POLITIKA KOMBËTARE

KONGRESI I PËRMETIT SI MBLEDHJA E DYTË E AVNOJ-IT NË JUGOSLLAVI

SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI

Krenaria komuniste për kongresin, është nostalgji jugosllave

Kongresi komunist i Përmetit zhvilloi punimet më 24-28 maj 1944. Kjo ishte mbledhja më e zgjeruar e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në shembullin e Këshillit Nacionalçlirimtar Jugosllav, i cili pat bërë të njëjtën gjë në Jajce të Bosnjës më 29 nëntor 1943. Kongresi i Përmetit, ishte një imitim trashë jugosllav që vendosi themelet e shtetit të ardhshëm të diktaturës komuniste. Ky kongres injoronte tërësisht veriun e vendit pasi delegatët e kongresit ishin poshtë vijës gjeografike Durrës-Tiranë. AVNOJ-i (Këshilli Nacionalçlirimtar jugosllav) i kishte marrë më parë për Jugosllavinë të gjitha vendimet që mori për Shqipërinë kongresi i Përmetit. Jo pa qëllim në godinën kryesore ku u zhvillua kongresi u skalit portreti i mareshalit Tito (bashkëlidhur në foto). Godina ku u mbajt kongresi u shkatërrua disa javë më pas. Fotoja është bërë pikërisht në këtë kohë. Mirëpo në të gjitha albumet e mëvonshme në diktaturë, portreti i Titos është lyer me “gëlqere” historike. Kongresi filloi më 24 maj sepse një ditë më pas u festua ditëlindja e mareshalit Tito.

Vendimet e kongresit

-Vendimi nr.1, datë 27.5.1944, ka të bëjë me vendimet themelore të Përmetit, zgjedhjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar si trup legjislativ dhe ekzekutiv që “përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptar”, formimin e një komiteti në rolin e një qeverie, ndalimin e hyrjes së MBretit Zog, ndërtimin e një “Shqipërie demokratike”, etj.
-Vendimi nr.2, datë 27.5.1944, përcaktonte rolin e Këshillit të KANÇ-it, i cili për të kryer funksionet e një presidencë zgjidhte Kryesinë me një kryetar, një sekretar, 3 nënkryetarë dhe 24 anëtarë. Po ashtu për të kryer detyrat qeveritare zgjidhte një Komitet.
-Vendimi nr.3, datë 27.5.1944, ndalonte hyrjen e Mbretit Zog në Shqipëri (përsëritur në pikën 1).
-Vendimi nr.4, datë 27.5.1944, miratimi i gradave të ushtrisë.
-Vendimi nr.5, datë 27.5.1944, shfaqje mirënjohje nga Këshilli i KANÇ-it për Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.
-Vendimi nr.6, datë 28.5.1944, Kryesia e KANÇ-it me propozim të Shtabit të Ushtrisë gradoi komandantin e përgjithshëm Enver Hoxhën gjeneral – kolonel dhe shefin e shtabit Spiro Moisiun gjeneral – major.
-Vendimi nr.7, datë 28.5.1944, emëroi ekzekutivin komunist me Enver Hoxhën president.
-Vendimi nr.8, datë 28.5.1944, formonte pranë Kryesisë së KANÇ-it të një komisioni për “zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës”.

Në faksimile:

1-Fjala e Enver Hoxhës në plenumin e dytë të PKSH-së, mbajtur në Berat më 23-27 nëntor 1944, ku pranon faktin se kongresi duhej të bëhej se ashtu ishte bërë në Jugosllavi.

2-Godina e kongresit me portretet e Titos dhe Enver Hoxhës, si simbol i vëllazërimit të popujve jugosllavë me popullin shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *