Enver Hoxha në ndjekje të reaksionarëve të arratisur

Shkruan: Kastriot Dervishi

Si përndiqeshin kosovarët e etiketuar si reaksionar

Divizioni i 5-të merrej me arrestimet e elementit nacionalist shqiptar, duke kryer kësisoj ekspedita policore nënshtrimi. Nuk kishte këmbë nazisti në Kosovë e treva. Luftohej vetëm kundër shqiptarëve. Shiheni telegramin e mëposhtëm. Shefi i komunistëve të Tiranës kërkon të dijë të dhëna nga operacionet policiore që zhvilloheshin kundër shqiptarëve në trevat shqiptare në Jugosllavi. Paralelisht kryhej mobilizimi me forcë e shqiptarëve (që arratiseshin më pas).

***

7 prilli 1939, fashizmi dhe komunistët

Më 7 prill 1939 Italia fashiste pushtoi Mbretërinë Shqiptare. Më 8-12 prill 1939 në rolin e një qeverie, funksionoi një organ ekzekutiv i drejtuar nga Xhafer Ypi. Ky organ, nuk nxori shumë vendime, por ama ato që nxori ishin të rëndësishme. Nuk po u bëj të ditur vendimet nr.1, 2, 3, por vendimin nr.4, i cili lironte nga përgjegjësia gjithë bolshevikët e dënuar në shkurt 1939 dhe atë çast të arratisur në drejtime të paditura. Regjimi fashist që po vendosej nuk kishte gjë me komunistët. Dhe koha provoi se shumë komunistë do ta tregonin me vepra dashurinë për fashizmin.

***

Rruga e brigadës së 5-të

Kjo hartë tregon udhëtimin e brigadës së 5-të komuniste nga janari 1944 e deri në mars 1946. Kalimi dhe qëndrimi në trojet shqiptare është bërë në kohën kur nuk ka pasur ushtri pushtuese naziste atje. Brigada i shërbeu vetëm vendosjes së pushtetit jugosllav dhe kreu operacione me karakter policor kundër popullsisë shqiptare atje.
(Harta është bërë nga drejtuesit e brigadës)

***

Partizanet dhe partizanët në Kërçovë

Disa muaj pasi kishte mbaruar lufta, këto trupa që shikoni në foto, e që i përkisnin brigadës së 5-të komuniste, i shërbenin vendosjes së pushtetit jugosllav në trojet shqiptare. Fotoja e burrave partizanë është në Kërçovë. Fotoja e grave partizane është gjendur me të njëjtin grup dokumentesh me fotot e brigadës në Maqedoni, por nuk ka shënime ku është saktësisht.

***

Divizioni i 5-të, vegël e OZN-a, kundër shqiptarëve të Maqedonisë

Në krah të OZN-as (Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit) jugosllave, sigurisht pa asnjë prani pushtuesi nazist, forcat e divizionit të 5-të “nacionalçlirimtar” dhanë kontribut themelor në masakrimin e popullsisë shqiptare të atyre trevave dhe në vendosjen e sigurt të pushtetit jugosllav. “Të vëllazëruar” dhe me portretet e shokut Tito, “mikut më të madh të popullit shqiptar”, komunistët partizanë nga Shqipëria, por kryenin një prej tradhtive më të mëdha kundër vëllezërve të tyre në hapësirën e shtetit jugosllav. Nuk ka asnjë rrethanë ligjëruese për këtë veprime të këtyre njësive në trojet shqiptare të pushtuara nga armiku më i madh i shqiptarëve, armik me të cilin këta ishin “vëllazëruar”. Në raportin e komandantit të divizionit nënkolonel Hito Çako, ndër të tjera thuhet:

“Gjendja e reaksionit. Këtë muaj është bërë më e zezë. Ndjekjet që kanë bërë forcat tona së bashku me forcat jugosllave dhanë rezultat vrasjen e Nefail Kërçovës vetë i pestë, kriminel me famë dhe reaksionar me një farë influence në pjesën shqiptare. Të tjerëve u janë prishur bazat nga ndjekja dhe nga fitorja e Frontit në zgjedhje, prandaj të demoralizuar dhe pa asnjë perspektivë kanë filluar të dorëzohen te forcat tona dhe OZN-a e vendit. Kanë ngelë me rëndësi vetëm 6 vetë nën komandën e Hamza Lumës, po edhe këtu qëndrojnë në pasivitet për sa i përket punës politike dhe ushtarake në dëm të Frontit”.

Nuk e di si mund t’i duken këto informacione, “patriotit” të madh z.Pëllumb Xhufi që qimen në dokumentin e CIA-s e sheh edhe në hënë, por traun jugosllav të vetes nuk arrin ta shquajë ndonjëherë.

***

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *