SPORTI

SHQIPËRIA ËSHTË TËRHEQËSE PËR ÇDO TRAJNER

Ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Gianni De Biasi është vlerësuar dje me një çmim mirënjohje nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, organizuar në ambientet e kësaj të fundit.

Një çmim që vjen në një moment të çuditshëm, pasi 60-vjeçari është larguar nga stoli i kombëtares, por puna që ai ka bërë me kuqezinjtë për 5 vite e gjysmë ka bërë që edhe drejtuesit e ministrisë ta vlerësojnë italianin, (si shumë institucione të tjera publike dhe private).

“FSHF-ja do të dijë të zgjedhë, siç bëri edhe në rastin tim. Mendoj se është çasti më i mirë për të thënë se, edhe Duka do të bëjë një zgjedhje me kujdes dhe në liri të plotë. E rëndësishme është që trajneri, i cili do të vijë, të dijë t’i japë Shqipërisë mundësinë që të përmirësohet në të ardhmen. Nuk dua të ndikoj në zgjedhjet e presidentit Duka, por ai e di shumë mirë se, sa herë do të ketë nevojë për mua, do të më ketë gjithnjë në krah”, tha De Biasi për mediat.

Ish-tekniku i kuqezinjve deklaroi se tani kombëtarja është tërheqëse për çdo trajner pasi u ofron mundësin të promovohen në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria tani është një skuadër që tërheq dhe nuk ka qenë e tillë përpara disa vitesh. Është një kombëtare që u jep mundësinë shumë trajnerëve që të shfaqin vlerat e tyre dhe të bëjnë një figurë shumë të mirë, sepse ekziston mundësia e pjesëmarrjes në ‘Euro 2020’, që do të zhvillohet në të gjithë kontinentin. Kjo përbën një mundësi të mirë për çdo trajner, që të kualifikojë Shqipërinë për herë të dytë në një kompeticion të tillë”, shtoi 60-vjeçari që më pas i përgjigjet me batutë pyetjes se kush mund ta drejtojnë Shqipërinë: “Lippi, Capello ose Trapattoni.”

T.O.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *