OPINIONE

ROLI I ISH TË PERSEKUTUARËVE NË JETËN POLITIKE

SHKRUAN: XHAFER SADIKU

Partitë e djathta që përmbysën regjimet komuniste në Evropën Lindore, do të shpërbëheshin gradualisht derisa shumica e tyre u zhdukën nga skena politike. Ndër të paktat që ende vazhdon të jetë aktive është Partia Demokratike e Shqipërisë. Por, cilat mund të jenë disa nga arsyet që e mbajnë kaq gjatë PD-në dhe roli i ish të përndjekurve?!

Pa bërë ndonjë historik të saj, Partia Demokratike u krijua si parti e studentëve dhe mu për këtë udhëheqja komuniste ishte e bindur se do të shpërbëhej shpejt, pasi që më përjashtime të rralla, studentët ishin bij të shtresave që mbështesnin regjimin komunist.

Regjimi llogariste që, me forcimin e propagandës kundër “armikut të klasës”, shumica e studenteve do ta braktisnin, siç ndodhi në fakt, në shkurt 1991, gjatë mitingjeve të shoqatës “Vullnetarët e Enverit”.

Në kulmin e terrorit, Partinë Demokratike dhe në mënyrë të veçantë Sali Berishën, e mbështetën ish të përsekutuarit politikë që u bënë pjesë e strukturave të saj. Ndërkohë, Berisha afroi në kryesinë e Partisë disa të përsekutuar nga familje të njohura. Roli i tyre ishte vendimtar dhe vazhdoi edhe në vitet që do të vinin.

Duke qenë se PPSH, që ishte konvertuar në Parti Socialiste, i konsideronte ish të persekutuarit si kundërshtarët më të vendosur, vazhdoi diversionin në radhët e tyre. Duke i njohur mirë këto shtresa të shoqërisë, ajo luftoi të persekutuarit me dinjitet dhe aktivizoi kundër pushtetit të PD-ë ish të persekutuarit me orgjinë të majtë, të tjerë me karakter të dobët dhe ordinerë.

Në një kohë kur nga radhët e ish të persekutuarëve kishte rreth 25 deputetë, midis të cilëve edhe kryetarin e parlamentit dhe disa ministra, të cilët mund të merrnin çdo inisiative legjislative, të aktivizuarit nga PS hynë në grevë urie.

Në diversionin kundër ish të persekutuarëve u aktivizuan edhe diplomatë të huaj në Tiranë. Eshtë e tepërt të përmendim grevat e njëpasnjëshme të një grupi të tyre, që i degjeneruan idealet e lirisë në çeshtje parash. Ky grup i vogël ende vazhdon të flasë në emër të ish të persekutuarëve, kinse mbron interesat e tyre, por në fakt mbron interesat e kryeministrit dhe klikës së tij. Kjo lojë i konvenon edhe diplomacisë, që nëpërmjet tyre përpiqet të mbushë mendjen e shqiptarëve se Partia Socialiste nuk është më partia e Enver Hoxhës, mbi shpinën e së cilës rëndojnë krimet e përbindëshme të regjimit të saj.

Pas një periudhe kaq të gjatë, ish të persekutuarit janë realisht të ndarë sipas vijave ideologjike: një grup vazhdon të mbështesë Partinë Socialiste dhe shumica e tyre që vazhdon të trajtohet nga PS si armiq klase. Kjo pjesë është edhe më heroikja, që u përket idealistëve, ish kulakëve, patriotëve dhe të pakorruptuarëve. Thene shkurt, te djathtes.

Nuk dihet se sa këta do ta mbështesin PD-ë, por ajo që dihet me siguri është fakti se ata do të mbeten në opozitë me klikën në pushtet. Ata do të mbrojnë lirinë; për vete dhe për të tjerët. Natyrisht, kjo ka kosto shumë të lartë, por ja vlen të sakrifikohet për të drejtat dhe lirinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *