30 VJET MË PARË, NGA RADIO VATIKANI JEHOI ZËRI – JU FLET ENGJËLL KOLIQI

Tridhjetë vjet më parë, mu në ditën e sotme: NGA RADIO VATIKANI JEHOI ZËRI – JU FLET ENGJËLL KOLIQI

Fillova me informacionin reportazh nga Sheshi i Shën Pjetrit, ku në cilësinë e redaktorit e përcolla meshën e Papës Shën Gjon Pali II, në të Dielën e Larit. Edhepse plot emocione, informacionin e përgatita krejtësisht i lirë, si gazetar krijues, çfarë në Kosovë as në Shqipëri nuk e kishim përjetuar kurrë deri në atë moment

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Ishte 28 mars 1990. Mbasdite erdhën të na përshëndesin murgeshat e Kuvendit Arbëresh të Bazilianëve, që ishin ardhur ditë më parë nga Grottaferrata e Romës. Erdhën të na përshëndetnin, sepse të nesërmen herët do udhëtonin nga Shkupi për Romë, me trenin që po shkonte në Francë e po ndalonte në Venedik.

Sapo i përcollëm murgeshat, nuk vonoi shumë e në shtëpinë time erdhi kryepolici (komandanti) i stacionit policor në Viti – Boro Vukmiroviq. Boro, një njeri shumë i mirë, ishte malazias nga Peja, i cili pos serbishtes fliste edhe shqip. Kryepolici i Vitisë më pyeti nëse kam pasaportë. Kur i thashë po, më tha po gëzohem se përndryshe ishte dashur të të pajis me një pasaportë.

Edhepse gjithnjë nën presion e me vërejtjen e fundit parapërjashtim, për dreq isha i shtrënguar ta kem teserën e komunistëve për dhjetë vjet me radhë, megjithëse i akuzuar gjithmonë si nip ballistësh i rrezikshëm për sistemin shoqëror të Jugosllavisë. Sapo kishin filluar çarjet e plasaritjet në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, në janar të vitit 1990, isha ndër të parët në Kosovë e i pari në komunën e Vitisë, që e kisha dorëzuar teserën partiake, duke e sharë komunizmin.

Siç më tha kryepolici Boro, që nga janari e kishin urdhër arrestin për mua, të inicuar nga komiteti komunal i komunistëve të Vitisë. Ai më tha se më njeh si njeri i mirë, prandaj nuk do të më arrestojë, sepse sipas tij gjykimi do të bëhej formalisht e dënimi ishte i caktuar – 10 deri në 15 vjet burgim të rëndë. Në këto rrethana – më tha ai – duhet që pa humbur kohë të ik jashtë Jugosllavisë, që të shpëtoj nga burgosja. Sapo të dalësh jashtë Jugosllavie – më tha – më merr në telefon, në numrin e shtëpisë dhe cili do që jemi në shtëpi – unë apo gruaja – na thuaj “sve je u redu” – gjithçka është në rregull. Unë tha, kështu e kuptoj se je jashtë Jugosllavisë dhe i dërgoj policët, kinse të të arrestojnë e ata kthehen duke thënë se nuk ishte në shtëpi.

Pasi që ishim përshëndetur me murgeshat, u detyrova të shkoj te ato në mbrëmje, për t’iu thënë se dua të udhëtoj me ato për në Romë, duke ua treguar arsyen e udhëtimit. Ato më premtuan se do të mund të udhëtoja bashkë me to, bile edhe do të më strehonin te etërit bazilianë, në Grottaferrata, afër Romës.

Të enjten e 29 marsit 1990 u zgjova herët, në ora 3, u përgatita dhe u nisëm për në Shkup. Ishin dy murgesha – njëra italiane e tjetra arbëreshe dhe tri vajza të reja kosovare, që po shkonin kandidate për murgesha. Pak minuta mbas orës 6 treni u nis. Kur arritëm rreth Nishit, dy policë serbë erdhën në kabinën e trenit, ku ne ishim vendosur dhe na i kërkuan dokumentet e identifikimit, duke na pyetur ku dhe pse shkojmë. Njëra nga vajzat kandidate, e cila me dreqëritë e serbëve quhej Petroviq, në vend se Pjetri, nuk e dinte asnjë fjalë serbisht. Policët u nervozuan e kur unë iu thashë se në fshatin tonë nuk ka jetuar kurrë farë sllavi, prandaj kjo nuk e di serbishten, ma morën pasaportën, duke më kërcënuar se do të më burgosin. E luta Zotin me shpirt e me zemër dhe mbas nja 10-15 minutash erdhën e ma sollën pasaportën, duke më qortuar të mos flas dhe të jem “i sjellshëm”, me arsyetimin se iu vinte keq të mos më lejonin të shkoj në Romë e ta vizitoj motrën time.

Kaloi edhe ai rast pa rrezik. Treni po ecte dhe të nesërmen, të premten e 30 marsit, rreth orës 6 ishim në Trieste të Italisë. Aty treni do qëndronte 15 minuta. Kam dalur shpejt, e kam blerë një kartë telefoni, kam hyrë në kabinë dhe e kam marrë në telefon kryepolicin e Vitisë – Boron. Sapo u përshëndetëm me “dobro jutro – mirëmëngjesi”, ia thash atë fjalën çelës që e kishim – “sve je u redu – gjithçka në rregull”. Ai e kishte përgatitur një patrullë policie dhe i kishte dërguar në shtëpinë time në Stubëll, për të më arrestuar. Ishin kthyer të katër policët, sa kishin qenë në shtëpinë time, i kishin thënë se personi nuk ishte në shtëpi, kishte ikur në drejtim të panjohur. Boro, duke e ditur se nuk do më gjenin, i kishte dërguar policët, brenda një muaji edhe katër herë të tjera, derisa kanë marrë vesh se po punoja në Radio Vatikan.

Po ta dija sot se ku ndodhet ai polici malazias Boro, do e kërkoja, do e gjeja e do i dhuroja diçka, sepse më ka shpëtuar nga bugosja, ndoshta ma ka shpëtuar edhe jetën.

Të premten e 30 marsit, në orët e mbasdites, arritëm në Romë, për të shkuar fill pas në Grottaferrata, rreth 20 km në jugperëndim të Romës. Pra, kanë kaluar 30 vjet të mërgimit tim në këtë shtet.

Menjëherë motrat murgesha më dërguan dhe më akomoduan në Abacinë e Shën Nilit, te Etërit Bazilianë, shumica e të cilëve ishin arbëreshë e njëri ishte shqiptar nga Vlora. Unë që në mbrëmjen e parë u shoqërova me vlonjatin Atë Sofron Prençe dhe me arbëreshin Atë Emilianin, të cilët kishin ardhur vite më parë në vizitë në Kosovë. Bile më thanë se të nesërmen do të shkojmë bashkë në Radio Vatikan, ku mbi dy muaj ishte i lirë një vend pune – redaktor në Programin Shqiptar.

Të dy etërit – Atë Emiliani e Atë Sofroni, të shtunën e 31 marsit më shoqëruan në Radio Vatikan. Unë kisha marrë me veti diplomën e universitetit dhe çertifikatat e lindjes dhe të kurorëzimit. Këtyre dokumenteve ua shoqërova edhe një autoçertifikim dëshmi për kanosjen e rrezikut nga pushteti pushtues serbian, e shkruajta një kërkesë pune dhe e numrin e telefonit të Abacisë në Grottaferrata.

Pa kaluar java, të premten e 6 prillit, më morën në telefon nga Radio Vatikani e më thanë se nga e shtuna, më 7 prill mund të filloj punën provë. Vajta të shtunën, ndeja në redaksi e bëra lajme, por në studio nuk shkova që ditën e parë. Në zyrë isha me kryeredaktorin Gjon Gjomarkaj (mirditor) dhe me vajzën prizrenase Katerina Nushi.

Kryeredaktori aktual – prifti Dom David Gjugja, nga Marmulli i Gjakovës atëherë ishte vetëm bashkëpunëtor i jashtëm, për çështje fetare-teologjike.

Më 8 prill ishte e Diela e Larit, një javë para Pashkëve, me ç’rast Papa Shën Gjon Pali II po e celebronte meshën solemne në Sheshin e Shën Pjetrit. Kryeredaktori më sygjeroi që atë meshë ta përcillja unë dhe ta bëja reportazhin nga mesha e Papës, për ta transmetuar në radio. Shkova në meshë, bashkë me redaktoren Katerina Nushi, e cila më përkthente nga italishtja në shqip. Isha i stërmbushur me emocione, sepse për herë të parë në jetë isha i pranishëm në një meshë të Papës, i cili në bekimin “Urbi et Orbi” (Romës dhe botës) po na përshëndeste edhe shqip. U kthyem në redaksi dhe analizuam ngadalë e mirë homelinë (predikun) e Papës, edhe me shkrim, edhe atë akustik. Katerina ma përkthente shqip dhe e përgatita reportazhin, që atë ditë zuri më shumë se gjysmën e emisionit ditor. E lexova në studio me shumë emocione.

Që të gjithë, edhe kolegët – redaktorja, kryeredaktori e Dom Davidi, edhe drejtori i Programeve Atë Paolo Querceti, adhe drejtori i përgjithshëm Atë Pasquale Borgomeo, më kanë shprehur komplimente për reportazhin dhe më kanë avansuar menjëherë redaktor i nivelit të V-të, ndërkohë që fillestarët fillonin me nivelin e III-të. Prej nivelit të VI-të ishte mundësia të jesh kryeredaktor. Ishte pra, ajo dita e parë në studion e Radio Vatikanit, një ditë shumë e suksesshme e jetës dhe e karrierës time, një ditë plot emocione e gëzim, një ditë kur po ndjehesha i privilegjuar nga vetë Zoti.

Sot, duke e përcjellur nga larg meshën e Papa Françeskut, me shumë mall kujtoja atë të Dielën e Larit të vitit 1990 dhe veten time, i ri që filloja një karrierë të bujshme të gazetarisë, të një gazetarie profesionale e fisnike, krejt ndryshe nga gazetaria që ushtrohej në regjimet diktatoriale, siç ishin në Kosovë e në Shqipëri. E shihja Papën që po vuante shumë shpirtërisht, për këtë krizë pandemie globale dhe po e luste special Shën Terezën tonë, që ta shpëtojë popullsinë botërore me mrekulli hyjnore, sepse ajo tërë jetën tokësore ua kishte kushtuar nevojtarëve të sëmurë dhe të varfër. Unë nga këtej ekranit televiziv, edhepse qindëra kilometra larg, po flisja me Papën, plot nostalgji dhe plot dashuri njerëzore, të shembullit përngjarës me atë të Shën Terezes sonë.

Lutjet e mia, për të gjithë banorët e globit tonë, pa dallime fetare as kombëtare a racore, ishin që ta përballojnë sa më lehtë e pa shumë humbje jetësh njerëzore, këtë pandemi të paparë që ka paralizuar zhvillimin e përgjithshëm në botë, duke mbyllur shkolla e fabrika, stadiume e pallate kulture, tregje e të gjitha lokalet publike, veç barnatoreve dhe shitoreve ushqimore, kam lutur shumë që të shporret ky virus shumë i rrezikshëm, i përhapshëm shpejt dhe i pamëshirshëm. O Zot i gjithëmëshirshëm, dëgjoji lutjet tona dhe na e largo këtë virus që ka shkaktuar pandemi globale! Shpëtoje o Zot popullin tënd, shpëtoji të gjithë pa dallime – të bardhin, të ziun, të verdhin, të krishterin, myslimanin, budistin, induistin, protestantit… amerikanin, europianin, aziatikun, afrikanin, australianin.., shpëtoji të gjithë o Perëndi!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top