KA RA DIELLI MBI TIVAR

SHKRUAR NGA SYLË BAJRAMI

Ka ra dielli mbi Tivar,
deti bregun e lazdron,
Ç’është ky gjak që vjen me valë,
shpirt e zemër mi trazon!

Ç’jan k’ta njerëz që po i qet vala,
apo mendja sot më ka lanë!?
Ç’jan kta tirqi me gajtana,
a din kush xhevap’ me më dhanë?

Ç’jan’ k’ta plisa nëpër zallë,
ç’jan k’to shokë porsi gjarpnore!?
A ka mbetë ndoja i gjallë,
apo tanë m’i vranë mbas dore!?

Të tanë jan’, k’ta, djem’ Kosove,
që në besë mi preu shkinia
Se per Trieshte i patën nisë,
athua dinë ndoj gja Shqipnia?

Eu Shqiponje mos të kjofsha falë,
qysh nuk dite me mi rue!?
Me u zane udhën e me i ndal ,
ne ato ane kur kan kalue.

Kur te kthehem si të tregoj,
per kete morde per kete hata!
Sh’pi per sh’pi me duhet te shkoj,
me i lajmru se çka është bà.

Dikund gjej’ vetem nënë shkretën,
dikund tjetër femije jetima,
E dikund veq motër zeza,
që ne qiell i ndihet brima…

Ku jan’ djem’t e ditëve t’ para,
që n’a folshin për lirin!?
A e din’ ku i kan vllaznit,
a e din çka e gjet Shqipninë?!

A e dinë se u prenë në besë,
se u vran në mes të Tivarit!?
Pllamë per pllamë, tokë edhe det,
i kan skuq me gjak t’ shqiptarit.

Ah Kosovë, Kosovë martire,
kah te shkelësh hap e varr,
Bëhu gati, moj Nanë Madhe,
këta bijë, në gji me i marrë…

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *