TERRORI I BRIGADAVE KOMUNISTE JUGOSLLAVE NDAJ SHQIPTARËVE

Masakrat, burgosjet dhe maltretimet e shumta që i përjetuan shqiptarët, bëheshin në prani të forcave partizane-shqiptare, të cilat në atë kohë vazhdonin me të madhe të propagandonin “vëllazërim-bashkimin” mes shqiptarëve dhe jugosllavëve.

Humbjet e njëpasnjëshmeve të betejave me forcat vullnetare shqiptare gjatë periudhës shtator-tetor 1944, e detyruan koalicionin komunist jugosllav-shqiptar që në pjesën e parë të muajit nëntor të po këtij viti të zhvillojnë bisedime me disa krerë me ndikim në Dibër e Strugë. Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte të zbatojnë moton e njohur të tyre: “përçaj e sundo”. Kështu, Video Smilevski-Bato bisedoi me Ukë Camin në Dibër, që gjatë sulmeve që do të bëjnë forcat partizane në këtë rajon ai të mos u kundërvihet. Gjithashtu, Video Smilevski-Bato zhvilloi bisedime edhe me Esat Dokon dhe Murat Labënishtin, me ç’rast këta të fundit kanë rënë dakord që t’i bashkojnë forcat, me kusht që Struga me rrethinë pas çlirimit t’i takojnë Shqipërisë. Më vonë do ta shohim Esat Dokon në rradhet e forcave komuniste, respektivisht ai me grupin e tij do t’i bashkëngjitet Brigadës IV Shqiptare dhe do të angazhohet në marrjen e qytetit të Strugës. Përbashkëngjitjen e Esat Dokos dhe krerëve tjerë nacionalistë të këtij rrethi, përveç Murat Labënishtit, njoftohemi nga ditari operativ i datës 24.10 –08.11.1944, të shtabit të Korpusit II, në të cilën thuhet: “Situata këtu është e mirë, të gjithë fraksionistët janë bashkëngjit në radhët tona, përveç Murat Labënishtit, i cili me 100 ballistë gjendet në Strugë”. Bisedime të kësaj natyre do të ketë edhe në rajonin e Karadakut, ku në një njoftim të Divizionit të Kumanovës, dhënë shtabit të Zonës I Operative, thuhet: “Me grupet shqiptare në Malin e Zi të Shkupit kemi arritur marrëveshje, që këta mos të futen në luftë, kur njësitë tona t’i sulmojnë forcat gjermane“.

Pas marrjes së qytetit të Strugës, forcat komuniste nisen në drejtim të Kërçovës. Paraprakisht ishte përpiluar plani për sulm ndaj këtij qyteti nga ana e shtabit kryesor maqedonas. Lidhur me këtë plan, urdhërohet shtabi i Divizionit 48, që të hyjë në lidhje me shtabin e Divizionit Shqiptar në Dibër dhe të njoftohet për planet që janë hartuar lidhur me aksionet që do të ndërmerren kundër forcave shqiptare në të gjitha frontet. Në kuadër të kësaj manovre, Divizioni 48, përmes shkresës njoftonte Divizionin Shqiptar se: “Nga ana e shtabit të Korpusit XV të LNÇ-së në Maqedoni jemi të autorizuar të hyjmë në lidhje me ju dhe ju japim porosinë se me 15 nëntor të këtij viti, njësitë e Korpusit XV, herët në mëngjes, në orën 6, do të sulmojnë ndaj bandave kaçake armiqësore në krejt frontin. Shtabii Korpusit ju përcjell porosi që deri më datë 15 të qëndroni në pozicionet e Bllajnicës dhe të sulmoni me të njëjtat forca që të lidhen ngushtë me divizionin tonë, i cili do të operojë në rrethinën e fshatit Zajaz. Në rast se do të pajtoheni dhe do të veproni në koordinim me forcat tona, na lajmëroni që ta njoftojmë shtabin tonë.” Ndërkohë, përderisa bëheshin përgatitjet për sulmin ndaj qytetit të Kërçovës, në Strugë e rrethinë do të ndodhin trazira mes popullatës shqiptare me forcat partizane jugosllave. Udhëheqja maqedonase do të sillet shumë keq ndaj popullatës shqiptare, e cila dha kontribut të madh për marrjen e këtij qyteti, dhe për këtë sjellje të mbrapshtë do të reagojnë ushtarët shqiptarë të Brigadës së Katërt, të cilët nga pakënaqësia do t’i braktisin aradhet partizane për t’iu bashkuar forcave të Mefail Zajazit. Sipas raportit të Korpusit II, dërguar shtabit kryesor të UNÇ-së maqedonase: “Më 15.11.1944 në fshatin Cërvena Vodë u bë rrethimi i Brigadës së Katërt”. Për çrregullimet në Strugë e rrethinë dhe dezertimin e ushtarëve shqiptarë nga Brigada IV në raport theksohet: “Në rajonin e Strugës prej disa ditësh sillet i vetëshpalluri udhëheqës i shqiptarëve, Murati, i cili organizon aradha të armatosura shqiptare, për shkaqe të pasqaruara deri tash. Ky person ka mbajtur fjalime nëpër fshatrat e Strugës. Në fshatin Veleshtë është kapur gjatë fjalimit, por ka mundur ta mashtrojë komisarin politik të Brigadës V“. Në vazhdim të këtij raporti jepen të dhënat për numrin e forcave kaçake në rajonin e Strugës, si:

1. Në afërsi të fshatit Labënisht ndodhet një grup me 10 ballistë.
2. Në Oktis gjithashtu është paraqitur një grup ballistësh, përafërsisht në numër 200 veta
3. Në fshatin C. Vodë janë 30 dezertorë të brigadës IV
4. Në fshatin Leshan gjithashtu janë paraqitur 40 dezertorë të Brigadës IV Myslimane, të cilët kanë sulmuar manastirin e fshatit.

Duke marrë parasysh zhvillimet dramatike që ndodhën në rajonin e Strugës dhe të Kërçovës, si edhe në rajonin e Shkupit dhe të Kumanovës, situata në atë kohë nuk ishte e qetë. Forcat shqiptare përkundër luftimeve të përditshme me forcat partizane maqedonase, arrijnë t’i mbajnë pozicionet e tyre. Ndër betejat e shumta që u bënë vlen të përmendet ajo e zhvilluar në Karadak, konkretisht në vendin e quajtur Guri i Bardhë. Forcat shqiptare, respektivisht batalioni i Bllacës, i udhëhequr nga Abdyl Durra, i ndihmuar nga forcat e Tefik Tanishecit dhe Din Hoxhës, arritën ta shpartallojnë batalionin e tretë të Brigadës XVI, duke e detyruar të tërhiqet në drejtim të fshatrave Brazdë dhe Çuçer. Njoftimet e njëpasnjëshme që i vijnë shtabit të Korpusit I prej Divizionit 42 dhe atij të Kumanovës, flasin për zhvillimet e njëpasnjëshme mes forcave partizane-çetnike me ato shqiptare, si në veri të Shkupit, ashtu edhe në jugperëndim të këtij qyteti. Forcat shqiptare i janë afruar qytetit të Shkupit me një numër të madh të ushtarëve dhe, nga çasti në çast, presin urdhrin që ta marrin qytetin. Ndërsa forcat shqiptare ishin në pritje të urdhrit, forcat partizane ndërmjet datave 13-14 nëntor futen në qytet. Pas rënies së qytetit të Shkupit në duart e forcave partizane-çetnike, për dy ditë me radhë u zhvilluan luftime të rrepta, si në veri, ashtu edhe në jugperëndim të qytetit. Beteja e fundit u zhvillua më 15.11.1944 në rajonin e Treskës, respektivisht në fshatrat Krushapek, Gërçec, Saraj, Shishovë e Matkë, ku pas luftimeve disaorëshe forcat shqiptare, në numër rreth 2000 ushtarë, arritën t’u përballojnë sulmeve të forcave partizane, duke i detyruar ata të tërhiqen në pozicionet e mëparshme. Pas fitores që arritën forcat shqiptare, për habi, një delegacion i parisë shqiptare, i përbërë nga Shefqet Ornaça, Qazim Lusha, Qemal Skënderi dhe Mehmet Bushi, udhëtojnë për në Zhestovë (Gjorçe Petrov), për të biseduar me shtabet e trupave maqedonase që kishin hyrë në atë qytet. Pas këtyre bisedimeve, u arrit marrëveshja, sipas së cilës të dyja palët nuk do të konfrontoheshin me armë, ndërkohë që në qytet (Tetovë) do të hynin forcat e UNÇ-së të Maqedonisë. Gjatë bisedimeve u premtua se në Tetovë nuk do të bëheshin arrestime, me përjashtim të atyre që kishin kryer krime të provuara gjatë periudhës së okupacionit. Me këtë rast, Qazim Lusha dhe Qemal Skënderi morën përsipër të formonin një njësi partizane, të përbërë nga 250-300 veta. Në kohën kur në Shkup u arrit marrëveshja mes forcave shqiptare me ato maqedonase, në anën tjetër në Kërçovë u zhvilluan luftime të rrepta midis tyre. Sipas planit të hartuar më parë, SHK i UNÇ-së maqedonase, më 15.11.1944 me brigadat e Divizionit 48 dhe brigadat komuniste shqiptare kishin sulmuar qytetin e Kërçovës. Luftimet ishin të përgjakshme, kurse rezistenca e forcave shqiptare ishte shumë e madhe. Ditën e parë luftime të ashpra pati në hyrje të qytetit. Duke u ndeshur me qëndresën e vendosur të forcave nacionaliste shqiptare dhe të mbarë popullit shqiptar të këtij qyteti, shtabi i Korpusit XV maqedonas caktoi një delegacion për të biseduar me parinë e qytetit. Në bisedimet që u zhvilluan, pala maqedonase premtoi se pasi të futeshin në qytet, nuk do ta keqtrajtojnë popullatën shqiptare dhe se, përveç atyre që kanë bërë “krime” ndaj forcave partizane, të tjerët nuk do të gjykohen. Paria shqiptare kërkoi që fillimisht në Kërçovë të futeshin brigadat shqiptare, mendim ky me të cilin maqedonasit nuk ishin dakord. Lidhur me këto bisedime, paria e Kërçovës vuri në dijeni Mefail Zajazin, i cili për t’iu shmangur vëllavrasjes, dha urdhër që forcat nacionaliste shqiptare të tërhiqen prej qyteti. Me tërheqjen e forcave shqiptare nga qyteti, luftimet nuk do të ndalen. Por, përkundrazi, ata do të ashpërsohen. Vlen të theksohet se, përkundër aksioneve të pandërprera që bëheshin nga brigadat partizane, luftëtarët shqiptarë i mbronin heroikisht vatrat e fundit shqiptare, duke i rezistuar fort ushtrisë armike. Në ditën e dytë dhe të tretë zhvillimet luftarake u përqendruan në fshatrat Zajaz, Baçishtë, Kollarë, Tajmishtë, Stragomishtë, Sërbicë, Aranjell, Novo Sellë, Tuin. Në krye të luftëtarëve shqiptarë qëndronte Xhemë Gostivari, i cili ishte vendosur mbi Çashkë, nga ku i sulmonte forcat partizane, kurse Aqif Reçani në ditën e tretë, nga Tajmishta vendoset në Kurishtë. Luftimet zgjatën deri më 17.11.1944, në orët e pas ditës, kur në ato çaste u afruan brigadat shqiptare, të cilat nisën të brohorisnin me fjalët “Bashkohuni, se edhe ne jemi shqiptarë. A keni besë? Prandaj bashkohuni me ne, që bashkërisht ta çlirojmë vendin”. Paskësaj, luftëtarët shqiptarë morën urdhër t’i ndërpresin luftimet dhe, kush të dëshironte, le të dorëzohej. Përveç dy Mefailave, edhe Xhemë Gostivari dhe Aqif Reçani me disa shokë të tjerë u larguan nga fronti, duke u vendosur në malet e Kërçovës. Me tërheqjen e forcave shqiptare nga fronti, ushtrisë komuniste iu mundësua të marshonte drejt Gostivarit, e cila kështu e mori qytetin pa luftë më 18.11.1944 në orën 16.00. Në qytet fillimisht do të futen Brigada IV Shqiptare dhe ajo XV Maqedonase. Në të njëjtën ditë Shtabi i Korpusit XV lëshoi një urdhëresë, me të cilën kërkoi nga njësitë e veta që “me datën 19.11.1944 ta bllokoni qytetin e Gostivarit, pastaj grumbulloni gjithë popullatën mashkullore, që është e aftë të mbajë armatim, dhe t’i vendosni nëpër llogore në ndonjë ndërtesë ku do ta gjeni ju që është e përshtatshme për atë çështje. Në të njëjtën kohë të grumbullohet i gjithë armatimi, municioni, si dhe arsenali tjetër ushtarak“. Në kuadër të këtij aksioni, shtabi i Korpusit XV më 25.XI.1944 njoftoi shtabin kryesor për rezultatet e arritura deri në këtë ditë, në të cilin theksohet: “Në pajtim me urdhëresën e lëshuar, njësitë e nënshtruara në brigadat e veta të formojnë llogore, ku do t’i grumbullojnë të gjithë ballistët dhe popullatën, e cila duhet ta dorëzojë armatimin. Rezultatet e deritanishme në këtë drejtim i kemi:

– Në llogoren e Brigadës I 40 ballistë dhe 25 që nuk kanë dorëzuar armë;
– Në llogoren e Brigadës IV nuk ka asnjë rob; dhe
– Në llogoren e Brigadës VI 28 ballistë dhe 46 shqiptarë, të cilët nuk i kanë dorëzuar armët, si dhe në llogorin e Brigadës XV 736 vetë, kurse në burgun e OZN-ës 54 vetë ballistë dhe keqbërës.

Ky numër do të pesëfishohet duke arritur në shifrën 5000 shqiptarë të pafajshëm nga qyteti dhe fshatrat e Gostivarit. Më 26 nëntor të vitit 1944 në Gostivar u pushkatuan pa gjyq rreth 20 shqiptarë, që u lanë disa ditë në rrugët e qytetit, për ta terrorizuar popullsinë. Ndërkohë që Korpusi XV me brigadat e veta masakronte popullatën shqiptare në Kërçovë dhe Gostivar, Korpusi I, pas marrëveshjes që pati me parinë nacionaliste shqiptare, me 20.X.1944 futet në qytetin e Tetovës. Ngjashëm si në Gostivar, do të veprohet edhe në Tetovë, ku me urdhër të shtabit të Korpusit I, i mblodhën të gjithë meshkujt, duke i vendosur në monopolet e këtij qyteti, nëpër shkollat e fshatrave Zhelinë, Grupçin etj. Numri i të burgosurve nuk mund të dihet saktësisht, mirëpo sipas të dhënave që i japin të burgosurit që kanë ngelë gjallë, ky numër arrin në 6000-10000 vetë, ndërsa një numër i madh i tyre janë pushkatuar. Lidhur me torturat që po i përjetonte popullata shqiptare prej forcave partizane-çetnike, në mbledhjen e kreut të Frontit Popullor, të mbajtur në Shkup më 07.12.1944 do të reagojë Hasan Shukriu. Në reagimin e tij Hasan Shukriu, përveç tjerash, vuri në dukje se: “Në fshatin Sopot të Kumanovës janë pushkatuar 66 fshatarë prej forcave partizane, edhe pse ky fshat në të kaluarën u ka ndihmuar partizanëve. Në Malishevë janë pushkatuar 42 persona, në Izvor 40, në Vaksincë 16, në Tetovë janë burgosur 5000 vetë nga të cilët 17 vetë kanë vdekur nga uria, në Nerez një partizan, pa kurrfarë arsye, në mes të fshatit vret dy fshatarë…” Por, masakrimet e forcave partizane-çetnike nuk do të ndalen me kaq, ata morën 320 burra dhe djem të rinj të Zajazit prej burgut të Kërçovës, dhe i pushkatuan në Malin Gradicë, midis fshatrave Vrapçishtë dhe Toplicë, duke qenë të lidhur me tela e litarë nga 6 veta bashkë. Në fshatin Vrapçishtë në nëntor të vitit 1944 u pushkatuan pa gjyq më shumë se 150 shqiptarë. Po në rajonin e Gostivarit u dogj fshati Përshevc dhe të gjithë meshkujt u pushkatuan në gropat që fshatarët kishin qenë të detyruar t’i hapnin vetë me forcë nga repartet ushtarake. Masakrat, burgosjet dhe maltretimet e shumta që i përjetuan shqiptarët, bëheshin në prani të forcave partizane-shqiptare, të cilat në atë kohë vazhdonin me të madhe të propagandonin “vëllazërim-bashkimin” mes shqiptarëve dhe jugosllavëve. Paralel me këto masa antinjerëzore, pushteti i ri komunist maqedonas, karshi faktorit ndërkombëtar, në muajin dhjetor do të mbajë tubime në vendbanimet shqiptare, me ç’rast popullatën shqiptare e nxjerrin me dhunë në sheshet e qyteteve. Në këto tubime do të flasin edhe disa komunist shqiptarë. Gazeta “Nova Makedonija” njoftonte se më 11 dhjetor në Tetovë është mbajtur një tubim i madh mbarë popullor, ku foli anëtari i kryesisë së ASNOM-it, Qemal Agolli. Fjalimi i tij ishte në gjuhën shqipe. Ai para të pranishmëve u shpreh se: “Populli shqiptar ka qenë i mashtruar prej reaksionit fashist shqiptaromadh, dhe se ka përdorë armë kundër vëllezërve të tyre. Mirëpo, ndërkohë që bandat shqiptaromëdha të Xhemës dhe Mefailit kanë mbjellur përçamje dhe ndarje, partizanët shqiptarë, bashkërisht me partizanët maqedonas, kanë mbjellë gjak nëpër malet për lirinë e përgjithshme të popullit të vet…“ Po kjo gazetë, në një numër të mëpasshëm, informonte për një tubim tjetër në Shkup, konkretisht para myftinisë dhe xhamisë Isa Beu, ku në emër të shqiptarëve masës i paraqitet Esat Doko duke theksuar: “Kjo është hera e parë që në Shkup të dëgjohen fjalime në gjuhën turke, shqipe dhe maqedonisht. Kjo është dëshmi se në Maqedoni tashti çdo njeri ka të drejtë të flasë në gjuhën amtare”. Në mbledhjen e ASNOM-it Qemal Agolli në diskutimin e tij, veç tjerash, do të shprehet: “Një pjesë e popullit shqiptar ka qenë e mashtruar nga ana e okupatorit, si mashë për zbatimin e planeve të errëta të fashizmit, për të krijuar urrejtje mes maqedonasve dhe pakicës shqiptare në Maqedoni. Mirëpo, gjithashtu me vëllezërit maqedonas edhe ne shqiptarët u inkuadruam në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe me gjakun e përzier të luftëtarëve të të dy popujve të vëllazëruar e çimentuam vëllazërim-bashkimin”. Edhe Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike e KQ të PKSH-së, e cila në Shkup mori pjesë në Konferencën e Rinisë Ballkanike, fjalimin e saj do ta ketë në frymën e vëllazërim-bashkimit, pa asnjë fjalë kritike ndaj sjelljeve të ushtrisë jugosllave ndaj popullit shqiptar. Ajo, për dallim nga tjerët, shkon edhe më larg, kur thekson “Vëllazërimin tonë me rininë jugosllave e kemi forcuar në luftën për Dibrën dhe në luftërat e territoreve të tjera të Jugosllavisë. Ne kemi bërë kumbari në burgjet, përkundër provokimeve të shumta, për të na detyruar të luftojmë kundër njëri-tjetrit, ta ngremë ushtritë tonë nacionalçlirimtare kundër ushtrisë nacionalçlirimtare të Mareshalit Tito. Edhe përkundër të gjitha atyre përpjekjeve ne nuk qëndruam kundër njëri-tjetrit, ashtu që simpatia-dashuria e rinisë shqiptare ndaj rinisë jugosllave sot është shumë e madhe”. Përderisa komunistët shqiptarë propagandonin “vëllazërim-bashkimin”, pushteti komunist maqedonas e vazhdonte dhunën dhe terrorin ndaj popullit të pambrojtur shqiptar. Gjyqi ushtarak i qarkut ushtarak të Shkupit, Këshilli Ushtarak i rrethinës së Kumanovës, në gjykimin e tij të sjellë me 14 janar 1945 dënoi më vdekje, humbje të të drejtave qytetare dhe konfiskim të pasurisë këta qytetarë:

Ramadan Qazim Azizi nga fshati Mateç i Kumanovës i moshës 30-vjeçare,Asan Zeqir Azizi nga fshati Mateç i moshës 30-vjeçare, Sadik Ramiz Jakupinga fshati Mateç i moshës 40-vjeçare, Bexhet Musli Dalipi nga fshati Matejçe imoshës 45-vjeçare, Jusuf Ismail Neziri nga fshati Mateç i moshës45-vjeçare, Abdulla Ebip Abdullahu nga fshati Hotle i moshës 36-vjeçare,për shkak se ka qenë një ndër udhëheqësit shpirtërorë të forcave ballistenë rajonin e Kumanovës dhe ka qenë i emëruar si prefekt i këtij rajoni ngaana e “reaksionit shqiptaromadh”, madje se gjoja ka kryer shumë krime, OsmanSelim Hiseni nga fshati Mateç i moshës 47-vjeçare, Shaip Rexhep Memeti ngafshati Vaksincë i moshës 28-vjeçare, Jusuf Xhemail Imeri nga fshati Vaksincë imoshës 23-vjeçare, Ahmet Beqir Abdullahu nga fshati Llopat i moshës 26-vjeçare,Hajri Islam Sadiku nga fshati Vishticë i moshes 50-vjeçare, Musa HasanEshtrefi nga fshati Mateç i moshës 32-vjeçare, Jusuf Zyber Nuredini nga fshatiMateç i moshës 58-vjeçare, Jashar Feta Jashari nga fshati Mateç i moshës49-vjeçare, Bajram Idriz Beqiri nga fshati Mateç i moshës 38- vjeçare, HalitAbdulla Shabani nga fshati Mateç i moshës 58-vjeçare, Raim Beqir Fazliu ngafshati Mateç, Halit Shukri Hebibi nga fshati Likovë i moshës 56-vjeçare dheOsman Hiseni nga fshati Mateç i moshës 47-vjeçare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *