POLITIKA KOMBËTARE

PLAVA E HARRUAR QË NGA KOHA E PREKË CALIT DHE ERNEST KOLIQIT

Shkruan: Gani MEHMETAJ – nga ekspedita arkeologjike në Plavë, Guci e Vuthaj (2)

Plavën nuk arritën ta eksploronim. Pos bukurës përrallore, s’kishte gjurmë te këngëve të Gjergj Fishtës, as shenja të Prekë Calit. Shkollat shqipe të Ernest Koliqit ishin shuar. Një shitës pak para mesnatës kur u furnizuam në pompën e benzinës na e ktheu përshëndetjen serbisht, megjithëse ia pamë në mantel emrin Besim me një mbiemër shqiptar të sllavizuar. Plava kishte pak banorë, të rinjtë ishin edhe më të pakët, ikja nga vendlindja ishte sëmundje e vjetër e Plavës, por edhe e kësaj krahine në përgjithësi. Katundet shqiptare po shuheshin. Malazezët gjithnjë kishin qenë të pakët në këtë trevë shqiptare.

Ndërkaq, katundi piktoresk Vuthaj ishte një ambient krejtësisht i veçantë: i veçantë me peizazhin përrallor, i veçantë me njerëzit, ku shquheshin malësorët me mikëpritjen e përzemërsinë tradicionale. Një buzëmbrëmje ishim mysafirë të Beqir Ulajt, u ulëm në restorantin përballë Gërles, në katundin me shtëpi të mira, por të zbrazëta. I kanë ndërtuar kurbetçarët nga Amerika, që vijnë dhe e gjallërojnë katundin, kur bënë ngrohtë, na thanë që në fillim të herës. Ka edhe “kurbetçarë” nga Dardania, që nuk e harrojnë vendlindjen.
Beqir Ulaj, i cili një jetë të tërë e kaloi në Amerikë, kishte qene edhe aktor në një film të Zh. Zhilnikut. Ishte kthyer në pushime. Ai na tha se të rinjtë po ikin, sepse nuk shohin të ardhme në këtë vend të izoluar. Edhe ai dikur shkoi në Nju-Jork e mbeti sikur qindra banorë të katundit.

Kurbetçarët e gjallërojnë Gucinë, bizneset marrin hov si kurrë më parë. Bukëpjekësi nga Hasi Agim Cakaj, me të cilin na lidhi nga Prishtina Isa Rugova, na rrëfente për jetën në këtë qytezë gjatë verës, kur ta ka ëndja të jetosh dhe gjatë vjeshtës e dimrit kur puna bie. Bukëpjekësi i zellshëm nuk pushonte ditën e natën, por e ndërpriste punën që të na dilte në ndihmë.

Duke e shijuar rakinw e mëngjesit, rastësisht takuam kushëririn e kompozitorit të famshëm Rexho Mulliqit, një djalosh gazmor, por sikur e pengonte pse nuk e quajmë Rexho Mulliq, por e shqiptarizojmë. Me te flisnim sllavisht, sepse shqip nuk dinte.

Rrasa e gurit me vizatime parahistorike

Kjo krahinë ishte e pasur jo vetëm me visore përrallore, por edhe me objekte prehistorike e antike ilire. Arsyeja tjetër pse kishim ardhur nga Prishtina ishte gravura në Kodrën e Gërbajës, vendi disa qindra metra mbi moçal. Udhërrëfyesi Nihad, djaloshi mbi të njëzetat jepte informacione të çmueshme. Edhe këto vizatime të skalitura në rrasë guri ishin të periudhës ilire të broncit të vonë, ose të hekurit të hershëm.

Dukagjin Mehmetaj, kandidat për mastër të arkeologjisë, është anëtari më i ri me moshë i ekspeditës, por nuk është i ri më përvojë. Ai mori pjesë në shumë hulumtime arkeologjike, e ka shkelur çdo katund e qytet të Kosovës. Gjithnjë e jep mendimin e vet për objektet e gjetura, ka aftësi të kap damarin, fillin e kuptimit të objekteve arkeologjike. Krahas hulumtimit, Dukagjini e bënë dokumentacionin, vizatimin e fotografimin e gjetjeve, që do të mbetën edhe për brezat e ardhshëm.

Vend gjetja ishte në një rrasë tw madhe guri pasi t’i kalonim dy kurora malore që e ndanin Shqipërinë me Malin e Zi. Në kërkim të rrasës së gravuar për të cilin kishim informacione, na futi në një aventurë të re, të pa përjetuar më parë. Nëpër bjeshkë të rrëpijta pasi kaluam me xhip të fortë disa kodra me lisa ahu e pishë, ku kishte banorë që jetonin në tëbane verore me dhënë e me lopë, iu ngjitëm bjeshkëve si nëpër filma. Rruga ishte thikë përpjetë, shoferi që e quanin Sajo (Safet) ishte i shkathët, i sjellshëm dhe i papërtueshëm për aventura. Ndërkaq, udhërrëfyesi yni, djaloshi Nihad, që i njihte mirë këto vise, studionte në Pejë, por përpiqej t’ia mbathe në Amerikë. Nuk shihte asnjë të ardhme në katundin e vet, as në bjeshkën ku jetonte familja e tij gjatë verës me lopë e me dele.

Derisa ecnim nën erën fishkëllyese të bjeshkës në lartësinë mbi 1600 metra, në mëngjesin e freskët të shtatorit, para na doli tempulli magjiko – mistik ilir, rrasa e gurit me vizatime parahistorike. Shihnim dhe përsiasnin. Të ketë qenë ndonjë vend pelegrinazhi i kultit të diellit kjo rrasë guri? Të ketë qenë tempull i kultit të plleshmërisë të popullatës ilire, ndërsa artisti anonim ka paraqitur jetën idil të burrit e të gruas, të fëmijëve e të familjes, të shenjave të caktuara, të kaheve të horizontit e të peizazheve apo skenë mortore vajtimi pas një tragjedie që ka goditur banorët e kësaj ane?
Hamendjet e arkeologut nisnin që në analizën e parë të gravurave në rrasën e gurit, shigjetave që i prinin kësaj rrase e të një guri tjetër me dimensione më të vogla, disa qindra metra më poshtë, që po ashtu mbase mund të ishin vazhdim i rrasave të vizatuara. Arkeologët matën e fotografuan vizatimet, fiksuan tipin e vizatimit e dimensionet e figurave. Shoferi e udhërrëfyesi na ndiqnin me vëmendje, jepnin mendimet e tyre dhe na tregonin për rajonin. Pak më tutje ishin një grumbull varresh të antikës së vonë a të mesjetës së hershme, sipas hamendjes së arkeologut Mehmetaj. Këto varre duhej studiuar e hulumtuar më vëmendje, ndërsa koha e shkurtër nuk na lejonte.

Ndërkohë dy boshnjakët dashamirës ndaj nesh na rrëfyen për shumë gjëra. E kishin mbajtur disa vjet një familje shqiptare nga Logja e Pejës me dele në bjeshkët e tyre. Njihnin familje shqiptare vendëse, por shqip nuk dinë, na than në fillim të njohjes, kur i përshëndetem shqip. Në fund të ekspeditës na treguan se ishin nga fisi i Kuçit. Çuditërisht dikush u kishte thënë se fisi i Kuçit ishin ortodoksë sllavë. Desha t’ua citoja librin e Mark Milanit: “Fisi i Kuçit, jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, por e ndala vetën, sepse nuk me dhanë shenja interesimi kur u thash se fisi i Kuçit ishin shqiptarë katolik. Katolikë janë edhe tash pjesa më e madhe e tyre, por në Mal të Zi e Kroaci flasin sllavisht, në Kosovë flasin shqip, por janë islamizuar. Nuk e kishin ditur. Nuk ua hapa temën që e trajton edhe malazezi Milovan Gjillasi për supozimin që edhe Josip Broz Tito ishte nga fisi i Kuçit, por u tregova se pjesë të këtij fisi kishte në Kosovë, ish- zëvendës kryeministrin nga fisi i Kuçit e kishim. Na shihnin por nuk kthenin përgjigje. Nuk u thash se Mark Milani kishte bërë luftëra të përgjakshme kundër shqiptarëve, pra edhe kundër fisit Kuçi, megjithëse gjysmë shqiptar ishte edhe M. Milani.

Arkeologu H. Mehmetaj ua zgjoi kureshtjen kur ua shpjegoi se fisi Kuçi e ka emrin pikërisht nga fytyra e shëndetshme dhe të kuqe që e kishin malësorët e këtij fisi, ashtu si i kishin faqet edhe këta dy malësorë.

Pastaj e hapem bisedën për filmin. Shtrova pyetje habitore edhe për vete: pse kineastët e shtetit të tyre apo ata të Ballkanit nuk i shfrytëzonin këto visore për filma. Vjeshta ka ngjyrimet e mrekullueshme, këtu bëhen edhe më farfuritëse. Prapë me doli se arsye e mosshfrytëzimit të terreneve për xhirim ishte përbërja etnike e banorëve.

Dy boshnjakët fisnik, fisnikërinë shihej se e kishin trashëguara nga fisi i Kuçit, na përshëndetën përzemërsisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *