij lidhet pikërisht me këto çështje, duke synuar kryesisht të sensibilizojë opinionin europian e më gjerë, mbi realitetin e Kosovës, akuzë për padrejtësitë e së kaluarës, kur kufijtë vendoseshin mbi tryezë diplomatike, akuzë ndaj pamjaftueshmërisë së përpjekjeve të Europës së qytetëruar, e cila duhet të pranojë se nuk mund të krijojë oaze mirëqënie, të emërtuara vende të zhvilluara, pa kontribuar për zgjidhjen e problemeve, të cilat vetë Europa i krijoi në vende të tjera.

Ashtu si përgjithesisht mendjet poliedrike e të tensionuara, sepse të lidhura me probleme të mëdha e të vështira, edhe Gazmendi i kulturuar kërkoi dhe gjeti rrugë për të angazhuar frutshëm intelektin e tij në veprimtari alternative, siç qe muzika, e më saktë kompozimi në gjininë e këngës. Ai e donte në mënyrë pasionante jetën, të cilën ia vështirësoi realiteti i rënduar dhe ia këputi mizorisht ajo forcë e paapelueshme e cila lind dhe jetën.

Nuk mund të lë mënjanë Gazmendin njeri, për të cilën, disi në stilin e tij do ta karakterizoja modest, por gjithësesi i vetdijshëm për potencialin e tij intelektual, rreptësisht racional e të saktë, tolerant e të gatshëm për të qënë i kuptueshëm përmes diskutimit erudit me humor të kulturuar dhe gjithmonë model i seriozitetit në pengëtimin (angazhimin) tërësor për përballimin e çdo situate. Jashtë çdo dyshimi ai ishte në nivelet më të larta të luajalitetit e sinqeritetit, si cilësi inherente të çdo intelektuali të vërtetë, militant si ai.

Jam takuar me të dy herë. Në Tiranë në prill të vitit 1993 me rastin e simpoziumit “Çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve në ish Jugosllavi” dhe në Shkup, në vitin 1995 disa muaj para se të ndërronte jetë në takimin e përfaqësuesve të dy Akademive shqiptare. Gazmendi më pushtoi menjëherë me dlirtësinë, lehtësinë në trajtimin e temave të vështira, shqipen e kultivuar si rrallë njohës të saj, taktin e lindur si dhe prakticizmin veprues dhe pse jo me buzëqeshjen e tij vërtet të kursyer, por aq të natyrshëm e optimiste.

Inteligjenca dhe kombi shqiptar me Prof. Gazmend Zajmin humbi kontribute të sigurta, të cilat priteshin të vinin në rritje cilësore e shumim numerik, nëse vdekja nuk do të kish ndërprerë dhunshëm atë jetë aq intensive e plot përfundime, e cila e jetuar në mënyrë dinjitoze e përfshiu atë natyrshëm në plejadën e shqiptarëve të shquar.

3 thoughts on “Akademik Gazmend Zajmi, intelektual dhe atdhetar i spikatur”

  1. Vizionar, intelektual,trim, jurist dhe politan e poashtu nje puntor shkencor i nje niveli shume te lart. Sot e shume kohe ne te ardhmen nuk besoj se do memi nje njeri te komoletuar sikurse Prof. Dr. Gazmend Zajmi.

  2. Prof.dr. Osman Ismail

    Per te folur per prof.dr. Gazmend Zajmin njeriu duhet te jete i permasave me te larta se qe ishte kolosi Zajmi. Jo per nga forca por pernga shpirti dhe dashuria qe AI kishte per popullin – kombin e vet. Veprat e Tija kane qene udhe rrrfimi dhe rruge ndertimi per bashkimin e dy shoirtrave te trazuar dhe te pervuajtur te kombit shqiptar. Prof. Gazmendi ka qene si llava e villkanit kur shperthen me ligjerimet e tija. Kam pas nderin dhe privilegjen qe isha student i te pavdekshmit Akademik Zajmit. Merit e Tija ishte qe une ne rinin time vizitova Shqiperine ne vitet e nje liberalizmit shqiptar ne Shqiperine e “Enverit” ne cilesine e asstentit prane fakultetit juridik te U.P. Prishtines.ishte kenawesi te jesh student dhe ndegjues i leksioneve te Tija me plote shpirt dhe muzikalitet sepse ishte edhe kompozitor i kengeve qytetare. Veprat nga fusha e se drejtes jane te shkruara me nje dore te mjeshtrit thuaja se eshte duke kenduar ne piano porme plote mbrehtesi dhe porosi drejt synimit shekullor te brezave per bashkim lombetar.Asnjehere nuk e ka mshehur kete synim. Ishte vec zemer shqiptari. Ishte i hapur kur e kishte bindjen se duhet ta thote te verteten.Shume kush nuk ka munde ta kuptoje kur leshohej ne analizen e konfliktit serbo shqiptar.Analizat e akademikut ishin te thella sa qe u dukeshin te tjereve se i eshte duke fantazuar…por ai kishte imagjinate dhe vizion te mbrehte lidhur me realizimin e synimit paresor. Ishte i pakrahasyeshem. Ne momentet me te veshtira kur behej fjale per distancimet kinde nga “iredentizmi” brenda strukturave ne fakultet dhe universitet ka qene “target” i fytyrave nacionaliste serbe dhe te ashtuqujureve kominist apo kuazi komunist shqipfoles. Por e ka pas mbeshtetjen e pa kurdyer te studenteve te vet qe i japnim kurajo dhe force per ato qe ai shprehte, krtikonte me nje te folur ne menyre te cilter dhe me plot seriozitet.Fytyrat dhe personat si Ai nuk vdesin kurr,sepse kane lene xhurme te thella ne brezin tim dhe me gjere me inteligjencen,dashurin dhe mllefin ndaj rexhimit okupues. Dhe,ezhte intelektuali i lare ne trojet etnike qe permend nocionin “OKUPUES” PER SHTETIN SERBE NDAJ KOSOVES NE PUNIMET E TIJA te natyres juridiko politike. Ishte vertete shoirt shqiptari, intelegjent ne lartesite me te thella, shperthyes, por i urte dhe plot gaz. Ishte i pakrahasuar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top