25 Mars 1880 – 25 Mars 2016: 136 VJET NGA LINDJA E MIT’HAT ABDYL FRASHËRIT

Mit’hat Frashëri (25 Mars 1880 – 3 Tetor 1949), kollosi që shkriu jetën për atdheun e tij dhe tonin, Shqipërinë, ka lënë pas një trashëgimi të pasur e shumëdimensionale, e cila do ti shërbejë brezave.

Në ngjarjet më madhore të kombit tonë konstatohet pjesёmarrja e tij dhe ёshtё lёnё vula e patriotit, djalit tё Frashёrit tё Pёrmetit, birit tё Abdylit dhe nipit tё Naimit e Samiut, Mit’hat Frashёrit. Vula e tij gjendet gjithandej, në çdo udhëkryq të historisë sonë të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë.

Gjurmët e veprës së tij shtrihen në hapësirë dhe kohë, nga pjesëmarrja dhe zgjedhja Kryetar në Kongresin e Manastirit tek akti i Pavarësisë dhe zgjedhja Ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit; nga Konferenca e Paqes dhe lobimi në kryeqytetet europiane në 1919 tek detyra e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe avokatia e tij e zjarrtë për Çamërinë; nga “Kalendari Kombiar” tek botimi i revistës “Diturija”; nga kontributi tek “Albania” e Faik Konicës tek themelimi i librarisë “Lumo Skëndo”; nga themelimi i Partisë Balli Kombëtar tek mbrojtja e Kosovës në Mukje në Gusht 1943; nga biografia kushtuar ungjit të tij Naim Frashëri tek artikujt, pamfletet e librat në të cilat hidhet dritë mbi shqiptarët. Këto janë vetëm disa nga kontributet politike, atdhetare dhe letrare të njërit nga firmëtarët e pavarësisë, të pinjollit të Frashërllinjve, birit të Janinës shqiptare.

Testamenti i Mit’hat Frashёrit pёr ti lënё shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranё, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë, ёshtё dёshmia mё e qartё e njё zemre e cila rrihte pareshtur pёr atdhe. Ajo ёshtё dёshmi e njё zemre qё jo vetёm mori pjesё me zell dhe pёrkushtim nё ҫdo ngjarje madhore tё atёhershme tё Shqipёrisё, por edhe dёshmi e njё zemre qё shqetёsohej pёr fatin e mёmёdheut pas ndarjes sё tij nga jeta.

Regjimi komunist u mundua t’a përdhosë figurën e tij por vepra e Mit’hat Frashërit është më e madhe se çdo diktator dhe diktaturë. Harresa gjatë tranzicionit të pafund provon se shoqëria jonë nuk është çliruar nga vargonjtë e së kaluarës komuniste.

Nё pёrmbyllje, duhet thёnё se kontributet prej kollosi të Mit’hat Frashёrit kanë hasur në murin e ftohtë dhe mosmirënjohës të shoqërisë shqiptare. Mosmirënjohja ndaj Mit’hat Frashërit tregon se ne jemi shnërruar në një shoqëri të frikshme, njё shoqёri e zhveshur nga vlerat universale, tё cilat bazohen nё bindjen se ata qё shkrijnё jetёn pёr atdheun meritojnё nderim dhe mbeten të pavdekshëm nё memorjen kolektive tё shoqёrisё. Ata, së paku, meritojnë një varr në dheun që deshën aq shumë dhe jo të mbeten në dhé të huaj.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top