SHKRUAN: ZAMIR GJURGJI
Ishte fryma pa gërmën(e duhur) erdhi gërma pa frymën( e duhur).
Nga lideri i vjetër te lideri i ri të dy përcaktorët kanë ndërruar vend pa qenë në thelb plotës të njeri-tjetrit. Nga një PD e udhëhequr për çerek shekulli nga një udhëheqës politik e legjendar si Sali Berisha, dygishtor deri në simbolikë të patjetërsueshme, autoritar në kufijtë e autoritarizmit, toptan në kufijtë e totalitarizmit, frymëzues me eposin e kreshnikëve, fryma e të cilit adrenilonte sa e sa demokratë për të rrasur prapa hekurave të kryqëzuar Fatos Nanon, për të rrëzuar nga pushteti Ilir Metën bashkë me fshatarët e Kërrabës, për ta bërë Neritanin Sllobodan; apo për t’ia tërhequr këmbën karriges së pushtetit Pandeli Majkos që s’dinte se si ta fuste internetin ne dy dhoma e kuzhinë,…në një udhëheqës të ri në moshë, perceptim e konceptim demokratik, që gërma e juristit perëndimor vlen më shumë se fryma e liderit karizmatik, teksa puna laboratorike vlerësohej me më shumë “kredite” se puna praktike. Atë kohë, fryma nuk e mbajti B-në e vjetër sa të bënte tris qeverisës; këtë kohë, B-ja i ri i gërmave të arta e juristit “të klauzolave” nuk ia mundësoi liderit të ri të dhëndëronte me të parën. Në zezonën e humbjes me shumë të panjohura(çudi se si nuk u shkon ndër mend kritizerëve anti-Basha emigrimi i më shumë se 200.000 shqiptarëve gjatë Rilindjes; thua të kenë qenë mavinj!!!), ringrihen nga gërmadhat e pushtetit të humbur një takëm përhumbësish që i shpëtoi analiza e thellë e humbjes se 2013-es. Janë këta që sot kërkojnë analizën e humbjes së 2017-ës? Një skotë ish-ministrash e drejtorësh të lartë dikasteresh që me të marrë pushtetin, nuk kishin më valë celularike për votuesit e zakonshëm. Fjala e tyre ishte kthyer për vizë në pasaportën e cilitdo demokrati që përballej me përditësinë. Është mik i Jozefinës, prandaj s’kemi ç’i bëjmë, këte e ka Ridvani të vetin, prandaj i ka 5 mijëshet fletë-fletë dhe e hedh përmjerjen përpjetë; po e pate mirë me Arben Imamin, fli i qetë, ngrys vetullat, krekosu, ftoh irisin e syrit, shpërfill pamjen kureshtare; vari qillon muhabeteve të tjera, edhe një tregishtor mund të kthehet saora në dygishtor. Po ta kishe mirë me Majlindën, bëje sfilatë karierë në PD e djeshme, nuk kishte nevojë për fantashkencë por mjaftonte fotozhenia: shiko nga xhaxhi, buzëqeshi zogut…trak-fak dhe resmen e kishe gati për resmi kariere. E nëse e kishe vaj me Astrit Patozin, atëherë kishe një aradhë lehtësimesh nga klani Skuqi- Patozi Junior e Senior- Shamata, nëse u binte një qime në sqimën e provincialit të krekosur qytetarisht, atëherë prit rrufetë zhgjetare që nisnin te Shkëmbi i Kavajës e bitisnin te Rruga e Kavajës. Për burrin e Ilvës, mjafton që ha pshesh me qumësht në një cep Kryesie, çdo fjalë më tepër është ndërhyrje në jetën familjare burrë-grua, mish e thua. Eduardi është rasti më flagrant kur apatiku dhe antipatiku bëjnë xing.
Atë kohë, lideri i vjetër e mbarti të gjithë peshën e humbjes mbi shpatullat e veta, nisur edhe nga një shpirt mitik në kufijtë e mitomanit, kur shpërfaqej si një lubrifikant a vaj pastrues ndotjesh të aleteve qeverisëse. B-ja i vjetër u orvat t’i sterilizonte me “Deux ex machina” të gjitha kusuret 8-vjeare. Duke përfituar nga ky ‘caper expiatorio’ i Berishës, përhumbësit e 2013-ës kërkojnë i janë lëshuar humbësit të 2017-ës! Edhe mbështetur në moralin e këmbatisur të politikës, duhet fillimisht të ishin dorëhequr si kryesi partie, bashkë me Berishën që mori gjithçka mbi vete. Çadra, më shumë se katalizator i ndryshimit shërbeu si lakmues i shpërfaqjes së qendrimeve bazike karshi atyre acide. Demokratët e hershëm që më shumë vinin nga shtresa e të përndjekurve politikë, e përdornin simbolin e dy gishtave ashtu si 27 vite më parë. Krah e parakrah në pozicionin 90 gradë, dy gishtat lart e shoqëruar me një buzëqeshje të përkorë. “Na/kta të rinjt e republikanizmit të ri, që plakun dojshin me e lan n’shenjtin e tij”; me krah e parakrah në kënd 45 gradë, me dy gishta anash, me një qeshje vetëkënaqësie dhëmbë e dhëmballë, si dhe me shenjën e dy gishtave të anuar nga individi në krah apo edhe nga vetja. Çadra përftoi edhe një brez të rinjsh në moshë dhe karierë, çilistët që ishin bërë adrenalinë e gjallë për t’i dhënë dërrmën siçilistëve! Në rastin më të mirë, muskujt e Salianjit do të përballen me muskulaturën stalno( te çeliktë) të Gramoz Ruçit, që ka bërë hekra qysh në kohën e Hekrit(Hekuran Isait). Cili del fitues muskujsh: Çilisti apo Siçilisti? Eshtë e pavlerë të ofrosh mendim… Dalja në pah e prof. Gurakuqit me tezen e tij shkodrane… lëreni PD-në, votoni listën Basha, kjo ka rëndësi… një orvatje për të zëvendësuar imazhin publik të Jozefinës, s’bëri gjë tjetër veçse e goditi Jozefinën në pikën e saj më të fortë, rezistencën me mish e shpirt ndaj hordhive tregishtore të pas ’97-2005-es. Jozi ishte nga të rrallat demokrate shqiptare që nuk e kursente daljen publike pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe Skënder Kalenjës; në 28-29 nëntor të 2000-ës, kur Berisha dhe Paloka ishin rrasur në qeli, ishte fizikish e pranishme po në atë shesh, përballë kryeministrisë, me pardesy bezhë, pa badigardë, për të rrëzuar me forcë socialistët e kryeministrit Meta. Me Migjenin e përditësuar, lektori Gurakuqi nuk po e godiste atje ku duhej Zonjën e hekurt, zemra e së cilës u bë gur dhe mendja iu deh sa u bë dru nga pushteti 8-vjeçar. Eppur, prof. Gurakuqi ishte një nga prurjet me pak për aspak impakt në këtë fushatë. Ndërkohë që vlon kazani në radhët e demokratëve, PiAri i mavinjve ia ka dalë mbanë të zhvendosë ngjyrimin e gjelbert të votës së 25 qershorit. Ia kanë dalë mbanë t’i bilancojnë hordhitë e “mediave të kazanit” në pro e kundra Bashës. Për ta ka rëndësi që rendi i ditës të jetë “votimi te Shqupi(sipas tij)” dhe ta mbyllin squpin të gjithë ata që e panë në dritë të diellit se përballë votës së opiumizuar, edhe Edi u vegonte Skënderbej dhe Rama Ismailbej. Ndërkohë votimi pro-kundra kryetar PD-je vijon: Mustafaj(kundra); Çili(pro)…etj. etj… edhe pse janë “kontributorë & përfitues” të të njëjtit Pallat të Qelqtë. Rëndësi ka që qentë t’i lehin njeri-tjetrit, me qëllim që karavanliu të ecë për_para, pa i hyrë gjemb në këmbë. Deri më sot, ia kanë dalë përmbanë..