HISTORIA

FËMIJËT E KAMPIT TË INTERNIMIT NË TEPELENË

SHKRUAN: SIMON MIRAKAJ

Mbas prishjeve të mardhënieve me Jugosllavinë ne vitin 1949 të internuarit që gjëndeshin në Berat i nisën për në kampin e internimit në Tepelenë. Në këtë kamp mbërritën edhe të internuarit që gjendeshin në kampin e Krujës, tek tri rrugët e Shijakut, Cerrik, etj.

Unë sapo kisha mbushur 5 vjeç. Fillimisht na vendosën në fshatin Turan që gjendej në shpat mali, na strehuan në stanet e bagëtive. Ato pak plaçka që kishim I shtruam në tokë. Gjëndja këtu çdo ditë bëhej më e rëndë , filluan epidemitë si zgjebja, tifo, dizanteria. Nga mungesa e higjienës dhe e ushqimit, vdekja rrëmbeu shumë jetë, sidomos fëmijë, njëqind fëmijë vdiqën në këtë kamp, 33 fëmijë vdiqën brënda 24 orëve. Vdekja e fëmijve në një periudhë kohe kaq të shkurtër alarmoi qeverinë e cila vendosi transferimin në kampin e Tepelenës .

Ky kamp internimi ishte i rrethuar me tela me gjëmba e gjëndej buzë lumit të Bënçës i cili dimërit ishte mjaft i rrëmbyshëm. Kampi ishte i ndërtuar nga Italianët, gjatë luftës me Greqinë. Kampi kishte pesë kazerma të gjata afërisht 50m, tre ishin me të internuar, një kazermë kishte 600 – 700 te internuar. Brënda, kazermat kishin shtretër marinarësh pa ndarje ku flinin familjarët. Ishte dhe një kazermë që kishte vetëm muret anësore, ishte goditur me predha gjatë luftës, por të internuarve të këtij kampi çfarosës ju shërbeu si lavanteri ku gratë zienin rrobat apo lanin fëmijët. Ndërsa kazerma tjetër shërbente si depo. Në situata të tilla ku nëpër kazerma kishte mbipopullim, higjiena ishte zero, morri bënte kërdinë si te fëmijët e te të rriturit, prandaj nënat na lanin verë e dimër në atë kazermë të zbuluar. Dimri në Tepelenë ishte shumë i ftohtë, kur na merrnin nënat për dore në dimër për të na dërguar atje për të na larë shkonim duke qarë. Brënda kampit gjëndej komanda e policisë, furra e bukës, infermeria, anash komandës ishte një vend i ngritur ku vendoseshin kazanët e gjellës që jepej dy herë në ditë, në drekë e në darkë. Komanda e policisë përbëhej nga komandanti toger Hakiu, aspirant Syrjaj, marshall Tomi dhe kapterri famëkeq Selfo, një katil i lindur që bënte apelin dhe në 12 të natës, kur njerzit dhe mund ti kishte zënë gjumi, them mund mbasi natën i shikoje nënat apo motrat, vëllezërit më të rritur që me një copë pishë në dorë digjnin foletë e çimkave që kishin pushtuar shtretërit e kërkonin të na pinin dhe atë pikë gjak që na kishte mbetur.

Kapter Selfo ulërinte sa hynte në kazermë për të bërë apelin, pastaj fillonte po me ulurima duke zbuluar jorganet për ti kontrolluar familjarët, kishte raste që i zbriste të gjithë njerzit nga krevatet e nëse ndonjë grua nuk e kishte marrë fëmijën në krahë e detyronte të shkonte ta zgjonte fëmijën e ta merrte në krahë për ta paraqitur para kapter Selfos. Natën vonë dëgjoheshin dhe zëra të fëmijve të uritur që ju kërkonin nënave bukë e nënat motrat më të mëdha me lot në sy kërkonin ti qetësonin me ndonjë përrallë që ti hutonin e ti zinte gjumi.

Kampi përbëhej nga gra, fëmijë e pleq, sepse burrat ishin disa në mal që luftonin kundra instalimit të diktaturës komuniste, e disa ishin vrarë në përpjekje, disa ishin në burg, disa ishin arratisur. Nuk lejohej të dilje jashtë telave me përjashtim të atyre që shkonin në punë e fëmijve që shkonin në shkollë. Trajtimi ishte çnjerzor. Bukë 500 gram në ditë si baltë e papjekur, ndërsa gjella ndahej në drekë e në darkë. Gjella ishte lëng makaronash, në kazanin me ujë lundronte ndonjë fije makarone apo ndonjëherë ndonjë kokërr groshe, gatuanin dhe bollgur që ishte gjithë krimba dhe ata notonin të qetë në kazan e pastaj përfundonin në barkun e të uriturve, njerzit e hanin bollgurin duke mbyllur sytë. Në darkë zakonisht njerzit nëpër kazermë rreshtoheshin për të zënë rradhën për tek soba për të pjekur lendet që të shuanin sado pak urine e për të tharë rrobet nga shiu që i kishte zënë në punë në mal. Uria kishte pushtuar gjithe kampin, dy fëmijë që ishin më guximtarë kaluan fshehurazi telat e filluan të hanë manaferra, mbasi hëngrën mirë u kthyen për tu futur në kamp, ndërkohë i pa kapterri, i ndaloi të dy, i mori duke i rrahur me shpulla dhe i lidhi për një shtylle që ishte afër çezmës. Të dy fëmijet e lidhur për shtylle ishin Zef Mirakaj e Liman Koleci te moshës 9 vjec. Kur i zuri nata të lidhur, filluan të qanin nga frika, ndërsa nënat e tyre, motrat e të afërmit, rrinin brenda telave të kampit duke ju dhënë kurajo:

-Mos keni frikë se ja ku jemi… Të dy fëmijët i liruan në mëngjes, të dyve ju kishte rënë të fikët kur i moren familjarët. Vdekjet e fëmijëve dhe pleqve vazhduan si shkak i mungesës së higjienës e ushqimit, çdo dite dëgjoje nënat që vajtonin fëmijët. Vdiqën afërsisht 300 fëmijë e 400 pleq. Aty vdiq edhe gjyshja jonë, nënë Dedja. Varret u lëvizën tre herë, herën e tretë i vendosën buzë lumit të Bënçes, i cili dimrit fryhej e përpiu në shtratin e vet dhe eshtrat e tyre, sot janë pa varre. Çdo ditë hapej porta e kampit se vinin kamione me të internuar nga rrethe të ndryshme të vendit. Brenda pak diteve erdhën 300 familje vetëm nga Mirdita. Ditëve të pranverës që kishte rënë i ftohtit, fëmijët i shikoje që luanin me zara tek guzhina e prishur, të tjerët që ishin pak më të rritur gjuanin me llastiqe nëpër stallat e kuajve apo derrave. Njerzit ishin shumë solidarë me njeri tjetrin. Ishin të gatshëm për të ndihmuar njeri tjetrin në ato kushte të tmerrshme, fisnikeria e tyre dallohej. Të moshuarit në ditët me diell dilnin në oborre e bisedonin njeri me tjetrin duke treguar histori të ndryshme, ndërsa një lumjan i ulur mbi një gur ja mori këngës me një zë të ëmbël:

– Kur i hipa vaporit… ndoshta ka qënë dëshira për të hipur në vapor e për të gjetur lirinë. Fëmijët u lejuan të shkojnë në shkollë , ishte lajm i gëzushëm , do shkonim në shkollë, do dilnim dhe nga telat për pak kohë. Shtatori po afronte dhe ne po bëheshim gati për ditën e parë të shkollës. Problem më i madh ishte se çfarë do vishnim, çfarë do mbathnim, se librat na i dhanë falas. Leka me Franin që ishin më të mëdhenj se ne, na sajuan mua e vëllait një palë sandale me rrypat e frenave të kuajve që i gjetën tek stalla, ndërsa pantallonat ishin mirë, ishin pak të grisur tek gjunjët , kishim edhe një jelek që sapo e kishte punuar motra Lajdja. Leka e Frani ishin vëllezërit e Pal Mëlyshit, pas vrasjes së Palit ata u liruan. Kur shkuam në shkollë para se të hynim në klasë te oborri ishte një fotograf i cili na bëri nga një foto, kur e futi kokën në aparat unë u tremba.

– Pritni pak : tha fotografi e merrni fotot. Fotografinë e asaj dite e kemi si kujtim të vetëm të atij kampi. Dita e parë e shkollës për mua nuk shkoi mirë se kur po dilnim për tu kthyer në kamp mësuesi më ndaloi duke më thënë :

E do babain?… Ku e ke babain? Unë i thoja se e dua babain, megjithëse nuk e kisha parë e as më kishte parë kurrë, e mësuesi më godiste me tehun e vizores, më mbajti afër një orë mbas mësimit, vëllai me motrën rrinin mbrapa derës, kur më la të lirë mësuesi, unë eca pak e pastaj më morën në krahë herë motra e herë vëllai se më kishte rënë të fikët. Librat na i dhanë falas, për të shkuar në shkollë e kishim të vështirë se rruga ishte pak malore e nuk na mbanin gjunjët, ishim të dobët nga mungesa e ushqimit. E kishim të vështirë për të mësuar për të bërë detyrat, abetaren për ta mësuar e vendosnim në gjunjët e hollë që sa mezi e mbanin, ndërsa detyrat i bënim barkas, bojën e shkrimit e bënim me lule kuqe që i mblidhnim në oborrin e kampit ose e bënim me mullaga. Unë nga ndonjëherë përdorja djepin tim si tavolinë për të bërë detyrat, kjo nuk vazhdoi shumë. Një malsoreje i vdes fëmija i vogël, nuk kishte dërrasë për të bërë arkivolin , nëna ime i dha djepin tim dhe sajuan një arkivol.

Ata që mbaruan klasën e shtatë i detyruan të shkojnë në punë. Puna ishte shumë e rëndë për ata trupa të njomë e të pa ushqyer. Prisnin dru e i ngarkonin në kurriz për degën e brëndëshme dhe për komandën e policisë të kampit. Nuk ishin të pakta rastet kur mbushnin thasë me plehun e staneve e i sillnin në kamp për bahçen e policisë. Shpina e tyre e njomë bëhej gjak edhe nga drizat e trasha që i ngarkonin në shpinë për ti sjellë për kuzhinën e kampit. Drutë, plehu, drizat i bënin në mal që ishte një orë a më shumë larg nga kampi. Me gjithë këtë lodhje, megjithë këtë mundim, ato mendjen e kishin tek vëllezrit e motrat më të vegjël që i kishin lënë në kamp të uritur. Mbasi kishin bërë barrën e druve turreshin nëpër ferra për të mbledhur manaferra apo gorrica. Kur niseshin në Turan për të prerë dru, merrnin me vete nga një gavetë për ta mbushur me hirrë. Puntorët e baxhos ja jepnin fshehurazi. Ne e dinim orarin kur ktheheshin nga puna,  ju dilnim përpara se e dinim që diçka na kanë sjellë.

Një ditë, ato, të lodhura nga puna e rëndë dhe në pamundësi për ta përballuar jetën, flasin me njera tjetrën, që kur të ndodhen tek ura e Leklit të kapen dorë për dore e të hidhen në lumë për ti dhënë fund vuajtjeve. Për fat, këtë bisedë e dëgjon njëra që ishte më e madhe dhe ju thotë:

– Mirë ju po shpëtoni, por a e dini se sa dhimbje i shkaktoni nënave, motrave dhe vëllezërve?
Ato shikojnë njera tjetrën, ndërrojnë mendje dhe vazhdojnë rrugën.

E GJITHE KJO TRAGJEDI MBI NJEREZ KREJTESISHT TE PA FAJSHEM, NDODHI NE KOHE PAQE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *