POLITIKA KOMBËTARE

INICOHET MBAJTJA E KUVENDIT ZGJEDHOR NË NIVEL TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Gjakovë, 6 Maj 2017

Kryesia e Degës së Ballit Kombëtar Demokrat për komunën e Gjakovës, priti dje në një takim pune delegacionet e Ballit Kombëtar Demokrat nga SHBA dhe Ilirida. Në këtë takim të përbashkët të tri delegacioneve, u bisedua për gjendjen aktuale në Iliridë, Kosovë, Shqipëri, si dhe për pengesat që paraqiten në shtrirjen organizative dhe konstituim të organeve drejtuese të Ballit Kombëtar Demokrat në Republikën e Kosovës, në Iliridë dhe në trojet tjera shqiptare.

Duke folur për gjendjen aktuale politike në Iliridë-Maqedoni, të tri delegacionet, njëzëri i dënuan aktet e sulmeve terroriste të organizuara nga VMRO-DPMNE kundër kërkesave të drejta të shqiptarëve autokton në trojet etnike. Shqiptarët, jo vetëm si popull shtetformues në Iliridë-Maqedoni, por edhe si faktor kyq për paqen dhe sigurinë në siujdhesën ilirike, nuk duhet ta tolerojnë më asnjëherë ushtrimin e terrorit shtetëror, por duhet t’i përgjigjen me të gjitha mjetet e mundshme terrorit dhe përpjekjeve për të ripërsëritur aktet e gjenocidit ndaj tyre.

MBAJTJA E KUVENDIT ZGJEDHOR NË NIVEL TË REPUBLIKËS

Kryetari i Degës së Ballit Kombëtar Demokrat në komunën e Gjakovës, z. Ilir Kabashi, njoftoi të pranishmit për punën që po bëhet në drejtim të zbatimit të Marrëveshjeve Kombëtare dhe foli gjerë e gjatë për domosdoshmërinë e Mbajtjes së Kuvendeve Zgjedhore në sekcione, nëndegë, degë dhe në nivel të Republikës së Kosovës. “Në bazë të Statutit dhe Ligjit, vetëm zgjedhjet demokratike legjitimojnë strukturat drejtuese të subjektit, prandaj, ne si degë e Ballit Kombëtar Demokrat i jemi bashkuar kërkesave të anëtarësisë për shkarkim të kryetarit aktual Gazmend Islami, i cili, me veprimet e tij, e ka dëmtuar rëndë imazhin e Ballit Kombëtar Demokrat në Republikën e Kosovës.”

Delegacionet e pranishme në këtë takim i dhanë mbështetjen e tyre të parezervë kërkesave të drejta të kryetarit të Degës, z. Ilir Kabashi, duke i sugjeruar antarsisë së gjerë, sekcioneve, nëndegëve dhe degëve të Ballit Kombëtar Demokrat në Republikën e Kosovës, që si model organizimi transparent dhe veprimi atdhetar ta marrin Degën e Ballit Kombëtar Demokrat në komunën e Gjakovës.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Ballit nga SHBA, z. Mehmedali Jashari, pasi falënderoi Kryesinë e Degës në Gjakovë për mikpritjen mbresëlënese, përshëndeti të arriturat e deritashme dhe ritheksoi vazhdimin e mbështetjes konkrete të të gjithë ballistëve nga SHBA dhe mërgata europiane, të cilët, përmes Sekretariatit Koordinator të Ballit në Mërgim, do të vazhdojnë ta japin kontributin e tyre për organizim profesional dhe veprim politik e atdhetar me shtrirje gjithkombëtare. “Edhe ne ballistët në SHBA, i bashkohemi kërkesave të antarsisë së gjerë në Republikën e Kosovës për mbajtjen e Kuvendeve Zgjedhore në të gjitha nivelet. Dorëheqja është akt me vlera të mëdha morale dhe këtë nuk mund ta presim nga shërbëtorët e fondeve vrastare të perspektivës shtetërore dhe kombëtare. Demokracia e brendshme, respektimi i të drejtave të njeriut, liria e shprehjes së mendimit, diskursi përmbajtësor dhe vlerat kombëtare që prezantojmë, nuk mund të mbahen peng nga një shpërfaqje e papërfillshme, prandaj, si përfaqësues të Ballit në SHBA, që për dekada të tëra e kemi mbajtur pastërtinë morale dhe kombëtare në politikbërje, i bëjmë thirrje të gjithë atyre që sot na dalin të jenë bërë ballist, e jo më larg se dje ju shërbenin fondeve për shkatërrimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, të largohen vetvetiu para se nuk është bërë vonë. Ne, e mbështesim fuqimisht anëtarësinë e gjerë në Kosovë, Degën e Ballit Kombëtar Demokrat në komunën e Gjakovës dhe politikën gjithkombëtare të Sekretariatit Koordinator të Ballit në Mërgim.”

Pas takimit zyrtar, për nderë të delegacioneve nga SHBA dhe Ilirida, kryetari i Degës së Ballit Kombëtar Demokrat për komunën e Gjakovës, z. Ilir Kabashi, shtroi një darkë solemne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *