A është PD-ja anti-Perëndimore?!

SHKRUAN: INDRIT VOKSHI

E artikuloi ish-nënkryetarja. Si fillim ne duhet të përcaktojmë çfarë të bën perëndimor e çfarë anti-perëndimor, ngaqë është acaruese deri në keqardhje nëse e keqtrajtojmë dhe e rëndomtësojmë mendimin politik deri në pikën sa ta quajmë Partinë Demokratike anti-perëndimore, pa pasur bazë.

Çfarë të bën pra perëndimor e çfarë anti-perëndimor?

A të bën perëndimor mëtimi i Standarteve të Perëndimit dhe tentativa për t’i aplikuar Kartat Europiane të të Drejtave në vendin tënd? Apo ska rëndësi kjo dhe perëndimor të bën qenia njëqindpërqind i nënshtruar ndaj fjalës së ambasadorëve?

PD po kërkon votë pa banda. Është perëndimore sepse në perëndim merren vota pa banda. PD po kërkon të mos përdoret shteti në fushatë. Është perëndimore sepse në perëndim nuk përdoret shteti në fushatë. PD po kërkon që një politikan të mos i komandojë të gjitha zyrat e shtetit. Është perëndimore, sepse në perëndim një politikan nuk i komandon të gjitha zyrat.

PD po i rri besnike “Rregullave të Perëndimit” dhe ideologjikisht nuk është rreshtuar as si Le Pen në Francë, as si AfD në Gjermani të cilët media liberale i quan anti-perëndimorë pasi nuk i binden Brukselit zyrtar dhe standarteve të tij. Pa të drejtë sigurisht sepse Perëndimi ka edhe liberalë edhe populistë, edhe socialistë edhe nacionalistë por, kështu quhen. Ama ata quhen ashtu për arsye ideologjike.

Atëherë ku është anti-perëndimorizmi i PD-së këtu? PD quhet anti-perëndimore për arsye të rëndomta, pse nuk është bërë si Rudina Hajdari e t’i bindet Lejla Moses apo çdo sekretari ambasade?!

Kjo dmth ta banalizosh pa mëshirë të qenit pro-perëndimor dhe ta kufizosh e ta masësh më nënshtrimin apo mosnënshtrimin total ndaj ambasadave dhe jo me standartet politike që kërkon.

PD-ja standartet perëndimore po i kërkon. A nuk plotësoka një kusht të rëndësishëm; nuk qenka njëqindpërqind e nënshtruar ndaj ambasadave. Dhe po pranove gjithcka që thonë ambasadat, je perëndimor. Po refuzove, je antiperëndimor.

A nëse për të qeverisur qeveris si diktator, si bandit, ose si lindor në thonjëza, mjafton tiu nënshtrohesh ambasadave dhe nga lindor, ta kthejnë hartën e botës përsembrapshti dhe ti nga Lindja del në Perëndim, bëhesh perëndimor.

Me ketë teze i bie që Edi Rama është properëndimor. Edhe pse sundon si bandit, pa ligje, si askush në Perëndim dhe në kundërshtim me Kartat Europiane, ky na është properëndimor sepse është i dëgjueshëm.

Abdul-Fatah Al-Sisi i Egjyptit quhet lider properëndimor, sepse është dëgjueshem ndaj Perëndimit. Edhe pse ka hipur me grusht shteti kundër një presidenti të votuar dhe drejton diktaturë ushtarake.

Presidenti Burgiba dhe më pas Ben Ali në Tunizi, u quajtën perëndimorë vetëm se iu bindën Francës. Edhe në Algjeri e kudo, ska rëndësi si vepron, bindu dhe quhesh properëndimor.

Mirëpo këto janë mendësitë e kolonive dhe protektorateve ku perandorive iu mjaftonte bindja e sunduesve vendas, sunduesve vendas iu mjaftonte leja e perandorisë dhe i gjithë qëllimi ishte t’i mbanin të nënshtruar forcat politike të cilat donin ta dëbonin sundimin kolonial.

Sado shtet i vogël, ne skemi pse të funksionojmë me këto mendësi. Ne jemi midis Europës dhe nuk ka forca politike dhe as grupime e masa njerëzish të cilat synojnë ta dëbojnë praninë e Perëndimit. Ne i kemi nënshkruar Kartat Europiane dhe lufta jonë është për aplikimin e tyre në Shqipëri.

Ndaj shpallja anti apo pro perëndimor nuk mund të bëhet me këto kritere. Kjo mund të vlejë për propagandë por nuk ka asnjë dobi për PD-në e as për Shqipërinë, pasi sot siç e argumentuam nuk gjendemi përballë rrezikut të braktisjes apo mospretendimit të Kartave Europiane për të Drejtat. Madje duke mos qenë përballë një rreziku të tillë real, kjo nuk është me dobi as për njeriun që e artikuloi.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top