HISTORIA

PËRSE ENVER HOXHA I FLAKU ESHTRAT E SKENDERBEUT?!

SHKRUAR NGA KASTRIOT BIMO

Vizita e Papës para pak kohësh në Shqipëri (e dyta pas vizitës më 1993 të Papës së famshëm Karol Wojtyla), por dhe vdekja e para disa ditëve të ish-ministrit të kulturës, jetëgjatë në atë post, Thoma Deliana, më detyruan të rikujtoj një fakt, të cilin shqiptarët e “harrojnë”, siç bëjnë rëndom për probleme thelbësore e për pasojë përsërisin gabime, të cilat vetë “fati” dhe historia i lë në udhëkryq. Këtu nuk mund ta kam kurrsesi fjalën për popullsinë tonë me religion “islam” që falë disa mbetjeve të virtyteve të traditës, e priti Papën në ato mënyra, që do ta kish zili një popull i prapambetur i Amerikës Latine në shekullin e XIX, e që vetë Papa “dyshoi” për ne se mos jemi më katolikë se ai. Por ne e qetësojmë atë, duke treguar se kjo nuk është e para pritje e jona, sado mbresëlënëse të ish ajo.

Unë nuk e kam fjalën as tek autoriteti i tij i padiskutueshëm, pasi Papa Wojtyla qysh në fillimet e tij, në vitin 1980, gjatë disa pushimeve në rajonin jugor të Pulias, pas kushedi kujt kërkese misterioze, apo e panifikuar kjo, mallkoi nga brigjet e përtejdetit, ndoshta jo vendin tonë, por regjimin e dikurshëm. Për këtë fenomen të ndodhur, vetë Enver Hoxha u detyrua të flasë jo me tonët e pasluftës, por më i zbutur psikologjikisht, jo si dikur në trajtimin e çdo elementi të tillë shqetësues, me thirrjet “në litar armiqtë”, por duke u përpjekur të sjellë “argumenta”, se “është e padrejtë që ai (Papa) të mallkojë vendin tonë nga brigjet e Pulias dhe se ne nuk jemi i vetmi shëmbull ateizmi, por në botë ka mjaft të tillë”.Kjo mënyrë e të “argumentuari” nuk vjen fare erë dipomaci, siç ndodh rëndom në ndryshimin e qëndrimeve, por në të vërtetën e ngritjes së nivelit kuturor të pjesës më të spikatur intelektuale të këtij populli, ku ishte më se e qartë, se autoriteti qëndror fetar katolik ishte bërë edhe pjesë e rëndësishme politike botërore. Kjo shkonte paralel me atë ndërgjegjësim të munguar të kësaj pjese dhe përgjithësisht të mbarë këtij populli, se autoriteti kishtar katolik tek ne ka qënë në të gjitha kohët për atdheun referencë e qytetërimeve dhe themelues i elementëve më domethënës të kulturës kombëtare. Megjithëse pjesa më e vogël e religioneve, ajo si më cilësorja, u ka paraprirë momenteve më delikate duke bërë sakrifica jo të vogla, qysh nga shkrimi i elmentëve religiozë në gjuhë tonë me alfabetin latin, datuar qysh nga 1210, dokument që së fundmi u bë i mundur falë arkivës së Vatikanit dhe që duhet të zërë vendin e duhur në histori. Ky veprim nga më të guximëshmit, nuk ishte as më shumë e as më pak larg nga ato kërkesa luteriane të gjermanikëve (të përkthenin Biblën dhe liturgjinë ta kryenin në gjermanisht) përballë Papatit, që themeluan protestantizmin, çarjen më të madhe të historisë religioze. Tek ne ai solli një frymë të re, që do tu paraprinte shekujve deri në vitin e afërt relativisht 1908, ku mendimi i pjesës më të vogël, asaj katolike e alfabeti latin i propozuar nga ajo, dominoi dhe korifej të tillë si Gjergj Fishta u afirmuan si pasardhës të njerëzve të tjerë të mëdhenj, si Shkodrani, Buzuku, etj. e ku së bashku u bënë themelues të shkrimit të gjuhës më të vjetër të planetit. Kjo nuk është pak për një popull, sa ç’është aq shumë pranimi i kësaj rruge nga ai, si një nga zgjedhjet e pakta më brilante që ka bërë në kohëra e që historia e vërtetoi si të tillë.

U zgjata, jo pa qëllim në këtë gjë, për të thënë e stërthënë se harmonia fetare në Shqipëri, nuk mund të jetë asnjëherë atribut i një njeriu fizik, kushdo qoftë ky, dhe aq më keq që këtë element madhor ,bashkjetese mes “llojit” të shpirtit të shqiptarit, t’ja delegojnë Enver Hoxhës, kohës dhe regjimit të tij. Duke u përpjekur ta “zyrtarizojmë” atë, siç ndodh rëndom për përpjekjen e reabilitimit të figurave të tyre, veprimin si “të mira të sistemit”, reabilitojmë si “padashur” edhe sistemin vetë, kur praktika botërore e nxorri atë, që nga prova e parë e totalitarizmit, Komuna e Parisit, e deri tek viti 1990 e kur vetë atdheu i bolshevikëve e sovjetëve u detyrua ta flakte në koshin e plehrave të historisë, si eksperimentin më ogurzi, me pasoja të pallogaritëshme jetësh, shkatërrim të skajshëm ekonomik, social dhe religioz. Megjithëse diktaturat e majta janë më të hershme, nga historia botërore kemi mësuar se të gjithë diktaturat kanë pika të përbashkëta, që nga ajo e shkrirjes dhe kalimit të pushteteve (element politik), si dhe minimizimin ose të munden zhdukjen e predikimit fetar, si element minues për politikat e mbrapshta që ndjekin, pasi fjala e Zotit, megjithëse trashdentale, nuk mund të futet asnjëherë në diskutim. Ajo, qoftë edhe në mënyrë filozofike, predikon ato që dhe niveli i diskutueshëm i një populli, është në gjendje ti marrë si mësime e praktikë, pasi e gjen veten aty, gjë që diktaturat i le pa gjumë. Referuar fesë pagane, mitologjisë greke etj, dimë se mund të kishte të emërtuar shumë perëndi, por organizimi ishte sajuar i tillë që Zoti, kreu i tyre Zeusi, tw ishte vendosur në Olimp. Vend për dy Zota nuk mund të kishte, kështu që asnjërit nuk duhet ti shkojë mendja se zhdukja e klerikëve të ditur është një vepër hakmarrëse e inercie e pasuftës, siç justifikohen rëndom, por një vepër e studiuar më së miri, gjë për të cilën Enver Hoxha ishte expert i pagabueshëm.

Por historia botërore ka standarte dhe operon me të tjera mekanizma, si faktet dhe gjithçka tjetër në shërbim të zbulimit të së vërtetës, dhe jo zhdukjen, përbaltjen apo qoftë dhe pluhrosjen e saj me harresë. Unë nuk do të doja të merrja përsipër asnjë vlerësim, gjë fare e zakontë kjo, pasi Enver Hoxha e ka të pubikuar veprimtarinë e tij dhe ajo ndodhet tashmë e zhveshur ndaj mendimit dhe gjykimit historik botëror, por dhe gjeneratave të shqiptarëve. Këtu nevojitet të “përjashtojmë” ata që i thurin verbërisht lavde veprës së tij, për arsyen e vetme, se ai ka meritën e madhe që ata dhe shumicën e shqiptarëve i solli në arritje të tilla, sa që gjithë ditën të prashisnin grurë dhe në darkë të hanin bukën e misër. Një pjesë e jona “arsyeton” se diktatura ishte më se e domosdoshme për një popull mesjetar si ky i yni, duke sjellë si shëmbull i dikurshëm fenomene vërtet primitive, si gjakmarrja, por edhe paaftësinë e shqiptarëve për tu vëtqeverisur, shëmbull i gjallë i anarkisë së krijuar enkas (ujku dhe mjegulla) këtë çerek shekullin e fundit. As nuk do ti referohesha të tjerë zërave që janë edhe kundër vetë demokracisë, barazisë që ajo shfaq dukshëm nga sistemet e tjerë, të cilën e konsiderojnë si armikun e shtresëzimit, fenomen aq i domosdoshëm i progresit, të cilët rëndom e ilustrojnë më fjalët e Xhorxh Bernad-Shout “Turpi i demokracisë është se ajo na detyron të marrim dhe mendimin e budallenjëve!”, pasi mardhëniet me vendin tim janë të një lloji tjetër.

Por unë nuk do të zgjatesha tek ata, sa do “shumë” që të jenë, as tek ata që e dënojnë pjesërisht si “lloji i regjimit që u zgjodh”, pasi është përgjegjësi historike e tyre. Pa u ndalur as tek kampet e përqëndrimit që ngriti, as tek mendimi gjysmak i të nënshtruarëve për të (një miku im piktor e kish “inat” vetëm se ai shante Pikason), objekt i së cilës nuk studimi ynë, nuk mund të rri pa përmëndur disa fakte dhe lidhje që ai ka me historinë tonë kombëtare,”gjurmët” që ka lënë në të, e cila duhet thënë, se duke qënë “pasuri” e të gjithëve, është po aq e ekspozuar, sa të gjithë provojnë ta shpërdorojnë. Nuk e kam fjalën këtu për shkrimin, rishkrimin, retushimin, rrëmbimin, shkatërrimin e historisë, e gjithfarë eksperimentesh që shqiptarën nuk pushuan kurrë së bëri, si i droguari në trupin e vet, por në të vërtetat që ajo bart e që ndërgjegja kombëtare, po i harroi, tregon se fundin e ka pranë.

Historinë e një kombi e ka shkruar e kaluara e tij, e jeton e sotmja, e cila projekton dhe të ardhmen. Përderisa është konsideruar si “Mësuesja e jetës” nga Herodoti, përse duhet që ne me dëshirë të shfaqemi përherë si nxënësit më të dobët të saj dhe ta nxijmë atë me dëshirë?! Ka shumë që ja adresojnë dyfytërisë së diktaturës këtë mësim, që si ves nuk po e harron ky popull, dhe kam përshtypjen se ata janë më afër se kurrë të vërtetës. Pa ndaluar tek të vërtetat e dala këto kohët e fundit, që e tjetërsojnë realitetin e atëhershëm në sytë tanë sot, por dhe për përpjekjet e atyre misionarëve që bëjnë çmos për ti mënjanuar këto të vërteta me lloj-lloj sofizmash, më shqetëson gjithmonë raporti i figurave të mëdha historike, në raport me të vetmin vlerësim: Atdheun!

Shumë pak ose pa e tepëruar them “aspak” njerëz e njihnin Nënë Terezën para fundit të viteve ’80, kur ajo u shfaq në Shqipëri si shqiptare dhe kërkoi të vizitonte varrin e të ëmës e famijarëve që i kish këtu, kur fare të paqartë vendasit iu sulën zbulimit, që u erdhi në derë papritur. Ata më të “diturit” që mund ta kishin parë në ekrane, ose mund të dinin gjë për të, filluan komentin keqdashës, pasi kjo figurë operonte në emër të fesë, dhe si e tillë nuk duhet të mos ish “mëkatare”, mjaft të themi se edhe për atdheun e saj u kujtua pas kaq vjetësh, duke nxjerrë një arsenal të tërë “njohurish” pa fund, për aktivitetin e saj, që nga përdorimi i të ardhurave të përgjakura të diktatorëve më famëkëqinj anë e mbanë planetit, ku ajo shkonte me misionin e saj. Sipas tyre, natyrisht ata po i jepnin këto si ndihma paradoksale për njerëzimin, që e kishin masakruar vetë, në këmbim të një pranimi, si tw thuash, të “pendimit” të tyre, pranë një figure të tillë, dukuri që këto lloj “burimesh” e rithanë edhe tek propozimet e përsëritura tw Vatikanit, deri sa u arrit shënjtërimi i saj. Shenjtorja shqiptare, kur kish kaq pengesa e vështirësi pranimi në atdheun e saj të “panjohur”, po në mbarë botën, ç’duhet thënë atëherë?! Megjithatë ajo mori vlerësimin që i takonte nga mbarë mendimi i thellë human botëror, pa na pyetur ne, duke u kthyer në ikonë, fama e së cilës na u shfaq papritur si vlerë kombëtare. Nobelistja e kish kërkuar vetë këtë gjë, për arsyen e thjeshtë dhe të vërtetë: Ajo ishte shqiptare: Fama le ti mbetej mbarë planetit! Megjithatë ne, qoftë edhe vetëm si gjaku i saj, shumë pak bëjmë për të vlerësuar, e jo më lartësuar emrin, veprën dhe shpirtin e madh të shenjtores nobeliste, duke marrë të mirqënë atë që thotë bota për të, por që tashmë është kthyher në pasaportë në duart tona përballë saj.

Shëmbulli i Nënë Terezës, që me të drejtë shqiptarët tashmë e mbajnë përkrah figurës mitike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, hero i përmasave të atilla, sa që shtetet europiane e quajnë pa drojë heroin e tyre, duke perifrazuar etiketimin e Papës ndaj tij “Kalorës i Krishtërimit” një lloj shenjtori ky, përbën një analogji të çuditëshme tek ne. Pothuaj në mënyrë shumë të ngjashme, si në rastin e figurës së Nënë Terezës, në periudhën e gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë zhvillimi modern për mbarë botën në të gjithë fushat, në Shqipëri thuajse nuk njihej ky term i vlerësimit religioz, ose në rastin më të mirë “justifikohej” duke e kthyer në lavd mardhëniet e ndryshme të heroit me pushtetin kishtar, që pasqyronin në fund të fundit, kohën dhe sfidat e saj. Të tjerë bëjnë dhe sot “zbulime” duke e përçmuar pa të drejtë heroin (natyrisht jo të “tyre”), deri në banalitete të parrokshme nga imagjinata, si ato ide foshnjore se heroi paska qënë aq e kaq i shkurtër (kjo tezë bart një gëzim plot diabolizëm, që kur hidhet), por ata, jam i bindur se pa përrllogaritur gjatësinë e shpatës (një njeri i shkurtër, nuk mund të mbajë në brez të tillë shpatë), them se janë në dijeni të faktit se Senati Venedikas, qytetarëve të tij të nderit, ju dhuronte, veshje dhe cohë luksi, për petka solemne, ndër të tjerë edhe princërve shqiptarë, ku bënte pjesë edhe Skënderbeu: “Vendim. Që kapitulli të jetë i qartë, e të flasim hapur, me gjithë këtë, të nisur në atë rrugë, që të jetë e pranuar për Të, do të urdhërojmë që t’i jepen: 18 kutë skarlatini, (kur çdo bojari e princi i jepte 16), sipas zakonit, për dy palë petka, për Shkëlqesinë (Madhërinë) e Tij, për sa vendoset në kapitull, Gjergj Kastriotit” (përllogaritja nxjerr se 8 kutë cohë (6.344m), jepeshin për një fisnik, gjatësia e të cilit ishte deri në 1.75 m, atëherë, 9 kutë cohë (7.137m), për një palë petka, rezulton për Gjergj Kastriot na japin gjatësinë prej 1.98 m). Këto banalitete bëjnë të qesh tërë trishtim një i huaj, ndërsa për vendasit e tij duket normale, që derdhin papërgjegjshërisht nga distanca këtë helm kobre, kështu që për të parët veprimet e këtyre të fundit, ngjajnë si fenomene të paspjegueshme jashtokësorësh.

Të tjerë i erdhën në “ndihmë” heroit duke kërkuar ta justifikonin për mosmarrveshjet, në mos “luftrat” e tij, ndoshta të amplifikuara, me Krishtërimin, duke sjellë, përkthyer e argumentuar thënien e atëhershme për Vlad Drakulën, princin e Transilvanisë, se po “bënte aq shumë masakra, sa që mund të krahasohej pa frikë me mizoritë e Skënderbeut, sidomos ndaj të Peshkopatës së Ohrit e të krishterëve të saj”. Konfliktualiteti me Peshkopatën e Ohrit, më e fuqishmja dhe e respektuara në shekujt e fundit të Mesjetës në Perandorinë Bizantine, që i kishte shërbyer në mënyrë të përkryer princërve arbër si mbështetje në luftën e tyre, konsiston në atë se dukej se po “rrëshqiste” në një negociatë, ndoshta për mbijetesë, ndoshta si shëmbull i Patriarkanës së Kostandinopojës, bashkupimi me turqit osmanë. Gazeta “Times” e Londrës, më 28 nëntor 1868 nënvizon këtë fakt të ndodhur tashmë: “Në krye përshtypja pat qënë e një alarmi universal (Rënia e Kostandinopojës 1453). Shtetet e tjera të Europës kishin frikë se po i priste po ky fat i Perandorisë Bizantine, dhe për shumë breza çështja e vetme ishte të gjendej mënyra e përballimit t’asaj fuqie armiqësore dhe agresive. Më së fundi, trimëria e popullsive të krishtera në kufitë i qetësoi ato druajtje dhe, në kohën e sotme çështja lindore mori një karakter aq normal dhe paradoksal, sa qeveritë e shekullit të XV-të nuk do ta kuptonin dot fare këtë fenomen. Pak e nga pak turqit, në vend që të kqyreshin me tmerr, u duruan, u pranuan dhe më së fundi u bënë simpatikë…” Por kjo nuk mund ti shkonte për shtat politikave të qëndresës së Skënderbeut, që jo pa mund i kishte arritur në një beslidhje të brendëshme të brishtë, për shkakun e njohur tashmë të egos ballkanase, ku duhet thënë se ndaj saj ai i përdori të gjitha mënyrat, por në veçanti kjo “lloj” kolone e pestë, mund të hidhte në erë të gjithë strategjinë, e cila befasoi dhe tronditi Europën. Në këtë pikë më naivët janë në pozitë shumë komode, pasi edhe në e kanë dëgjuar termin “Kalorës i Krishtërimit”, kanë dalë në konkluzionin infantil, se meqënëse bota e krishterë rrezikohej nga turqit osmanë dhe Skënderbeu i luftoi, se atë gjë dinte të bënte, ata duke përfituar nga heroi ynë, sepse ai dashur padashur bëri punën e tyre, mund ta kenë quajtur atë për këtë gjë, pra luftën që bëri.

Kërkesa e analizës historike na detyron të qëndrojmë dhe ta trajtojmë pak më gjatë këtë titull, emërtim, apo fare “shënjtërim” do të thoja, të cilin ja dhanë se e meritoi, apo se ishte i tillë pa e etiketuar fare Krishtërimi.

Por për të mbrritur tek e vërteta “Faktet kanë kuptim vetëm brenda kontekstit”, sqaron filozofi Wittgenstein, arsye kjo që na bën ta paraqesim domosdoshmërisht veprimin në kontekstin e ngjarjes dhe vetë ngjarjen në kontekstin historiko-kohor.

Shumë njerëz sot janë munduar e mundohen të shkruajnë për heroin tonë kombëtar, padyshim nga këndvështrime të tjera, por kam përshtypjen se shumë prej tyre “harrojnë” dhe anashkalojnë dy gjëra kryesore.

E para se ai e luftoi Perandorinë më të fuqishme të planetit, që e bëri Europën të gjente rrugë detare, siç e konstatuam, nga pozitat e Krishtërimit, pasi nqs. do të ndodhte lufta brenda llojit, ai do të kish përfunduar ndonjë “Vezir i Madh” (Kryeministër), siç rëndom e ndoqën jo pak shqiptarë këtë rrugë më pas.

Duhet ritheksuar se në çdo moment të zbulimit të fakteve të reja për ne, që “flenë” në arkivat e huaja e kryesisht në ato sekrete të Vatikanit, në vend të përbëjnë, në mos sensacion, një arritje madhore në plotësim të boshllëkut tonë historik për etapa të caktuara me një rëndësi të jashtzakonshme, bëhen përpjekje gati diabolike për ta anashkaluar dhe më pas kalimin në heshtje të faktit, që mund të ketë një rëndësi të atillë, sa përmbys gjithçka, pasi vetë shkenca e historisë, siç e dimë, këtë e ka karakteristikën kryesore. Këtë fat pati dhe zbulimi i Lek Previzit, për librin me titull “Veprat e lavdishme të Skënderbeut” (Gli illustri et gloriosi gesti et vittoriose imprese, fatte contra Turchi dal Sig. D. Giorgio Castriotto, derto Scanderbeg, Principe d’Epirro), me autor një prifti shqiptar, Dhimitër Frangu, bashkëkohës, këshilltar, arkëtar dhe ambasador i Skënderbeut, i përkthyer nga latinishtja në italisht nga Bernardino Vitale dhe është ribotuar mbi njëzet herë nga viti 1506 deri më 1679-ën, duke u përkthyer edhe në frëngjisht e gjermanisht e që është e tepërt të thuhet, se për rëndësinë që ka, përbën një minus të madh për vëmendjen e historiografisë së brishtë shqiptare. Dorëshkrimet e para librit janë të vitit 1480, shumë pak kohë pas vdekjes së heroit, por që nga ajo kohë të gjithë librat e tjerë që u botuan më pas, i referohen rrëfimeve të Frangut, tejet të besueshme, dhe ne këtu nuk kemi ndërmend të bëjmë paralelizmin e Homerit për Luftën e Trojës, shkruar tek “Iliada” mbi tre shekuj e gjysmë më pas, e që përbën shtyllën kryesore të trashëgimisë greke.

Duke qënë se libri në fjalë është shkruar e botuar disa vjetë përpara atij të Marin Barletit, i konsideruar si një nga biografët më të saktë të Skënderbeut, veprën e të cilit periudhën e gjysmës së dytë të shekullit XX, e kishim kthyher në “Bibël”, ka ndodhur që dhe ky në shumë raste në librin e tij, thuhet se i ka mbetur besnik rrëfimeve të Frangut. Por çfarë ka të panjohur dhe të veçantë në brendi kjo vepër që u kalua thuajse në heshtje?! Pasi autori sqaron rrethanat në të cilat Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, pasi kishte shtënë në dorë zotërimet e Principatës së Kastriotëve, por dhe mbikqyrjen e principatave të tjera arbërore, letërkëmbimi me Sulltan Muratin II, ish-perandorin e tij, zbulon qartazi një këndvështrim sa strategjik, aq edhe të natyrshëm të heroit, me të cilët shfaqet. Duhet pranuar se në sytë e sotëm duket e çuditëshme gati absurde kjo korrespondencë në pamjen e parë, pa mësuar të vërtetën e shkruar.

Në fillim të letrës së dërguar nga Sulltan Murati, ai e shpreh mllefin dhe urrejtjen, duke braktisur shumë shpejt notat e elozheve të tij, por tërë kujdes kërkon ta kryqëzojë” heroin me gjestin e mosmirnjohjes, që është njëkohësisht tipar i virtytit më të lartë shqiptar në kohëra; Besës; “Unë, Murati, Perandor i turqve dhe Princ i Lindjes, ty, Skanderbeg, njeriu ma mosmirënjohës në botë. Nuk mund të përshëndes as më shum as pak, duke qenë se ti u bane anmik për vdekje i kunorës sime, ndërsa të rritsha me dashuni, si të ishte biri im, duke u mundue gjithmonë për me të nderue e me të ngritë në pozita të mëdha e të nalta, siç baj me miqtë e më dashamirët e mij…Unë jam përpjekë me të dashtë ma shumë se këdo tjetër të oborrit tim, për virtytet e tua të rralla. Duke e ditë ti, se unë brenda pak ditësh do ta ktheja shtetin atnor, e duke e ditë se nuk do ta mohoja fjalën e dhanë, ti je sjellë kundër detyrës sate, duke u rebelue, veprim për të cilin meriton qortim të madh dhe dënim të rreptë, pra meriton mërinë dhe mohimin tim. Nga ana tjetër, duke pas parasysh veprat e tua të lavdishme që në të kaluemen (duke qenë në shërbimin tim) i ke krye për mbrojtjen dhe dhe naltësimin e shtetit tim, duke i shërbye besnikërisht kunorës sime, pothuaj s’jam i detyruem ta zbus inatin, që me të drejtë më ka pushtue ndaj teje”. Ai e paraqet si objekt tradhëtie mënyrën e largimit, tashmë jo nga shërbimi i tij, por nga religioni islam, për të cilën ka një përgjegjësi të veçantë, duke qënë në krye të tij. Ai “harron” gjithashtu faktin se të gjitha këto territore të pushtuara, ishin të krishtera, por arsyeja e errësuar e sundimtarit, nuk mund ta pranojë në atë moment. “Unë nuk mund ta marrë me mend se si shkoi kjo punë; ndofta për fatin se nuk ta ktheva shtetin prindëror ose pse ti gjithmonë ke pas qëllim që të mohosh fenë e Profetit Muhamed dhe të kthehsh (siç ke veprue) në fenë kristiane, për të humbë shpirtin tand.” Si sovran i perandorisë më të madhe, pozita i diktonte të tregonte anën e forcës, për të rimarrë territoret e kaluara nën zotërimet e Skënderbeut, duke zbrazur këtu gjithë zemërimin perandorak; “Të them që ti të ma rikthesh (Arbërinë), përndryshe betohem në Zotin, Profetin Muhamed, në shpirtin e babës tim dhe aftësinë dhe forcën e shpatës sime, që do ta përdor kundër teje, për me të dëbue nga ai vend për inatin tand. E në qoftë se do të shpëtoshë gjallë, do të detyrohesh që të shkosh lypsar nëpër botë.”

Në përgjigjen e tij Skënderbeu, megjithëse Sulltani e njihte në ata dhjetvjeçarë shërbim ndaj tij, e që rezultuan strategji në kohën e duhur, i shkruan me nota të qarta se ai ishte invador dhe se heroi vetë ishte një rifitues i lirisë; “Por në qoftë se ti ankohesh se unë kam rifitue lirinë time, me shtetin e tim eti, gabohesh, sepse nuk mendoj të të kem fye, sepse më takon vetëm mue dhe jo ty, dhe jam përpjek të baj çka i takon nderit tim. Në qoftë se turqit, ushtarët e tu, që rrinë në viset e Shqipnisë, erdhën kundër meje që të luftojnë me armë në dorë, a nuk ishte e drejta ime me luftue kundër atyne që donin të më sulmonin?” Këtu heroi ndalet tek arsyet e rikthimit të tij në fenë e krishterë, gjë që ja “sugjeron” hapur kundërshtarit të tij, si kusht negocimi. “Së fundi, në qoftë se unë e braktisa fenë e Muhamedit, e u ktheva në fenë time të vërtetë të Jezu Krishtit, jam i sigurtë që kam zgjedhë anën ma të mirë: sepse tue zbatue mësimet e tij të shenjta, jam i bindun se shpirti im do të shpëtojë dhe jo (siç thue) të humbë.” Është e tepërt të themi se leksioni që i jep ish-perandorit të vet, i kalon kufijtë e imagjinatës, megjithatë natyrshmëria e shprehjes së tij në këtë pikë dhe normaliteti që i jep ai situatës, jo vetëm të habit, por edhe i jep një ngjyrë të re, të gjallë dhe mjaft reale të problemit pak të trajtuar në fjalë: “Prandaj të lutem, që për shpëtimin e shpirtit tand, të dëgjosh prej meje një këshillë shumë të mirë. Po të lexosh me kujdes Kuranin, d.m.th. përmbledhjen e mësimeve hyjnore, do të kuptosh secili prej nesh e ka gabim. Nga kjo kam shpresë se në qoftë se ti do të arrijsh të gjykosh gjithçka drejt dhe të bindesh nga arsyeja, do të pranosh fenë shumë të shenjtë të Krishtenë, e vetmja në të cilën të gjithë njerëzit kërkojnë shpëtim, shpëtojnë, e jashtë saj çdokush tjetër sikterroset. Dhashtë Zoti që ti të pranojsh që të ndriçojë Shpirti i Shënjtë e të vijsh e të pagëzohesh e të fillojsh me jetue si i krishtenë.” Pozita e Skënderbeut e argumenton në mënyrë brilante të vërtetën e tij, por atij i vijnë në ndihmë sidomos ata dhjetra vite shërbimi në perandori, që i kishin dhënë jo vetëm njohuri të skajshme të hierarkisë dhe strukturave të saj, ku bënte vetë pjesë, por dhe qëndrimi të tillë, që pa e ekzagjeruar, do të surprizonte edhe njeriun më parashikues në botë; “Përndryshe, të jesh i sigurtë, se unë nuk mundem, nuk due dhe nuk detyrohem, për shumë shkaqe dhe aryse, që të pranoj ato që ti shkruen. Kryesisht pse turqit nuk e mbajnë kurrë besën ndaj të krishtenëve dhe janë fqinj të këqinj të tyne, e nuk due që të rrezikoj e humbas atë që Zoti më ka dhanë. Prandaj mos u fodullos për sa më thue që me ta rikthye atë pjesë të Shqipnis që ti u ke marrë të tjerëve e jo babës sim. Ato vise që ti vetë thue se kanë qenë të të krishtenëve, edhe të mos kishin qenë të prindit tim, meqense unë jam një Princ i Krishtenë, më takojnë mue dhe jo ty.”

Megjithatë deri në kohrat e vona, ato ku studimi i veprës së Marin Barletit, pjesës thuaj të vetme studimore, bëhej me lupë, duke marrë pjesët që i interesonte sistemit diktatorial, madje duke dhënë edhe interpretimin që në fund të fundit nuk i përgjigjej aspak të vërtetës. Duhej të përmendej si fakt i pakundërshtueshëm marrveshja me Papatin, por gjithmonë në dritën e ateistit Karl Marks, i cili shprehej për vizitën e Skënderbeut në Vatikan dhe për marrdhëniet e tendosura, që për hir të së vërtetës ekzistonin: “Skënderbeu vajti në Romë te Pali i II-të për të kërkuar ndihmë, por ky qelbanik ishte tepër koprac për t’i dhëne atij të holla që të merrte në shërbim ushtarë: Skënderbeu, si nuk shtiri dot gjë në dorë, u kthye në vendin e tij”.

Por si qëndronte e vërteta e marrveshjeve e mosmarrveshjeve të tij me Papatin? Papët, në këtë periudhë të ngjeshur me ngjarje dhe luftra, ishin Nikola i V-të (1447-1455) dhe Kaliksti i III-të (1455-1458), por një tjetër letër zbulohet dhe hedh dritë në këto marrdhënie nga mesi i viteve ’60. Qysh në pranverën e vitit 1456, informacionet, por dhe pararojat zbuluese, mësojnë se një ekspeditë e madhe osmane po nisej drejt Shqipërisë, fakt që e bën Skënderbeun të dërgojë më urgjencë të dërguarin e tij, Pal Dushmanin në Vatikan. Ndihma e jashtme nuk mund të mendohej kurrsesi pa pëlqimin Papës, i cili përveç fuqisë së tij financiare, ushtronte një pushtet të shumfishtë mbi mbretërit dhe princërit në Europën katolike të asaj kohe, pa përllogaritur ata të principatave në Apenine. Papa, relativisht i ri në fron, nuk e mori seriozisht kërkesën, duke e përcjellë të dërguarin, për të mbledhur organet e diskutuar ndihmën, ndërkaq koha në Arbëri nuk priste. Kjo gjë e bën Skënderbeun të dërgojë një letër, po urgjente, në adresën e njërit nga këshilltarët më të afërt të vetë Papës, “mikut” të Alfonsit të V-të, një zyrtari me pikpamje më të spikatura kundër ekspanionit otoman, pra “përkrahësit” të ideve të tij, kardinalit të Fermos Dominik Kapranikës më 8 të prillit 1456, pikërisht atë që bëhet fjalë. Në vitin 1967, studiuesi i njohur i antikitetit në atë kohë, Dhimitër Pilika e “zbuloi” letrën dhe në studimin e tij mbi marrdhënet e Skënderbeut me Papatin, megjithëse mban një frymë dhe një qëndrim të rreptë duke hulumtuar dhe konstatuar me hollësi mosmarrveshjen e duke e hedhur natyrshëm fajin mbi pushtetin kishtar qëndror, që nuk bëri atë që duhej për ndihmën në mbrojtjen e portës së fundit drejt Krishtërimit. Që në pamjen e parë, natyrisht parë kjo në optikën e kohës, zbulimi ishte sensacional, trajtimi si duhej, fajtor Papati, krahasime me kushtrimin e PKSH-së në Luftën Nacional-Ҫlirimtare, kështu që nuk mund të mungonte asgjë në dukje. Instituti i Historisë lëshoi një valë kritikash të ashpra, gjë që e bënë studiuesin të shihte qartë, se me temën e trajtuar, kish shkelur në një fushë të minuar, vetëm e vetëm se Krishtërimi ishte i pranishëm në marrdhëniet e heroit. Ai do ti drejtojë Enver Hoxhës një letër në formë pendese, se mund të kish rënë në “gabime ideore”, dukuri fatale për kohën me pasoja të pallogaritshme, a thua se ishte një roman artistik dhe këndvëshrimi ishte larg vijës së Partisë. Sigurisht që Enver Hoxha u informua, por nuk e kqyri në thellësi fenomenin, pasi ishin të tjerë një armatë e tërë “kritikësh” që mund ta çonin fjalën e Partisë në vend. Ai kishte “punë” të tjera, shumë më të rëndësishme.

Studimi i Pilikës sjell të dhëna aq shumë të rëndësishme për letrën në fjalë, sa ai më shumë i ka komentuar ato i detyruar, se sa ka paraqitur tekstin real, pasi dihet se shpalosja e një tabloje të gjallë të marrdhënieve, sado të tendosura të kenë qënë ato, do ta komplikonte aq shumë situatën, me atë strategji famëkeqe antireligioze që po shpërthente, sa që letra e Pilikës në 2 Prill 1967, do të dukej si një kartolinë urimi.

Letra së pari paraqitet e një rëndësie historike, pasi spjegon qartë se kush ishin bashkpunëtorët, këshilltarët dhe ambasadorët e heroit në Europë: “Letra na përmend qartë emrin e të dërguarit të Skënderbeut në Romë, Pal Ëngjëllit, i cili çmohej si mendimtar i shquar dhe si njëri ndër këshilltarët më të afërt të Gjergj Kastriotit. Vlen të shtohet me këtë rast se Skënderbeu ka ditur të zgjidhte bashkëpuntorë të zotë si Pal Ëngjëllin apo humanistin tonë të dëgjuar n’Evropë, matematicienin dhe astronomin Gjon Gazullin (1400-1465), i cili i pat vënë aftësitë e tij, qysh më 1451, në shërbim t’atdheut dhe të Kastriotit”.(Dh.Pilika)
Interpretimi i kushtëzuar i Pilikës dhe këndvështimi për kohën zbulon, ndoshta pa dashje, një të dhënë jo të zakontë në këtë letër: “fakti që ai s’lyp këtu ndihmën e Vatikanit apo të mbretërve, por kërkon shprehimisht t’i “sigurohet ndihma e popujve”. Një përkufizim i tillë, mbase në çdo gojë tjetër më 1456, do të tingëllonte i pabesuarshëm: Gjergj Kastrioti, me logjikën e tij fenomenale, në këtë shteg, sikur kapërxen shekuj!” (Dh.Pilika). Por sot duket fare qartë lëvizja diplomatikë për të “kryqëzuar” selinë e kryqit, duke e vënë në mënyrë kategorike atë, përpara një fakti real, të kryer, mbi përgjegjësinë e Papatit ndaj vendeve të krishtera, mes të cilave bënte pjesë në çdo lloj rrethane e gjykimi me të drejta të barabarta kështu dhe shteti i Arbërit. Kjo padyshim ka zgjuar xhelozinë e princërve e principatave italiane, fakt ky dhe nga përgjigja që i jep njërit prej tyre në një tjetër lëtër Skënderbeu, të cilëve po u hynte në pjesë një vend me probleme, një princ kryeneç plot kërkesa, duke u prishur qetësinë dhe favoret. Pasi ndjek mendimet plot mllef të tij, ndaj një njeriu që “justifikohej” kur kërkonte ndihma nga ata, mendime që shkonin deri tek fyerjet ndaj tij, duke i injoruar dhe pjesën më brilante, luftën dhe qëndresën, heroi i përgjigjet duke i kujtuar se shqiptarët kanë në ato territore mijra vjet të kaluar ndër luftra: “..nuk dua të të kundërshtoj, por vetëm të të kujtoj se jemi ndeshur me ju, dhe pothuaj në të gjitha rastet fitorja ka anuar nga ne..” duke aluduar hapur për fushatat e mëdha dhe luftrat epike të Pirros me Republikën Romake. Ndikim tjetër ndaj Papatit, sipas analizës historike, si dhe fakteve që paraqiten, dokumentave etj.është ajo se xhelozinë princërit vendas e vishnin me çfarëdo lloj argumenti mbi tabutë, se Perandoria Romake e Perëndimit ka qënë e tillë, qysh herët, me kufij të përcaktuar e pranuar edhe nga Koncile e urdhëra të tjerë, që rrjedhimisht bënte të pamundur ndryshimin e hartës, duke u zgjeruar në Lindje. Ata përpiqeshin me rënien e Kostandinopojës vetëm tre vjet më parë, më 1443, si dhe rënies, atdheut të kulturës helenistike që u bë tipar i Perandorisë Bizantine, Greqisë, e cila ra po këtë vit (1456), ku trysnia e dhjetra ekspeditave ushtarake osmane prej qindra mijë trupash të drejtohej në vendin e Arbërit, ta trajtonin qëndresën e tyre, që në fakt po ruanin atë copë tokë që të lidhte me Europën, praktikisht fare të pamundur në sytë e tyre. Kështu arbërit mbetën “si e vetmja mbrojtje dhe mbështetje” n’Evropë kundër mizorisë anadollake”, detyrohej të pohonte edhe vetë Xh. Navari, i deleguari i Papës në Shqipëri. Ishte më se e qartë se osmanët përgatiteshin për këtë gjë në vitet 1453-1456 në kalimin nëpërmjet brigjeve të Arbërisë, ndaj kjo situatë e rënduar i bënte mosbesues princërit e Apeninëve, të cilët ja përcillnin mandej Papatit me ngjyra të errëta dhe që duhet theksuar se nuk bindëte dot në atë kohë, as më entuziastin në planet. Beteja e Beratit disa muaj para letrës, më 26 Korrik 1455, në të cilin ushtria e Skënderbeut la rreth 6000 të vrarë, e kishte errësuar fare tablonë e qëndresës, me lajmet e kobshme që kishin çuar në Apenine mbeturinat e regjimentit napolitan, që Skënderbeut ja kish dhënë si ndihmë mbreti i Napolit, e që për pak u flijua i tëri. Noli e shpreh qartë: “Ishte periudha më e rrezikshime. Shumë kishin nisur të dyshonin për zotësinë e Skënderbeut”. Meqënëse nuk kish asnjë fije shprese në faktorë të tjerë, rreziku imediat i rënies së Arbërit dhe kalimi i ushtrive turke nëpër ngushticë drejt Apeninëve, ku numrit të trupave osmane nuk mund tu bëhej ballë, u shfaq aq papritur në të gjithë drejtuesit e principatave italiane, madje dhe vetë Papatin në plan të parë, opsioni i negociatave me osmanët. Frika nga këto flirte ishte evidente dhe do të dëmtonte në mënyrë të pandreqshme marrdhëniet e Skënderbeut me Papatin, ku kish të ngjarë të thyente besimin ndaj vetë përfaqësuesit të Krishtërimit. Skënderbeu në këtë çast, detyrohet të shprehet me fare pak diplomaci, pasi kjo situatë nuk zgjidhej me “lavdërime dhe bekime apostolike”, për të bërë ç’është e mundur të evitohej marrveshja mes tyre dhe osmanëve, gjë që do të rëndonte situatën skajshmërisht: “Me hekur, jo me fjalë, i duhet përgjigjur armikut”, sikurse na e kanë lënë të parët!”

Marin Barleti, thuhet se i është referuar edhe një dorëshkrimi të G.Kolinoviçit mbi fjalët e Skënderbeut, i cili opsionin e luftës dhe qëndresës nuk e tjetërsonte, i bindur se ajo duke qënë e drejtë si luftë, e drejta shihet si hyjnore: “Unë nuk flas me njerëz, që i mohojnë luftrat e drejta.. Është turp të pranoni ndonjë fat, që s’është në dorën dhe shpatën tuaj, sepse edhe perënditë ndodhen zakonisht atje ku është e drejta.. ne luftojmë me të drejtë për të sprapsur dhunën e për të jetuar në paqe.. Armiku s’vjen kundër nesh i shtyrë nga urrejtja e drejtë e luftës as si një armik i vërtetë.. respekto para së gjithash drejtësinë.. Fqinjët nuk e mohojnë këtë luftë shumë të drejtë.. E kush tjetër, veçse i urryeri nga perënditë dhe nga njerëzit, mund të mohonte një luftë kaq të drejtë..?”

Qëndresa e Skënderbeut bëri epokë me emrin “Moti i Madh i Arbërit”dhe iu bë barierë Perandorisë më të fuqishme të kohës, por e vërteta gjallon e pakundërshtueshme tek fjalët e lëna prej tij: “..po të kisha mbetur i mundur unë, sigurisht Italia do ta kishte ndjerë rrjedhimin…” Me 50 mijë dukate të Papatit në 25 vjet, kur 200 mijë dukate të ardhurat shtetërore vjetore, heroi i shkrinte për luftën, me ndihmat e Venedikut, kur ajo nuk do tu mjaftonte dot për jetesë as 200 fisnikë italianë për një vit (Dh.Pilika) Skënderbeu bëri qëndresën më të madhe deri atëherë ndaj një numrit të tillë të trupave, 150 mijë, e pandeshur deri atëherë (më pas do të hasim shifra të tilla si 200 mijë osmanë në portat e Vjenës, 630 mijë francezë në Rusi, Bonaparti, e deri tek luftërat botërore të shek XX), me një aftësi mbrojtëse prej 14 000-15 000 trupa (Anonimi tivaras shënon 14.000, Marin Barleti 15.000, Dhimitër Frëngu 15.000 (Dh.Pilika). Ai e fitoi qysh kur e pranoi konfliktin e pabarabartë për mbrojtjen e vendit të tij, dhe nëpërmjet tij gjithë Europën, titullin “Kalorës i Krishtërimit”, gjë që e gjejmë tashmë në fjalët e Sulltanit më më të egër, pushtuesit 21 vjeçar të Kostandinopojës, Mehmeti II Fatihu (Triumfatori), të thëna tërë pezm që nuk ja bënë të mundur realizimin e misionit të tij pushtues në histori: “Sikur të mos ishte lindur Skënderbeu, unë do t’i kisha dhënë për burrë gjirin e Adriatikut Republikës së Venetikut, do të kisha vënë çallmën mbi kryet e Papës dhe gjysmëhënën mbi kubenë e Shën Pjetrit.” Duke qënë të panumërta edhe vlerësimet për heroin tonë, unë sa për ilustrim do të shkëpusja atë të humanistit çek Jozef Vinarzhi: “Koha e shkurtër e jetës dhe e lavdisë së Skënderbeut, shqiptarët i çoi në arenën e historisë së përbotëshme dhe u siguroi një vend nderi në historinë e Europës. Vendet e perëndimit duhet t’u jenë mirënjohëse që ata e përmbajtën vërshimin turk pikërisht në kohën kur ky pat qënë më i rrëmbyeri”.

E dyta, ka të bëjë me epilogun, fundin e heroit.
Nga më interesantët paraqitet Marin Barleti, biografi më i hollësishëm i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, pasi ai përshkruan edhe ato pika të errëta, të veshura me mister,thënë nga shumë të tjerë, por dhe të patrajtuara nga kronikanë, biografë ato dokumenta historikë, që do të përbënin fakte të rralla. Për këtë arsye dëshmia e shkrimit të tij mbetet unikale dhe një fund i trishtë, por gjithsesi epik, që për shumë arsye dhe vetëm për atë si opsion i vetëm, na u paraqit si “Bibël” në gjysmën e dytë të shek. XX. Kjo jo se Marin Barleti nuk i kish qëndruar besnik zhvillimeve dhe çështjeve të epokës, si bashkohës i heroit, përkundrazi, ai i interpreton si një thirrje të mpleksur me atë traditë lavdie, tipar i qëndresave të Skënderbeut: “Mos kujtoni se turqit janë të pathyershëm, ata mund të thyhen fare mirë prej jush, ashtu si i kini thyer sa e sa herë.. Prandaj sulmet e kota dhe boshe të barbarit t’i prisni me plot zemër e ngazëllim, të talleni me guximin e tij, sepse ai në atë mënyrë s’bën tjetër veçse i bie murit me kokë..Trimëria është e mësuar me rreziqet, e rritur me vështirësitë.. njerëzit ishin mësuar tani me mjerime dhe vetë të rrezikuarit e vazhduarshëm i kishte bërë përbuzës të rreziqeve.. njerëz të mësuar të mos përfillin hekurin e jo më fjalët.. Duke e menduar fitoren të sigurt, ai (Skënderbeu), e peshonte mirë gjendjen e armikut, pastaj këtë s’e përfillte fare”. Barleti është i vetmi që përshkruan tani më, jo vdekjen e Skënderbeut, por rastin e çuditshëm, plotësisht të mundur, të dhunimit të varrit të heroit nga osmanët, rast që me rënien e qyteteve dhe tre ditëve bastisje e “ligjshme” e ushtrisë fitimtare mbi ta, bënte të mundur çdo alternativë ngjarjeje të tillë. Mbi këtë ngjarje Kadare ka shkruar poezinë epike “Balada e zhvarrimit”, që tregon vërtetësinë e marrë ose interpretuar edhe nga njerëz me peshë. Kështu këtë gjë e kanë marrë të mirqënë përgjithësisht shqiptarët, pasi fundja për një hero shqiptar bëhet fjalë, por të huajt operojnë me standarte dhe metoda krejt të ndryshme, mundësi këto, natyrisht shumë më përpara se tonat. Këtu nuk kam ndërmend ta zbeh, jo më ta injoroj burimin e lënë prej tij, veçse dua ta shtrij analizën në të gjitha mundësitë e çdo alternative, që i shërbejnë sadopak të vërtetës: ”Turqit dhe barbarët duke u bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxorën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut. Te eshtrat dhe varri i tij u mblodhën që të gjithë kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishe fatbardhë, shumë i lumtur ai që do të siguronte për vete një copëz prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjend, një palë me ar dhe e varnin në qafë, si ndonjë gjë hyjnore,të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre dhe e nderonin me respekt shumë të madh, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vete ato thërrmija do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat edhe gëzoi sa qe gjallë vetë Skënderbeu”. (Marin Barleti) Ky burim, i ruajtur në Vatikan, ka bërë të njohur atje këtë ngjarje, gjë që në një përqinje të madhe, në mungesë të burimeve të tjera, u bë shumë i besueshëm, por shumë gjuetarë thesaresh nga shpirti aventuresk, janë skeptikë në çdo gjë, natyrë kjo që jo në pak raste i ka çuar drejt të vërtetës. Po të marrim shembullin e Homerit, që “Iliadën” e shkroi jo pak, por mbi 350 vjet nga zhvillimi i Luftës së Trojës, plus elementët mitikë brenda saj, e bënte fare të mjegullt zbulimin dhe ekspeditën të pashpresë, por pikërisht aty Heinrich Schliemann zbuloi rrënojaj e Trojës dhe “Thesarin e Mbretit Priam”. Megjithëse rasti si bashkohës dhe teoria barletiane njihej, të huajt përpunonin gjithmonë çdo informacion, edhe të kundërshtarit, pasi dihej qartë se ushtria osmane mbante kronikanë në luftra, për të shkruar lavdinë apo triumfin e saj. Por as në dokumente të tillë osmanë e as nga historiano-kronikanët si Tursuni, Ibn Kemali, Idris Bitlisi, Hoxha Sadedini, që e përshkruajnë fare qartë e detaje të pushtimit të qytetit të Lezhës dhjetë vjet më vonë vdekjes së heroit, më 1478, nuk përmendnin asnjëherë dhunimin e varrit, faktor i tillë triumfi, jashtë mase i justifikuar për ta.

I trajtuar edhe më parë, ndoshta në trajtë investigative, problemi për nga vetë pesha e tij, shfaq më shumë pikpyetje. Dihet që faltoret, kisha ose bazilika, janë ndërtuar në territoret arbërore ose rindërtuar në shekujt e Mesjetës, në vende e mbi ish-faltoret egzistuese a rrënojat e tyre, ngritur këto në shekujt e parë.(e.j), kështu që me ardhjen e në skenë të Perandorisë Osmane, mbi to u ndërtuan xhami, që si faltore islame do të zëvëndësonin religionin tek besimtarët. Përmbi mbetjet e kishës së Shën Kollit, vendvarrimi i Skënderbeut, u ngrit xhamia Selimie, praktikë kjo që në ish-territoret e Perandorisë Bizantine u përhap, sa që mjafton të themi se edhe katedralja e Shën Sofisë në Kostandinopojë, së bashku me një numër jo të vogël kishash aty, pësoi këtë fat. Më 1967 u bë dhe zbulimi i mësipërm, i cili konsiston, se nën xhaminë Selimie, ishin rrënojat e kishës së Shën Kollit, aq të paqartë ishim mbi vendvarrimin, ne pasardhësit. Në fillim të shek. XX, pikërisht gjatë Luftës së Parë Botërore, reparte xhenjere, të specializuara, kryejnë gërmime rreth kësaj xhamie, pra në të vërtetë në kishën e Shën Kollit, që nuk janë të parat e këtij lloji, pikërisht për gjetjen e varrit të tij. E thënë ndryshe, të huajt, pa përllogaritur aventurierët, vinin me besim për gjetjen e tij, standart krejtësisht i ndryshëm na ai yni, a thua se nuk egzistonte teoria barletiane.

Të ecim në një periudhë më vonë, relativisht paqësore midis dy luftrave botërore, më 1938, ku në veprën e tij “Shqipëria një dhe një mijë” italiani Indro Montanelli, pasi viziton Lezhën, evidenton datën e vdekjes së Skëndebeut shkruan për heroin atë që mund të konstatojë çdo vizitor që nuk mund të prekë dot atë çka ka mbetur nga lavdia e një emri të madh: “Si të mos ndalesh tek varri. Po varri i tij është zhdukur, nuk dihet si dhe përse. Ishte, duhet të jetë varrosur në kishën e Shën Kollit, pranë pazarit në bregun e majtë të Drinit. Ekziston pazari, ekziston kisha, por sa për varrin mister” Përgjithësisht materiali gojor i trashëguar, në raport me kohën, del si një tregues i dorës së dytë dëshmie historike, i pafuqishëm përballë fakteve të çfardollojta, por në mungesë të tyre ai bëhet një referencë e fuqishme piknisjeje, që nuk zhgënjeu as Heinrich Schlimann-in.

Po çfarë ideje ka dhe çfarë “praktike” në të vërtetë ndjek shqiptari për problemin në fjalë, varrimet dhe zhvarrimet?! Kjo dukuri shfaqet me gjithë kompleksitetin e vet, duke e rënduar së tepërmi pozitën tonë në raport me banesën e fundit, që duhet thënë se shfaq një natyrë të shenjtë e të paprekshme nga shoqëria e gjallë njerëzore. Por të vërtetat sigurojnë absolutisht të kundërtën, gjë që nuk jemi ndalur së bëri deri në ditët tona, pasi zhvarrimet, si makabritete nuk na bëjnë përshtypje, të zhveshur tashmë nga ndjenja e mësipërme. Fakt është se një numër i shtetbërësve, firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë, janë zhvarrosur në kohëra të ndryshme, madje të organizuar nga vetë shteti që ata themeluan, e paimagjinueshme nga asnjë në botën e sotme. Është fare e kotë të paralelizojmë me qytetërimin e ri amerikan, ku shtetëbërësit e tij, presidendët e parë, i ka gdhendur me përmasa kolosale fytyrat e tyre, në faqen e një mali në Dakota, fisnikëri kjo e shpirtit të tij praktik, domethënës e mbresëlënës. Për mendimin tim, makabritete të tilla nuk mund të shpëtojnë dot nga syri i historisë, por më keq, nga ai i civilizimeve, ku edhe Kadare e ka ose të nënkuptuar atë, tipar i kushtëzuar i letërsisë së tij, ose si “normalitet”, ku tek romani më i spikatur, më i famshëm e më i lexuar tek të huajt, “Dimri i vetmisë së madhe” fenomeni është ulur “këmbëkryq”. Personazhi kryesor Xhemal Struga, një partizan, i ndershëm, i përkushtuar, por i zhveshur nga ato që artikuluam më lart, “dallohet” (përkthe-neveri, frikë), “respektohet” dhe përmëndet vetëm se ka hedhur në erë varrin e Nënës Mbretëreshë, ndërkohë që ai vetë shfaqet i çuditur dhe mërzitur jashtë mase për këtë. Ai ka marrë pjesë në shumë beteja e ka shfaqur në to trimëri, por të gjithë e përmendin vetëm për aktin e mësipërm, të nënkuptuar në dy pjesë; Njëra, ata të zilisë diabolike, që atë makabritet në trajtë heroizmi, arriti ta bënte vetëm ai dhe jo ata, dhe tjetra tërë tmerr dhe frikë për këto ndodhi të pahasura nëpër civilizime.

Unë mendoj se nuk mund të shkarkohet faji i një tipari apo natyre me kohëzgjatje të madhe të popullit tonë, vetëm periudhës së qeverisjes parti-shtet, modeli sovjetik që aplikuan vendet e Europës Lindore, pas kalimit në to të ushtrisë së kuqe çlirimtare, dhe instalimin e regjimeve totalitare, të quajtuara diktaturat komuniste lindore. Ka fenomene të këtij lloji edhe para vendosjes së diktaturës sonë të majtë, të cilat datojnë nga mesi i viteve ’30 në Mbretërinë Shqiptare dhe që kishin për qëllim nga Mbretëria, sjelljen në atdhe të eshtrave të vëllezërve Frashëri nga Stambolli. Për Naim Frashërin në Mbretëri u gjet një mbesa e tij, e cila nënshroi për zhvarrimin, ndërsa për dy të tjerët, i biri i Abdyl Frashërit, ishte shpallur “armik” i Mbretërisë dhe jetonte Europës, mundësi që përjashtohej, ndërsa vajza e Sami Frashërit, me apo pa të drejtë gati e përzuri përfaqësuesin e Mbretërisë në zyrat e shtetit turk, që do të bënte të mundur proçesin. Ajo vazhdoi më tej duke shtuar se Shqipëria ishte një vend ku edhe të vdekurin e nxjerr nga varri, kështu që im atë është aq mirë në kodrinë, ku është, edhe pasardhësve do tua lë këtë gjë, fakt që ajo e realizoi me sa duket dhe tashmë shteti turk e justifikon si figurë e madhe e publiçistikës dhe enciklopedisë turke. Diktatura, pushtet absolut, si e ka emrin, të mos mbetej prapa më 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vendosi prurjen e eshtrave të Abdyl Frashërit, meqë i biri, i cili e kish të drejtën juridike për ta zhvendosur, nuk jetonte qysh nga fillimi i viteve ’50, juridikisht gjëndej një mbesë e linjës femërore, që e kishte këtë të drejtë. Si pushtet absolut, diktatura e internoi paraprakisht dy-tre muaj para “festës” atë, pasi dihej që mund të mos pranonte (veprimet dokumentare pushtetet absolute i “mbyllin” vetë), dhe e lejuan të kthehej në Kryeqytet dy-tre muaj pas përvjetorit.

Unë i kam quajtur makabritete më shumë morale dhe u zgjata në këtë pikë jo pa qëllim, se kjo mënyrë e paimagjinueshme, po bëhet “traditë” në stil të gjërë tek të gjithë edhe sot, gjë të cilën e përjetova vetë dhe nuk mund të mos e shkruaja si fakt rrënqethës shqiptar i shekullit XXI. Bëja pjesë në komisionin për prurjen në atdhe dhe rivarrimin e eshtrave të Eqerem bej Vlorës, një përsonaliteti të cilin shqiptarët e ndarë në dy pjesë, kanë vlerësimet e tyre, por unë përveç vlerësimit tim, isha në anën e studiuesëve gjermanë, ndër më të shquarit në botë, të cilët për të kishin konsiderata të skajshme, gjë që minimalisht ka ndikuar nëpërmjet përsonalitetit të tij, në njohjen nga ana e tyre të nivelit të zhvillimit të mendimit shqiptar, i vërtetë në atë shkallë të përfaqësuar nga ai, ose jo. Hana Klissura, lindur në Paris, banuese në Vienë, u kujdes së bashku me vetë shtetin shqiptar i cili këtë herë po vlerësonte në peshoren e kombit atë që ky njeri kish bërë për të. Varrimi duhet të bëhej në Kaninë dhe negociuam me poseduesit e vendit të shenjtë, ku ka qënë varrosur Ismail Qemali, Ferid pashë Vlora (Kryeministër i P.Osmane, i zhvarrosur dhe ky më ’83 e flakur në një përrua) etj. të cilët u treguan të gatshëm, por një fenomen i ri, ai i anarkisë, tipar i këtij shteti të pasviteve ’90, ndërtimet famoze “pa leje” kishin zënë pothuajse të gjitha rrugët. Përfaqësuesit e shtetit, siç ndodh në kësi rastesh, iu kërkuan “pronarëve” të ndërtimeve pa leje, dokumentat, të kujt lloji ishin, etj. dhe pasi dihet, se nuk dispononin asgjë, do sillnin të nesërmen mjetet për ta prishur ndërtesën, pamje e njohur kjo sot. Por pikërisht atë mbrëmje disa persona të panjohur iu drejtuan të nipit të tij, se nëse prishej ndërtesa, e cila kushtonte aq e kaq, ata do të hidhnin në erë varrin e Eqerem bej Vlorës, fill pas ceremonisë, gjë që e bëri pasardhësin të kërkonte të ndryshonte të tërë proçedurën, për ta varrosur në tjetër vend, ndërsa qytetarja vieneze Hana Klissura, nuk kuptonte dot, jo atë që mund të ndodhte në Shqipëri, por shantazhimin që i bëhej shtetit, si organizator. Ndërhyrja e shtetit vendosi rregullin, por nuk mund të ketë hequr mendimin makabër nga mendjet e sëmura shqiptare, që për fat të keq rezulton i ngulitur historikisht.

Në pamje të parë duket sikur jemi larguar nga fati i heroit, por në të vërtetë nuk është aspak ashtu. Po zhvendosemi në kohë, pikërisht në afrim të 500 vjetorit të vdekjes së tij, shteti i atëhershëm komunist, siç e kemi theksuar, organizoi konferenca albanologjike, ku referuan si ngjarje e pazakontë që ishte, dhjetra studiues e historianë, duke trajtuar e hedhur dritë nga pjesë të jetës e veprës së heroit, me përjashtimet e parashtuara në fillim të analizës. Shumë pak u morën me fundin e heroit, pasi teoria barletiane nuk mund të vihej në diskutim, kështu që tingëllon sa çuditshëm referimi i studiuesit Dhosi Liperi, aq edhe i guximshëm, në një kohë që ai i “kundërvihet” vetë teorisë, të kthyher në tabu tashmë. Por studiuesi, duke përdorur në mungesë së gjithçkaje tjetër materialet gojore të trashëguara, të mbledhura në një punë jo të vogël kërkimore e shkencore në ato anë, në total qysh nga viti 1960, dhe në Lezhë më 1967, që natyrshëm tingëllojnë më shumë në pamje të parë sot në trajtë legjendash, nga konferenca shkencore albanologjike jo vetëm nuk u mori parasysh, por ka të ngjarë ta kenë përçmuar atë, por që ne na duhet për korrektesë ta ritheksojmë: “Skandërbegu ka dekë në Lezhë e ash varrosë po në Lezhje, po ku diç, parija e vet nuk diftuen se ka dekë e vazhduen sikur t’ishte gjallë Skandërbegu për tri vjet. Në krye të tri vjetve Turqia e muer vesh se kishte dekë dhe e sulmoi shqipninë e e zaptoi..Kur ra në Lezhje, çeli shumë vorre, por, siç thojshin pleçtë e vjetër, vorrin e Skandërbegut nuk mujtën me e xhetë, se e majtën parija të mëshefun. Vorri i Skëndërbeut pshtoi i paprekun, por se ku asht, nuk dihet. Çiashtu thojshin pleçtë e vjetër gojë pas goje”, tregonte dikur Nue Gjon Markola nga fshati Lalu. Ndërsa Hil Kola nga fshati Gramsh, po i Lezhës, theksonte se: “Tuba muhabet me pleçt e vjetër, këta thojshin se kur erdh ushtria turke dhe zaptoi Lezhjen, kërkuen vorrin e Skanderbegut e çilën treqind vorre për me gjet eshtnat e Skanderbegut, por vorrin e tij s’mujtën me e xhetë vorri i Skanderbegut asht i pa çilë. E kanë mëshefë shqiptarët vorrin e Skandërbegut, thojshin pleçtë e vjetër të Zadrimës” Po kështu edhe Nikoll Leshi nga Ishull Lezha tregonte: “Skandërbegu u smu në Lezhë, pa dekë bani tetëdhet vorre në Lezh edhe vdiq, por nuk dihet se ku ash vorrue, se kur erdhën turqit, i çelën të tetëdhet vorret e trupin e Skandërbegut nuk e kanë xhetë. Ket fjalë të vjetër e kam negju prej gjyshllarëve” (USHT. Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike. III. Tiranë 1969. Fq 341-343). Këto të dhëna të marra nga goja e popullit, duket se kanë diçka që mungone, ndoshta në një strategji shekullore, “anashkalohen” dhe nuk përmenden objektet e kultit, bashkësitë fetare në to, ndoshta autori i studimit e ka lënë për orgjinalitet në gojën e popullit “legjendën”, duke shmangur aty pjesën religioze, diskutimi për të cilën sillte pasoja të pallogaritshme. Ka shumë të ngjarë që opsioni i parë të jetë më afër të vërtetës, që megjithëse na tregon më qartë se kurrë rëndësinë dhe fuqinë e kësaj pjese elitare, na thotë dhe se ç’bën ajo kur e ndjen madhështinë e veprës së lënë nga njeriu i madh, dhe ç’bën kur ndonjë i ashtuquajtur i tillë, e zhduk fare këtë elitë, nëpërmjet dhunës, terrorit, burgimeve etj. por që në këtë rast vetëm sa e shtojnë misterin.

Heroi lidhjen e tij me Krishtërimin, murgjit dhe njerëzit e ditur fetarë që e rrethonin, objektet e kultit e gjithçka, siç e theksuam, i kish në anën e tij, por një ditë e tërë kjo makineri e stërlashtë religioze shfaqej përgjegëse për atë që do të ndodhte pas vdekjes heroit. Duhen njohuri të thella sa historike, aq edhe religioze në studimin e vetë jetës e misionit të murgjëve, kishave, manastireve, urdhërave, priftërinjëve, si dhe detyra dhe funksioni i tyre sa i hapur, kur kanë të bëjnë me përhapjen e fjalës së Zotit, aq edhe skashmërisht të mbyllur, të përbetuar, të paspjegueshëm për një njeri që ka bindje empirike ose njohuri sipërfaqësore, në ruajtjen e sekretit. Detyrohemi të sjellim një shëmbull të njohur e trajtuar, sa domethënës, aq edhe sinjifikativ, përsa i përket kësaj bote të palexueshme misterioze të tyre.

Në librin e tij “Beratinus”, prof. Shaban Sinani shkruan për aventurën e fshehjes nga gjetja e kodikëve të Beratit, të cilët si tepër të çmuar, i kishin rezistuar këtyre grabitjeve shekuj me radhë, falë këtij përbetimi të çuditshëm e të paspjegueshëm për disa, që ata ua transmetojnë murgjëve e priftërinjëve pasardhës, të cilët duhet thënë se e kanë të lidhur pazgjidhshmërisht vetë jetën me sekretin mister. Thuhet se në gjithë planetin ekzistojnë gjashtë kodikë (ungjij, libra shumë të hershëm fetarë bizantinë të shkruar me dorë me germa ari), nga të cilët dy i kemi ne shqiptarët, kështu që askush të mos ia atribuojë shkencës së historigrafisë sonë zbulimin e tyre, kur ajo është produkt i këtij lloj sekreti religioz, shekujve. Në libër, pasi spjegohet se ekspedita të tëra të pushtuesëve të ndryshëm, pa përllogaritur “Gjuetarët e thesareve”, që nga frankët, serbët, austro-hungarezët në Luftën e Parë Botërore: “dëshmohet se “dy ungjijtë e moçëm të Beratit” janë kërkuar edhe nga ushtria italiane e ajo gjermane. Në historikun e kodikëve të Beratit, që ruhet pranë AQSH-së, thuhet se komanda e ushtrisë hitleriane kishte urdhër që të gjente dhe të rrëmbente domosdoshmërisht floririn e Bankës së Shqipërisë dhe “Kodikun e Purpurt të Beratit”. Ushtria naziste e rrethoi Kishën e Shën Gjergjit dhe shpalli se, po të mos dorëzohej dorëshkrimi, priftërinjtë do të vriteshin”. Natyrshëm ata shoqëroheshin nga ndonjë shqipfolës, pozita e të cilit vështirësohej mjaft me ato që diheshin nga të gjithë për ruajtjen e sekretit të murgjëve, por edhe kjo kish një zgjidhje të vetën, Mund të dyshohej fare pak, ose aspak, që ata të mos tregonin të vërtetën si përfaqësues të fesë, nëqoftëse do ti vinin përpara një betimi, zgjidhje që rezultoi në favor të ruajtësve të betuar të kodikëve në vazhdim të ngjarjes. “Këshilli i Kishës së Shën Gjergjit, në këto kushte, i kërkoi leje ikonës së Shën Mërisë të mos i ndëshkonte nëse do të dëgjonte nga anëtarët e sinodit një betim të rremë. Pas kësaj lutjeje, gjashtë anëtarët e këshillit (sinodit) e fshehën dorëshkrimin në një pusetë nëntokësore të maskuar pranë altarit dhe i deklaruan komandës së ushtrisë së huaj se ishin gati të betoheshin para ikonës së Shën Mërisë se nuk dinin asgjë se ku gjendej vepra e kërkuar”.(Shaban Sinani, “Beratinus” D.P.A.Tiranë 2003. Fq. 243).

Vazhdojmë arsyetimin me faktin që shfaq studiuesi Dhosi Liperi më sipër, kur thotë se bashkëluftëtarët e tij pasi i tërhoqën fshehurazi ato përhapën fjalën se turqit e prishën varrin. Po teoria barletiane që “vulos” një fund të tillë, lind pyetja. Edhe kjo ka një spjegim të sajën, lidhur me faktin që dhe ai mund të ishte një i tillë, sekretmbajtës, ose në rastin më ekstrem (sekreti mbahet dhe mes tyre), duhet tja kenë transmetuar si të tillë, rrethi i ngushtë që do të ruante sekretin, pasi natyrshëm prifti nuk do të dilte të shihte nëpër qytet, gjatë pushtimit të tij, një operacion dhunimi disa orësh të varrit. Deri këtu këto materiale gojore shfaqen si të dhëna dhe logjikë hipotetike, që shkenca e historiografisë nuk mund ti pranojë përballë fakteve, por pikërisht faktet fillojnë e flasin në përvjetorin e 500, e theksoj, të vdekjes së heroit, ndoshta më shumë se në rastin e kodikëve të Beratit.

Një përfaqësues i një sinodi (këshilli kishtar, s’dihet se ku), pikërisht mbas 500 vjetësh, ndoshta duke parë fundin e misionit të vet dhe paraardhësve, merr rrugën për të takuar kreun real të shtetit shqiptar, Enver Hoxhën. Për këtë me sa duket murgu a prifti, mendon që nëqoftëse del nga ruajtja religioze shekullore, të paktën të ruhet nga shteti, që në çdo lloj mënyre e rrethane e ka hero dhe vlerë kombëtare, natyrisht pa përllogaritur pjesën e trajtuar më sipër. Sipas hierarkisë së shtetit komunist, përgjegjës për këtë fushë, ishte ministri i arsimit dhe kulturës, që i ndodhur aty, e mori vesh faktin, ndoshta pa dashjen e Enver Hoxhës. Si në rastin e kodikëve, që iu dorëzuan shtetit (as ushtria gjermane nuk i mori dot), kështu dhe murgu a prifti katolik, besimtar për faktin e “legjendës” që tregoi, kish sjellë me vete një pako, që rezulton të ketë qënë kafka e kokës së Skëndebeut. Nuk dihet as biseda dhe as fati i murgut apo sinodit kishtar, por qoftë dhe fati i priftërinjve ruajtës (në një farë mënyre nxorrën “sekretin”), por sidomos i eshtrave të heroit, që nuk i kish shtënë në dorë askush, qysh nga pushtimi i Lezhës. Është e tepërt të shtoj se si përfundoi kjo gjë, nga çdokush mund të merret me mend, pa përjashtuar faktin, për mendimin tim, se dikush mund të dijë për këtë ngjarje, sot. Ndërgjegja e kombit këtë gjë s’ka si ta falë. Fakt i pakundërshtueshëm është se në Byronë Politike të Partisë, (paralelizmi i anës tjetër të medaljes me sinodin e fshehtë), u deklarua se kafka ishte e Skënderbeut, dhe për këtë si njeriu përgjëgjës, ish-ministri i arsimit dhe kulturës Thoma Deliana e deklaron këtë gjë, nuk dihet në ç’kushte e rrethanë, por në pozitën më të vështirë ndonjëhërë. Kjo vërehet nga fjala dhe deklarimi më pas i Enver Hoxhës se “duhet pasur kujdes që të mos përhapet një gjë e tillë”, gjë që zbuloi një mister, por hapi një tjetër, shumë më të madh. Këto fakte i përmban dokumenti shokues i zbuluar së fundmi në arkivën e Ministrisë së Brendshme, që mund të jenë maja e majës së ajzbergut të dosjeve të pahapura, natyrisht po nuk janë zhdukur apo të “zhduken”.

Ish-ministrin e nderuar Thoma Deliana i cili u nda nga jeta para disa ditësh, jo më kot e përmenda në fillim të shkrimit tim. Zakonisht diktaturat, kushdo qofshin, vendosin tek ky post delikat, i cili ka të bëjë me elitat, ose njerëz të tipit Goebbels, që dihet se ç’bëjnë në kulturë, ose njerëz me kapacitete për të bërë një farë lidhje mes nivelit të një populli dhe elitave kulturore, natyrisht të gjitha këto në shërbim të vet si shtet. Meqënëse tek varianti i parë me sa thuhet nuk ka bërë pjesë, uroj të ketë qënë tek ky i fundit.

Ndjesë lexuesit, por mu duk sa interesant, aq edhe koinçidencë e çuditëshme, për të bërë paralelizmin mes tij dhe legjendës së shërbimit sekret izraelit “Mossad”, Mike Harari që vdiq po atë ditë, i cili dihet se kush ishte tashmë, por se shtypi përfundonte komentet për të duke thënë se, ai mori me vete në banesën e fundit arkivën më të madhe sekrete të njohur ndonjëherë. Më duhet të pohoj të njëjtën gjë, për peshën e problemit, edhe për ish-ministrin e nderuar Deliana.

Po përse kaq mllef e urrejtje vrastare ndaj njerëzve të religioneve, kur dihet se ata më të padëshiruarit i kishte marrë fshesa e parë e hakmarrjes e vitit 1945 e në vazhdim?! Shqiptarët, siç shihet dhe sot, nuk kanë krijuar akoma “traditë” të qëndrueshme, që do të thotë se për mungesë kreativiteti kanë marrë dhe aplikuar historikisht modele të tillë, të “pranueshëm” për ta në pamje, por nga më negativët në përmbajtje, kështu kjo periudhë është e përfshirë nga modeli kinez i revolucionit “Kultural-Proletar”. Pikërisht ky veprim e goditje përfundimtare ndaj religionit, këtu me sa duket konsiston, por mënyra e zbatuar, se duke pasur urrejtje për të, të hakmerresh dhe ndaj heroit (shprehja popullore e vjehrrës me millonanë), duket sikur nuk shkon në pamje të parë, por që rezulton si strategji e përpunuar me kujdes.

Heroi në këtë rast, për Enver Hoxhën, “heroin” e ri, përbën jo vetëm një rrezik për madhështinë e figurës së tij në dukje, pra në zhvendosjen e vëmendjes së popullit të vet tek i pari, por duke qënë “Atlet a Kalorës i Krishtërimit”, do të zgjonte së pari vëmendjen e të gjithëve. Së pari, të pasardhësve të tij në Kalabri, praktikisht të pakundërshtueshëm, që do të zgjonin atë që po “varroste”, religionin, së dyti, do të dilte në çdo rrethanë në plan të parë interesi i botës mbarë për heroin, që duke e bërë varrin e tij një vend pelegrinazhi, do të zbulonte vendin e tij të mbyllur, i cili jetonte në “lumturi”. Kështu mund të radhisim pafund arsye që Enver Hoxha nuk mund ta pranonte fizikisht figurën e Skënderbeut.

Gjatë një bisede me një mikun tim studiues i thellë i religioneve, ngrija vazhdimisht pyetjen se sa do ateist të ishte Enver Hoxha (çuditërisht bir kleriku), duhet të kish treguar një kujdes minimal me këto mënyra, që nuk i takojnë respektit ndaj religioneve jo e jo, por asnjë qytetërimi. Ai mu përgjigj thuajse i sigurtë, se Enver Hoxha e ka njohur anën që i duhej të religionit, pjesën që duhej goditur, gjë që mu duk e çuditshme për momentin, por në çast mu kujtua një episod në librin “Hrushovianët”, që tregonte disa hollësi. Në vizitën e tij në Ҫekosllovaki, duke vizituar një muze, në dhomën që ishte vendosur një mumje e sjellë nga Egjipti, me gjithë kureshtjen në maksimum të grupit që drejtonte Enver Hoxha, ciceroni ngurronte të hapte derën e saj, duke refuzuar kategorikisht, ndoshta mbështetur mbi njohuritë, ndoshta bestytnitë mbi elementet e stërlashtë religiozë egjiptianë, nga të cilët kishin vdekur realisht shumë zbulues. Situatën e merr kreu shqiptar, që pranoi se e kish studiuar egjioptianologjinë, e që spjegoi arsyen e refuzimit të ciceronit, e pambështetur kjo sipas tij, dhe e vizitojnë mumjen e nxirë. Këtë fakt ja them me të shpejtë mikut tim studiues dhe ai që duket se dinte “më shumë” nga ç’pritej, njësoj si Enver Hoxha që zgjidhi situatën në Ҫekosllovaki, më tregoi një album të vjetër me fotot e këtij të fundit në kohëra. Në njërën prej tyre që i takonte pikërisht datës 17 Janar 1968, në “shtëpinë” e heroit në Krujë, nën monumentin e Skënderbeut, megjithëse duhet të bënte ftohtë, të gjithë në tribunë për respekt e solemnitet të fjalës që mbahej, shfaqeshin normalë. I vetmi nga të gjithë, që mbante doreza të zeza, ishte kreu i partisë-shtet, Enver Hoxha, gjë që mu duk e çuditëshme, por dhe e justifikuar për shkak të motit të ftohtë. A po mos ishte tjetër mister?! Studiuesi vazhdoi fjalën dukë thënë se vrasësi, gjakësi, varrmihësi a keqbërësi, duhet përpara vendit të ngjarjes apo të viktimës, duhet ti fshehin duart, gjë që mu duk e tepërt, por që shkaktoi tek unë një buzëqeshje, se në çast mu kujtua komedia e famshme “Pallati 176”, ku të situatë të ngjashme, Trebicka i madh, fsheh duart në xhepa. Ja që ka dhe të tillë këndvështrime e gjykime të të gjitha niveleve të njohjeve të situatave religioze, që edhe pa i veshur artificialisht me mister, bartin mjaft të tillë.

Diktaturat e majta janë të parat që u eksperimentuan në historinë e njerëzimit (pa përllogaritur Komunën jetëshkurtër të Parisit, 1917 në Rusi), të pasuara nga ato të djathta që kërkuan të vendosnin ekuilibër në hegjemoni (1922, Itali), të cilat për vetë misionin që kanë, shfaqin shumë tipare të njëllojta dhe anë të përbashkëta. Në planin e brëndshëm, ato të djathta predikojnë nacionalizmin e skajshëm, por edhe ato të majta nuk mbeten prapa në këtë pikë, për hegjemoni e influencë, duke amplifikuar vlerat kombëtare skajshmërisht, fenomen që u duhet të ndeshen e dominojnë vlerat e kombeve të tjerë.

Të marrim shëmbullin rus, ku pas një periudhe të shkurtër, hypën në fuqi gjeorgjiani Josif Visarionoviç Xhukashvili, ose Stalin (i çeliktë), diktator nga më famëkeqët e planetit, i cili gjatë periudhave të viteve ’30 zhduki 20 milion bashkombas, për pushtetin e tij, shifër që ishte e barabartë me viktimat rusë të Luftës së Dytë Botërore. Po në mënyrë të përafërt kanë vepruar të gjithë diktatorët e tjerë, përfshi dhe ne që e kishim modelin ideal.

Në një dokumentar historiko-shkencor austriak, akademikët e atij vendi, të cilët nuk e dimë në ç’rrethana janë lejuar të filmojnë jetën e mbyllur shqiptare në vitet 1978 në çdo detaj e aspekt, duket se kishin marrë të dhëna historike nga arkivat e shtetit për statistikat në çdo drejtim. Nga më interesantët shfaqet fakti i paraqitur aty shprehimisht: “..numri i të vrarëve ne paqe, ja kaloi atyre të luftës”, por del pyetja cilët të vrarë në luftë?! Shifra prej afro 30 mijë të vrarësh, duhet të jëtë krejtësisht e amplifikuar, për arsyet e dëmshpërblimeve të viteve pasluftës, gjë që s’i përgjigjet numrit të të vratëve në Luftën e Dytë, të verifikuar në varrezat e të rënëve të kësaj lufte. Por cila shifër u është servirur austriakëve? Natyrisht në seriozitetit e një shteti është gjithmonë versioni zyrtar, kështu të vrarët e “paqes” nxjerrin një shifër të frikëshme.

E vazhdojme arsyetimin me nacionalizmin, a është jetik apo i dëmshëm për kombin. Por nacionalizmi si dukuri komplekse, në kësi rastesh thjeshtohet dhe zhvishet në disa identifikime konkrete të caktuara vlerash. E tillë është dhe figura e heronjëve kombëtarë, duke qënë ikonë e simbol i kombit, evokon lavdinë e të kaluarës, duke inspiruar në çdo kohë, kombin, lëvizjet kombëtare dhe luftrat çlirimtare. Si komb i stërmadh rusët nuk kanë një hero kombëtar, si zakonisht, por plot gjashtë. Vetë Stalini në paradën e nadhe të Sheshit të Kuq në Moskë, në Luftën e Dytë Botërore është shprehur kështu: “Le të na udhëheqë në këtë luftë të madhe shëmbulli i ndritur i stërgjyshërve tanë të mëdhenj; Aleksandës Njevski, Dimitri Donskoj, Kuzma Minjini e Dimitri Pozharski, Aleksandër Suvorovi e Mikhail Kutuzovi !” Kështu flitet në situata luftrash, do të thotë kushdo, pasi luftëtarët duan shëmbuj e simbole luftarakë në luftë, por unë do të mundohem të hedh dritë, për të thënë se nuk është gjithmonë kështu. Në periudhën midis dy luftrave botërore, periudhë “paqeje”, Stalini shprehet se ka pasur konsideratën më të lartë për heroin e fundit, që u ndesh me Napoleonin, Mikhail Kutuzovin, preferencë, mund të thotë ndokush. Kush ishte Kutuzovi dhe çfarë kish bërë që diktatori më vrastar i kohrave, të përulej para tij?! Heroi i parafundit, Aleksandër Suvorovi, mbajtësi i gradës më të lartë krijuar ndonjëherë “Gjeneralismi” (titull që e mbajti dhe Stalini vetë), nxorri dy nxënës të aftë ushtarakë, për të vazhduar rrugën e heroizmit; Balclay de Tolly dhe Mikhail Kutuzovi. I pari me nuk e përballoi dot me trupa betejën e tij vendimtare, por vendosi kapelen e gjeneralit me pëndë, që shquhej nga të tjerët, për tu vrarë në fushën e luftës, nga ku vetëm u plagos. Tjetrin, Kutuzovin, komandanti i tij Suvorovi, e kish caktuar për marrjen e fortesës së Izmailit, praktikisht e papushtueshme në deltën e Danubit. Kutuzovi njofton superiorin e vet për pamundësinë e pushtimit të fortesës, por Suvorovi, duke e vënë përpara një fakti të kryer, i përgjigjet se tashmë lajmi për marrjen e fortesës së Izmailit i ka shkuar perandorit dhe se Kutuzovi është emëruar komandant i fortesës. Përballë kësaj gjëndjeje Kutuzovi pret tërë pyllin aty pranë, mbush hendeqet ndarës të ujit me trungje dhe në një betejë të Pirros, arrin ta marrë fortesën Në një letër në vitet ’30 ai i drejtohet një akademiku të lartë historian, që vlerësontë në kohëzgjatje veprën e Tolly-t (ai vdiq pas Kutuzovit), Stalini thekson se: “Padiskutim që Kutuzovi ishte një kokë më lartër se Barclay de Tolly” (Letër e shokut Stalin, dërguar shokut Razim “Kapedanët e mëdhenj rusë”1947) Në lidhje me religionin, për vetë rolin e kishës ruse (pas rënies së Kostandinopojës, ata kërkuan kryesimin e saj duke e quajtur veten “Roma e Tretë”), ajo shfaqej e respektuar në kohra, fakt që e gjejmë në poemën e Aleksandër Pushkinit për Kutuzovin, përshkrimin e flakës së qirinjëve në kishë, të pasuar nga vargjet e ndjera: “Këtu pushon ky fuqiploti/Ky idhull i çdo patrioti”. Por Stalini as e kaloi nëpërmend të “hiqte” nga qarkullimi poemën, madje thuhet se i ka sugjeruar Enver Hoxhës, të mos bënin “gabimin” e tyre me klerin, zhdukjen e tij, pasi rrëzohet ura që mund ti lidhte me masën e popullit, e cila mund të arrihej me këtë “ndihmë”. Natyrisht që kreu shqiptar duhet të ketë pranuar teorikisht, por praktikisht me një gabim të vogël: Të gjithë klerikët elitarë i kish vrarë ose burgosur qysh në vitet e para të pasluftës. Nxënësi ja kalon mësuesit, dhe kjo ndodhi pikërisht me ne, që duke shkatërruar hallkat e një zinxhiri vlerash kombëtare, arritëm në një ngjarje të tillë: shkatërrimi i religionit, si shenjë mohimi i tij, çoi në zhdukjen e heroit kombëtar, vlera e vetme që na bën krenar ndaj njerëzimit, zhdukja e heroit është gjymtim i pandreqshëm i vetë egzistencës e jo më vlerave të kombit dhe shkatërrimin e tij kombi, e theksoj, nuk do tja falte kurrë askujt!

E theksuar edhe më lart, le të shërbejë si çast pendese e fundit të moshës së atyre e dinë të vërtetën si dhe ku përfundoi. Lë të bëjnë atë akt bamirës ndaj këtij shenjtori të madh, që nderon mbarë njerëzimin me veprën e tij. Këtë thirrje e bën edhe Ndërgjegja e Kombit, siç bën thirrje të shkëputemi nga fenomene të tilla makabre mesjetare, që për hir të së vërtëtës na bëjnë pjesë të frazës therëse të Klemansosë: “Bota me baltë bën heronj, ne heronjve u hedhim baltë !..”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *