SHKRUAN: GANI MEHMETAJ
Asnjë komandant i brigadave partizane serbo-malazeze nuk ka vra personalisht më shumë shqiptarë se sa Fadil Hoxha.
Jam i vetëdijshëm se nuk e vlen të merresh më me Fadil Hoxhën, një i vdekur që vitet e fundit i jetoi pa dinjitet, por me pension të heroit të Serbisë.
Të gjithë e dimë që ishte kriminel, që vrau dhjetëra shqiptarë me dorë të vetë, ndërsa qindra të tjerë urdhëroi të pushkatoheshin. Vdiq në heshtje ashtu si jetoi me turp.
Do ta lija të harrohej. Mirëpo me irritoi kur një sharlatan gjysmë analfabet me arsimim teknik nga kasabaja e mendësisë gjakovare me sulmoi me një fjalor rrugaçesh pa hak pa hile.
Ai kasaballi Kirgizie, që mendon se është qytetar pse paska lind në Gjakovë (a është bajga qytetare a bajgë?), përpiqej që kriminelin ta bënte hero, tradhtinë ta shndërronte në patriotizëm, një vegël qorre të Serbisë si Fadil Hoxhën në mbrojtës të shqiptarëve etj.
Por pas gjithë zhurmës që u bë në rrjetin social, dolën fakte të reja e krime që i ka bërë me dorë të vetën Fadil Hoxha: në Hereq vrau 21 pjesëtarë të familjes Kryeziu, në Drenicë vrau dhjetëra shqiptarë, në Llap, ekzekutoi nacionalistë, madje e vrau gruan shtatzënë 23 vjeçare, sepse ishte gjermane e martuar për shqiptar. Shumica e emrave të vrarë nga Fadil Hoxha dolën në rrjetet sociale, i publikuan të afërmit e tyre.
Me zhurmën në rrjetin social njerëzit nisën të lirohen nga frika, sepse i shtypte droja: Kufomën e Fadil Hoxhës e varrosën komandantët e UÇK-së-me trupa të TMK-së!
Si do të reagojnë ata që e mbrojtën, kur të dalin fakte më pak të ditura. Ai në Ferizaj vrau me dorë të vetën djaloshin 16 vjeçar, para nënës së vet, ndërsa komandanti serb i tha: shoku Fadil, unë nuk mund ta vras djalin para nënës që po na përgjërohet aq dhimbshëm. Por Fadili e ekzekutoi me revole, sipas dëshmisë së gazetarit të vjetër Rashid Krasniqi.
A i shlyejnë krimet e reja, krimet e vjetra?