Shkruar nga At Gjergj Fishta
I përmenduni filozof i Greqis s’vjetër Aristoteli e la të shkrueme, se jeta asht në punë, si me thanë, se për me njoftë a ka a s’ka jetë ndoj send, duhet me vrojtu pale a punon a s’punon aj gjësend; pse jetë pa punë s’ka.
Për në kjoftë, pra, se kjo fjalë nuk asht rrenë, sikurse edhe rrenë nuk asht, duhet me thanë se komi shqyptar nuk ka ma jetë; ase, mos shqyptarët s’lozin kund për s’gjallit, e për kom të vet s’e qesin një gur n’uj, por rrijn duj u përhapë e tuj njehë mizat nëpër tryeza të mejhaneve e të hijeve të hoteleve, a thue se po janë tuj pritë barkët me grun e tallamoq. Por barkët nuk janë e kallamboqi, pa punue, nuk del, kshtu qi do të jesin me gojë that. Në kto katër vjet shëmtimit na kemi pasë rasë me pa e me ndi shumë të kqija e të liga, pse ra lufta e ja qiti njerzimit të zezat për fushë. Kemi pa e ndi si egoizmi i ndyet mundet me lanë burrnin mas doret; kemi pa e ndisi njerz t’kalemit e dijet munden me shkelë besën e fen e dhanme me dorë m’be, e ndi e pa kemi si interesat e veçanta mundem me i dhanë krah gjas s’shtetit, qi asht lodhja e gjaku i popullit. Po prap kemi pa e ndi edhe punë të mira fort. Kshtu, fjala vjen, në kët luftë kemi mujtë me vu n’oroe nji atdhedashni të paskajshme ndër kome të gjytetnueme, e nji abnegacion ase nji mohim çdo intereset t’veçantë, të cillit s’i gjindet shoqi në histori. Njikta burra, qi sod rreziku i ka kapërthye në luftë me shoqishojnë nuk kjenë rritë malit e krepit, pa kmishë m’shtat e të dishruem per hae e per pije, por paten le ndër saraje, kjen rritë m’pupla e mbajtun me miradija ku kjenë ma të mira.
E pra kta njerz, që tash katër vjet, m’pishë të diellit tuj djegë si sarova, m’rribë të murranit, nër rreshme boret e akullit, të zhytun der m’brez ndër ballanxha të llogoreve, pa buk në bark, me nji breshen të trishtueshëm gjylesh e plumbesh mi krye e tuj e dijtë se grat e tyne, se fmija e tyne u rreshken prej ujet e prej mallit te shpija, kurr pa pasë pushim as natë as ditë, rrijn tuj luftue si luaj për liri e përparim të komeve të veta, e as s’e bajn kund mall se tokët u kanë metë pa punue, se shpijat u janë rrenue, dhent e dhit pre, e hupë me miljuj e miljuj gjaja e vet a e trashigueme prej të parve zotni ase e ftueme me djers të ballit të vet; me u zhdukë, të thuesh, para atdhedashnis s’tyne vetë atdhedashnija e Leonidhes. Punojnë si diva, si vigaj per kom e atdhe të vet, e komi e atdheu i tyne, sido qit ë marrin fund lufta, ka me jetue i lumnueshëm, pse në punë asht jeta e lumnija.
E po na shqyptarët shka kemi punue e vjeftë per koma e atdhe tonin, në kta katër vjet t’orvatunit të njerzimit? Kurrgja! Senegalezt, zezakët e ndoshta edhe Otentott në ket kohë shëmtimi po, por historjak, kan lujtë për s’gjallit e s’kan ndejë me duer m’n’ije e pa punë, veç shqyptari s’asht kenë i zoti me xjerrë nji marimangë prej birucet per kom e atdhe të vet, e asht diftue se s’ka kund vorr në shpatull. Me e pasë për të pvetë ndonji shqyptar, se ç’punë ka punue, se ç’të mirë i ka reshë kujë, ka me të thanë, po, se ja ka shitë serbit kokrrën e petllës dhetë grosh e se për nji rrotull buket të mykët ja ka hjekë der kmishen prej shtatit: se maxharit i ka dhanë esence ufllet, të shartuese me uj e me shpirto e me sheqer të djegun per ruhum Jamajka e se tedeskut i ka shitë kastraveca per bastan; por s’ke me gjetë, drue, nji qi, me dorë m’zemër, mund të thotë, se kshtu punova, se shtu psova per atdhe tem m’ekonomi, a në literatyrë, a në nji çdo send sado të vogël qi të kishte të perpjekun me jetë komtare tonën. M’kurrnji gjësend nuk e kemi diftue veten, se jemi të gjallë si shqyptarë e si nji kom, qi ka ndërgjegjen e individualitetit të vet mi shekull.
Me hi me e analizue punën edhe me nji optimizëm të shtyem ase tuj ja ba qefin vedit, drue se kishim me u vertetue qi, pose me ksula te thimta m’krye, m’kurrnji gjësend tjetër s’e kemi dishmue vedin para shekullit për shtyptarë. Kshtu qi, pose se prej veshet e gjuhët m’veti, sa per vepër tonë, të huejve as ndërmend s’kishte me u ra, se ka mi botë nji kom shqyptar m’vedi e qi ky ka kund ndoj qellim a ndoj aspiracjon si kom. E jo veçse të huajt s’e dijn se shka mundena me dashtë na si shqyptarë qi jena, por asht halli qi as vetë inteligjencja shqiptare, s’ka, drue, parasysh nji ide të kjarrtë mi kto aspiracjone e asnjë program permi mnyrë, me të cillen me i mbledhë tok e me i shti në punë fuqit e komit. E pra, pa pasë nji qëllim komtar të përgjithtë parasysh e pa i mledhë m’nja fuqit e komit, komi s’mund të jetojë. Njana nder arsye ma të parat, per të cillen nieri jeton në shoqni, asht kjo, qi nieri s’kishte për të mujtë me jetu mi shekull si nieri, po s’pat nimin e t’tjervet. Kur, pra, per me u mbajtë në jetë vetja e nji nierit të veçantë, lypet qi nieri t’i bashkojë fuqit e veta shpirtnore e fizike me fuqi të t’tjerve, sa ma fortnuk ka me u dashtë bashkimi i ktyne fuqive, per me u mbajtë vetja e nji komit mkamë?
E po ku janë fuqit tona? Kush asht qi rregullon me to?
Shpesh na vjen me ndi ke ndoj atdhetar shqyptar thotë, se kshtu u mblodhem, se kshtu shkuem, se ashtu punuem e se neper veper tonën ju suell komit kjo e mirë ase ajo tjetra. Na kandet me ndi kso fjalësh, pse kshtu disi na njallet shpresa në zemër, se ka nisë me hi në popull njifarë ndisijet për detyrë komtare; por e vërteta asht qi, me hi na e me i përshkrue nëpër mend kto kohët e mramae, ndër të cillat në Shqypni u vërtetuen shndërrime të mdha, gjejmë se kurrnji ase gati kurrnji kso punish e shndërrimesh, qi mujten në ndojfarë mnyret me kenë dobija e komit, nuk ndodhi pse na dojshim qit ë ndodhte kshtu në vend tonë. E pra nji komi të meçëm, t’organizuem e qi asht i zoti i punës rrallë se i ndodhë gja pahiri. Aty njifet, se nji popull asht i dejë me jetue si kom, kur aj vetë me mendë e me fuqi t’vet i krijonmndorjet e jetës e nuk pret qi t’i reshen prej t’tjerve, pse asht e vërtetë fjala qi thotë, se kali i huej të len m’baltë. Per n’e daçim pra nji Shqypni tamam Shqypni – nji Shqypni, pa bishta e pa gjalma nëpër kamë – duhet ma s’parit qi inteligjencja e Shqypnis t’organizohet, të studjojë aspiracjonet e komit, të mundohet nëpër mjete të ligjshme me bashkue fuqit komtare e atherë të ndërtojë nji program se si me i qitë në punë kto fuqi komtare, qi janë gjithmonë e gjithkund të rrebta, e tuj perke vepren me gjeje të kohve, të punojë me shpresë të gjallë për nji kohë qi do të vijë.
Nji pjesë e inteligjencës komtare, per me sugurue ekzistencën e vet të veçantë në kto kohë të vshtira, asht organizue e mbledhë tok në nji “Konsumverein”, kshtu t’organ-izohet e të mlidhet tok per mjete të gjallrimit të komit të Shqypnis.
Botuar në vitin 1918