KULTURA

VËSHTRIM – NIETZSCHE, FILOZOF ILIRIK

Filozofia lirike e Nietzsche (Niçe) nuk i drejtohet arsyes. Edhe influenca e tij nuk diktohet aspak te filozofët e mirëfilltë, por më tepër te shkrimtarët dhe artistët. Nëse suprimohet Dekartit (Descartes), suprimohet idealizmi modern, nëse suprimohet Marksi (Marx), suprimohen « dhjetë ditë të dridhjes së botës ». Por, nëse suprimojmë Nietzschen : fizionomia filozofike e shek. XX nuk ndryshon asgjë. Pse ? Bergson-i e ka cituar vetëm dy herë : njëherë kur thotë se, ndarja e njerëzve në skllevër dhe zotërinj është « gabim » dhe herën tjetër për të shprehur vitalizmin e Guyau (Jean-Marie Guyau. Husserl nuk e ka cituar kurrë. Heidegger i ka kushtuar vetëm disa orë, por duke e quajtur «të shëmtuar dhe shumë llafazan », sipas Hannah Arendit, kur ky iu kishte drejtuar Jaspers-it. Nietzsche ishte filozof i cili të mbushte me do vështrime që kaplonin shpirtin, apo aforizmat e tij që shndrisin sikur drita blici. Por, ai nuk ka lënë pas veti një rrymë apo lëvizje të definuar qartë, një shkollë.

Filozofët më të njohur, disa janë apo kanë qenë fenomenologji apo heideggeristë, të tjerët spinozistë, neokantistë, marksistë, weilistë (Eric Weil), sartristë, por nietzscheanistë asnjë. Pse ka ngjarë kështu ? Sepse tërësia e koncepteve të Nietzsches nuk ekziston si sistem, nga fakti se është vështirë të thuhet ç ‘domethënie ka të jesh nietzschanist. Pastaj, konceptet e tij nuk janë koncepte themelore (kryesore). Cogito e Dekartit, imperativi kategorik i Kantit, Aufhebung i Hegelit, zgjatja bergsoniane, Daseine e Hegelit janë koncepte kryesore, pikënisja e analizave të pafundme apo piedestali i katedrales së ideve. Ndërsa konceptet nietzscheane nuk janë bazament, ato janë të farkuara, problematike, të dyshimta. Vullneti i fuqisë : një metaforë, kthimi në përjetshmëri: një ide e vjetër greke, nga të cilat ka krijuar një mit: mbinjeriun, mbikrishtërimin (por njeriu a ka qenë gjithmonë i krishterë?). Nga kjo rezulton një filozofi jo e diskutuar, por një filozofi-fiksion.
Nietzsche ishte një lajmëtar një “guximtar” do të thoshim, një i beftë, një udhërrëfyes. Ai i hedhë idetë sikur tundime. E si t’u rezistohet gjithnjë tundimeve? Edhe pse idetë e Nietzsche-s nuk janë koncepte kryesore, janë fermentime të cilat si ide brum i gjejmë shpesh te filozofët, por në veçanti te shkrimtarët apo artistët: për nihilizmin – pasiv apo aktiv- lumturinë si zëvendësim të shenjtë, progresin si ide moderne, „d.m.th. falco“, socializmin si avatar të kristianiszmit, filozofia, morali si „art i interpretimit“, zgjidhja e realitetit në dukje, urtësia (mençuria) tragjiko-dioniziake , bota si lojë, pjesëmarrja e individit në „lojën e botës“ etj. Pra influenca, që reagon më tepër si drejtim i tërthortë se sa frontal, e që është vështirë të rrethohet.

Po si duket sot? Ajo çfarë na kujton Nietzsche, – thotë Eugen Fink, është një „konvertim radikal“, pas rraskapitjes së traditës. Kjo është e vlershme aq më tepër kur sot, pas dështimit të ideologjive dhe utopive të arsyes është koha e konvertimeve të përgjithshëm: sekteve të shumëfishta, joshja e budizmit, etj. Pikë e përbashkët e të gjitha këtyre janë konvertimet për gjetjen e lumturisë, më tepër euforike, se sa tragjike. Kësaj pikëpamje, Nietzsche i kundërvë një konvertim tjetër, i cili supozon asgjë më pak se sa një rivlerësim dhe një përmbysje të raportit tonë me grekët: në kuptimin që grekët të mos jenë vetëm e kaluara e jonë, por edhe ardhmëria jonë – që me këtë mendim Nietzsche i paraprinë vizionit të Hegelit.

Pse grekët? Sepse grekët janë ata që e kanë dashur jetën më së shumti, gjithnjë duke mos pasur nevojë që ajo të ketë ndonjë kuptim. Erwin Rhode, mik i Nietzsche-s, që ishte një apologjistë i flaktë i helenizmit thoshte, se injoronte çdo gjë që lidhej me „sensin e jetës“. Duke aboluar nocionin që supozon shkatërrimin e të gjitha koncepteve me të cilat sot është i lidhur njeriu si: kristianizmin, racionalizmin, progresizmin, pozitivizmin, moralin e detyrimit, demokracinë, socializmin, pra ky është roli i mitit në kthimin e gjërave të përjetshme. Atëherë vullneti i sundimit nuk është më vetëm i gjithmonshëm, por është edhe dëshirë për një fuqi komparative. Ky sundim arrin piedestalin nga një pohim absolut për jetën e „asgjë më shumë“, por i liruar nga finalitetet, nga „robëria e qëllimshme“. Në shekullin XX, Henrich Heine, Louis-Augiste Blanqui, Gustave Le Bon kanë folur, para Nietzsche-s, për kthimin eternel. Kështu thoshte Blanqui, në vitin 1871: „Ajo që shkruaj në këtë moment në birucën e një fortese në Taureau, e kam shkruar dhe do ta shkruaj në amshim, mbi tavolinë, me pen, nën petka, në rrethana të ngjashme. Sa i përket përfilljes së pitagorianëve, stilistëve, Nietzsche ka folur për kthimin eternel me Erwin Rhode apo Franz Oberveck pa i akorduar ndonjë interes të veçantë. Disa vite më vonë (1882 e 1884, kjo shndërrohet në një „sekret të tmerrshëm“, për të cilin flet me një „zë plëngprishës të shurdhër“, – thotë Overbeck. Në të vërtetë, ç’ka ndodhur? Thjeshtë, ajo që nuk ishte veç një teori e famshme është transformuar në mit – e destinuar të substituohet në mite, religjione apo jo, që i lë njeriut pak shpresë më shumë për një jetë më të mirë apo fuqinë „për ta ndryshuar jetën“. Që individi të mund ta rijetojë përjetësisht jetën e vet, pa ndërruar asgjë, pa e zbukuruar me asgjë dhe pa mundur t’i ikë kësaj gjendjeje, ja për çka duhet bindur njerëzit dhe për çka duhet të jenë objekt i predikimeve të ardhme, sepse këtu është mënyra të ndahen dy llojet e njerëzve: të fortit dhe të dobëtit, ata që thonë PO dhe ata që thonë JO.
Nietzsche nuk beson në kthimin eternel si teori fizike. Ai kritikon të gjitha konceptet që intervenojnë në formulimin e hipotezes si : konceptin e së vërtetës, konceptin e njohjes, kategoritë epistemologjike si ajo e kauzalitetit, konceptet metafizike, sikur nocionet e gjithçkafit, të botës, konceptet siantifike, sikur atë të forcës, konceptet logjike, duke nënkuptuar nocionin e jo kontradiktave. Kështu mbetet vetëm MITI, i cili vlen vetëm për efektin që ka, kapacitetin e tij paralizues apo ekzaltues. Këtu zbulohet pragmatizmi i Nietzsche-s dhe nga këtu skepticizmi i tij karshi filozofisë.

Por ky skepticizëm është gjithashtu s’pari skepticizëm ndaj vetvetes. Me praktikën skeptike, Nietzsche ka thënë më shumë se çdo filozof, prej Montegnit e këndej, mbi natyrën e filozofisë. Mendimi i një filozofi nuk është të menduarit e mbrëmjes, siç donte Hegeli, por të menduarit e mëngjesit. Për Nietzsche-n sikur për Monetgnin i vlershëm është vetëm të menduarit e mëngjesit. Kjo do të thotë se gjërat duhet trajtuar sikur i sheh për herë të parë. Filozofi i ardhshëm, tash që epoka e sistemeve gjendet prapa nesh, mendoj që do të jetë sikur shembulli i Montegnit dhe Nietzsche-s, një tentues i përhershëm duke u kthyer vazhdimisht në thërrmijat e nismave evidente, duke refuzuar çdo akumulim të diturisë që do të çonte në sistem dhe në ndaljen e të menduarit. Nëse filozofia është gjithnjë një tentativë rifillimi, ajo është në vetvete një b]sképsis[/b] (provim, refleksion, pyetje), kërkesë infinite nën idenë e së vërtetës, sepse në emër të së vërtetës Nietzsche kritikon konceptin e së vërtetës. Kush, në shek. XX, ishte më besniku karshi mësimit të Nietzsche-s ? Me Hannah Arendt, mund të thuhet, ishte Heidegger-i. Ajo e krahason me Penelope-n, ç’tjerrej ditën, zhbëhej natën për të rifilluar ditën tjetër: „Çdo njëri prej shkrimeve të Heidegger-it lexohet, thoshte ajo, sikur të fillosh prej fillimit. Heidegger e quan këtë “mungesë e përfilljes me të cilën rifillon çdo herë mendimi“, dhe këtë e thotë ai edhe me rastin e Nietzsche-s. Me këtë përfillje ai i qëndron besnik mësimit të Nietzsche-s nuk e shndërron në filozof lirik. Kjo eshë një e metë e Heidegger-it, sepse, fundi i fundit, ajo që është më madhështorja te Nietzsche: është stili i tij, i cili nuk mund të barazohet me atë të Paskalit, por përafërsisht.

Marcel Conche
Përktheu: Seff Krasniqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *