Shkruan: Prof. Dr. Jahja Drançolli
Biografët tanë të epokës së Humanizmit dhe të Rilindjës, Skënderbeun e quajtën, “Princ të epirotëve” (“Epirotarum Princeps”- Barleci), “Princ i Epirit” (“Principe di Epyrro”-Frëngu), në kuptimin e “Princit të arbërve” ose “Princit të Arbërisë”.
Sipas dokumenteve zyrtare, titullin e një shtetari të Arbërisë (sipas nocioneve të kohës), ia kishte ndarë së pari zyra e Republikës së Raguzës, e cila më 17/V/1447 e quante “Gjergj Kastrioti Zot i Arbërisë” (“domino Giorgio Castriotis de Albania”). Në vitin pasues, zyra e Republikës së Venedikut (4/X/1448) e kishte njohur edhe de facto për kryetar të princërve arbërorë: “I madhi Skënderbe…” (“Magnifico Scanderbego …”).
Ofiqi i Skënderbeut qarkullonte edhe në zyrat e papatit, duke filluar nga 13/IV/1451, kur në krye të Selisë Papnore ishte papa Nikolla V. Duhet thënë se të gjitha dokumentet që dalin nga kancelaritë e Vatikanit nga koha e papëve Nikolla V, Kaliksti III, Piu II, Heroin tonë e njohin për “Zot të Arbërisë” (Giorgio Castriota Scanderbeg Albanie domino”).
Ofiqi zyrtar “Zot i Arbërisë” (“Dominus Albaniae”), është paraqitur dendur gati në të gjitha dokumente zyrtare të kohës pas ngadhnjimit në Krujë (1450), çështje kjo që dëshmon për ngritjen e shtetit të Skënderbeut prej një zotëruesi të Hasit e Prizrenit, Matit e Dibrës, Kepit të Rodonit, në zotërues të një shteti me emër Arbëri (“Albania”).
Titullin zyrtar të Skënderbeut “Zot i Arbësisë”, respektivisht, “D(OMINUS) AL(BANIAE) e ndeshim edhe në Vulën e Madhe të tij. Inicialët e paraqitura në vulë provojnë se sigillumi në fjalë është përdorur pas vitit 1451, kur Skënderbeu tashmë ishte shpallur për udhëheqës të Shtetit të Arbërit, dhe si të tillë më pastaj nuk e ndeshim të mbante tiullin “Zot i Krujës”.
Zyra e Republikës së Raguzës, për shkaqe të marrëdhënieve të dendura bilaterale, megjithate ishte ajo që i paraprinte zyrave të tjera europiane sa i përket vlerësimit të atributeve shtetërore të Arbërisë dhe të Skënderbeut në krye të saj. Këtej, në vitin 1448 është distribuar ky njoftim: “Zoti ynë Skënderbeu, Zot i Arbërve” (më 20/X/1448 – “Domino nostro Scanderbech, dominus Albanensis”). Zyra e shtetit të Milanos, ndërkaq gjatë gjithë jetës së Heroit e quante: “Zot i Arbërisë”. Madje, sipas një dokumenti që mban datën 6/VI/1461 të po kësaj zyre, Skënderbeu përveç ofiqit “Zot i Arbërisë” u cilësua edhe “Kapiten gjeneral i Mbretërisë së Madhe për pjesë të Greqisë”. Mbreti aragonez Alfonsi V, me rastin e marrëveshjes në Gajetë, më 26/III/1451, e quante “Zot të Krujës dhe të pjesëve të tjera të Arbërisë”.
Njoftime të përafërta dalin nga kancelaria shtetërore në Mantova. Këtej, zyrta e shtetit (11/VIII/1459), e quante Skënderbeun, “Princ të Krujës dhe të pjesëve të tjera të Arbërisë” (“… Georgii Scanderbech, principis Croye et aliarum partium Albanie”).
Sipas Anonimit të Raguzës (shek.XV), më 29 maj 1453 “Skënderbeu e kishte lëshuar Atdheun e vet, Arbërinë…” (Schenderbeg dallo suo paese de Arbania”), njoftim ky që provon titullin e shtetarit. Të tilla njoftime gjejmë edhe të historiani tjetër i Raguzës N. de Ragnina, i cili në një vend të kronikës së tij shprehet: ”Në Arbëri i doli prapa shpinës Skënderbeut, Zot i këtij vendi.” Është fjala për vitin 1453. Ndërkaq, S. Razzi, sipas modës italiane e quante, “Dukë të Arbërisë”(“Duca dell’ Albania…”). Po ky autor, në një pasazh tjetër, e quan Skënderbeun “Princ të Arbërisë” Me këtë ofiq, Skënderbeun e ndeshim edhe në “Kronikën e Raguzës” të autorit G. Resti. S’ka dyshim se, nga këto njoftime kryendërtuesi i shtetit tonë, që në vitin 1447, u bë i njohur në Republikën e Raguzës me ofiq të një shtetari të mirëfilltë, si “Zot i Arbërisë” ose “Princ i Arbërisë”.
Burimet bizantine, si, bie fjala, Gjergj Sfranca, duke bërë fjalë për fushatën e Mehmetit II në Arbëri, tërthorazi njoftonte edhe për titullin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: “Sulltani (Mehmeti II) udhëheqësi i të pabesëve, erdhi kundër Arbërisë dhe pasi e ndoqi sundimtarin e tij Skënderin…”
Burimet osmane janë shumë më përmbajtësore sa i përket ofiqit të Skënderbeut. Këtej, K. Pashazade (1468-1534), Skënderbeun e quan “Sundimtar të arbërve” ose “Mbret arbërve”. Gati njësoj shprehet edhe Saddedini (1536-1599), i cili Heroin tonë e quan “Iskënderi, sundmtar i arbërve”, si dhe Mynexhimbashi (1631-1702), i cili e quante, “Sundimtar i vendeve arbërore” ose “Sundimtar i Arbërisë”. Njoftime të përafërta ndeshim edhe te kronistët e tjerë turq, si te Bitlisi (?-1520), kronikat anonime, Aliu (1541-1600), Neshriu (fundi i shek. XV-1520), etj.
Ne kontekst me kryqëzatën kundër turqve, ku Papa Piu II e emëroi Skënderbeun kryekomandant të Selisë së Shenjtë, M. Barleci mes tjerash shkruante:”(Papa Piu II) do të pranonte së pari dhe do të ngrente në gradën e nderuar të kardinalit Pal Engjëllit, arqipeshkvin e Durrësit; pastaj do të shpallte mbret të epirotëve dhe të arbërve Skënderbenë…”. Ky pohim i Barlecit konfirmohet nga një njoftim zyrtar që mban datën 8/XI/1462. Dokumenti është një riprodhim i bullës së Papës Piu II dhe titullohet “Konstitucione të Pal Engjëlit, arqipeshkv i Durrësit, publikuar në kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit, e hënë, më 8 nëntor 1462”. Në pjesën pas arengës (hyrjes) thuhet: “Dekreti i përgjithshëm i Papa Piu II, lëshuar me kërkesën e shumë të përndritshmit dhe shumë të shkëlqyerit kardinalit të Kishës së Shejtë Romake, arqipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit, si kundër turqëve, ashtu edhe në favor të të pathyeshmit Mbretit Arbërisë, zotit Skënderbe…” (“…regis Albanie domini Scanderbegi…”). Njoftim tjetër për kurorëzimin e Skënderbeut për mbret e lexojmë edhe të Frëngu, i cili duke folur për kryqëzatën kundër turqëve, të cilën e përgadiste Papa Piu II, më 1464, shkruante: ”…Mbreti i Epirit dhe i tërë provincës së Arbërisë” (“Re de Epyrro e di tutta provincia d’Albania”).
Burimet letrare-historike
Letërsia me karakter thjesht historik, siç dihet përfshin studime e traktate të përgjithshme historike ku shtjellohet, analizohet e vlerësohet jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Krijuesit letrarë të humanizmit, sidomos krijuesit italianë, francezë, anglezë, gjermanë, etj., duke shkuar pas gjurmëve të humanistëve arbër, Skënderbeun e kanë cilësuar me titull zyrtar princ apo mbret. Titullin princ, nga historianët e huaj së pari e vuri në qarkullim P. Gjovio (1551). Ndërkaq kurorën mbret Fatosit tonë, ia vuri për herë të parë mbretëresha Elizabeta me dorën e saj në “Lutësoren” e saj (Prayer Book, 1559). Ndërkaq, 129 vjet pas vdekjes së heroit tonë, letrari dhe historiani i shquar frëng Zhak dë Lavardin, botoi më 1579 veprën “Historia e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, mbret i Arbërisë”, vepër kjo që konsiderohet një përkthim dhe përshtatje (në gjuhë frënge) e veprës së M. Barlecit, sikurse kishte vepruar më vonë edhe S. Zanoviç, i cili ditë më parë kishte tërhequr vëmendjen lexuesëve tanë. Është për të theksuar se Lavardini ishte i pari shkrimtar botëror i cili, duke iu drejtuar fisnikërisë frënge, e kishte quajtur Skënderbeun me titullin mbret, në kuptimin e burrështetit: “KJO ËSHTË JETA E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT, MBRET I ARBËRVE, EMRI I PAVDEKSHËM I TË CILIT MERITON PADYSHIM TË PËRMENDET NË TEMPULLIN E KUJTIMIT”. Ky titull e kishte influencuar edhe Antonio Vivaldin që ta quante me titullin zyrtar princ apo mbret në cilësi burrështetasi, si dhe një varg vepra të tjera muzikore e teatrore të shek. XVIII-XIX.
Rilindasit tanë përgjithësisht Skënderbeun e konsideronin për “mbret”. Këtej, Naim Frashëri në poemën e tij kushtuar Heroit kombëtar (1899), parapelqente të quante “mbret” të Arbërisë. Kështu e quante edhe Noli në veprën e parë kushtuar Skënderbeut (më 1921).