POLITIKA KOMBËTARE

TIMONI I RAMËS I PRISHI ZGJEDHJET

SHKRUAN: ILIR NIKOLLA

Ëndrrat maoiste të Edi Ramës për të qeverisur vetëm dhe për t’i bërë shqiptarët kavje për eksperimentet e tij pseudoartistike sollën shkatërrimin e zgjedhjeve, si një proces alternativ. Pa program, pa bilanc dhe me një dëshirë të shfrenuar për të mos patur as kundërshtarë e as opozitë politike, Edi Rama nuk u la mundësi shqiptarëve të votonin për programe, por i vuri në zgjedhën e Timonit. Fajtori i parë i kësaj dite është kryeministri në detyrë, që po konfirmon se e ka të pamundur të zhvillojë çfarëdolloj procesi zgjedhor. E shumta që Edi Rama mund të fitojë nga procesi i 25 qershorit mund të jetë vetëm grada e salep-kryeministrit, më saktë miell-kryeministrit

Socialistëve nuk u dhimbsej leku për ëndrrën me timon të Edvinit

Ëndrrat maoiste të Edi Ramës për të qeverisur vetëm dhe për t’i bërë shqiptarët kavje për eksperimentet e tij pseudoartistike sollën shkatërrimin e zgjedhjeve, si një proces alternativ. Pa program, pa bilanc dhe me një dëshirë të shfrenuar për të mos patur as kundërshtarë e as opozitë politike, Edi Rama nuk u la mundësi shqiptarëve të votonin për programe, por i vuri në zgjedhën e Timonit. Në vend të shqyrtimit të alternativave dhe shkëmbimit të pikëpamjeve lidhur me rrugën nga po shkon Shqipëria, muaji i fushatës elektorale u karakterizua nga tmerri i nxjerrjes me dhunë të opozitës nga procesi dhe pas 17 majit, nga fushata industriale e tjetërsimit të vullnetit të votuesve, përmes shitblerjes, shantazhit dhe përdorimit të bandave. Përpjekja e Edi Ramës për t’u shpallur sulltan i paapelueshëm, që s’jep llogari askund dhe që s’mund të kufizohet në mandat e në vendimmarrje, pamundësoi shqiptarët të zgjidhnin e rrjedhimisht dje s’pati përzgjedhje demokratike. Krahasuar me 4 vjet më parë, thuajse 300 mijë shqiptarë nuk ju përgjigjën apelit për t’u paraqitur në kutitë e votimit. Ata s’u bënë ortakë në një proces që ishte prishur nga Timoni i Ramës, pasi ata vetë s’kishin asnjë interes të shpreheshin për timonin e tij. E gjithë shtresa gri e votuesve, ajo që realisht edhe zgjedh elitat politike në vendet demokratike, praktikisht ju bashkua ushtrisë tradicionale të abstenuesve (kryesisht emigrantë) dhe Timoni i Ramës mbeti në dorën e votës së militantëve të partive, intimidimit të administratës dhe segmentit që u shndërrua në kliente të sekserëve që shpërndanë narko-klanet e kryeministrit.

Lista e denoncimeve, elektronike, fizike e fatmirësisht, në sajë të disa ndryshimeve në Kod, edhe provave ligjore, është e pafundme. Ngjajnë të vogla, jo shumë të rëndësishme, pasi s’u regjistruan viktima, por numri i jashtëzakonshëm i denoncimeve për parregullsi, kombinuar me bojkotimin flagrant të të paktën 300 mijë shqiptarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 2013-s, e bën verdiktin e zgjedhjeve të djeshme një verdikt pa standarde, një vendimmarrje që s’del nga zgjedhje me standarde, por nga një lojë që është prishur prej ëndrrës së kryeministrit në detyrë, për t’u emëruar sulltan.

Analiza mbi teknikat e manipulimit elektoral dhe mbi pabarazinë e fushatës, meriton një qëmtim më të detajuar në ditët në vijim dhe rast pas rasti e qark pas qarku, pasi i tillë është edhe sistemi ynë elektoral, por verdikti i parë i 25 qershorit është dhënë: përzgjedhja e shqiptarëve u infektua nga ëndrra e Timonierit-kryeministër, dhe prej andej buroi i gjithë shkatërrimi i procesit zgjedhor. Prandaj, fajtori i parë i kësaj dite është kryeministri në detyrë, që po konfirmon se e ka të pamundur të zhvillojë çfarëdolloj procesi zgjedhor. Ky fajtor duhet të presë për ëndrrën e tij të timonierit një rast më të mirë, një rast kur ai s’do të ishte vetë organizatori i procesit, pasi vetëm kështu do të mundet që opinioni publik të marrë në konsideratë në mënyrë të drejtë gradimin e tij në sulltan të vërtetë. E shumta që mund të fitojë nga procesi i 25 qershorit mund të jetë një salep-kryeministër, më saktë një miell-kryeministër (meqë për përpunimin e miellit s’i beson çfarëdolloj banakieri).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *