EKONOMIA

KANABISI DHE AKTIVITETET JOLIGJORE PO E “PUSHTOJNË” EKONOMINË SHQIPTARE

Shefi i FMN-së në Tiranë, Jens Reinke ka folur lidhur me situatën ekonomike dhe fenomenin e kanabisit. Ai ka thënë për “Top Channel” se Shqipëria vijon të jetë një vend me ekonomi informale, ku përveç aktiviteteve të tjera të paligjshme një vend zë dhe kanabisi.

“Ne nuk kemi numra, por shumë vëzhgues bien dakord, që Shqipëria ka një ekonomi informale të madhe, e cila përbëhet nga disa aspekte. Një pjesë mund të jetë thjesht evazion tatimor, por sigurisht ashtu si në çdo vend tjetër ka edhe aktivitet të jashtëligjshëm dhe disa nga partnerët në komunitetin ndërkombëtar thonë se kjo është bërë më e theksuar”, ka thënë Reinke.

I pyetur për kanabisin dhe ndikimin që ka në rritjen ekonomike, Reinke ka thënë se ky mund të jetë një tregues, por nuk hyn në statistikat ekonomike pasi është aktivitet i paligjshëm.

“Unë nuk mund të them shumë për pjesën me të vërtetë të jashtëligjshme. Ne të gjithë i lexojmë lajmet e gazetave rreth kanabisit, por ndoshta edhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme, por ato nuk përfshihen në statistikat ekonomike dhe ne nuk mund t’i promovojmë ato”, tha Reinke.

Ndërkohë në një tjetër prononcim për mediat, i pyetur për uljen e TVSH-së në turizëm, Reinke pranon qëndrimin kundër duke theksuar nevojën për të luftuar informalitetin.

“Ne kemi kundërshtuar marrjen e kësaj mase. Arsyeja e parë ka qenë qëndrueshmëria e sistemit të TVSH-së që është burimi kryesor i të ardhurave në buxhet, e dyta sepse nuk është se ka shumë për të fituar nga kjo masë. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve në këtë sektor nuk paguajnë TVSH. Do të ishte më mirë po të kishte nisur nga fillimi i zbatimit të ligjit për turizmin”.

FMN vlerëson së Shqipëria duhet të vijojë planin për uljen e përdorimit të euros pasi rritja e saj mund të dëmtojë konsumatorët dhe ndërmarrjet private. Ndërkohë që i pyetur në lidhje me nivelin e lartë të kredive të këqija, se çfarë nuk funksionon, kreu i FMN në Tiranë është shprehur:

“Plani i veprimit për zgjidhjen e kredive me problem nuk është zbatuar deri në fund akoma është një punë në proces ka patur masa ligjore, por në mënyrë që ato të kenë impakt duhet që ato të kalojnë disa kohë, gjithashtu kohë kërkon dhe procesi i ristrukturimit të kredive apo i likuidimit të kompanive, puna vazhdon dhe për zgjidhjen e këtij problemi kërkon kohë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *