POLITIKA KOMBËTARE

A ISHTE ADEM DEMAÇI PRO APO KUNDËR VRASJES SË KOLONEL AHMET KRASNIQIT

SHKRUAN: SHEFQET JASHARI – STROFCI

Takimi përfundoi rreth orës 23.00, dhe të gjithë hipën në tri vetura. Në veturën e parë ishte Ahmet Krasniqi, tre ushtarakë të brigadave operative 131, 133 dhe 134, një ushtarak nga Drejtoria informative dhe shoferi i kombit. Në dy veturat tjera ishin të tjerët. Afër pompës së benzinës veturat ndalen nga pjesëtarë të policisë dhe të SHIK-ut të Shqipërisë, për ta bërë kontrollimin e dokumentacionit të ushtarakëve për të ditur identitetin e tyre.

Veçmas kontrollohet pasaporta e Ahmet Krasniqit nga pjesëtarë të policisë dhe të SHIK-ut, dhe me radiolidhje e njoftojnë dikë për identitetin e Ahmet Krasniqit. Kjo tregon se bëheshin përgatitjet përfundimtare nga kriminelët për ta kryer ekzekutimin e pushkatimit të Ahmet Krasniqit.

Ende pa kaluar te ambasada amerikane zbresin nga kombi tre ushtarakët e brigadave të lartpërmendura, që aty pari banonin, dhe në veturë mbesin vetëm Ahmet Krasniqi, ushtaraku i Drejtorisë Informative dhe shoferi. Vetura në të cilën ishte Ahmet Krasniqi kishte marrë drejtimin e Medresesë së bashku edhe me një veturë tjetër në të cilën ishin ushtarakë të Ministrisë, por policia e ndal për të dytën herë veturën e dytë që e shoqëronte kombin ku ishte Ahmeti Krasniqi.

Kombi arrin shumë shpejtë para Medresesë dhe pastaj lakon rrugën djathtas për të hyrë në rrugicën, që e shpinte para derës së shtëpisë së Shyqiri Toskës. Vlen të theksohet se rrugica ishte e pandriçuar dhe shumë e ngushtë, sa që kur kalon ndonjë veturë, këmbësori është i detyruar të mbështetet për muri, për të qenë i sigurt se nuk do të shkelet nga vetura.

Vetura arrin para dyerve të shtëpisë së Shyqiri Toskës, ku ia kishin përgatitur banesën Ahmet Krasniqit tradhtarët. Zbresin nga vetura shoferi dhe ushtaraku për të hapur dyert e oborrit. Papritmas dëgjohet zëri i prerë i një njeriu me maskë: “Mos luni!”.

Kishin qenë tre persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov dhe revole. Një kriminel e kishte zënë kryqin e rrugicës që ishte nja dhjetë metra larg shtëpisë së Shyqiri Toskës, dhe rrinte në gjendje gatishmërie për të shtënë me kallashnikov kushdo që do të pengonte në realizimin e krimit. Dy kriminel tjerë që u paraqitën papritmas para veturës. Ua drejtojnë revolverët shoferit dhe ushtarakut që mundoheshin t’i hapin dyert e oborrit. Ahmet Krasniqi ende ishte brenda në veturë. Por, kur e sheh këtë skenë trishtuese, zbret me shpejtësi për ta mbrojtur ushtarin e tij, që ishte në lulen e rinisë. Por, kriminelët ishin përgatitur për krim, nuk kishin mëshirë ndaj askujt që donte tua prishte planet dhe t’i pengonte në kryerjen e detyrës. Njëri nga dy kriminelët ia futë grykën e kallashit në fyt Ahmet Krasniqit, ndërsa krimineli tjetër bëri kontrollin e shoferit dhe ushtarakut mos kanë rastësisht ndonjë armë dhe i detyroi të shtrihen në tokë.

Krimineli tjetër që e mbante Ahmet Kraniqin në thumb të kallashit e pyeste kriminelin tjetër se “a është ky” (nënkuptohet që e pyeste për Ahmet Krasniqin). Kur krimineli i kthen përgjigje se “është vet ai”, krimineli ngreh gishtin e krimit dhe kështu përfundoi skenari i vrasjes së Ahmet Krasniqit, i cili ishte përgatitur për një kohë të gjatë nga bisha-njerëz, shpirtshitur, dyfytyrësha, zemërgur dhe kriminel të regjur të profesionit për të kryer atentate politike.

Pra, siç po shihet në vrasjen e Ahmet Krasniqit kanë marrë pjesë: Qendra e krimit, ushtarakë tradhtarë që ishin bërë argatë të forcave kundërinstiticuonale, pjesëtarë të policisë dhe SHIK-ut të Shqipërisë, dhe kriminelë (atentatorët) të paguar nga Qendra e krimit, me paratë e fondeve që ishin mbledhur për ta ndihmuar çlirimin e Kosovës. Janë bërë shumë vrasje politike në Shqipëri dhe në Kosovë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, por kjo vrasje dhe vrasja e Azem Hajdarit janë vrasjet më monstruoze nga të gjitha vrasjet. Mënyra dhe organizimi i vrasjes së Ahmet Krasniqi, tregon se ai ka qenë i tradhtuar nga të gjitha drejtimet, edhe nga ata që kurrë nuk është pritur. Por më së shumti dhembë tradhtia që i është bërë nga brenda nga disa ushtarakë që ishin futur në stafin e Ministrisë së Mbrojtjes. Dhe nuk është rastësi që Ahmet Krasniqi natën e krimit është lënë pa kurrfarë mbrojtje. Shtrohet pyetja ku ishte organi që ishte përgjegjës për mbrojtjen e Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të SHP të FARK-ut? Ku ishte stafi dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Në këto pyetje dhe në shumë pyetje tjera duhen të përgjigjen mos sot, një ditë jo të largët gjithseqysh.

SHTOHET PYETJA: A ISHTE RASTI QË PËRPUTHEJ,”PUSHIMI MJEKËSOR” I ADEM DEMAÇIT ME VRASJEN E AHMET KRASNIQIT, APO ISHTE NJË GJEST I ADEM DEMAÇIT QË SHPREHU REVOLTËN DHE MOSPAJTIMIN E TIJ ME QENDREN E KRIMIT

Pas një distance trevjeçare nga vrasja e Ahmet Krasniqit janë qartësuar shumë detaje të errëta të atij krimi, edhe në bazë të deklaratave të personaliteteve dhe personave publik të jetës politike të Kosovës dhe të pararojës staliniste të LPK-së. Vlen të shënohet deklarata e Zyrës së përfaqësuesit politik të UÇK-së zotëri Adem Demaçit, e cila më 20 shtator të 1998 (një ditë para vrasjes së Ahmet Krasniqit) njofton opinionin e gjerë se Adem Demaçi “për shkak të stërngarkimit me punë, mjekët kanë konstatuar se ai ka një tendosje të tepruar të nervave dhe një keqësim të diabetit (sëmundja e sheqerit). Për këtë arsye mjekët e kanë këshilluar zotëri Demaçin që të deaktivizohet nga të gjitha punët e veta të përditshme dhe të pushojë sa më gjatë. Në njoftim, gjithashtu thuhet se të gjitha takimet e parapara të zotëri Demaçit me miq të huaj dhe të vendit si dhe takimet e caktuara me gazetarë shtyhen për nje afat të pacaktuar.” (Citati është marrë nga shkrimi i botuar me titull: Adem Demaçi në pushim të gjatë mjekësor të botuar në “Bota sot”, më 22 shtator 1998). Shtrohet pyetja ishte rastësi që përputhej “pushimi mjekësor” i Adem Demaçit me vrasjen e Ahmet Krasniqit, apo ishte një gjest i Adem Demaçit që shprehu revoltën dhe mospajtimin e tij me Qendrën e krimit, që kishte vendosur për ta vrarë Ahmet Kraniqin. Koha do të tregoj se ku është e vërteta, por nuk ka qenë normale që Adem Demaçi të mos e gjykonte vrasjen e Ahmet Krasniqit, së paku pas kalimit të “pushimit mjekësor”, kur dihet se ishin bashkautorë të Marrëveshjes së Osllos dhe ishin kryesues të dy delegacioneve të subjekteve ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të UÇK-së.

Sa i përket thënieve (prononcimit) të Xhafer Shatrit, ish- ministër i Informimit në Qeverinë e Bukoshit, në lidhje me vrasjen e Ahmet Krasniqit, vlen të citohen këto fragmente nga shkrimi i tij i botuar në revistën Pasqyra Nr.19 të 23-30/09/1999 me titull :”Pse u vra Ahmet Krasniqi”. Ai thotë : “Pa hyrë se kush janë dorasit, e përsërisim, kjo është çështje e gjyqit, shkaqet që quan deri te vrasja e Ahmet Krasniqit dhe te mbajtja ose te vetëmbajtja peng e oficerëve duhet kërkuar bashkë me përgjegjësinë parasëgjithash te institucionet e Kosovës, të cilat dështuan, sepse, falë këmbënguljes së udhëheqësve të tyre me vetëdije nuk përgatitën as luftën dhe as paqen “. Vlerësim i Xh.Shatrit se përgjegjësinë për vrasjen e Ahmet Krasniqit e mbajnë “institucionet e Kosovës”që sipas tij “dështuan”për shkak të “udhëheqësve të tyre” që me “vetëdije nuk e përgatitën as luftën dhe as paqen” është e vërtet po qe se e ka menduar Qeverinë e Kosovës-Qeverinë e Bukoshit. Opinioni ynë është i njoftuar se Xh.Shatri mbante njërin ndër postet më të rëndësishme, pas kryeministrit, në Qeverinë e Kosovës, pra për nëntë vite e mbajti postin e Ministrit të Informatave në Qeverinë e Bukoshit. Po ashtu dihet se Qeveria e Kosovës është dalur në ekzil për shumë arsye por njëri ndër më kryesorët ishte se do të ketë mundësinë të punonte pa pengesë të mëdha në përgatitjen e qytetarëve lojal të Republikës së Kosovës për çlirimin e Kosovës “kur të na vie shteku”. Shtrohet pyetja ku është përgjegjësia e Xh. Shatrit që bënte pjesë në “subjektin e Kosovës”që kishte për detyrë ta “përgatiste luftën dhe paqen”. Sa jam i njoftuar Xh.Shatri jo vetëm që ka qenë në dijuni por edhe ka ndihmuar në organizimin e takimit të Osllos në mes Ahmet Krasniqit dhe Agim Mehmetit, që përfaqësonin Ministrinë e Mbrojtjes, dhe Adem Demaçit, Xhavit Halitit, Shaban Mujës dhe Fatmit Zymberit që e përfaqësonin UÇK-së, prandaj bie poshtë kritika e tij kur i akuzon “oficerët më të mirë të Kosovës” që “mbaheshin ose vetëmbaheshin peng”në Shqipëri, kur ai shumë mirë ka qenë i njoftuar me arritjen e Marrëveshjes së Osllos, dhe se në bazë të asaj marrëveshjeje ushtarakët tanë kanë shkuar në Shqipëri, për të përgatitur njësitë operative të UÇK-së, dhe në formacionet ushtarake për të hyrë në Kosovë. Xh. Shatri mirë e din se kush e shkeli marrëveshjen e Osllos, prandaj nuk është e logjikshme dhe e moralshme nga ana e tij kur shtron këto pyetje: ” A janë penguar këta njerëz? (mendon në ushtarakë që i përkisnin Ministrisë së Mbrojtjes që kishin shkuar në Shqipëri) Kush i ka penguar? Pse u janë dhënë njerëzve me miliona DM. nga fondi i luftës vetëm pse thirreshin në emër të UÇK-së?, kur ai më së miri din të përgjigjet në ato pyetje, pasi mbante resorin e Ministrisë së Informimit në Qeverinë e Kosovës, dhe në bazë të pozitës që kishte, e pat formuar sigurimin e tij të fshehtë në gjithë Evropën Perëndimor, ku njoftohet me imtësi për çdo gjë që ndodhte në diasporën shqiptare por edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Prandaj askush më mirë se ai nuk dinë të përgjigjet në pyetjet që vet i shtron. Kurse sa i përket çështjes së dhënies së parave “njerëzve me miliona DM nga fondi i luftës, vetëm se thirreshin në emër të UÇK-së”, këtë pyetje lë t’ia bëjë Demaçit, sepse ai ia prezantoi Ahmet Krasniqit për anëtarë të SHP të UÇK-së, Xh. Halitin në takimin e Osllos, prandaj paratë që i ka marrë Xh. Haliti nga Ministria e Mbrojtjes në emër të UÇK-së i janë dhënë në saje të besimit që kishte Ministria e Mbrojtjes ndaj Demaçit, e jo ndaj Xh. Halitit. Por do të ishte mirë që Xh. Shatri të na përgjigjet pse Qeveria e Bukoshit ku bënte pjesë edhe vetë, gjatë vitit 1996, dhe më vonë i jepte tëholla Xh.Halitit në emër të UÇK-së, në vend se ato të holla t’ua jepte njësive guerile të Republikës së Kosovës, (komandantëve të tyre : Adem Jasharit, Zahir Pajazitir, Salih Çekut etj)? Po qe se Xh.Shatri mendon se me dhënien e dorëheqjes nga posti i Ministrit të Informatave që e mbante në Qeverinë e Bukoshit, në kohën më të vështirë kur kallej flakë Kosova, nga barbarët serb, i ka shly fajet që i takojnë për “mosorganizimin e luftës dhe të paqes” gabohet rënd. Ai përkundrazi i ka rritur fajet sepse me dhënien e dorëheqjes Ministria e Informimit është mbyllur mu në kohën kur është dashur të punonte me kapacitete të shumëfishuaraDorëheqja nuk mund ta pastroj nga bashkëfajësia që ka me B. Bukoshin për tjetërsimin e Qeverisë së Kosovës nga çështjet madhore kombëtare. Me Bukoshin do t’i ndajnë “meritat”, “sukseset” dhe mossukseset që i pati Qeveria e Kosovës –Qeveria e Bukoshit, kurse historia jonë kombëtare një ditë do të japi vlerësimin e paanshëm dhe të drejtë për Qeverinë Bukoshi.

2 thoughts on “A ISHTE ADEM DEMAÇI PRO APO KUNDËR VRASJES SË KOLONEL AHMET KRASNIQIT”

  1. Zotëri Hasanpapa, edhe pse është e vërtet e hidhur, ajo që thoni për parinë e shqiptarëve,duhet të pranohet , me shpresë se një kohë më të përshtatshme do të lindin forca të shëndosha për t’ua dhëne”,,dajakun”e merituar kësaj fares së huaj,-argatve të çakajvetë Ballkanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *