HISTORIA KULTURA

SI E NDALOI KRYEMINISTRI FRASHËRI REVISTËN ABC?

SHKRUAN: BAJRAM MJEKU

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, po sjell një fragment interesant midis kryeministrit të Mbretërisë shqiptare, Mehdi Frashëri dhe shkrimtarit Petro Marko, i cili në vitin 1936 mori leje nga Qeveria shqiptare të botojë revistën kulturore ABC, por në vend të kulturës, ai dhe bashkëmendimtarët e tij propagandonin ide komuniste. Qeveria shqiptare ndaloi numrin e dytë të saj.

Ja si e përshkruan Petro Marko takimin me Kryeministrin në Kabinetin e tij.

Më shpunë në zyrat e policisë andej nga rruga e Dibrës dhe më mbajtën gjithë natën. Të nesërmen në ora 10 më çuan në Kryeministri. Më futën në sallën e pritjes dhe qëndroja në këmbë. Hyri kryeministri Mehdi Frashëri dhe sapo më pa të lidhur, urdhëroi menjëherë të më hiqeshin prangat. Më tha të ulesha në një kolltuk shumë të rehatshëm dhe u ul pranë meje. Më hodhi dorën në qafë dhe më tha:

– Edhe unë jam persekutuar për tridhjetë e ca vjet, por nuk jam mërzitur!

– Po ju nga kush jeni persekutuar e pyeta? Ai qeshi me të madhe e tha:

– Nga kush persekutohet njeriu i ndershëm ë? Ti je i ri dhe mos u mërzit, por dëgjomë mua pakëz, tha Kryeministri që ishte një burrë simpatik dhe vazhdoi: Ne e dimë që jemi populli më i varfër në Evropë, por më thuaj pakëz si rrojmë? Kemi një dhi, një dele, një lopë, një arë, një kec dhe hamë ndonjëherë kukurec dhe ndonjë kokë të pjekur. Diçka hamë, prandaj jemi gjallë apo jo? Por, nuk kemi mend në kokë. Nuk punojmë, nuk dimë të punojmë, jemi dembelë dhe presim nga Perëndia. Nuk dimë, sepse jemi popull injorant. Nuk themi të mos shkruani, por shkruani që jemi dembelë, që duhet të punojmë, të shtojmë bagëtinë, t’i shtojmë ugaret, t’i shtojmë pemët, të lëvizim dhe të bëjmë tokën pjellore. Ja, këto shkruani more bir! Të zgjohet fshatari, por fshatari nuk di të lexojë fare. Ç’të shkruani! Mos u bëni edhe ju si ai katundari që qahej e thoshte: S’kam gjë prej gjëje, po më vdesin fëmijët për bukë dhe kishte tokë e bagëti dhe përsëriste çdo ditë avazin e Mukjes; po vdes nga uria! Ndillte të keqen dhe i ngordhën bagëtitë. Aman more djalë mos na ndillni zinë se diçka kemi. Duhet të lëvizim të punojmë, të jemi më të gjallë dhe jo të ndjellim babëzinë. Ju si të rinj me kulturë që e doni popullin, mësojeni këtë popull të jetë më i gjallë, i tha kryeministri Frashëri, Petro Markos derisa ky i fundit gjithë jetën mbeti komunist i bindur dhe idealist i pandreçshëm edhe pse u burgos nga regjimi komunist.

Shqiptarët edhe sot lexojnë e punojnë pak, por këtu e 81 vjet më parë kemi veç një dallim. Kryeministri Mehdi Frashëri edhe sot mbetet i paarritshëm nga të gjithë kryeministrat shqiptarë që e pasuan. Kishte dije, tolerancë dhe kulturë të madhe. Ishte shkrimtar, diplomat, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë dhe shquhej në fushën e të drejtës ndërkombëtare. Familja Frashëri deri sot kombit shqiptar i dha 37 personalitete të shquara në diplomaci, shkencë, kulturë dhe art. Shumica e tyre mbaruan studimet e larta në ish-Perandorinë Osmane dhe në universitetet më të shquara të Evropës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *