A PO HARROHET MUSTAFA KRUJA?!

SHKRUAR NGA RAMIZ KELMENDI

1. Në atë listën e zezë të turpit të pafund të sistemit që e hartoi dhe e zbatoi, në atë radhoin antinjerëzor dhe antikulturor të gjysmëshekullit që e lamë (dashtë Zoti për jetë të jetëve!) bëjnë pjesë jo më pak se 55 shkrimtarë shqiptarë që u anatemuan, u zhvlerësuan, u “harruan”, u fshinë letrash, u “shkishëruan” krijimtarie e botimi, u ndoqën, u burgosën e disa edhe u privuan jete. Një leksikon bukur i madh do të mund të sajohej me shkrimtarë dyfarësh: me asish të dashur e të ledhatuar kohe, prore në përkujdesje e tutelë të saj dhe në “anën tjetër të medaljonit”, me shkrimtarë të urryer e të anatemuar, të mospërfillur e të përndjekur, shkrimtarë të “listave të zeza”, të varrosur për së gjalli apo dhe të zhvarrosur për së vdekuri.

Një i tillë është dhe Mustafa Merlika Kruja i mbiquajtur e i njohur edhe si Shpend Bardhi.Me siguri, lista e shkrimtarëve dhe e krijuesve të ndryshëm, që u persekutuan dhe u anatemuan brenda 50 vjetëve të kohës së mynxyrshme të diktaturës, kalon numrin njëqind. Në atë radhoin bukur të mangët të emrave që zuri ngoje një revistë jona rreth 40 vjet përpara (më 1973), s’do mend që nuk u përfshinë pale edhe sa dhjeta e dhjeta të tjerë (dhe asnjë nga Kosova!), që e pësuan fatin e këtyre pas nxjerrjes së kësaj liste në dritë e deri në ditët kur u varros ai sistem. Megjithatë, edhe deri më 1973, rrallë diktaturë (mund) t’i ketë lejuar vetes “luksin dhe lustrën ideologjike” të flakë jetë qytetare, veprimtarie publike e ndonjërin edhe jetë fizike, jo më pak se 55 emra nga më të njohurit dhe më të merituarit të kohës.Cilët janë (qoftë edhe vetëm këta) 55 të anatemuarit deri në vitin 1973?Sado që të jemi përpjekur të rikujtojmë emrat e tyre (po veprat?!), me të kaluar të moteve, gjeneratë pas gjenerate, janë fshirë kujtese, aq sa këto breznitë tona më të reja bile të mos kenë ide fare për ekzistencën dhe veprimtarinë e tyre të frytshme letrare e kulturore në të kaluarën – për të mirën e kombit.Ja lista me 55 emra që rëndojnë shumë ndërgjegjen e çdonjërit nesh, e jo vetëm të sistemit komunist të djeshëm:Aleksandër Sirdani, Anton Harapi, Anton Logoreci, Anton Zanoni, Arshi Pipa, Bernandin Palaj, Benedikt Dema, Branko Marxhani, Engjëll Radoja, Ernest Koliqi, Ethem Haxhiademi, Faik Konica, Frano Alikaj, Fulvio Kordinjano, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Justin Rrota, Kolec Prenushi, Karl Gurakuqi, Kolë Thaçi, Konstantin Kote, Kostë A. Çerkezi, Krist Maloki, Kristo Floqi, Lame Kodra (Sejfullah Maleshova), Lazër Shantoja, Lef Nosi, Luigj Marlekaj, Luigj Thaçi, Lumo Skëndo (Mithat Frashëri), Llesh Bitroj, Marin Sirdani, Mark Harapi, Martin Camaj, Mati Logoreci, Mehdi Frashëri, Musine Kokalari, Mustafa Merlika Kruja (Shpend Bardhi), Namik Resuli, Ndoc Vasija, Ndre Zadeja, Nikoll Gazulli, Pashko Bardhi, Preng Doçi, Simon Shuteriqi, Stavro Skendi, Tajar Zavalani, Vangjel Koça, Vasil Alarupi (Bendo Shapërdani), Vinçenc Prennushi, Zef M. Harapi, Zef Skiroi jr., Zef Valentini dhe Zoi Xoxa.Ka ndër këta, me ç’shihet, edhe tre-katër nga emrat më të mëdhenj të letërsisë sonë, e ndër ta më i pari e më i madhi Gjergj Fishta, ndaj të cilit nuk u mjaftua të mos i zihej më emri (pos për keq!) dhe të flakej programesh shkollore, por edhe u veprua me aktin më primitiv, barbar e jonjerëzor: u zhvarros dhe nuk iu la gjurmë as eshtrash në tokën e vet!

2. Gjenerata paksa më të vjetra e kanë hasur atëbotë si bukur shpesh një emër nëpër fletore e revista, nënshkruar me firmën: Shpend Bardhi. Ca më herët, madje, në ato shkrimet e para, nënshkruhej vetëm me siglat A. Xh., apo edhe me Asim Xhenan.Nisi me tamam, që i ri, të bashkëpunonte me faqet shqipe të gazetës së Barit në Itali, “Corriere delle Puglie”, e mandej në të përjavshmen politike “Kuvendi” të Romës, që e drejtonte Sotir Gjika. Do të jetë nga bashkëpunëtorët më të rregullt të fletores “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës, për të vijuar pastaj botimin e shkrimeve të veta në “Liria Kombëtare” të Gjenevës dhe në “Shqipëria e Re” të Konstancës.Një nga autorët me artikuj të shumtë temash gjuhësore në faqet e dy revistave shkodrane – “Hylli i Dritës” dhe “Leka” – është po ashtu një emër që tashmë ishte bërë i njohur dhe sa vetë e më i lakmuar e i lexuar: Shpend Bardhi.Në vitet ’30 dhe në katër vitet e para të viteve ’40, Shpend Bardhin e hasim thuaj rregullisht edhe ndër firmat më të çmuara të revistave tjera të kohës, si në “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit, në “Illyria” dhe “Shkëndija” të Koliqit, në “Shpirti Shqiptar”, etj.Dashamirët e letrave shqipe, mbase nën “pushtetin” e madh të firmës së njohur nga tradita jonë të Frano Bardhit, jo rrallë ngatërruan edhe dy firma të tjera të kohës: Shpend Bardhin dhe Pashk Bardhin. Të dy emra të mirëfilltë krijuesish, apo – pseudonime të tyre? Njëri pseudonim e tjetri jo.Kush është, në fakt, Shpend Bardhi?
Fillimisht, ky është pseudonim i Mustafa Krujës, i cili njihet edhe si Mustafa Merlika Kruja, ose Mustafa Kruja – Merlika.Një të vetmen herë do ta hasim emrin e tij në një histori letërsie shqiptare dhe kurrë më tjetër deri sot. Ndodhi kjo në vitin 1941, kur Ernest Koliqi dhe Karl Gurakuqi hartuan më të parin libër kësodore ndër ne deri atëherë, një libër me dy vëllime, – “Shkrimtarë Shqiptarë I,II”. Shënimet e para biografike për të i gjejmë në faqen 373, e më pastaj asnjëherë tjetër, pos me rastin e 50-vjetorit të lindjes, në dynumërshin 2-3 të revistës“Shëjzat” të Koliqit, më 1957, shkruar pikërisht nga pena e tij dhe, dy vjet më vonë, pas vdekjes së tij, në një si in memoriam, nënshkruar nga Lok Limthi (pseudonim i Tahir Kolgjinajt).Mustafa Kruja apo Shpend Bardhi u lind në Krujë më 15 mars 1887 dhe vdiq – pa merrnie me mend! – në Niagara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 27 dhjetor 1958! Nga një skaj i botës, ku lindi, mu në skaj të skajit tjetër të botës, ku vdiq…

3. Jeta e Shpend Bardhit, për vite me radhë, mbi 70 vjet, nuk qe tjetër pos një jetë plot brenga, plot përpjekje, një luftë e pareshtur.Edhe më shumë se kaq: jeta e Shpend Bardhit, me ndonjë përjashtim të vockël, në fakt është e tëra një jetë njeriu – mërgimtar. Jo më pak se 15 vjet i mërguar para nëntorit të 44-s, kur u “çliruam”, Shpend Bardhi do të bëjë jo më pak se edhe 14 vjet të tjera mërgimtari edhe pas kësaj “date historike” (për kob e për zi!) kahmos nëpër botë.I nisur me fillore të vendlindjes, Krujës, shkollimi i tij do të ngrihet me njohuritë që mori në gjimnazin e Janinës, të cilin do ta mbarojë ca më vonë jo aty, po – në Stamboll. Aty, në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, ndërkaq, në Stamboll, duke parë nevojën shumë të madhe për njerëz asodore, që i kërkonte me qiri e me pishë Atdheu, u regjistrua në studimet e larta të shkencave politike dhe shoqërore. “Mülkiye-i-Sehahane” ishte asokohe shkalla më e lartë që do të nxirrte ministra, udhëheqës dhe burrë-shtetas.Mustafa Merlika Kruja, Shpend Bardhi i letrave shqipe, e mbaroi me sukses në moshën 23-vjeçare, më 1910.Dhe s’do të vonojë e do të bëhet nga emrat më të njohur të kulturës dhe të historisë shqiptare, një nga organizatorët e luftës shekullore të shqiptarëve për t’u çliruar nga turqit. Telegrafikisht: organizator dhe pjesëmarrës në luftimet e zhvilluara në Krujë dhe në lumin Mat, më 1912: delegat i vendlindjes në Kongresin e Vlorës ku, bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin etj., u shpall pavarësia më 28 Nëntor 1912; zëvendësprefekt i Vlorës në më të parën qeveri shqiptare; sekretar i parë i Këshillit të Ministrave, i kryesisë së tij; drejtor i arsimit në Elbasan; këshilltar në Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Princ Vidit më 1914; pjesëmarrës i Kuvendit Kombëtar të Durrësit më 25 dhjetor 1918, ku u zgjodh mis i qeverisë në dikasterin e postë-telegrafeve; delegat i Konferencës së Paqes në Paris më 1920; deputet i Parlamentit të parë shqiptar më 1921; prefekt i Shkodrës më 1924; senator i Mbretërisë Shqiptare më 1939; këshilltar i Mëkëmbësisë së Përgjithshme dhe kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare më 1941…

4. Organizator, luftëtar, delegat, zëvendësprefekt e prefekt, drejtor, sekretar, këshilltar, ministër, senator, kryetar instituti më të lartë shkencor e deri Kryeministër – është Mustafa, Mustafa Kruja, Mustafa Merlika Kruja apo dhe Mustafa Kruja – Merlika. Shpend Bardhi, ndërkaq, është një tjetër Mustafë.Kur u bë Mustafa Kruja Shpend Bardhi, një gurrë e pashtershme zuri të ujisë faqet e të përkohshmeve të shumta vite me radhë me artikuj e studime gjuhësore, duke u vënë përkrah emrave më të njohur të kohës, me interesime të ngjashme, si Aleksandër Xhuvani, Mati Logoreci, Justin Rrota, Kolë Kamsi, Faik Konica, Kostaq Cipo etj.Kur u bë Mustafa Kruja Shpend Bardhi, u hartua më i madhi fjalor i gjuhës shqipe deri atëherë, një fjalor që – pas atij të Bardhit e të “Bashkimit” – provonte katërçipërisht pasurinë e pafundme të gjuhës sonë, tek arriti të mblidhte më një vend, në mbi 2.400 faqe (më i madhi vëllim i të gjitha kohëve në gjuhën shqipe deri atë kohë), jo më pak se – mbi 30.000 fjalë! Dhe – s’u botua kurrë!!!Kur u bë Mustafa Kruja Shpend Bardhi, shtyrë prej tij, Ernest Koliqi nisi të shkruante novelat e vëllimit të prozës së tij të parë “Hija e Maleve”, që do ta ndihmonte edhe ta shtypte në Zarë, mu siç do të nxiste edhe Konstatntin Koten të hartonte dramën “Shpagimi Gjaksis”.Kur u bë Mustafa Kruja Shpend Bardhi, u përkthye shqip dhe u botua më 1927 – prapë në Zarën e Josip Relës! – “kryevepra” e antishqiptarizmit: “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” e Vladan Gjorgjeviqit.Kur u bë Mustafa Kruja Shpend Bardhi, u shkrua dhe u botua – jo më ngat se në Egjipt! – më 1952, vepra e tij “Abetari i të Mërguemit”!Kur u bë Mustafa Kruja Shpend Bardhi, u shkruan, u bënë gati për shtyp dhe nuk u botuan kurrë (edhe sot e kësaj dite!) jo pak të tjera vepra të tij, që ruhen dorëshkrim, si “Historia e Lekës së Madh”, “Historia e Burrit (Pirros), “Historia e faraonëve”.Kur u bë Mustafa Kruja Shpend Bardhi u përkthyen shqip dhe nuk e panë dritën ende deri sot: “Illyrisch-albanische Forschungen” e Dr. Ludvig Talloshi dhe Dr. Konstantin Jireçek, Dr. Milan Shuflaj dhe Teodor Ipen; “Die indogermanisierung Griecheland und Italiens” e Hans Krahe; si dhe shndërrimi në fjalor shqip-latinisht i fjalorit të njohur latinisht shqip, “Dictionarium latino-epiroticum”, i Frano Bardhit (1635).Kur u bë Mustafa Kruja Shpend Bardhi, u krijua, për mendimin e Ernest Koliqit, njëri nga lëruesit më të shquar të një proze të re shqiptare, që ai e pagëzoi “prozë parashtruese”, një prozë e cila iu shmang qëllimisht trillit poetik dhe shtjelloi në mënyrë të qartë dhe të drejtë temën e rrahur me qëllim më shumë e të argëtojë, të – qëmtojë, të njimtojë. Një prozë kjo shpendbardhiane e “prirun kah lidhjet e mbërthimet logjike, kah trajtat e përpikta descartiane”, që e ndihmuan të nxirrte nga gjuha shqipe dhe pasuria leksikore e saj të gjitha mundësitë argumentuese. Do të ishte kjo, për mendimin tonë të sotëm, një prijatare e letërsisë aktuale në modë: me procedimin dokumentar dhe elementin e dokumentit të gërshetuar në prozë…

5. Pos njeri që “deshti më shumë Shqipërinë se popullaritetin e vet” (E. Koliqi), pos publicist, historian, përkthyes dhe bukur-shkrues, Shpend Bardhi bëri emër në letra, para së gjithash, si gjuhëtar.Nisi me shkrimin “Për fjalorin shqip” në revistën “Leka” të Shkodrës më 1934, për të vijuar me një studim të gjatë kritik rreth fjalorit të Kordinjanos në 10 numra të “Hyllit të Dritës” të vitit 1935. Do të polemizojë më pastaj me Aleksandër Xhuvanin rreth hartimit të fjalorit shqip, si dhe t’u bëjë jo pak vërejtje fjalorëve të “Jungut të ri” (F. Kordinjanos) dhe atij të Koço Tasit, të cilin e kritikon rrept. Shpend Bardhi do t’i bëjë një vështrim të thukët edhe “Fjalorthit të librit të leximit për moshën e njomë”, me 154 faqe dhe gjithsej 1900 fjalë, hartuar nga Mati Logoreci, me të cilin do të ketë paskëtaj edhe ndonjë fërkim polemist rreth gjuhës, duke dashur të qërojë grurin nga egjra.Në “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit, Shpend Bardhi do të polemizojë, po ashtu, edhe me Faik Konicën rreth fjalës “Ndoshta? Ndofta? Ndothta”, duke parapëlqyer trajtën “Ndoshta”, njësoj siç dhe do t’i bëjë ndonjë vërejtje përdorimit të barbarizmave nga ana e Faikut. Do të shkruajë ai edhe rreth “fjalëve lasgushiane”, atyre fjalëve të lashta e të rralla, që do t’i përdorte poeti ynë i madh në vargjet e veta, si zambak, çetele, sumbull, pah, pikëlore, gjeratore, levarashe, dhe ndonjë neologjizëm si shkëndijim, llamburitës, zemërak, dhembshuri, i potershëm, zhurmëri, vjeshtarak etj.

Preokupim i madh i Shpend Bardhit gjatë viteve të fundit të qëndrimit të tij në Shqipëri, përkrah Fjalorit, ka qenë sidomos – gjuha letrare shqipe, për të cilën u interesua pa masë dhe shprehu mendimin që atëherë (shih “Shkëndija”, Tiranë, nr. 2, gusht 1940) se shqipja letrare do të duhej të krijohej mbi bazën e të folmes së Shqipërisë së Mesme. Do të botojë disa artikuj, po ashtu, edhe rreth pastërtisë së gjuhës shqipe dhe kundër ca neologjizmave.

6. Shpend Bardhi, alias Mustafa Merlika Kruja, i cili në ato fillimet e veta mësoi, jetoi dhe veproi në Stamboll me emrin Mustafa Asim, 50 vjet të diktaturës u (mbi)quajt “armik”, “tradhtar”, “nacionalist” e si jo ndryshe.

Brenda atyre 50 vjetëve, në shtypin e lirë shqiptar të diasporës, Shpend Bardhi, ndërkaq, u pagëzua: “Ma i ndritshmi Hyllë i nacionalizmës Shqiptare” (Lok Limthi, respektivisht Tahir Kolgjini) dhe njeri që do të qëndrojë në kujtesën tonë “i spastruem në dekë nga pesha e të mbetave njerëzore, i ndriçuem n’amshim nga ideja e shqiptarizmit qi përhera i flakoi në shpirt dhe, bashkë me Të, testamenti burrnuer, i cili përmbledh në sintezë tri ndiesi qi janë pajë e ndërtuesave” (Ernest Koliqi).Burrat vdesin, veprat (do të duhej të) mbesin… Dhe, së fundi, pyetja shumë e (para)dhimbshme:

o Zot, a e di ti a jo, a thua sa vetë janë këtej “Gardhit” që as e njohin dhe as ia kanë dëgjuar emrin, bile?!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top