HISTORIA

BOMBARDIMI I PEJËS MË 14 GUSHT 1944

SHKRUAR NGA TAHIR ZAJMI – ish-anëtar i Kryesisë së Lidhjes së II°-të të Prizrenit

Mbi kërkesen e Komandantit të fuqive komuniste jugosllave, nji formasjon i aviasjonit Rus apo kombësije tjetër, me 14 Gusht 1944 bombardoj Pejën, ku gjeten vdekjen 1970 qytetar të pafajshëm : burra, gra e fëmijë, trupat e të cilëvet ishin deformue kaq keq sa mos me muejtë me i njoftë nanat fëmijt’e tyne, ose i vllaj të vllanë: dikujë i kishte tretë koka e dame prej trupit, dikuj tjetër gjymtyrët e ndryshëm si kambë, duer të coptueme qi paraqitshin nji pamje me të vertetë tragjike.

Kishim shkue atë ditë në qytetin e bombarduem bashkë me Kryetarin e Komitetit Qendruer të Lidhjes s’Prizrenit Xhafer Deven dhe me arsimtarin nacjonalist Bedri Gjinaj nga Mitrovica.

Rrugët e qytetit, këthye në gërmadha të tmerrëshme, ishin zanë prej materjalit të godinave q’ishin shëmbë dhe ba të pakalueshme : gjithkund kufoma e gjymtyrë njerzish të vramë, të cilët kishin ngelë mbi tokë, pse qyteti ishte zbrazë tansisht nga tmerri dhe nga friga dhe nuk kishte mbetë kush që me muejtë me i bajtë e vorrosë të vdekunit.

Shumë njerëz kishin mbetë gj’allë nën germadha qi bërtitshin dhe kërkojshin me britmen e tyne dishprimtare ndihëm për me i shpetue. Tue shetitë nepër rrugat e lagjës së Kapishticës, nji grue e re, ndejun qyqe vetun në prag të derës, na thirri me hye mbrendë tue na thanë : ejani, or vllazen shqiptarë me pa njiherë se ç’ka më ka gjetë mue të zezen nanë në ditë të sodit! — dhe na prini e na çoj në nji dhomë të shtëpisë përdhese, ku pamë me trishtim kufomat e dy fëmijve të sajë, të vramë nga bombardimi : nji vajzë 12 vjeçare dhe nji djalë 10 vjetësh dhe tue na shique, shtoj e shkreta me syet e sajë të mbushun me lot : lene qi m’gjet ky kijamet i zi dhe i humba këto foshnje — e vetmja mbështetje e ime në këtë botë —, por çka t’i baj hallit qi m’kanë mbetë mbi dhé e s’po kam njeri qi të më ndihmojë me i çue në vorrëze, e me i vorrosë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *