HISTORIA POLITIKA KOMBËTARE

SI U SHPALL PAVARËSIA

Nga Behlul Jashari

Në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova para 27 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Isha pranë delegatëve të Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike dhe shkruajta redaksionalin për gazetën Rilindja.

“Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë…”, pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri, pavarësi e demokraci, e shpallën në Prishtinë delegatët shqiptarë, po edhe nga komunitete të tjera, para dyerve të Kuvendit kosovar, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër serb nga Beogradi, që kishte vendosur gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor.

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, në një rast përvjetori në bisedë ekskluzive për mua, kujtonte:

“Mëngjesi i 2 Korrikut më çeli në një shtëpi, e cila nuk ishte e imja në Vushtrri, as e të afërmëve të mi në Prishtinë, ku një ditë më herët erdha pasi u përshëndeta me familjen…Fjeta tjetërkund, që t’i shmangem arrestimit, meqë kishin filluar ndjekjet penale kundër meje e delegatëve të tjerë… Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Në kohën e Deklaratës së 2 Korrikut, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Ilaz Ramajli, i cili faktikisht udhëhiqte me shumicën e delegatëve, meqë kryetari ishte nga radhët e serbëve që kundështonin autonominë dhe pavarësinë e Kosovës.

Pastaj, Ramajli udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe me të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 25 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arresoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 16 vjet nga qershori 1999, Kosovës shtet  shtatë vite – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së.

“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në atë ngjarje historike, të botuar të nesërmen në ballinën e Rilindjes – gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë, ku theksoja se, “Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Në kohën e Deklaratës së 2 Korrikut, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Ilaz Ramajli, i cili faktikisht udhëheqte me shumicën e delegatëve, meqë kryetari ishte nga radhët e serbëve që kundështonin autonominë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ramajli udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Në një intervistë ekskluzive që i mora Ilaz Ramajlit në 20 vjetorin e Referendumit, ai theksonte se, “janë dy aktet kushtetuese juridike të rëndësishme që i kanë paraprirë mbajtjes së Referendumit – Deklarata Kushtetuese në 2 Korrik 1990 dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e nxjerrë në 7 Shtator 1990”. Ato, shtonte ai, “shprehin kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit Sovran”.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën, ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, shprehet Ramajli.

Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur.

Kryeparlamentari kosovar i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, Ramajli do të flasë në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës,  në 2 Korrik 2015 në orën 11:00, ku do bëhet shënimi i 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.

Ai do të theksojë se, “Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, pavarësi kjo që u ndërtua me Lëvizjen paqësorë për çlirim e pastaj me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për tu realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, i cili tashmë është njohur nga mëse 110 shtete, ndër to fuqitë më të mëdha ekonomike dhe ushtarake të botës”.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, një ekzemplar të së cilës e kam të ruajtur edhe pas 25 vitesh, që kur ma dhanë vetë delegatët në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës, dhe përmbajtja e plotë e saj është kjo:

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA (Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve) të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT i BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)

  1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
  2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
  3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerik në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
  4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
  5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990.

Delegatët, nënshkrues të Deklaratës:”

Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, në 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat.

Sipas shumë vlerësimeve, në shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 hapi i 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq “ishte baras me kapjen e armës për lirinë, që do të vinte”.

Theksohet se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake dhe tanke.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *