4446 delegatë votuan dje pro shkarkimit të Bashës në Kuvendin Kombëtar të PD-së

SHKRUAN: FJORALBA DIZDARI

E pranishme dje në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike për të parë nga afër organizimin, frymën dhe praninë e delegatëve kaq shumë të përfolur, ajo që më bëri përshtypje kur hyra në stadiumin Air Albania, përveç organizimit tejet të rregullt dhe mbresëlënës, ishte entuziazmi i të gjithë të pranishmëve, ku mbizotëronte njëzëri thirrja: do fitojmë, do ta rikthejmë zërin e PD-së, lirinë e fjalës dhe të votës.

Mesazhi që Berisha përçoi ishte e ardhmja e Partisë Demokratike, duke motivuar demokratët, po ashtu dhe mesazhi pro perëndimor që ai theksoi qartë në fjalimin e tij. Ajo që mbizotëronte dhe shihej lehtësisht, ishte përfaqësimi i të rinjve në këtë Kongres.

Një veçanti e Kuvendit të djeshëm, ishte se kushdo mund ta merrte fjalën dhe të fliste në podium, mjaftonte që të bënte kërkesën aty për aty.

Kjo strategji apo liri fjale, bëri që demokratët të ndihen ngrohtë edhe pse temperaturat ishin 8 gradë C.
Përjashtimi që iu bë z. Berisha, me sa duket demokratët që i janë bashkuar Foltoreve, e kanë ndierë në vetën e parë, jo vetëm si zgjatje e pushtetit të Ramës, por gati-gati si një përjashtim personal, ku z. Basha nuk mbrojti dot një demokrat aleat si z. Berisha. Ai ia lëshoi dorën në momentin dhe presionin e parë të paraqitur dhe sipas analizës së tyre, z. Basha, në një të ardhme hipotetike, do të mund t’ia lëshonte dorën edhe atyre, e më pas t’i linte në mëshirën e influencave të ndryshme politike.

Ky nuk është veprimi për një lider, i cili funksion thelbësor dhe qëndror ka mbrojtjen e interesave të anëtarëve të Partisë Demokratike.

Kemi një moment shumë të veshtirë tani në këtë grup të Partisë Demokratike, i cili ndodhet në udhëkryq dhe pritet të marrë një ndër rrugët më të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kjo parti i ka të gjitha asetet për të mbetur parti e vetme, e fortë dhe e aftë për t’u përgatitur dhe për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ose përndryshe do të marrë rrugën e përçarjes.

Partia Demokratike është tashmë, një parti e ndarë përgjysmë dhe gjendet në dy pole krejt të kundërta për Demokracinë.
Kjo parti tani ka dy zgjidhje: ose të krijohet Partia Demokratike e vërtetë që ka shumicën e anëtarëve të saj, ose të ndjekë rrugën e mbylljes, diktatit, izolimit, që të çojnë në shuarjen e ideve demokratike.

4446 vota delegatësh të Kuvendit Kombëtar, dje, kërkuan shkarkimin e Lulëzim Bashës nga kreu i PD-së. Reagimi i Bashës pas kësaj, duhet të ishte dorëheqja e tij dhe bashkimi i Partisë si një trup i vetëm, që do riniste betejën opozitare të lënë përgjysëm.

Për mua, ajo që e ndihmon këtë situatë përveç vendimeve të djeshme në Kuvend është Referendumi, votimi sipas parimit një anëtar, një votë.

Ama këtë herë, kur të vijë momenti i votimeve, duhet të mbahet përgjegjësi duke mos hequr nga lista emrat e anëtarëve të hershëm të Partisë Demokratike, ashtu siç më ndodhi mua, anëtare e kësaj Partie që prej vitit 2014, që nuk e gjeta emrin tim në listat e votimeve të 13 qershorit.

Me sa duket nuk kisha mbështetur aq sa duhet në vetën e parë kryetarin, që të mbaja dhe të mbroja statusin online të anëtarësisë sime.

Krejt ndryshe nga neni i fraksioneve që është lakuar aq shumë në Foltore dhe që dje u miratua në statusin e ri të PD-së, të rithemeluar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top