OPINIONE

SHKELM SHTETI

SHKRUAN: EDISON YPI

Korrupsion që bën kërrdinë. Ekonomi buzë greminës. Politikë nepotike. Parlament me bandita. Media me llallallara në shërbim të politikës. Diplomaci për ibret. Rend në dorë të askujt. Droga si n’harradoz. Dëshira për të ikur e papërmbajtur. Për Moral, Edukim, Art, Kulturë, as që bëhet fjalë.

Ky tmerr e kjo llaftarë, mund të nisi të përmirësohet vetvetiu pas nja treqint vitesh me ndonjë rezultat që mund të çfaqet pas nja një mijë vitesh. Zotësia është të bëhet pak më herët. Zgjidhja mund të jetë, pse jo, një Grusht Shteti. Grushti i Shtetit nuk u lypset diktaturave. Diktaturat Grusht Shteti janë. Grushti i Shtetit u duhet demokracive si kjo e jona, të lindura të kalbura. S’ka problem se jemi në NATO. Në NATO është edhe Turqia ku Grushti i Shtetit mbeti pa u realizuar për qime. Grushti i Shtetit pra është ide e mirë, por halli se Grusht Shteti në Shqipërinë e sotme nuk mund të bëhet. Jo sepse është tepër herët apo tepër vonë. Sepse

Grushti i Shtetit është një gjë tepër serioze për Shqipërinë langaraqe.

Megjithatë nuk është për tu mërzitur.

Vjedhje Shteti, Xhvatje Shteti, Therje Shteti, Çjerrje Shteti, Helmim Shreti, Hu Shteti, Hell Shteti,Yxhym Shteti, Dërrmë Shteti, Gisht (i mesit) Shteti, Shpullë Shteti, Kilikosje Shteti, Pickim Shteti, Shtyrje Shteti, Shembje Shteti, Gremisje Shteti, këto kanë ndodhur dhe janë skualifikuar si varianta jo-efikasë të Grushtit të Shtetit.

Në këto kushte, pse të mos bëjmë atë që na përshtatet më tepër. Jo një Grusht Shteti serioz por një Grusht Shteti qesharak, një Shkelm Shteti. Jo një Grusht Shteti Rock & Roll, por një Grusht Shteti Tallava. Diçka të dobishme dhe të pazararshme. Diçka që të lodh por të pëlqen, të frikson por nuk të dëmton. Diçka për tua nxjerrë gjumin shqiptarëve. Diçka kërrcitëse dhe ndriçuese si rrufeja. E cila bie nga qielli duke bërë gjithato të mira; Sjell në vete kallaballëkun. Llamburit për një çast për tu treguar rrugën atyre që e kanë humbur natën në pyllin e dëndur. Nuk bie kurrë hale. Ta bëjmë pra një Shkelm Shteti. Shqiptarët ta shohin si film horror që i bën të ndjehen më energjikë, më syçelë, më të etur për progres, më të squt. Ta bëjmë Shkelmin e Shtetit për të kënaqur sa më tepër shqiptarë nga të palumturit e shumtë; Viktimat e burokracisë dhe Mafias, idealistat e frikësuar nga shtimi i baltës, kanabistat e penduar nga mungesa e perspektivës, popullin e llaftarisur nga fukarallëku, të tmerruarit nga përmasat e ikjes në emigracion, pa harruar qindra mijë ish të përndjekur, të cilët, pavarësisht se pas pak do mbeten me gojë hapur dhe gisht brenda nga mbrapa, atypëraty do kujtojnë se çoç u bë.

Ideal për një Shkelm Shteti është Doktori. Me energjinë, fantazinë, karizmën që e karakterizon, Doktori mund ta bëjë Shkelmin e Shtetit me cilësi dhe efektshmëri mahnitëse.

Mund ta bëjë Shkelmin e Shtetit edhe Ilir Meta. Me talentin dhe autoritetin prej Lideri të kalitur nëpër gjithato sfida, Abas Aliu do ketë sukses të paparë.
Edi Rama është gjithashtu kandidat për të bërë Shkelm Shteti me anë të ministres bionde, e cila nëse do kombinojë mjetet që ka në dispozicion me urdhërat përkatës, do hyjë në histori si shpëtimtare dhe do ti ngrihet një shtatore.

Krahasuar me Hashash Shteti, Thikë Shteti, Mafie Shteti, Hanxhar Shteti, Sqepar Shteti, Shurdhim Shteti, Qorrim Shteti, Pshurrje Shteti, që stërnipat e Skënderbeut i kanë zbatuar me sukses me rezultatet katastrofike që dihen, Shkelmi i Shtetit nuk do ketë asgjë shqetësuese, frikësuese, apo për të na kallur datën siç mund duket në një vështrim sipërfaqsor. Shkelmi i Shtetit nuk do ketë gjë të përbashkët me Grushtin e Shtetit si e tregojnë filmat e Hollivudit; arrestime në mesnatë, tortura nëpër qelira, pushkatime, djegie kufomash, tanke në shesh, ushtarakë që me këmbët mbi tavolinë dhe duke kafshuar një hamburger, presin në zyrë civilë që ankohen për arrestime të padrejta. Shkelmi i Shtetit do jetë i thjeshtë. Doktori, Ilir Meta, Edi Rama, pse jo dhe Ministri i Brendshëm që duket si i lindur për Shkelma Shteti, do japin urdhërat e duhur për të evituar diktaturën e kalbëzimit të Shtetit. Që Shkelmi i Shtetit të ketë mbi shqiptarët efektin kurativ të Ramazanit, të merren disa masa; Të mbyllen kufijtë. Të bllokohen hyrjet e qyteteve. Të pengohet përdorimi i autostradave. Të ndërpritet uji dhe korenti. Të pamundësohet përdorimi i telefonave celularë dhe stacionarë. Të errësohen televizionet. Të ndalohet dalja e gazetave. Ata që kanë publikuar shkrime gazete më të gjata se 1 mijë fjalë, të grumbullohen forcërisht te mali me gropa. Ata që kanë manipuluar deklarimin e pasurisë apo kanë xhiro llogarira nëpër parajsa fiskale, të degdisen në ishullin e Sazanit. Ata që vazhdojnë të shohin filma shqiptarë ose mbajnë ment batuta të atyre filmave, të shtyhen me fshesë te fshatrat e internimit të Myzeqesë. Kaq. Vetëm kaq. Nja tre a katër ditë. Jo më tepër.

Ta bëjmë një Shkelm Shteti. Jo për të vendosur ndonjë lloj diktature që do paksonte Lirinë e të tjera broçkulla. Për të vënë pakëz rregull. Që kockat e shtetit të forcohen. Mushkëritë e shtetit të mbushen. Shtylla kurrizore e shtetit të drejtohet. Zemra e shtetit të rrahë. Gjaku i Shtetit të rrjedhë.

Ku, prej maleve të lartë e deri te fushat me lule që Naimi i ka pasur ndërmet dit e natë, çdo rrip toke është mbjellë me hashash, ku drejtësia që duhej të ishte më e drejta është më e shtrembëra, ku për të formalizuar një pronë që të përket të duhen edhe mbi njëzetë vjet, ku autostradat janë shndrruar në vorreza, ku ëndërrat janë me Dracula, ku koka fërshëllen nga brenda si qindra violina të çakorduara, Shkelmi i Shtetit është zgjidhja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *