HISTORIA

PROCESVERBALI I THEMELIMIT TË PKSH-SË U MBAJT NGA QEMAL STAFA

SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI

Në vijim të diskutimeve në lidhje me procesverbalin e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, po rreshtoj disa prova të tjera. Si fillim më duhet të them se kam prova të shumta që e lidhin humbjen e këtij dokumenti me katastrofën ndaj arkivave të shtetit shqiptar që nisi në fundin e vitit 1944, kohë kur komunistët vendosën pushtetin e tyre. Procesverbali, por edhe dokumente të tjera kanë qenë pjesë të praktikës së provave të gjykimit të 203 komunistëve, një proces hetimor që u zhvillua në vitet 1942-1943. Pas shkatërrimit të gjithë dokumentacionit të trashëguar nga “shteti borgjez”, ky procesverbal humbi në Shqipëri. Në dokumentin e datës 19.4.1943 të nënshkruar nga gjyqtari hetues i Gjyqit të Posaçëm të Shtetit, Sertorio Gresentini (të cilin p.sh. nuk e kanë identifikuar njohur apo konsultuar studiues si Kristo Frashëri, etj), jepet mjaft informacion për fletoret e mbledhjes së themelimit dhe dokumente të tjera. Pjesë fletoreve të procesverbalit të themelimit i gjejmë në ligjëratë të drejtë apo të zhdrejtë në materialin në fjalë.

Në 121 faqet e vyera të këtij kapitulli, në pjesën “observime për drejtësinë” flitet gjerësisht për këto zhvillime në referim të dokumentacionit origjinal të komunistëve që zotëronin autoritetet fashiste. Në hyrje të kësaj pjesë thuhej:

“Në të vërtetë ky proces gjyqësor ka rëndësi të posaçme. Nga hetimet e zhvilluar me imtësi dhe nga dokumentet e mbledhura rezulton qartë puna, qëllimi dhe karakteri i organizatës subversive në Shqipëri. Nga të dhënat e mësipërme dhe nga zhvillimi i procesit do të dalë më në krye natyra e lëvizjes politike që ka në krye. E përforcojnë këtë të vërtetë, deponimet e (Ludovik) Nikës dhe të Zef Ndojës që kanë ngjashmëri e përputhen me dokumentet e zëna. Dokumentet e zëna kanë dalë nga burimet e vërteta të organizatës dhe janë pjesa më interesante e këtij procesi”.

Në pjesën shpjeguese për veprimtarinë e armatosur, shpjegohet zbulimi i disa bazave me armë e municione të ndryshme gjatë vitit 1942, disa prej të cilave u identifikuan nga një listë që iu gjet Qemal Stafës pas vrasjes më 5.5.1942. Po ashtu ishin gjetur edhe triska ushqimesh. Sipas të dhënave të grumbulluara, kryengritja ishte parashikuar të pëlciste në pranverë 1942. Në dokumentet e zëna flitet për fillimin e luftës “partizane”. Krijimi i formacioneve luftarake, agjitacioni e propaganda, aktet e sabotazhit (hedhja në erë e urës së Matit, shkatërrimi i djegia e puseve të naftës). Më tej, argumentet ndahen në 5 nënkapituj (do jap informacion të shkurtër vetëm për pikën e parë):

1 – Çështja e historikut të lëvizjes komuniste
2 – Hovi që i dha lëvizjes komuniste formimi i Partisë Komuniste
3 – Veprimtaria e Komitetit Qendror
4 – Veprimtaria e armatosur
5 – Përgjegjësia

1 – Çështja e historikut

Hetuesi i bazuar në fletoret e gjetura në shtëpinë e Zef Ndojës, por edhe në baza të tjera, shpjegon formimin e Grupit Komunist të Korçës (“Puna” e Korçës), “i orientuar më mirë drejt Kominternit”, formimin e një fraksioni prej tij (Grupi i të Rinjve), Grupin Komunist të Shkodrës (njohur për “teorinë e kuadrove”). Antagonizmi i grupeve (sipas fletoreve të zëna) pengonte zhvillimin e sigurt të lëvizjes komuniste. Grupet u vunë në lëvizje pas sulmit gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941. Ndër të tjera, në këtë pjesë gjëjmë edhe këto fjalë:
“Lëvizja komuniste në një kohë nuk ka patur unitet dhe drejtim të caktuar. Kjo rezulton qartë në dokumentet e zëna. Në të vërtetë erdhën duke zëvendësuar njëri-tjetrin me anë kundërshtimesh, grupe të ndryshëm antagonistësh, me tendenca të ndryshme”.

“Në mbarim të këtyre mbledhjeve dhe si përfundim, u redaktua nga komiteti qendror një rezolucion. Rreth këtij dokumenti kemi folur gjer tani, nga i cili janë nxjerrë të dhënat që vazhdojnë. Për këtë dokument do të flasim edhe një herë më poshtë. Mirëpo nga letra të tjera të zëna nëpër depo, dalin në shesh fakte dhe hollësira rreth diskutimeve të kanë patur përfaqësuesit e grupeve komuniste shqiptare. Të dhënat e këtyre përputhen me deponimet e Ludovik Nikës dhe të Zef Ndojës, në shtëpinë e të cilit janë zhvilluar këto mbledhje.

Duke lexuar këto dokumente do të dalin në shesh emrat e shumë kryetarëve të rëndësishëm. Në fund të procedimit është për t’u vënë re se këto mbledhje u zhvilluan në nëntor 1941 dhe e gjithë përmbajtja e diskutimeve të zhvilluara këtë rast, ndonëse në një mënyrë të ngatërruar është mbajtur në tri fletore të zëna në shtëpinë e Zef Ndojës, shkruar me dorë, me sa duket nga Qemal Stafa. Një koment interesant dhe i rëndësishëm është bërë në një farë vendi në një fletore tjetër të shkruar në gjuhë sllave të gjetura në depon e fshehtë të Zef Ndojës. Sikurse u tha edhe më sipër, ky dokument duket se përmban relacionet e zhvilluara nga emisarët e Kominternit (Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, të cilët në të vërtetë nuk ishin përfaqësues të Kominternit por të Partisë Komuniste Jugosllave. Ka mundësi që në procesverbal ta kenë paraqitur veten si të Kominsternit-shënim) nën drejtimin e të cilëve u zhvillua mbledhja për shkrirjen e grupeve komuniste. Tetë ishin grupet, ndër ta tre ishin kryesorët. Merrnin pjesë 16 krerë. Mbledhja zgjati 4 ditë e 5 net. Megjithëse pa ndonjë rregull të caktuar u diskutua për gjithçka dhe ndonëse u bë thirrje që diskutimet të ishin më korrekte, disa herë u teprua dhe u shkel rregulli sepse diskutantët kishin tendencë të fshihnin gabimet e tyre dhe të vinin në dukje ato të të tjerëve. Pastaj mbledhja mori drejtim të rregullt. Pjesëtarët nuk i dinin bazat themelore të organizatës komuniste. U zgjodhën shefat e rinj ndërmjet atyre që nuk kishin patur ndonjë përgjegjësi por që kishin dhënë garanci për një punë të zellshme e korrekte.

Ky fakt i përgjigjet pikë për pikë përmbajtjes së tri fletoreve që u zunë në shtëpinë e Zef Ndojës. Ka rëndësi të madhe të vihet në dukje fakti se dokumentet e fundit bashkë me fletoren në gjuhë sllave për të cilën është bërë fjalë më sipër, bashkë me një relacion tjetër po në gjuhën sllave u gjetën në depon e fshehtë të rrugës “Ceno Sharra” nr.83. Dokumentet e mësipërme përmbajnë fakte të rëndësishme lidhur me aktivitetin e zhvilluar nga grupet, shefat e pjesëtarëve të këtyre grupeve se lëvizjen e gjerë subversive që nga fillimi i tyre gjersa arritën dhe u shkrinë të gjithë në një parti të vetme komuniste shqiptare. Sikurse është bërë fjalë në paraqitjen e fakteve që rëndojnë mbi të akuzuarit, nga këta dokumente janë nxjerrë emrat e krerëve që kanë patur përgjegjësi si dhe kanë luajtur rol të dorës së parë në organizatën subversive për të cilën po flasim”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *